Poezi nga Gladiola Jorbus
Dedikuar Kosovës
(Shkruar në vitin 2020)
Një duzinë me vite,
mbi supe mban Kosovë.
Dielli po të nxeh më gjatë.
Era po të fshik më fort…
E bukura Kosovë!
Me derte thurur velin.
Me buzët gjak e puthur.
Me sytë që pikojnë lot.
Nusja e trishtë,
mbetur me djepin bosh.
Si shqipe ngrihesh!
Krenare, fluturon mbi re.
Kosovë plot ëndrra,
që prej shekujsh, prehen
e dergjen nën dhe.
Ti gjuhë e imja,
Kosovë!
E njëjta zemër,
që në dy trupa rreh.
Atdheu
Atdheu është zemra e gruas.
Nëna që qau djalin.
Bashkëshortja që humbi burrin.
Vajza e mbetur jetime pa baba.
Motra që nuk u rrit me vëlla.
Atdheu është piskama e tokës.
Kushtrimi i luftës.
Gjaku i të parëve.
Atdheu është puthja mbi ballë.
Urata e pleqve bujarë.
Gjuha e mbrujtur me ar.
Atdheu është shpirti i burrit.
Që jetën ia fali me shpirt.
Që ia deshi britmën e kujën –
në luftë, në paqe.
në errësirë, në dritë.
Atdheu është lutja në Zot,
për lulet dhe qiellin pa re,
për malet, për detin e tij.
Motmoti valëvitet
Krenarisht në përjetësi…
I shtrenjti, i bukuri
Flamuri ynë kuqezi.
(Prishtinë, 2020)