Vëllimi është një kryevepër në llojin e vet, në lirikën shqiptare
(Mësues i Popullit, Mjeshtër i Madh i punës, Intelektual Ndërkombëtar)
Poezitë 1. Jam s’jam, 2. Në gjurmë të ikjes, 3. Jam grua tekanjoze,
4-Dhimbje e ëmbël, 5. Nën hijen e zjarrit, 6. Ethëzim njerëzor, 7. Shtrat thembër-butë, 8. Mish+mish, 9. Si fëmijë i pangopur, 10. Mal i ujshëm, 11. Po të ishe më i bukur, 12. O këmbë të bukura, 13. Më pështyj, 14. Buzë mbi buzë etj., në përgjithësi janë realizuar me art. Vëllimi ka poezi të sinqerta, të çiltërta, të hapura, të ndjera, të vetëdijshme, të ngrohta, të afërta, të jetuara. Është poezi moderne në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. F. Kulli është poete guximtare, thyen normat e etikës standarde dhe tabutë në krijimtarinë letrare artistike dhe refleksive.
Vëllimi është një kryevepër në llojin e vet, në lirikën shqiptare, një koncentrat, një poezi e ngjeshur, sintetike dhe lakonike. Ideja është çuar në minimum. Ekonomia e fjalëve zbatohet, pothuajse në të gjitha krijimet e saj të reja. Poezia shquhet për origjinalitet, për spontanitet, për sensibilitet. Autorja është një poete e njohur në poezinë bashkëkohore. Ajo sjell një notë të re dhe një mesazh të ri në lirikës refleksive.
2-Nuk është e lehtë ta përcaktosh krijimin e saj se me ç’metodë artistike është ndërtuar. Ka në të ndonjë poezi hermetike, si “buzë mbi buzë\ në një gotë\ mbytemi\ me një gllënjkë”. Ka ndonjë tjetër për surrealizëm “më puth\ më puth fort\ kam etje ndezjeje\ s’duroj dot….\ më puth….\ nëse s’mundesh\ më pështyj!”. Por, aty këtu në lirikat e saj të bukura, nuk mungojnë edhe elementë verriste, realiste, neorealiste, natyraliste.
Talenti i saj në poezi spikat me ndjeshmëri të hollë artistike në krijimtarinë lirike. Ka frymëzim, ka lehtësi në të shprehur e në të shkruar, ka stil të veçantë. Ligjërimi i saj poetik bie në sy për ëmbëlsinë, delikatesën dhe harmoninë e vargjeve. Ajo ka një mënyrë disi të veçantë të të shkruarit, mjaft tërheqës. Poezia shpalos para lexuesit të vëmendshëm, një punë prej qëndistareje të pjekur. Bën përpjekje që të arrijë një stil të lëmuar. Poezitë e Fatime Kullit, në përgjithësi, janë lirika të dashurisë, të erotikës. Por, ajo është shumë liçencioze, ndoshta poetesha më linçencioze moderne shqiptare e shekullit XX dhe të fillimit XX1.
I uroj punë të mbarë, krijimtari artistike të nivelit të lartë artistik poetik , suksese të vazhdueshme në artin lirik poetik.
Shkodër, 13 tetor, 2001