Lirikja dhe Psikikja në vargjet poetike të poetes e psikologes Genta KALOÇI

kop g


Lirikja dhe Psikikja në vargjet poetike të poetes e psikologes Genta KALOÇI

foto-intervista2-225x300

Shkruar nga Raimonda MOISIU

Poetët janë shprehës dhe emërtues të emocionit të fortë, që shpërthen nga  bukuria  e psikikes, njerëzores e shpirtit artistik. Genta ashtu si poetet e tjere e vështron botën jo vetem nga fasadat e pikturuara e të  stolisura me gjithfarë ngjyrash, por ne intimitetin e universit të bukurisë shpirtërore e verdiktit për vazhdimësinë e njerëzores.

genta foto libri

                     Genta Kaloçi

Shohim një Gentë të heshtur , modeste por edhe që shpërthen në vargjet e saj të cilat pasqyrohen me lirinë dhe përjetësimin e dialogut me veten e botën që e rrethon, – mes brengës e mallit, nostalgjisë e kujtimit, urtësisë e mencurisë, vlerës e antivlerës, bukurisë e groteskes, vdekjes e jetës, admirimit dhe respektit,  nën aureolën e njerëzores  dhe dashurisë.

Nëpërmjet vargjeve të poetes vëmë re se ajo njeh lirinë e të shprehurit, sipas saj jeta e njeriut është poezi dhe vetë poezia është Poeti! Në poezinë e saj shohim lirinë  e ndjenjës, gjendje emocionale e shpirtërore që ndodhin në jetë. Të krijosh poezi është përpjeka për të arritur të njëjtën përgjigje emocionale në akord me lexuesin. Poezia për të është gjerdani i artë i fjalës, i ëndrrave, pasioneve, dëshirave, psikikes e shpirtërores duke me çuar në përfundimin që kemi të bëjmë me një poete të kulturuar, pasionante, ëndërronjëse e shoqërisë me parametra qytetare dhe intelektuale. Poezia e saj është ndjenja, mendimi i shprehur në pak fjalë dhe histori e tërë,  e dhimbshme, reale  dhe e bukur.

Nën petkun e vdekjes” titullohet vëllimi (i dytë) poetik i Poetes e Pedagoges së Psikologjisë, Genta Kaloci, koleksion poetik me vargje që kanë në qendër simbolikën e lidhjes së fortë me lirinë e psikiken e shpirtit, imtësira psiko-analitike  e figura të goditura metaforike, imazhin e dhimbjes e dashurisë, përjetimit të përvojave jetësore e fantazisë, pasionit e shpresës, mes kontrasteve të jetës e artit, raportin mes natyrës e njerëzores, sikundër i ka ndjerë e jetuar. Që në hyrje të vëllimit vihet re dedikimi shpirtëror: “Këtë libër ja dedikoj babait tim, Petrit. Më mungon!” Kam pasur fatin e mirësinë t’i njoh prindërit e poetes, kam biseduar me babain e saj të shtrenjtë, burrë fisnik e idealist, plot urtësi e mençuri mendimi, me zemër të madhe. Poetja, që në titullin e kopërtinës  dhe dedikimin ndaj babait, të lë të kuptosh se ajo mundohet të përshtatet me rrethanat e reja, gjen ngushëllim e qetësi duke krijuar  vargje në prani të reales. Mënyra e vetme për t’i shpëtuar së kaluarës së dhimbshme është duke biseduar me vende dhe njerëz që nuk do të mund t’i shohë përsëri, duke na folur për të munguar e të vdekur, mban në çdo varg të shkruar me ta marrëdhëniet në kohë, për të mos i harruar të dashurit e saj që i mungojnë e ndahen nga jeta.

Në rastin konkret heroi i poetes është Ati i saj, shpirti psikik e idealist i tij, që e frymëzojnë Gentën edhe në mungesë të tij:

Vdekjes, vargje i thurra, paqe të vendosja,

vdekjen, desha të korruptoja.

Vdekjes ninulla i këndova, por ty kurrë s´të shpëtova.

Poetesha Genta është në kërkim të normalitetit brenda shpirtit dhe ekzistencës njerëzore, brenda asaj normales, ajo e konsideron njeriun e natyrën thelbësore,  përpiqet  të merret me të kaluraën, i kushton vëmendje të vecantë, përpiqet të përshtatet me bërthamën e kuptimit të vdekjes e jetës, si intimitet shpirtëror dhe human, mes mendjes së njeriut e natyrës, kohës e hapësirës nga humbja dhe poetesha vazhdon të jetojë, ëndërrojë, e të shkruajë:

Të humba në tokë, në qiell të gjeta,

ëngjëllin mbrojtës u shëndrrove, me shenja më flet,

në çdo figurë të reve fjalët e tua lexoj,

në çdo fëshfërimë të gjetheve ty të dëgjoj.

Përmes materialit gjuhësor të spikatur me ”bisturinë e psikologes”, Genta shpreson të arrijë përkohshmërinë gjuhësore poetike dhe  të paarritshmen ”Lirinë e pafrikshme dhe fabulën e poezisë! Në saj të strukturës së vargut, poetesha është në kërkim të diçkaje më shumë se kaq: Ballafaqimin me realitetin e përvojat e jetës; mungesën, dhimbjen e shpresës, nën lëkurën poetikë na jep thelbin e jetuar të një jete, ashtu si ai historiani që tregon më shumë se poezia. Me talent e mënçuri, me shpirtin artistik dhe  thelbin filozofik të psikikes, poetesha ndërton urën e takimit me babain e saj – mes tokës e qiellit, në kohë e hapësirë, dhe provon se asgjë nuk është statike, ajo demonstron ndryshimin me forcën e fjalës e vargut. Disa poezi konsistojnë në një strofë të vetme, por që vargjet e tyre mbartin simbolikën dhe esencialen, poezi ta tilla si p.sh. Unë, VdekjaNjeriu dhe HënaMirësia, Vetmia, Dobësia, etj, të cilat kanë diçka impresive, përceptimin e poezisë dhe ndjeshmërinë e autores (e një femre) në zemër të këtyre poezive, veçanërisht në ato vargje të drejtpërdrejta – që fillojnë me fëmijërinë, qytetin e lindjes, peisazhin, dashurinë, eliksirin e dashurisë, aventurat e moshës, jetën e vdekjen, bashkimin e ndarjen, të cilat janë karakteristike në këtë vëllim poetik.

Me hirin tim buzë detit luaj

jeta bëri të sajën,

në paralel u ndamë,

– Poezia,”Hiri im” – poetja përcjell metafizikën e plakjes, e cila është e pashmangshme, nuk është mallkim, por është  jetësorja, psikikja, hyjnorja dhe vdekja  në lidhje të ngushtë e të drejtpërdrejtë  mes hyjnores e njerëzores. Genta në disa poezi ka përdorur vargun linear, por ka edhe poezi që përbëhen nga linja rrëfyese, që përsos poezinë tradicionale, vargjet  lëvizin e nguliten në hapësirën e memories;

Sytë mbi ty ngul

e s’mundem vec se të të shoh

mundohem të të prek,

nëpër gishta më rrëshqet

zhurma e dallgëve në breg godet

një melodi ritmike në qetësinë tënde

ku ndonjë cift simfoninë e vet po kompozon,

unë aty në një cep vështroj,

Flladi i verës më ledhaton si nëna fëmijën e saj,

aromat e ditës të grumbulluara nën dritën e hënës,

shijohen në kulmin e tyre,

etjen ma ruajnë minutat e orët kalojnë,

vetmia më shumë më pushton.

Poezia – Nata.

Poetesha Kaloci nuk ka frikë nga urat e padukshme, ajo vetëm është e frikësuar për pjesën e traditës poetike, për  lexuesin e poezisë,  të mos dalë jashtë këtyre  “urave të padukshme”. Fuqia poetike e lidhur fort me filozofiken, njerëzit e gjithcka që e rrethon shpërthejnë nga thellësia e psikikes, shpirtit artistik e filozofik,  për të shprehur diçka të re, të ndryshme; impresive, optimiste e shpresëdhënëse, sikundër bënin poetët e metafizikës. Genta përdor gjuhën poetike me fjalë dhe elementë substacionalë  të pastër e dimensionalë, mendimi filozofik është implozion jo rrëfyes, ekspresionizmi abstrakt është në shpërthim. Forca  sociale, intelektuale, qytetare e historike, dëshmojnë labirinthin e fjalës e vargut, zërin dhe autoritetin e tyre, në poezi të tilla; “Modestia”, “Zgjuarsia”, “Inteligjenca”, “Vetëkënaqësia”, etj. Intuita, lidhjet psikike me artistiken nëpërmjet figurave të goditura letrare janë të besueshme në këto poezi, ato janë në stilin meditativ, poetja është e interesuar më tepër të vargëzojë përvojën e një momenti e mendimi të çastit, që përbëjnë estetika të reja; 

Inteligjenca e dija, ne zemër të butë,

e humanizëm,

është thjesht vetëvrasje,

Poezia – Inteligjenca.

Poetja kërkon të ndjehet e mendojë atë, çka  do të ndjejë  edhe lexuesi kur të lexojë poezinë, dhe lexuesi të shohë atë që poetesha sheh. Genta Kaloci në poezitë e saj demonstron magjishëm proçesin e saj të mendimeve e ideve në fabulën poetike.

Krenaria,

heroizmi,

sedra e sëmurë,

shkallë të përcaktimit,

të budallallëkut, idiotësisë, injorancës.

U arsimova,

udhëtova,

jetova,

eksperimentova,

këtë njollë,

vetes kurrë s’ia hoqa

Poezia – Njollë Njerëzore.

Me një timbër origjinal, autoritar e shprehur artistkisht, pa sforcë fizike, kujdes psikik, artistik e filozofik, me mjete modeste, duke prekur elementë  të kohës, plagë të shoqërisë e farsave sociale, elementë që shqetësojnë çdo poet e intelektual, se cfarë do të bëhet në këtë botë të bukur – duke i stigmatizuar ato – poetja Kaloci transmeton te lexuesi mesazhin pozitiv nëpërmjet kodit poetik, mesazhin e mirësisë, mirëkuptimit, përkushtimit e hedh dritë për shoqërinë shqiptare. Në poezinë “Shqiponja mërgimtare”, poetesha  shpreh dhe shtjellon plagën e mërgimit. Të gjithë shqiptarët që mërgojnë ajo i lidh si një marrëveshje rreth ciklimit eternal të riaftësimit të së kaluarës me të tashmen “mërgimin e sotëm, gjallëria poetike rrjedh në brendësi të psikikes e shpirtit artistik – unifikimi i kohës me hapësirën, i së tashmes me të kaluarën. 

Ankthi më përpin, dhëmbjet përvëluese më përshkojnë,

nën lëkurë i ndjej,

mrekullia fillon e merr formë.

Fluturimin nis,

horizonte të përshkoj,

me shpejtësinë e ëndrrave të fluturoj.

Subjekti i fabulës poetike merr rol aktiv në funksion të kohës e  hapësirës, projekt i vetekzistencës, shndërrohet në një strukturë medituese e vajtuese e dyzuar, të vetvetes e të tjerëve marrëdhënies humane, botës njerëzore e materiale brenda reales e psikikes. 

Ndjenja e dashurisë përfshin disa poezi të poeteshës Genta Kaloci. Gjetjet poetike janë të goditura si nga ana figurative e letrare, mesazhe që ripërsërisin atë që të gjithë kemi nevojë; dashurinë e jetën.

Çdo frikë e imja,

me ty nuk ekziston,

çdo puthje tënden,

akoma llahtaroj,

çdo prekje,

sërish kërkoj të përjetoj,

çdo përkëdhelje e ëndërroj.

Disa momente nga jeta e dikujt tjetër,

vodha

të drejtën mbi trupin tënd,

përvetësova

në skutat e shpirtit tënd,

u dorëzova

në epshet tona u lëshova…

Është poezia  Të përshëndes, një poezi që e kapërcen mishin dhe trupi i njeriut është thjesht anija që lundron në këtë emocion të fuqishëm. Dashuria në këtë poezi nuk është e përfaqësuar si një ndjenjë e bazuar në mënryë rigoroze në perceptimet e jashtme apo në cektësinë e bukurisë, por diçka më tepër; ajo është  ngritur mbi termin e dashurisë në kuptimin e pastër e shpirtëror. Duke përdorur imazhe specifike dhe tematika të përzjera, struktura poetike e kësaj poezie, merr shumë kuptim e domethënie, se duket që poetja ka një nocion të fuqisë së dashurisë. Këto ide të formës e përmbajtjes si një temë e vetme – janë të gërshetuara nga poetja me gjuhën poetike në kohë e hapësirë.

– Poezia Ekziston vallë dicka

Ndjesi e çuditshme,

ajri dorën më përkëdhel,

ajri vetëm më prek ajër,

e çuditshme vetëm ajër…

Kjo poezi kryen funksionin e saj, trajton marrëdhëniet mes natyrës (ajrit) së papeshë dhe e paprekshmja e një emocioni të brishtë,  të pastër e të fuqishëm, pra – duke vendosur idenë e dashurisë në një numur kontekstesh të ndryshme. Ajo është njëherë në krahasim dhe kontrast, ndërmjetësuese mes natyrës, ajrit,  hyjnores  dhe njerëzores.

Sytë,

sa herë mbyll,

aty do më gjesh.

Flladin,

sa herë në trup ndjen,

përkëdheljet e mia do jenë.

Perëndimin,

sa herë të shohësh i shoqëruar në vetmi,

kodi i përshëndetjes sonë do të jetë.

Rrezet e diellit,

sa herë të të ngrohin,

afshi nga puthjet e mia,

nga një tjetër dimension,

të papërfunduara.

Poezia – ELIKSIR, SA HERË!

Përzierja e përdorimi i termave të tilla; – syve, përkëdheljeve, flladit me trupin – pra mes botës së mishit (trupi), natyrës dhe botës së shpirtit të pastër, psikikes së shpirtit artistik, i japin formë poetike emocionit të brishtë e të pastër të eliksirit të dashurisë, që poetja e ka hulumtuar në mënyra të ndryshme në të gjithë poezinë dhe në vargje lirike. Biles, në të njëjtën kohë është  një proces për të unifikuar mendimin artistik me atë filozofik, që endet mes dy ideve shpirtërores e psikikes.

Vëllimi poetik “Nën petkun e vdekjes” i poetes dhe psikologes Genta Kaloci – kumton llojshmërinë e thellësinë e shpirtit poetik, i botës njerëzore e përvojave jetësore, i vetëdijes mitike e tragjike,  të kohës e me kohën, mes lirisë së pakufishme të vdekjes, imazhit tronditës të saj dhe vazhdimësisë së jetës – mes të fshehtave të saj dhe dashurisë për jetën – nën frymën poetike të psikikes shpirtërore, hyjnore e njerëzore.

Raimonda MOISIU

HARTFORD CT USA

Tetor 2013 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s