Poezia si krijesë e shpirtit ëndërrimtar ( Parathënie e vëllimit poetik “Një hark ylberi” i autorit Nikollë Loka) / Nga Albana Alia

 

 

liber Nikolla

 

POEZIA SI KRIJESË ARTISTIKE E SHPIRTIT ËNDËRRIMTAR

 

  (Parathënie e vëllimit poetik “Një hark ylberi” i  autorit  Nikollë Loka )

 

 Redaktore Albana Alia

 Reçensent :  Mëhill Tanushi

Botim i Shtëpisë Botuese “Emal” 

Autor : Nikollë Loka

 

 

 

dr albana

 

Nga Albana Alia

 

 

1. Poezia si mënyrë shprehëse e shpirtit ëndërrimtar
Përgjithësisht, kënaqësia në leximin e poezisë gjendet në strukturën dhe në ritmin e saj, dy elemente të rëndësishme të lidhura me dy kategori të perceptimit të botës, hapësirën dhe kohën. Në përcaktimin e strukturës dhe të shtresave kuptimore të saj përftohet një lloj kënaqësie intelektuale e simpatetike (provohen të njëjtat ndjenja), ndërsa në ndjeshmërinë e ritmit, ajo fizike. Poezia, sipas Widdowson-it, është forma më e lartë letrare që përdor një kod gjuhësor të veçantë. Ajo përmban konotime nga më të ndryshmet nëpërmjet të cilave poeti arrin të tërheqë me mjeshtëri ndjenjat dhe emocionet e lexuesit duke nxitur ngjyrësim, tinguj, shije e dinamizëm në imagjinatën e tij.

 

 

nikolle loka

         Nikollë Loka

 

 

Përveç strukturës dhe ritmit, në vëllimin e tij poetik Një hark ylberi, Nikollë Loka arrin të krijojë një imagery të veçantë nëpërmjet imazhesh të vazhdueshme, të përsëritura o në progresion intensiteti e ndjeshmërie e kjo përbën thelbin e gjuhës ikonike të kësaj poezie. Edhe shumësia e tingujve poetikë do të plotësojë më tej dinamikën e zhvillimit të artit poetik, apo artit të fjalës. Vargjet e rimuara e të lira të këtij vëllimi arrijnë të ndërthurin këto imazhe e tinguj të ndryshëm duke përfshirë në shtjellën e tyre edhe një simbolikë tejet të pasur që gjen shprehjen më të arrirë në përdorimin e metaforave dhe personifikimeve të krijuara artistikisht prej vetë poetit apo të riaktualizuara prej letërsisë së lashtë gojore.
Tematika që përfshin ky vëllim poetik është e shumëllojshme, duke filluar nga ajo e dashurisë, që ndriçon kur përshkohet nga harku i ylberit, nga drita e diellit apo refleksi i hënës, që gjallërohet e merr jetë nga uji i rrjedhshëm i kroit e lumit apo pulson e merr forcë nëpër valët e detit, trishtohet nën pikat e shiut, shprish konturet e saj në moralin e alegorisë së plakut e të korbit ku gjithçka plaket në këtë botë, pastrohet nga lotët materiale e shpirtërore e penetron në thellësinë e ngjyrës blu të syve femërore apo të hapësirës qiellore në progresion përhumbjeje drejt një irrealiteti ëndërrues.
Ëndrra paraqitet si projektim i dëshirave e dyshimeve të brendshme të poetit, një shkëmbim i vazhdueshëm mes botës së brendshme të njeriut e kufizimeve shoqërore dhe funksioni i saj më i rëndësishëm është të stabilizojë një farë ekuilibri psikik. Ka një përmbajtje, strukturë e qëllim të caktuar dhe imazhet e situatat e ëndërruara paraqesin një tematikë kostante ku poeti hyn në një proces identifikimi apo sublimimi. Gjuha e ëndrrave është e ngjizur me simbole ku edhe gjendet çelësi i shumësisë së kuptimeve të tyre në një kontekst tërësor imagjinar të vazhdueshëm ku individualja ndërthuret me strukturat antropologjike të imagjinatës kolektive që Jung-u do t’i përkufizonte rrënjë shoqërore të imagjinatës.
Shpirti ëndërrimtar i përmbytur nga një ndjenjë e fuqishme do të futet shpesh:

[…] në thellësinë e pafundme
të heshtjes
që shumë flet

ose do të vazhdojë të flasë me gjuhën e zemrës, të diellit, të luleve në syth, duke thurur vargje pafund për dashurinë, bukurinë, ëndrrat, trishtimin, litarin e fatit, duke qëndisur kohën nëpër një labirint të brendshëm në qendër të së cilit poeti do të përqendrohet në vetvete për të realizuar rikthimin në dritë, në një lloj ringjalljeje shpirtërore, pa humbur në pafundësinë e emozioneve, ideve e ndjenjave. Në këtë labirint vargjesh të shoqëruar me tinguj natyre e fragmente të shkëputura mitologjie, pulson konflikti i brendshëm i njeriut e, njëkohësisht, i poetit që lufton të krijojë një personalitet të veçantë nëpërmjet sakrificës së murimit, të mbështjellë prej imazhit mbresëlënës të Rozafës, për ndërtimin e kështjellës jetësore por edhe të veprës poetike si krijim artistik; ndihet prezenca e figurave historike të një epoke të lashtë që flasin e projektohen prej të shkuarës e përbëjnë thelbin e orientimit për të ardhmen. Në një vizion të tillë, poeti i verbër qëndron me sytë e mbyllura drejt dritës fizike, por me sytë e mendjes depërton diku tjetër, ku koordinatat e hapësirës e të kohës përzihen e shprishen:

Poeti i verbër
shikon
përtej mjegullës,
përtej territ,
përtej cakut,
ku vështrimi lodhet.

Urtësia dhe dëshira për përsosmëri të shpirtit do t’i ofrojnë mundësinë të perceptojë diçka tjetër, dritën e brendshme, nëpërmjet syrit të tretë të imagjinatës përtej ëndrrës, ku edhe hija do të paraqitet si imazh i irreales, i të ndryshueshmes, i natyrës së dytë, i magjisë, i ëndrrës.
Numrat magjikë, tre dhe shtatë të lejojnë hyrjen në një labirint tjetër, atë mitologjik, ku çdo riaktualizim përmban në vetvete edhe një gjurmë të fortë të së shkuarës, të përsosmërisë ideale:

Mbeti
një pikë vesë
në sytë e mi.
Një pikë vesë e ylbertë
në shtatë ngjyra,
në shtatë shkallë,
në shtatë diej.
Në shtatë humnera
të rrathëve të ferrit,
rrëzohen ëngjëjt
dhe yjet pikojnë.

*

E në tri kodra
përballë njëra tjetrës,
vajtojnë si dikur motit,
tre skifterë.

Përhumbje në vegime, por edhe rilindje shpirtërore nëpërmjet kërkimit të vetvetes, aty ku rrëzohet e digjet shpresa, nëpër humnerën shpirtërore të lidhur me thellësinë, zbritjen, ngjitjen, apo integrimin e transformimin në rrafshin mistik. Për poetin bëhet e qartë që pikërisht procesi i kërkimit dhe eksplorimit të thellësive të saj, do t’i ofrojë mundësinë e zgjidhjes së nyjeve të shpirtit të tij poetik e, në fund të fundit, të njohjes së thellë të vetvetes.

Midis
qiellit dhe tokës,
murit dhe kokës,
është pafundësia,
pamundësia,
dëshira,
vetëpërsosja…

 

 

2. Simbolizmi si pulsion instiktiv jetësor

 

Në një këndvështrim psikanalist, simbolet shprehin shpirtin e poetit-njeri, dëshirat apo konfliktet e tij në mënyrë të figurshme që arrijnë kulmin e ndërthurjes tek ëndrrat. Sipas studiuesve të ndryshëm, simbolet nuk duhen arsyetuar thellësisht duke i reduktuar në një njësi matëse logjike, sepse humbasin pulsionin jetësor, përmasën e tyre instiktive. Përkundrazi, ato duhen konsideruar si një përvojë jetësore e poetit që përshkruan dramën personale dhe i percepton falë një ndërthurjeje komplekse të enciklopedisë vetjake e të universit që e rrethon, duke filluar nga e përditshmja e thjeshtë deri te momentet transhendentale.
E prandaj figura femërore, nën tingujt e kitares apo të pianos, do të paraqitet si një vajzë e bukur, por edhe si një shtatore me fytyrë të Athinasë e vështrim të Herës, qerpikhënë e bjeshkës, lulezonjë e cila të deh me aromën e saj dhe që flet me heshtjen magjiplotë që shemb e shuan:

Heshtja jote
prizëm që përthyen
shtatë ëndrra
e shtatë dëshira bashkë.

Dashuria e saj është e thjeshtë, studenteske apo idilike, por shpesh metamorfozohet në një tërheqje fatale, në një vorbull pasigurie, labirint, humnerë apo dallgë deti shkatërruese, pika shiu të trishtimit ngjyrë gri ku thërmohet mërzia dhe qiell ku etja e fuqishme për kaltërsi zhvesh mjegullat:

Rruga për te zemra jote
kalon në një humnerë,
mbi një urë me tel,
në hullitë e lotit gri,
në një shteg,
ku ecet mbi litar,
në një labirint,
që shpesh të rikthen
nga ishe nisur.

Megjithatë, uni lirik në një projektim metempsikoze, rilind te shpresa që çel shtatë porta në hapësirën e amshimit :

Në peizazhe ringjalljesh
dorëzoj vdekjen time,
jetës i them:
kurrë mos ik!…

sepse në imagjinatën e poetit çdo ndjenjë është:

[…] moment përjetësie.
Një shpresë vetëndizet
në pluhurin ndëryjor,
vegim që sjell
dritë edhe hije,
kur qiellin mund
ta mbledhësh në dorë.

Pritja dhe castet e vetmisë në labirintin e kohës e të hapësirës do të bëjnë të mjaftueshme veç hijen femërore e një shtrojë të butë shprese.
Në lidhje me figurën femërore, në një kontekst bachelardian, poeti përdor gati gjithë termat e fushës semantike që lidhet me simbolin e elementit ujë: lot, brymë, shi, krua, lumë, pellg, liqen, dallgë e det. Uji paraqitet si burim jete, mjet pastrimi shpirtëror dhe qendër ripërtëritjeje, dhuratë e qiellit, por edhe si element femëror, sensual, në lëvizje apo pasivitet. Poeti e përdor këtë simbol në kuptimin pozitiv, si vend ku lindin takimet, dashuria, drita, si shenjë bekimi, por edhe pjellorie shpirtërore. Në mënyrë të veçantë, lumi dhe deti përfaqësojnë ekzistencën njerëzore dhe rrjedhën e dëshirave e ndjenjave. Lumi do të personifikojë poetin, ndërsa ujëvara figurën femërore që derdhet mbi trupin e tij duke krijuar një vazhdimësi poetike nën rrezet e hënës, simbol i ëndrrës dhe i pavetëdijes, i iluzioneve e i përhumbjeve, që reflektojnë dritën e diellit. Uji është i ëmbël apo i kripur, i ndenjur apo në lëvizje, pasiv apo dinamik, i rrjedhshëm apo i ngrirë, si brymë apo si shi, i qetë apo plot dallgë e shkumë, pra, të gjitha epifanitë e mundshme në këtë vëllim poetik do të projektojnë më së miri ambivalencën e këtij elementi: krijim e shkatërrim, çrregullim e pastrim shpirtëror që çon deri në amshim.
Ndërsa shiu perceptohet si trishtim apo dhuratë qiellore shpirtërore e materiale, deti paraqitet si simbol i dinamikës së jetës, si një gjendje e ndërmjetme mes mundësive dhe realizimeve, një gjendje pasigurie e ambivalente, një pasion i lagur, por edhe zemër që pulson imazhe të kripura apo qendër e pasioneve sipas këndvështrimit mistik mbi të cilin fluturojnë pulëbardhat me ëndrrat e natës ngarkuar e lundron varka e shpresave. Valët e detit pulsojnë, përplasen, humbasin në iluzione mjegullash apo shndërrohen në dallgë rëre e përfaqësojnë veprimin e pakontrolluar, të aktivizuar nga një forcë e jashtme, pulsionet e shpirtit.
Poeti konsideron liqenin apo syrin e tokës një lloj parajse për ushtrimin e imagjinatës, por edhe një metaforë e personifikim për sytë e të dashurës që me heshtjen dhe vështrimin e saj metamorfozon poetin në gur bjeshke dhe ndjenjat e tij në një grusht me thëngjij:

Po në liqenin e syve tu
lulet mbyten ndër dallgë.
Dallgët bien në gjumë,
liqeni ngrin
dhe heshtja jote,
iceberg,
noton në shpirtin tim.

I pushtuar nga një ndjenjë e fuqishme poeti nuk gjen paqe. Imazhi i të dashurës do të projektohet si ierofania e një virgjëreshe të muajit maj, mbi një altar ku sakrifikohen zemra e tij, ëndrrat, nata dhe pritja:

Mbytem në hutimin tënd
e të pyes:
ku është terri,
natën
kush ma grabiti!

*

Ai qiri
mbi një altar
po shuhet,
e nën altar po pres,
i rënë në gjunjë.
Sa herë të shoh,
zemra më bëhet akull,
kur do të shkrijë,
më thuaj!

Sipërfaqja e ujit apo e akullit të zemrës do të shërbejë si pasqyrë që reflekton të vërtetën, esencën e zemrës e të ndërgjegjes. E veçanta e pasqyrës është se prezantohet si simbol diellor por edhe hënor, kur reflekton dritën e diellit. Pasqyra është edhe emblemë e figurës femërore. Sipërfaqja e saj duhet të jetë krejtësisht e pastër për të përftuar maksimumin e refleksit dhe qartësinë e figurës, përndryshe do të kishim regresion të individualitetit në gjendjen amorfe, largim prej dashurisë, apo praninë e brymës mbi të.
Çdo ëndërr fshihet pas një ylberi, një kërkim i vazhdueshëm artistik kontakti, shprehje e dashurisë. Ylberi, paraqitet në këtë vëllim si një urë ndërlidhëse mes qiellit e tokës, një pontifex, vendkalim në ngjitje apo takim mes mashkullores e femërores, shkalla e shtatë notave muzikore, e shtatë ngjyrave, refleks i shpërbërë i rrezeve të dritës, por edhe simbol i virtyteve intelektuale. Në një vizion poetik sublim:

Derdhet një grusht pluhur
në shtatë ngjyra ndarë.
Vjen një rigë shiu
nëpër diell.
Lind një hark ylberi
në qoshe të syrit tënd,
në zemrën time mbin.

Bashkë me ylberin do të derdhet një ujëvarë vargjesh të pathëna që do të rilindin në një tjetër kohë, në një tjetër hapësirë blu të qiellit të dashurisë:

Vargje të pathëna
i përcjell
hapësirës blu
përmes tyre shoh
këtë copë qiell.
Pres të vdes
e të zgjohem,
mbi një copë telajo
që vesh qiellin tonë,
përgjithmonë.

Deri atëherë do të ndihet vetëm vjeshta e trishtuar, imazhet e saj të ftohta, gjethet që bien e pasionet që shuhen, burimet që thahen e vargjet që gurëzohen… Por, së shpejti, hyjnesha pranverë prej syve blu do të afrohet, do të hyjë triumfalisht në këtë botë, jeta do të rilindë, tingujt e natyrës do të veshin shpirtin poetik me ngjyra të reja, bjeshkët e antropomorfizuara do të mbushin sytë me qiell e dashuria do të marrë jetë përsëri.
Në një skenë ierofanike qiellore, dramatike e sublime, eklipsi i teogamisë Diell-Hënë, ku drita e diellit zhduket për pak kohë falë magjisë së hënës apo tërheqjes magnetike, do të jetë i ndërsjelltë:

Lindëm në një çast,
ishte diell pa re,
një eklips
herë bie mbi mua,
e herë ty të fsheh.

Dielli dhe hëna do të shndërrohen në spiritus dhe anima, formë e materie, dualitet si qendër energjie mashkullore e bukuri femërore. Hëna do të jetë gjithmonë e lidhur me diellin, por edhe burim i miteve, legjendave ritualeve e kulteve të ndryshme, simbol femëror, i transformimit e i kohës që kalon, yll i natës me bukuri e dritë të veçantë që shfaqet e zhduket, pasqyrë ku poeti ëndërron e çlodh sytë. Në hapësirën ndëryjore të ëndrrave ka bashkim por edhe ndarje, një yll vështron kometën e zjarrtë që djeg ftohtësinë e, së bashku rikrijojnë ëndrrat, por edhe djegin pasionet si meteorë të pakontrolluar.
Në një kontekst qiellor, drita dhe errësira do të përfaqësojnë trupin dhe shpirtin që bashkekzistojnë. Muzgu do të sjellë një mëngjes të ri, lindjen e diellit si simbol të pastërtisë, shpresës dhe energjisë së re shpirtërore e dritën si fuqi qiellore, si shpresë të njeriut, njohje, por edhe si jetë, dashuri e lumturi.
Në shumësinë e konotimeve të vëllimit, përshkohet shtegu i dashurisë por edhe kërkimi shpirtëror, e tashmja dhe e kaluara. Poeti u drejtohet maleve. Mali paraqitet si qendër e ierofanive dhe teofanive, bashkim i qiellit me tokën, ngritje shpirtërore, transhendencë, me simbolizëm të dyfishtë: qendër e lartësi, stabilitet e pandryshueshmëri. Pashtriku që i përket Bogdanit, Gjeçovit, Anton Pashkut e Ali Podrimjes, do të shndërrohet në Olimpin shqiptar të muzave ku pyetja retorike Kush jam unë? do të gjejë përgjigje vetëm në flatrat e shqipeve që kullojnë gjak. Poeti ndihet si një murg që u lutet truallit e maleve, si mitokritik, në kërkim të miteve të humbur e riaktualizim të tyre në malin e Runës apo në hijen e Zepës. Si historian, kërkon të rishkruajë tragjedinë e Dedë Gjo Lulit e të burrave të Hotit në Shpellën e Akullit në një version elegjie që përshtat këngët e kreshnikëve në një frymë të re; të kujtojë betimin e mirditorit Ndrekë Gazulli që ende gjëmon prej Hanit të Valaresë, apo të përjetësojë nëpërmjet betimit dhe artit të fjalës legjendën e Bibë Dodës, Adem Jasharit, Lekë Dukagjinit e dymbëdhjetë dukagjinasve të tij, duke mos harruar gjakun e shtatë lajthizakëve të masakruar nga serbët:

Gropë dhimbjesh,
lug lotësh,
stalagmite,
të këputura
nga sharra e kohës.

Nëpërmjet vargjeve, poeti ballafaqohet me jetën, kërkon të gjejë identitetin e vet, fillin e fatit që lidh humnerën me qiellin, kërkon të përshkojë urën si një kalim të vështirë nga një gjendje konfliktuale në tjetrën, si rrezik por edhe domosdoshmëri shpirtërore.
Është vështirë të flitet për një dekodifikim, vlerë semantike e interpretim të vetëm apo të plotë të poezisë, sepse interpretimi i saj gjatë aktit personal të leximit stimulon emocione e kënaqësi estetike në shkallë të ndryshme në përputhje me enciclopedinë vetjake të lexuesit. Prandaj Widdowson shkruan: “Poetry is expressive of some elusive reality outside the confines of what is conventional… The effect is to give point or poignancy to words which ultimately cannot be explained but only experienced.”
Kështu, efekti i poezisë arrin kulmin vetëm nëpërmjet eksperiencës personale: përmes dashurisë dhe dhimbjes, mirësisë dhe ligësisë, dritës dhe territ, reales dhe irreales, aty ku:
Të jesh vetja
nuk do të thotë
të jesh i mirë,
por të jesh ti
njeriu i lirë.
Një, vetëm Ti
në Univers.

Nëpërmjet një prizmi të fuqishëm poetik, mitologjik e historik, Nikollë Loka arrin të përthyejë shtatë tematika të veçanta: dashurinë, ëndrrën, poezinë, natyrën, mitologjinë e historinë, kohën, fatin e njeriut, të cilat shkrijnë konturet e ndërthuren mes tyre duke projektuar thelbin e botës së brendshme të njeriut të lirë e të krijuesit të artit të fjalës

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s