Me redaktim dhe parathënie të Demir Gjergjit vjen libri më i fundit i Shtëpisë Botuese “ADA” , Të dashurosh një grua… të Ilirjan Sadikaj
THELLËSITË…
nga Demir Gjergji
Pas takimit të parë me Ilirjan Sadikajn, autorin e romanit, të cilin, ti, i dashur lexues
sapo ke nisur të shfletosh, ndërsa flasim për librat dhe letërsinë, mua mendja më rreh gjetkë: “A do ta nxinte shtrati i Missisipit naftën që digjet pa pushim mbi planetin tonë? Dhe gjithë kjo naftë del nga thellësitë e këtij planeti që duhet tokë…!” Ndërkohë Ilirjani me flet me pasion djaloshi të dashuruar për katër librat e tij të botuar: “Dashuria e Besarës” (2008), “Cikloni” (2009), “Dita e vrasjes së Azemit” (2009), “Dashuri e paralindjes sime” (2011). Ky shpërqendrim i vëmendjes, natyrisht, e ka një motiv: Ilirjani ka kryer studimet për inxhinieri nafte dhe ka thuajse një jetë që punon në këtë specialitet. Ai është njeriu i duhur që mund t’i drejtohem për vramendjen time, se si ka mundësi që nga globi ynë ka vite e vite që buron e nuk shter një lumë i tillë nafte! Por nuk kam se si t’ia ndërpres fillin e bisedës për letërsinë, e cila është pasioni i tij i madh. Në katër librat e tij të botuar dhe në romanin që është bërë shkaku i takimit tonë, ai mëton se shkruan një tjetër lloj letërsie nga ajo që botohet rëndom. Në librat e tij ngjarja, subjekti, ndërthuren me një lëndë të bollshme informacioni bashkëkohor, që vjen nga fusha e studimeve të tij. Në një farë mënyre, ai sjell misteret e thellësive të tokës, të mbushura me lumenj e “dete” nafte, në thellësitë e artit të fjalës. Romani: “Të dashurosh një grua…”, është shkruar me sigurinë që i ka dhënë përvoja krijuese e katër librave të mëparshëm. Në të subjekti rrjedh natyrshëm pa “keqkuptime”, apo “spërdredhje”, të cilat mund ta lodhnin lexuesin. Personazhet janë krejt të besueshëm e paraqiten me gjendje shpirtërore që vijnë prej situatave, ngjarjeve dhe rrethanave po aq të besueshme. Dialogët e kursyer dhe lakonikë, edhe pse mund ta lexosh pa zë librin, të kumbojnë në veshë dhe të duket se po i dëgjon personazhet në bisedë e sipër. Po sjellim këtu një copëz nga romani për të vërtetuar këtë që sapo thamë:
…………….
– Çfarë ndihme kërkon prej meje Kenadi?
– Kush je ti?- belbëzoi Kenadi zemërdredhur.
– Unë jam zoti yt,- tha shembëllimi.- Më kërkove, erdha.
– Ti je Zoti?! Po ti më ngjake kaq shumë !- tha Kenadi. Nuk duroi dot, pa ia thënë një fakt të tillë.
Zoti vuri buzën në gaz. Ose Kenadit iu duk se ai bëri një gjest të atillë, nga që buzët e tij ndriçuan me një dritë blu.
– Gjithsecili e përfytyron zotin me fytyrën e vet, apo jo Kenadi? Më thuaj ç’dëshiron? Unë po të dëgjoj.
……………….
Kur t’i lexoni këto dialogë në ndërthurje me gjithë lëndën e romanit, kam bindje që do të më jepni të drejtë, nëse do të thosha se në dialogë personazhet “dëgjohen” kur flasin dhe në përshkrime, pamjet shihen, imazhet të shfaqen të gjalla, pra, mendoj, se nuk do ta teproja po të thosha se në krijime të tilla, fjala bëhet edhe ekran edhe altoparlant njëherësh. Ilirjani nuk e kërkon fjalën me llambën e Aladinit, as figurën, as mjete të tjera të formës. Ato i vijnë natyrshëm, prandaj dhe proza e tij është e besueshme e pa artifice. Kjo vihet re edhe në lëndën leksikore: ka mjaft fjalëformime të autorit si: “mbloj” (ruaj, taks), “paramartesë” (fejesë), “trëndafiluara”, (lulëzuara me trëndafila), “trikotuara” (të thurura triko) etj. Madje edhe emrat e personazheve shumë janë krejt të veçantë e të pahasur më parë. Por, mbi të gjitha, ajo që mëton vetë autori, për një lloj letërsie tjetër, vërtetohet në një masë të madhe. Ashtu si në krijimtarinë e tij të mëparshme, të botuar në katër librat e sipërpërmendur, edhe në këtë roman gjen, informacion shkencor brenda nebulozës së trillit artistik dhe fantazisë së shkrimtarit. Këto që thamë dhe ato që ti, vetë, i dashur lexues do të hasësh në këtë roman, ashtu si në krijimtarinë e mëparshme të Ilirjanit, të bindin, se kemi të bëjmë me një shkrimtar që dëshmon jetën, me të gjitha hapësirat dhe të fshehtat e saj, që paraqet njeriun me të gjitha përmasat e fizikut e sidomos të shpirtit të tij.
Pasi e mbaron së lexuari romanin, mund të të vijë ndërmend gjithë ajo letërsi që ke lexuar më parë e të thuash se jeta njerëzore vazhdon të rrjedhë e vrullshme e pakufi, aq sa është e pamundur që letërsia ta marrë brenda vetes të gjithë atë…dhe përsëri të shkon mendja tek ai “Missisip” nafte dhe gjithë ajo energji që digjet pa pushim udhëve e hapësirave të planetit tonë e që nuk shteron…”Krahasimi në këtë rast fare pak mund të çalojë”, thotë Ilirjani, inxhinieri i naftës dhe shkrimtari në këtë rast…





























Leave a Reply