Teuta Sadiku
Teuta Sadiku ka lindur në qytetin e Përmetit. Pas mbarimit të Shkollës së Mesme të Përgjithëshme në qytetin e lindjes, vijoi Universitetin e Tiranës Dega Gjuhë – Letërsi. Ka punuar si mësuese e gjuhës shqipe për 5 vjet rresht në Qytetin e Tepelenës. Më 2003, për probleme ekonomoke emigroi në Greqi dhe deri në ditët e sotme jeton dhe punon me familjen e saj në Volos të Greqisë. Pasioni për Letërsinë ka qënë i hershëm dhe falë talentit letrar ka botuar krijimtarinë e saj, si në prozë edhe në poezi në revista dhe gazeta si : në Kosovë, Maqedoni e Shqipëri, në Greqi, në Amerikë, Rumani, Austri, Gjermani e Suedi.
Aktualisht dritën e botimit e ka parë Vëllimi I -rë Poetik, “Kronikë e qytetit tim”. Gjithashtu autorja ka në proçes botimi një vëllim tjetër poetik si dhe romanin “Doruntiadha” .
Poezi
Cikli poetik “Ditët e Javës”
E hëna
Ditë pune e zakonshme, e gjitha materie.
Ngjeshur sa më shumë të jetë e mundur pas lekut
trup, këmbë, kokë, mendje,sy
ka dhe shpatulla të rëna nga lodhja,
kofshë të nxirra,të përplasura diku
kurthe gojësh,vështrime vëngër
leje të skaduara, dokumente pa vulë,
mendje të çoroditura,të mbledhura lëmsh
që sja gjen dot fillin askush.
Unë emigrantja vrapoj mes tyre se më presin
orendi të vjetra të plasura nga inati diku
karrige këmbështrëmra nga fjalët e rënda
pasqyra të ciflosura nga egërsia e fytyrave pa shpirt
avulli I frymës sime kurrë nuk I pastron mirë.
divanë me thërime fjalësh të shkërmoqura,
të pa përtypura mirë
tavolina gjithë njolla mërie ,plasje buze
çarçafë memecë, të penduar netëve pa gjumë
orë muri të rënda të çkurdisura nga durimi i pritjes
numërojnë dhe sekondat e punës së pasiguruar mirë
orë të vogla që punojnë si tik –taket e zemrës së gruas
televizorë me gojë të mëdhaja si kuçedra kollofitin mendje e tru
rroba gjithë djersë e erë thartirë nga poshtërsitë e fshehura mirë,
presin të hapet dera e ballkonit e përjashta të varin vetëveten
piktura të vjetra mbuluar nga pluhuri I kohës qysh kurrë
presin rradhën për diskutime shoqërore dhe historike
banja alla turke që ulesh më gjunjë e pikohesh gjithë shurrë
banja alla frënge ku politikanëve su vjen të ngrihen kurrë
të gjitha presin një moment magjik
ti prekë dora e pafajsisë,
të së Hënës.
E enjtja
At~dhe me Ty dua të bisedoj
shtruar gju më gju At dhe Bijë
Kam nevojë shumë për dorën,
fjalën e ngrohtë të mamasë
.në këtë kohë të vështirë.
Kuptomë,
kam nevojë për dikë
të mendojë, të ketë merak për mua
ku jam ,a jam mirë, pse u vonova.
Ty të dua akoma më shumë
Po në një mënyrë krejt tjetër .
At~dhe për këtë do të flasim
një here tjetër.po tani
dëgjomë me vëmendje:
Mësova se mamaja ka TENSION të lartë.
U shqetësova ndaj
në çantën që po u dërgoj me vetminë
poshtë ilaçeve për mamanë
Jo pa qëllim, po ju vë një fotografi të lashtë.
At~dhe thoji mamasë mos ta futë rrëzave
ta vari në portën para shtëpisë.
jo nga brenda
nga jashtë, ta shohi gjithë bota.
Poshtë fotografisë kam vënë një palë ndresa,
të dyta
Mbase ndron lëkurën koha, e ndryshojnë gjërat
e bëhemi të gjithë bashkë
një trup si dikur.
At~dhe unë e di ,
ja sikur të jem aty
ty lotët nuk të duken por Ti qan në heshtje me ngashërim ,
Mos u mërzit ,
nuk është e largët dita e BASHKIMIT
P.S .
At~ dhe një porosi të fundit kam
të lutem rriji pranë mamasë,
qetësoje
kujdesu për të ,
unë nuk vi dot tani
se jam pa Kartë akoma.
E shtuna
E shtunë, dita që kam kohë të pastroj shtëpinë
nga pisllëku – i kujtimeve të javës që shkoi,
të zgjedh një dëshirë për ta çngurtesuar në vaktet e fundjavës
mos harroj të blej më të domosdoshmet në markatë.
Një shishe ujë çmallengjimi me aromë loti nga firma Trebeshina
një krem per djegie nga dashuria në kete vape torturuese
kam frikë se do më duhet të marr ilaç rezerve
për transfusion shprese ,
se ajo që kisha s’më bëri punë .
A , pa tjetër duhet të marr
Një medikament me pika ëndrrambytese për dëshirrat e parealizuara
një kuti me kokrra qetësuese për ndjenjat e trazuara, se diku pashë
listën e emigrantëve të kapur pa dokument.
Prapë dola nga llogarie ime
dhe këtë periudhë të keqe që ka pllakosur vendin
jam fare e shkundur, pa kokërr leku.
Shpenzoj shumë, e di
të gjithë më thonë,sa debile je
kur s’ke pse jep?
Tani më duhet të tjerat ti marr verese
paketa me ide si dhe garza sterile për heshtjet e mia gjithë plagë.
Aman, kur do të vijë kjo e Hëna?
Kavafi-ane
Shumë e gjatë rruga nga Aleksandria jote
në Trojën time këtë radhë.
Ecim dhe kërkojmë me sy të paktën të shquajmë një dritare të hapët.
Dhe për çudi nuk është terr,
as muzg,
as mugëtirë.
Këtë herë ishte drita ajo që na verboi sytë
dhe ne akoma kërkojmë dritaren e hapur
me duar,
në vargjet e tua.
Mona Liza e vendit tim
U shtri në kanavacën e piktorit lakuriq
dhe kjo zgjati jo më shumë se disa çaste
aq sa lëngu i tij plasmë e trashë të futej brazdave të saj hapur kohëve,
nga balli i saj zhubrosur fizarmonikë
rrudhave të fytyrës ,këmbë rose ,në fund të syve
në duart thela – thela, gjithë kallo të panxjerra
deri në thundrat e këmbëve të ashpra, kothere.
Pastaj iu afrua shpirtit të femrës
ku ajo kishte fshehur me dorën e saj,
frikërat, dashuritë,dhimbjet
fishekun e pajës,misteret e botës.
Aty ishin dhe stemat, kurorat, emblemat dhe simbolet e vajzërisë
që prisnin princin ta nxirrte prej kësaj bote prejkoti
ku thyhen zemrat si vezët e pashkëve nga çdo anë.
Mbarova punë ,
kaq për sonte, tha piktori
dhe la pinelin duke u fshirë me një pecetë
dhe u kthye nga krahu tjetër , i lodhur.
Ajo e shtrirë lakuriq pas shpinës së tij ,hodhi sytë rreth e rrotull
mendimet si zogjtë me cep filluan ti çukisnin trurin
dhe më pas u rreshtuan në kortezhin e tyre si milingonat e dheut.
Bënte shumë ftohtë atje brënda
edhe pse ndezi një nga një fijet e kutisë së shkrepses
nuk mundi dot të gjente një shteg hapur të dilte prej asaj çgjëndre.
Kur në të gdhirë piktori i hodhi një sy portretit.
ajo që tutje lakuriq u mbulua me një tis të hollë buzëqeshjeje.
Piktori u shtang,
iu afrua dhe me përgjërim i tha :
Të lutem Mona Liza,ime më thuaj,
çfarë fshihet pas asaj buzëqeshjes suaj?!
Ajo lakuriq siç ishte nga kanavaca I hodhi një sy portretit .
Ajo që pikturove mbrëmë nuk është e mjaftë për asnjë femër
edhe pse yjet binin rrebesh gjatë intimitetit
të gjitha Monalizat në darkën sublime shtruar për to enkas
të panginjura në shtratin erotik fjetën.
Qyteti im
Ti ke kohë që flet përçart në gjumë qyteti im
për tmerin prej ngjyrave të bojës që ty të ka zënë.
Ja pothuajse si dje,
bërtiste një saç televizori tutje nga qendra :
-E kuqja , e kuqja të shfaroset
na hipën gjaku në kokë sa herë e shikojmë.
-Rroftë bluja, bërtiste dje një tub sobe
kur pa pritur pamë prej saj të ngrihen lart dy gishta ,
tym blozë.
Sot,nga ana tjetër e rrugës
një depozitë plastike pa pike uji ulëriste me sa kishte në kokë:
-Jeshilja , s’të ka faj , ajo bushtra
nga na mbiu e s’na shqitet si krisje ,nëpër këmbë .
Ti nuk fle qyteti im,
këtu e prej kohësh,
ti je shndruar në një kufomë.
Qyteti im ,
edhe unë një gur I praguttënd
si mund të mbyll sy e të flë me ustallarët nëpër këmbë
që hyjnë – dalin e veç rrëmujës që nga pas lënë
nuk po e zënë dot pikën ku strehëza jonë pikon.





























Leave a Reply