Më mirë analfabet apo vrasës i shkolluar? / nga Rezart Palluqi

 

Më mirë analfabet apo vrasës i shkolluar?

 

 

rezart palluqi

 

nga Rezart Palluqi

 

 



    Ai ishte katërmbëdhjetë vjeç, kur i propozuan që të mësonte të shkruante dhe të lexonte.Në atë kohë trumbetoheshin me të madhe parullat: “Të luftojmë analfabetizmin, këtë sëmundje primitive”, “Mëso të shkruash emrin tënd që të gdhendësh në mermer historinë e kombit tënd”.

Meqë Sokoli ishte vëllai më i vogël, në shkollë thirrën të vëllanë e tij, tetë vjet më të moshuar, Petritin, i cili mbas dhjetë muajsh mësoi të shkruante në nivelin e një nxënësi të shkollës fillore.

Kur Petriti kthehej në shtëpi, i tregonte Sokolit fletoren e shkrimit të mbushur me fjali të ndryshme, të cilat ia lexonte me zell.

Sokoli, që dallohej për intuitën e mprehtë dhe për racionalitetin e rrallë, i mbetën në mend disa fjali, që i vëllai sapo ia lexoi. Disa prej tyre thonin:” Partia është ylli më i bukur që ekziston!”, “Partia, Nëna jonë e madhe!”, “Prona private ndodhet në duart e gjakpirësve.”
-Si të duket drejtshkrimi im?- e pyeti Sokolin i vëllai krenar.
-Unë nuk i njoh shkronjat,por paske ecur mjaft…. Fjalitë, që shkruan tani, janë më të gjata- i tha Sokoli i pezmatuar.

Petriti, që dita-ditës po shndërrohej në një spiun të fytyrave njerëzore, e interpretoi pezmatimin e të vëllait si një zili ndaj përparimit të tij në shkrim dhe këndim.
-Mos u mërzit, vëllaçko. Bëj edhe pak durim. Do të vijë edhe ty radha të arsimohesh, ashtu siç i ka hije një komunisti – e ngushëlloi Petriti.
Sokoli nuk fjeti atë natë dhe shumë netë të tjera. Intuita i thoshte se diçka e rrezikshme fshihej në fjalitë, që mësonte i vëllai në shkollë.
“Si qenka Partia, ylli më i bukur i qiellit?”-pyeste Sokoli veten. Ai ishte në shpirt poet dhe për të, yjet ishin të gjithë po aq të magjishëm.
“Po Partia, përse qenka nënë më e dashur se nëna ime?-pyeste sërish vetveten. Brenda tij ndjeu një kërcënim për dashurinë, që ushqente ndaj nënës së tij, dhe një mister për dashurinë ndaj nënës Parti.
Edhe në fjalinë e tretë, Sokoli u djersit kur e sillte dhe e ndërsillte në mendje.Ai nuk e kuptonte pse, babai i tij, dikur tregtar i suksesshëm në tregtinë e lëkurës, duhej të konsiderohej armik i vendit,gjersa pasurinë e vuri me djersë e sakrifica dhe jo me grabitje e mashtrime.

Mbas dy javësh Sokoli u bind se që të mësoje të shkruaje dhe të lexoje në shekullin e tij, ishte jashtëzakonisht e rrezikshme,ishte vetëvrasje e logjikës dhe e dashurisë njerëzore. Më mirë analfabet dhe me dorë në zemër dhe me gishtin kokës se i shkolluar në kohë diktatoriale- pëshpëriste ai. Prandaj vendosi të MOS mësojë këndim e shkrim. Por si do ta justifikonte këtë? Vëllai i tij,Petriti, i cili mbas dy vitesh mbaroi shkollën e mesme, u emërua kryetar i kooperativës së parë në fshatin e tij.

-As mos të shkojë nëpër mend.Ti vëllai im, të mos dish të shkruash dhe të këndosh. Javën që vjen do të fillosh shkollën e mësimkëndimit- e njoftoi i vëllai.

Atje Sokoli u hoq si budalla duke shkruar qëllimisht gabim. Mësuesi, i cili i njihte mirë aftësitë mendore të Sokolit, e nuhati lojën e rrezikshme, siç e quajti ai, të Sokolit. Thirri Petritin, dhe ky i fundit, kur dëgjoi prej Sokolit, se në shekullin e tij qenka më mirë të jesh analfabet, se i shkolluari i Partisë, e denoncoi menjëherë të vëllanë në polici.

Sokoli vuajti një dënim prej njëzet vjetësh burg dhe nuk jeton më.I vëllai,Petriti, aspak analfabet, e flet gjuhën shqipe si një akademik,duke korrur sukses politik edhe sot, në Demokraci.

Sokoli, që refuzoi të shkruajë emrin e tij një jetë të tërë, vdiq përpara dymbëdhjetë vitesh. Unë e takova rastësisht në tren, në vitin 1996, ndërsa po emigroja për të shtatën herë drejt Greqisë. Sokoli më foli gjatë për vuajtjet e tij në burg, por ajo, që më mbeti e ngulitur në mendje, ishte ironia e tij ndaj krenarisë së shprehur SOT nga një kastë shqiptarësh për luftën hoxhiste kundër analfabetizmit.

Pak minuta përpara se treni të mbërrinte në Përrenjas,Sokoli më vështroi gjatë në sy dhe më tha:

-Në kohë diktatoriale më mirë të jesh analfabet se vrasës ose injorant i shkolluar. Ata, që krenohen sot me luftën hoxhiste kundër analfabetizmit, unë i tall fort. Diktaturat, cilatdo qofshin ato, të kuqe, rozë, të verdha apo të gjelbërta i arsimojnë popujt në shkëmbim të dashurisë së tyre për vetveten,për nënën, për qiellin dhe për pasurinë e tyre vetjake- tha plaku, ndërsa po zbriste shkallët e hekurta të trenit gjumash të linjës Durrës-Pogradec.

Rezart Palluqi@@

Amsterdam, 12 prill, 2014

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s