Bota ndjesore e lirikave të ëndërrta . (Vëllimi poetik “Ëndrra shpirti” – Agim XHEKA ) / Nga Dr. Zejnepe Alili – REXHEPI

 

10173716_881303961887116_5876828632286452142_n

 

Bota ndjesore e lirikave të ëndërrta

 

Vëllimi poetik “Ëndrra shpirti” – Agim XHEKA

 

 

 

 

zejnepe -2

 

Nga Dr. Zejnepe Alili – REXHEPI

 

 

 

Të njohësh një poet …, nuk është vetëm fat

 

Të njohësh interpretuesin, gazetarin e Radio Tiranës, të njohësh poetin Agim Xheka, nuk mund të ndihesh vetëm me fat, por me sinqeritet e pranoj që tek ai gjen thesarin prej njeriu e talenti të admirueshëm. Një njohje e rastësishme, në Takimin poetik “Guri i Hyjneshës Ilire Thana” – Kërçovë, 2014, ku do të interpretonte ca poezi nga vëllimi im poetik “Ujëvara e syrit”, më afroi me të, dhe jo vetëm mua, por të gjithë poetët u njohën me AG-un e frymëzimeve të reja, si me një personalitet që shpërndan kode dashurie, mirësie e paqeje, me të gjithë. Andaj them se, kjo njohje ishte më shumë se “vetëm” fat!

Dhe…, përderisa akoma e mendoja si një aktor (meqë kështu pëshpëritej) që i interpretonte vargjet në mënyrë të veçantë, përderisa ai të mahniste nga mbrëmja në mbrëmje, me melodizmin e zërit të tij, për aq sa qëndruam në manifestim, nuk e dija që është dhe poet…, kur ca kohë më vonë, teksa i dëgjonim recitimet e poetëve, më dhuroi një libër, mbi ballinën e të cilit lexova “Ëndrra shpirti” – Agim Xheka (Aldebaran). Të them të drejtën, kjo qe një befasi që akoma më shumë e lartësonte figurën e tij, meqenëse tani sikur edhe shpjegohej disi, ajo buzëqeshja e përherëshme dhe mirësia që reflektonte gjatë tërë kohës… Ah, dhe ca raste të rralla kur fliste për “çështje kombëtare”, atëhetë merrte “zjarr”…, por kjo e shpaloste mbase, shpirtin “rebel” të poetëve të mëdhenj. Në interpretimet poetike ishte Aldebaran i vërtetë!

Ç’përcjellin vargjet nga “Ëndrra shpirti”?

Të marrësh “Ëndrra shpirti” nga vetë poeti, nënkupton të njihesh me 100 lirika, të njihesh me qindra metafora për dashurinë, ëndrrat, të bukurën, bashkë me atë lojën e pashkëputshme midis jetës dhe vdekjes. Janë poezi që të krijojnë 100 imazhe ndryshe, të lënë shijen estetike të përjetimit të thellë dhe imagjinatës së pafrenuar, për të qenë udhëtari më besnik i atyre metaforave-perla që shpiejnë me sinqeritet, herë në strukturën e vargëzimit, herë në unitetin e përmbajtjes, pavarësisht që në to gjen shpërthimin emocional të një artisti, i cili ndjeshëm, por me maturi e përshkruan prani-arratisjen e dashurisë, në tufëza lirikash tejet origjinale.

Agim Xheka

         Agim XHEKA

Gjatë leximit të këtij vëllimi, të duket se njeh rrëfimet më të bukura, ëndjet më të mëdha, ndjenjat më të papushtueshme…, ëndrra të tëra që nuk kanë të sosur, ëndrra shpirti…, kur palodhshëm bredh qendrave urbane e rurale, për t’i harmonizuar në një pikë të vetme – dashurinë ndaj jetës. Një sintagmë jetësore që do të niste këtë rrugëtim të poetit shpaloset që nga poezia e parë: “Urimi im”…, kështu edhe njihen poetët altruistë që individualen e shkrijnë në përmasat e dashurisë universale. Poeti e ka këtë dhunti!

Imazhet letraro – artistike të poezive

Analizuar nën optikën stilistiko-letrare, vëllimi “Ëndrra shpirti”, përpos që të lë kënaqësi leximi, gjithashtu të ofron mundësi të pafundme interpretimesh letrare, duke iu shmangur paksa pasionit të interpretimit. Poeti, që në nismë, përmes mjeshtërisë së komunikimit i drejtohet lexuesit me poezinë “Urimi im” mbase që, poezia të jetë një ogur i mirë dhe të reflektojë mbi arsyen e tij. Është mjaft e rëndësishme linja lexues-autor…, kjo deri diku e përcakton edhe fatin e librit në kohë.

Shikuar nga një spektër përmbajtësor e formësor, e shihja të rëndësishme për të risjellë një renditje motivesh, paksa më ndryshe, me ca tipizime tjetërfare,:

  • Poezia refleksive – erotike;

  • Meditative – përshkruese;

  • Intime – moralizuese.

Duke përllogaritur se poezia është një pjesë e së mundshmes së botës sonë emotive, ndonëse ajo zë pikërisht majat e artit, edhe në këtë libër, ato përmbajnë refleksivitetin ndjesor, ku ndihet zjarri poetik, me fuqi intrerpretuese deri në thellësitë më të ndjera të unit njerëzor, që lirshëm sfidohen nga vargje të lira.

Në të vërtetë, brenda identitetit letrar (shqiptar) vjen një krijimtari e konsoliduar vlerash, mirëpo dilema është, sa dhe çka bëhet për ta zgjeruar këtë poetikë në hapësirat e përbotshme? Meqenëse, rrafshi poetik nuk i përfshin vetëm raportet e veprës me lexuesin, ashtu sikurse vizioni që nuk është vetëm koncept, poezia gjithnjë mbetet e hapur për kuptime të reja, pavarësisht që ne përvidhemi në disa reflekse deshifrimesh. Refleksiviteti autorial, gjegjësisht poetik është relativ, andaj mbeten të lira, të tjera mundësi interpretuese.

Po cila dritë mund të shndërrisë njësoj dhe pa pra një jetë dhe një botë të tërë?! Gjithsesi një pandehmë për të qasur një metaforë është si ajo vetëtima që e shuan kërshërinë e motit!

Poezia refleksive – erotike

Mbështetur në motivin refleksivo-erotik të këtij vëllimi, ndeshim në vargje pasionante e intuitive, që nënkupton se poezia është majë odeonesh, ku ngjiten honet e fjalës. Poezi të shumta e konfirmojnë refleksivitetin e vetëdijes mbi ndjenën e dashurisë, si: “Mu lëndua nata”, Loti i një burri”, “Çje ti për mua e dashur”, “Pëshpërima jote”, Mos ma gjymto ëndrrën”, Mbrëmë… nuk di nëse…”, Roja e diellit”, “Çkisha për të thënë e tha kitara”, Në jerm”…, në të cilat poeti shfaqet si gjurmues i urtë i çasteve impresive, që artikulohen përmes rrëfimesh të shumta kah një univers i tërë përjetimesh.

Janë të bukura, pa dyshim, vargjet, në të cilat përvidhet imagjinata dhe ashtu e pafre prek hire aldebaranësh për të ndjerë ndriçimin… shpirtëror të tyre, si në vargjet: “Më mungon i bukuri vështrim/Dhe buzëqeshja jote magjike./… Oh! Sa më ka marrë malli/I thellë oqean i rëndë sa mali/Oh!…Dhe jemi kaq pranë…/Dy gjysma të yllit Aldebaran…” (“Më ka marrë malli”, 29).

Përgjithësisht, jo gjithçka që ndiejmë na kthehet në frymëzim, por disa poezi që mendoj se duhej të jenë përfshirë në këtë përcaktim motivor, vërtet janë lirika ku ndjeshëm shprehet tërë ekspresiviteti poetik. Pa i ndjerë fare përkalimet nga ëndrra në realitet, me hove ritmesh zemre, thuren vargjet: “Dashuria ka lindje/Ka dhe vdekje./Dashuria jeton si dashuri/Akoma pa u ngjizur…?Pastaj ngjason me një cigare/me një qiri… a me djegien/E një letre të grisur(13). Poezi e vargje si këto, tërë veprës i japin fizionomi krijuese origjinale.

Metamorfizimet e dashurisë sajohen nga drithërima e lot, nga çaste të ëmbla e të tjera që ngrenë flakë e tym, ato gatuhen me mall e shuhen me afsh puthjesh… Se sa idilike mund të jetë dashuria, flasin vargjet: “Pastaj… Oh pastaj…/ca psherëtima të lehta…/Përpëlitje qerpikësh/Lëvizje të ëmbla ritmike/Perëndime sysh/Qëndisur me lot-kristal…/Një dashuri biblike/E tretur në mungesën e gjatë/E mbarsur me pendesë e mall… (Pas stuhisë, 15-16). E si mund të jetë ndryshe estetika e poezive me frymë biblike, kur në to edhe dashuria merr nuancat e përdëllimit hyjnor?!

Poezia meditative – përshkruese

Me një qasje poetike të lakmueshme artistikisht, ku janë të theksuara parimet estetike, formësohen poezitë që ngjizen me këtë motiv. Janë të shumta sigurisht, madje në raport me sasinë e poezive në tërësi, vërtet janë më të mëdhajat në numër. Karakterizohen me përshkrime të tilla, ku në epiqendër është vasha, kjo qenie e bukur për të cilën sajohen dhe ngritjet hierarkike, gjegjësisht epitete mjaft të zgjedhura që mundësojnë vënien në pah të së bukurës, së pashmes, hijeshinë, nurin dhe elegancën e saj. Në asnjë poezi, të paktën, nuk gjen ndonjë raport asimetrik të thurjes së vargjeve, dedikuar po kësaj vashe. Dhe vargjet për të thuren me admirimi: “Mes reales dhe ireales/Në buisjen e një loti/më shfaqesh ti./ E thjeshtë, e bukur/Dhe e dhimbshme/Si loti vetë./E ëmbël dhe e brishtë/Si një fëmi” (“O e vogëlza ime”, 19).

Baritjet shpirtërore të poetit A. Xheka, në këtë cikël, shprehin jo vetëm individualitetin krijues, por tërë çiltërsinë ndjesore të një bote të tërë poetësh, ku ka shumë dashuri, shumë delikatesë, gjë që vihet re në përshkrimet dhe shpërthimet ndjesore, si atë çast kur mallëngjimi të djeg: “Prej diku nga larg tëmthat më godet/Duket sikur i mban iso vetmisë time/Herë më kujton se po msoset kjo jetë/E herë më dërgon të bukurat kujtime.” (“Violinistja”, 41). Me nostalgji, tërbime dallgëzore e nuanca miljonëshe malli, ai ndërton kështjellën e dashurisë për të lënë të prehet i qetë shpirti i tij…!

Në ca poezi të tjera ndihet dhe shpirti i garës poetike, teksa ka përballë Lermontovin, Shekspirin…, tek thotë: “Më lodhi edhe Tamara/pjellë e fantazisë së Lermontovit/gatuar me pjesëza brilante/marrë nga mrekullitë/e të gjitha mrekullive femërore./Kam nevojë për pakëz jetë/për pakëz frymë të brishtë/Harruar edhe nga jetanjerëzore…“ (Vallëzim final, 154-155). Vargjet e këtilla kanë shtrirje përmasash të gjera, në kohë e vende të ndryshme, sepse vetë frymëzimi poetik është ai që nuk njeh ndalesa.

Poezi më të arrira të këtij cikli janë: “O e vogëlza ime”, “Je për rrugë e dashur”, Më ka marrë malli”, “Stacion i fundit”, “Do të vij”, Trokitja ime”, “Semiramida”, “Mos ma gjymto ëndrrën”, Fati ynë”, “Një motiv”…, e sa e sa të tjera, or që të gjitha tok shpërndajnë meditime pa fund mbi dashurinë dhe forcën e saj.

Poezia intime – moralizuese

Në poezitë e këtij motivi hasim në sentenca kuptimore për ekzistencën dhe praninë e dashurisë njerëzore. Përmes konkretizimesh tematike, poezia intime, sikur e jep atë ripërtërirjen, gjallërimin e kohës që disi ëshë në perëndim e sipër: “Shoh imazhin tënd të valëvitet/përmbi shkëmb posi flamur/Qiell e zemër plasaritet/E s’po soset pritja kurrë” (69). Atëherë, kujtimet e rinisë zbarkojnë për të zënë fron në shpirt, për të lënë të hapura përherë ca shtigje malli, si në vargjet: “Të kujtohet?/Unë këndoja me lot në sy/Buzëdredhur mërmërisja me zë të mekur/Të pezmatuar e përqafuar qanim të dy/Sikur dashuria vërtetë na kishte vdekur/…/”Ku të lashë, ku të lashë?/Ku të lashë e më s’të pashë?” (49). Dhimbje kjo, për një humbje të parikthyeshme, e përshkruar me refrenin e këngës së njohur arbëreshe, që mallin e dhembjen i ka të lashta me qindra vite. Mbi dallgëzimet e këtij mallëngjimi, sikur poeti e bën të pranishme edhe përfshirjen e të mbinayrshmes, universalen trancendentale – Zotin. Sa e sa pyetje retorike sajohen me këtë rast: “E ndezim edhe një cigare?/Pastaj…/ -Edhe një tjetër?/-Edhe një tjetër?/O Zot!/E si mund ta lemë cigaren?/Kjo djegie edhimbshme/na bëntë ndjehemi mbretër./… –E ndezim edhe një tjetër?” (135-136), pastaj po me të njëjtin ritëm pasojnë vargjet e poezizë “Mbrëmë… nuk di nëse…”, ku shkruan: “Mbrëmë hyra fshehtas në shpirtin tënd/Dhe… O Zot! Çqytet misterioz ishte ai./Shëtita deri në rraskapitje, brodha anekënd/I shqeva labirintet që i kishe mbyllur ti.” (137).

Në një varg tjetër poezish gjejmë një strukturim poetik, më tepër rrokjesh të mbyllura, ku metaforat mbeten si perla brenda guackash të pahapura: “O zanë e bukur plot nure e sqim’/Motër me pranverën yll i praruar/Ktheji kurrizin natës, zgjohu në agim/Dita të jep jetë, mendje të kulluar./…/Është e shkurtër jeta, ska vend për gabim/Çdo ditë që jetojmë japim një provim” (“Ndal moj bijë”, 144). Poezia e Xhekës, vjen përzier në vaj e në këngë, sepse dhembja për një humbje është e pakonpenzueshme. Të tilla ndjesi, sikur e trazojnë imagjinatën e poetit, që si janë si dehje a delir ku reflektohen ngjyrime emocionale vlerash estetike. Herë-herë në ca poezi është i pranishëm edhe intertekstualiteti dialogjik.

Në një numër të konsiderueshëm të poezive hasen dëshira e joshje, si digresion i moshës, në raport me përjetimin-kujtim dhe përjetimin-imagjinatë… Përfytyrim-sajesa këto, që vijnë vargëzuar vrullshëm, ndonëse poeti u mvesh sensin e revoltës dhe pikëllimit, fillimisht, për tu ndeshur më pas me sensin e brishtësisë dhe haresë… dualitete, që e formësojnë tërësinë estetike për të dhënë dhe një plotëni ndjesore. Përderisa kujton moshën e thyer, të ardhmen, ai do të donte të ndodhej përherë dhe të ngushëllohej midis miqsh.

Muzikaliteti si shpërthim tundimesh poetike

Ritmet e magjishme të fjalës shpalosin frymën e përditshme dhe urtinë njerëzore që merret si frymëzim muzash, për ta vënë këtë mandej në favor të lexuesit. Poezia e A. Xhekës është e pasur me melodizëm fjalësh ritmike, muzikalitet ky, që rrallë ruhet në të gjitha poezitë. “Jeta jonë/ ishte një konstelacion./Dielli, hëna dhe yjet në syte Tu./Ato shfaqeshin përjetësisht/Në ngjyrën e qiellit blu./… …Atë mesnatë ndodhi një mrekulli./Aktorët e saj… ishim unë dhe ti.” (32) (Aldebaran).

Ai, si Orfeu, që jo me Lyrën, po me fjalën godet, kur dashuria përgjëruar mbetet një bibël e heshtjes për të. Shqetësimet e kohës janë dëshmi e stërngarkimit shpirtëror…, e përballojnë, i vënë vajin në buzë dhe ky liriku i artikulimeve impresive shfaq shkëndijëza malli.

Vargjet e Xhekës ngjizen si frymëzim për të përtërirë prore atë ndjenjë të ndrydhur diku. Para femrës ai është një fisnik i vërtetë, sesibilitetin e saj e trajton me delikatesë: “Jetonim të sotmen me diellin në sy/Sfiduam diferencën, u bëmë një të dy” (Baladë zemre-35). I magjepsur nga hiret e një vashe, poeti i këndon dashurisë, po kush vallë mund ti rezistojë kësaj ndjenje? I gjendur përballë mrekullisë së tillë, poeti synon dhuntinë e Perëndive për të artikuluar joshjen, këtë dridhmë që nuk e shmangin as dhjetëra pyetje retorike…! Ai pra, nuk është Amori që gjuan shigjeta helmi, por pjalmime fjalësh, sepse reflekset e vargëzimit i japin veçanësi shkëlqimi. Fundja, “Poezia lind nga dashuria për të rijetuar jetën në vargje” pohon Octavio Paz.

Nëpër këto vargëzime të lirikës intime e gjejmë të plotë autoportretin e poetit Agim Xheka, i cili përshkohet nga imazhe për kohët që do vijnë…, duke i ruajtur parimet etike. Në to, një botë iluzore, e mbushur plot tulatje, dalë nga përvoja e jetës, për ta shndërruar përvojën e kohës në ilustrime imazhesh. Poezia është maja e letërsisë, sepse aty rri pafundësisht shpirti i artistit. Ky është edhe trajtimi që duhet ti bëhet letërsisë shqiptare. Me këtë, më lehtësisht, mund të përvijohen faktorët përcaktues për ta ngritur edhe në përmasa të përbotshme, poezinë e krijuesve me vlera estetiko-letrare që vijnë me imazhe prurjesh të reja, në mesin e të cilëve edhe Agim Xheka. Sfondi poetik i këtij poeti është i qëndrueshëm dhe pa dyshim që me vlera të tilla arti, as koha nuk e humb rrjedhën e saj të zakonshme.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s