Reminishenca malli në vargjet e një poeti ( Vëllimi poetik “Pesha e fjalës” – Dhimitër Nica ) / Nga Dr. Zejnepe Alili – REXHEPI

10634401_729640573774726_1652947982_n

Reminishenca malli në vargjet e një poeti

Vëllimi poetik “Pesha e fjalës” – Dhimitër Nica

zejnepe -2

Nga Dr. Zejnepe Alili – REXHEPI

E bukur është porosia: “Fjala ime le t’i ngrohë të gjithë/si dielli tokën në mesditë”, që shpërndan përmes vargjeve, poeti Dhimitër Nica, në poezinë “Fjala ime të gjejë çdo zemër” (30) dhe nuk ka bekim më paqësor që spikat shpirtbardhësinë e poetit, ndonëse në ato fjalë, e në secilën shkronjë madje, vihet re zëri i melankolisë që e mbërthen në mall e përvujtuni vetë poetin. Poetët janë gjithmonë paqësorë, vetëm se ata thyhen… Atje ku sumbulla djerse u rrjedhin ballit, …Atje ku dhembja i gërryen gjer në palcë, …Atje ku ditët i ngjajnë një ëndrre të pështjelluar e të gjitha udhët e humbura të rikthejnë atje, ku gjen të vetmin emërtim – Vendlindje.

Libri me poezi “Pesha e fjalës” (Tiranë, “Toena”, 2012) e Dhimitër Nicës, të lë mbresën e imazhit të sajuar nga përfytyrime e copëza kujtimesh nga ato më të bukurat e më të dhimbshmet që të mbeten të pashlyeshme nga vendlindja. Janë kujtime, të cilat harkëzojnë tërë jetën tonë që nga fëmijëria, me të gjitha uljengritjet e ritmeve jetësore, por që gjithmonë e ruajnë gjallërinë e tipizuar të ambientit shqiptar, rrjedhën e kohës, në të cilën regjistrohen ato imazhe, për të shpërthyer si frymëzim e fjalë e matur, në përshkrim të po atij ambienti dhe kohësh. Në ndjesinë e poetit ka brishtësi, drithërima e mall, teksa rrëfen: “Po na ngurrosen zemrat/çdo ditë e nga pak./Po na vriten ëndrrat/nga nata në natë”…, e ku të gjejë ngushëllim një poet teksa sheh se si Po na vriten ëndrrat ?

Dhimitri, emigrant, që edhe pse largohet nga Berati i dhjetëra historive, e mijëra viteve lashtësi, për t’u vendosur atëbotë si shumë të rinj, në Greqi, Itali a gjetiu…, për të prekur ëndrrat e tyre me të tjera nuanca lumturie. Mirëpo kjo, vetëm ca vite më pas, jo vetëm për poetin, por dhe shumë të rinj të tjerë, bëhet një ëndërr e trishtë që individit i ngre mugëtira në shpirt. Një emigrant, që mirëfilli e di statusin e tij qytetar, kurrë nuk e ndien veten të lirë, të akomoduar në dhe të huaj, sepse rrënkimet e nënës dhe malli i vendlindjes të mbajnë peshë, si ajo erëtrëndelina e barishteve të vendlindjes që të ndjek pas e lëshon aromë mbi gjurmët e (pa)mbuluara. Poezia “Emigranti” (19), është pasqyrimi më real i jetës së mërgimtarit: “Nën diellin e Athinës/që djeg e përvëlon,/malli prush për atdheun,/zemra qan e loton…, pasohet nga poezia “Kurbetçiu”, e cila përmes çiltërsisë shpirtërore pohon: ”Të gjitha të dalin në ëndërr,/si në fëmijërinë e ëmbël /Dorë e ngrohtë e të mirës nënë,/të bën mirë, të ngre në këmbë”.

Dhimiter Nica

Dhimitër  Nica

Një poezi që mban tërë trishtimin njerëzor, tërë dhimbjen e birit “mërgimtar” është “Lotët e hënës (37), e cila në vargjet e para fillon me një thirrje, një trishtim që të mbërthen: “Urgjent, urgjent!/Një telefonatë në mesnatë./Nëna e sëmurë përpëlitet e shpirt nuk jep,/fjalë, fjalë, belbëzon e flet përçart”. Më pas ai shkruan: “U nisa nga larg i përgjumur, mes territ të ankthit e natës./Më donte pranë në çastin e fundit,/unë erdha mes shiut e baltës”, për të pasuar refreni: “Rrugën me dorë ma tregonte hëna,/arrita te pragu, arrita te nëna”.

Largim-kthimi në vendlindje, poetit i jep ndjesinë e baritjeve Odisejane, si në poezinë: “Unë dhe Odiseja”, në të cilën shprehet: “Mua smi ndërroi rrobat Perëndia,/as Argosi s’ma ndjeu erën./Unë erdha aty nga skamja, varfëria,/erdha, por s’ gjeta “pranverën…Njëzet vjet në Itakë, aq kohë sa Odiseja ishte larg” (22). Me këtë, sikur zbehet një pasion rinor për tu kthyer në katarzë e që në thelb do të kishte vetëm forcën e mesazhit.

Pesha e fjalës

Poetët mendjendritur e masin fjalën, pesha e fjalës së tyre është porosi për lexuesin. Poeti është udhërrëfyesi i brezit të ri, te të cilët e përcjell ëndrrën e përjetësimit të Atdheut. Kështu, midis simetrish e harmonish, midis lindjesh e perëndimesh, dhembja e poetit vazhdon të sfidohet para një katarze ndaj: vendlindjes, pragut të vjetër të shtëpisë, dashurisë prindërore, gjyshërve, miqve e shokëve, madje edhe atyre kalldërmeve që ka shkelur dikur në fëmijëri, për faktin se, guri i vendlindjes peshon sa malli i mërgimtarit. Melankolia filozofike me nuanca malli, lidhet me përjetimin, me kohën…, aty rri varur ëndrra e përjetësuar.

Dashuria dhe Atdheu janë simbolet jetike për të cilat shkruan poeti. Me muzikalitetin e vargut popullor, të këndshëm e figurativisht të pasur sajon një tufëzë poezish dashurie, në të cilat reflektohet vargu i gjallërishëm dhe entuziazmi rinor, që nuk ndrydhet brenda moshës e peripecive të viteve të kaluara. Pra, dashuria dhe vendlindja-atdhe janë të pandashme, gjë që sikurse në dhjetëra poezi, ilustrohet edhe në poezinë “Beratasit” me dedikimin (për vajzat) ku shkruan: “Beratasit janë si trëndafila,/kur i prek lëshojnë aromë./Kur i puth të vënë në gjumë/nga mjalti që rrjedh e loton” (77). Poezi kjo, që të fal buzëqeshje me hiret e moshës.

Një dilemë sikur na mban pezull: çfarë do e sotmja a thua sjell e nesërmja?!

Dhe sërish, janë poezitë ato, ku e gjejmë përgjigjen. Kështu, “Pema e kombit tim” (35-36) është një simbolikë e bukur ku përmblidhet e tërë ëndrra shqiptare për të shijuar “Frytin e pjekur njëqind vjet”, e në këtë festë të madhe, poeti i entuziazmuar pret që në Vlorë, përpos Ismail Qemalit: “Do vijnë dhe burra të tjerë,/do takohen e do nxjerrin mallin./Luigj Gurakuqi me Avni Rrustemë,/Isa Boletini me Adem Jasharin”…, e më pas vijon: “Do mblidhen male me vlerë,/Vargmal i gjatë ka për të dalë./Do ngrenë kombin me dy krerë,/nga Prishtina në Tiranë” (35 -36). Poezia prej disa strofash katrena, me kombinim rrokjesh të hapura e të mbyllura, duke e sajuar vargun e kryqëzuar, ndonëse nga strofa në strofë, jep shtresime të reja kuptimore.

Në aspektin përmbajtësor, poezia reflekton shqetësime, tendosje…, përmes së cilës përshkruhet historia shqiptare dhe Pavarësia e shtetit shqiptar – Shqipërisë (1912). Ky unitet personalitetesh për të festuar së bashku, është mesazhi më i bukur për ripërtërirjen e kësaj ideje, edhe sot!

Sado që, si variant bredhjesh dhe kërkimesh na del një poezi tjetër, si “Shqipëria dhe Europa” (27), ku shkruhet: “Prit sot e prit nesër,/na bëjnë të rrojmë me shpresën,/na ngopin me lugën bosh: “Një ditë do të hyjmë në Evropë”…, rrugëtimeve të historisë njohim Atdheun me trupin e gërryer moteve, madje rishikuar, jo vetëm nga perspektiva e një harku të mbyllur kombëtar, por dhe më gjerë. Këtu edhe zbulohet reminishenca historike, si evokim i kohës së dikurshme, si mesazh i kohëve që do vijnë.

Në poezinë e Dhimitër Nicës, objekt trajtimi është drama shqiptare, përkalimet shekullore të kombit, bashkë me përsiatjet e thella mbi jetën. Vepra poetike ka peshë të fuqishme për të përçuar mallin bashkë me ca shkëndijëza dashurie, të cilat e ruajnë drejtpeshimin e fatit njerëzor, që fundja, asnjë kohë e plagosur të mos ia prish ëndrrat për Atdhe!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s