Arkitekti që projektoi Tiranën moderne.

tr 1

Arkitekti që projektoi Tiranën moderne.

Korpusi qendror i Universitetit të Tiranës, që shënon fundin e bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, Akademia e Arteve, Kolonada me Institutin Arkeologjik, Stadiumi (sot Qemal Stafa), Kryeministria, Hotel “Dajti”, Pallati i Brigadave me gjithë parkun e mobiliet unike të tij, si dhe trajtat planivolumetrike të Pallatit të Kulturës, Muzeut Kombëtar etj., janë vepër krijuese, monumente kulture dhe realizime të arkitetit të shquar italian, Gherardo Bosio, në fundin e periudhës zogiste dhe sidomos në periudhën e pushtimit fashist të Shqipërisë.

Në planet për Shqipërinë, iu ngarkua Bosios të strukturonte në letër dhe më pas konkretisht në terren, planimetrinë e një kryeqyteti, nga më të rinjtë e Evropës, Tiranës. Dhe ai e kreu këtë punë për një periudhë prej mëse dy vjetësh.

Bosio la pas vepra të dukshme, të prekshme me vlera unikale urbanistike dhe artistike, që ia vlen, në mos më shumë, të paktën një përmendore ose një emër në një nga punët e tij në qendër të Tiranës.

tr 2

Gherardio Bosio

Kush ishte Gherardio Bosio ?

GherardioBosio rridhte gjenitikisht nga një familje e pasur bankierësh dhe ushtarakësh fiorentinë. Që në hapat e parë të jetës, me simptoma të theksuara artisti në shpirt, ai pa me vëmendje dhe studioi në thellësi kryeveprat e rilindësve të medhenj italianë, duke menduar për t’i risjellë në një mënyrë të re të përshtatur me kohët moderne. Që në vitet ’20 të shekullit të kaluar, ai deklaroi se “nuk mundemi të jemi kaq miopë, sa të mos vëmë re shpërthimin e fuqishëm tani të një pranvere arti, të çliruara prej konopëve mbytës të imitimit e të formulave boshe”.

I ndërgjegjshëm për tërmetin që arti dhe arkitektura moderne po shkaktonin në “botën e vjetër” dhe militant i estetikës së re, sipas së cilës çka nuk është funksionale nuk mund të jetë e bukur, Bosio i ri shkruante se “po shpërthen një arkitekturë që dashunon ajrin dhe dritën, që beson në luksin dhe thjeshtësinë…e që beson më tepër në fuqinë shprehëse të një dige racionale, se sa në atë të një harku triumfi”.

Duke iu drejtuar botës, Bosio deklaronte për ndërhyrjet në zemër të Firencës historike, se këto vepra do të shërbenin “si furnizuese të fuqishme oksigjeni, të afta për të ringjallur frymëmarrjen astmatike të arkitekturës fiorentine”.

Bosio, themelues i grupit të kryesuar nga Micchelucci, punoi me vepra të mëdha urbanistikie në Adis-Abeba, Gondar, Dessié, Gimma, Rieti, në Amerikën Latine e Tiranë. Në këtë mënyrë ai i përket kryekëput brezit të arkitektëve që mbaruan universitetet në vitet ‘26-‘27 të shek XX dhe që kërkonin jo vetëm një “rregull të ri”, por, në emër të një “international style”, edhe “heqje dore nga individualiteti krijues” në emër të një homogjeniteti kulturor të ri që ende nuk e kish fituar betejën ndaj klasicizmit.

Vështirë se mund të gjendet në krejt historinë e arkitekturës botërore një aktivitet më intensiv dhe realizime më të mëdha se ato që Gherardo Bosio zhvilloi në Shqipëri. Nuk do harruar se e gjithë puna e tij në Tiranë u bë vetëm për një vit e gjysmë: Gusht 1939 – Mars 1941. Nuk do shpërnjohur edhe se viti i fundit i jetës së tij ishte një vit i ndarë mes punës, ndërhyrjeve kirurgjikale dhe dhimbjeve të sëmundjes së pashërueshme që i kish zënë pritë.

Bosio vdiq nga kanceri në moshën 38-vjeçare, më 16 prill 1941, në vilën e tij të Montefontit në Firence. Vdiq si hero duke punuar mbi projektet e Shqipërisë deri në orën e mbrame. Ai e kish kuptuar fatin e tij dhe se nuk kishte rrugë tjetër për të përfunduar atë sasi të tmerrshme projektesh, përveçse duke e mbajtur të fshehte nga familja dhe kolegët sëmundjen grykëse që po e vinte poshtë. Familjarët morën vesh se kish thuajse një vit që kurohej, vetëm kur ai u kthye në shtëpi për të mbyllur sytë.

Ai la pas atë që kritiku Cresti e përmbledh me fjalët: “Gherardo Bosio i jetoi me hov krijues të padiskutueshëm eksperiencat e tija projektuese e realizuese, krejtësisht i vendosur, ndonëse në pak kohë, për të lënë pas shenja konkrete dhe të çmuara të një profesionalizmi shembullor plot etikë dhe kulturë”; por, për ne shqiptarët, ai la pas një Kryeqytet.

Bosio në Tiranë

Idetë e Bosios mbi konceptimin dhe ndërtimin e qyteteve të parandorisë, nuk kishin kaluar pa rënë në sy të Mussolinit. Për këtë, në prill të 1938-ës ai i dha një audiencë të veçantë arkitektit, ku dëgjoi prej tij eksperiencën e ngritjes së qyteteve të reja në Afrikën Lindore. Bosio e kish marrë miratimin zyrtar. Tashmë ai kishte një status të rëndësishëm si urbanist dhe një mbështetje (jo vetëm potenciale) për të vijuar punën e vet në shkallë të gjërë.

Kur vuri këmbë në Tiranë në korrik të 1939-ës, ai ishte sakaq këshilltar i parë dhe drejtor i Zyrës Qendrore të Edilicjes dhe Urbanistikës. Pikërisht themelimin e një strukture të tillë i pat kërkuar Beninit në takimin e prillit në Romë. Zyra në fjalë, e krijuar nga Bosio, kishte një funksion tejet të centralizuar; ajo ishte një organizëm qendror që administronte, nën direktivat unitare të një arkitekti, të gjitha planet rregulluese të qyteteve të Shqipërisë, por në funksion të saj ishte dhe “kontrolli i aktivitetit ndërtimor e privat në lokalitete të ndryshme të vendit në mënyrë që të mund të mundësohej zhvillimi racional, homogjen dhe i rregulluar me ligj”.

Respekt për traditën

Ky është motivi që Bosio në projektimin e Planit Rregullues të Tiranës propozonte që të ruhej krejtësisht bërthama e vjetër e qytetit “për të mos humbur gjurmët e qytetit të vjetër mysliman”, dhe Tirana e Re, ndonëse projektohej me kritere perëndimore, duhej të ruante në tërësi dhe të fuqizonte me impaktin e saj karakterin e brishtë të “qytetit kopësht”, të cilin për arsye social-historike Tirana për fat e kishte. Ky respekt i Bosios për traditën vendase edhe në urbanistikë, nuk ishte dhe aq karakteristik për të. Respekti ndaj traditës, pa tradhtuar idealet e racionalizmit dhe të funksionalizmit në urbanistikë, iu forcua në Shqipëri.

Këtu ai, ndonëse kishte një pushtet shumë të madh në funksionin e tij (si kryearkitekt i vendit), nuk veproi si në planet rregulluese që i kishin dhënë famë në Afrikën Lindore Italiane, popullatat e së cilës i konsideronte të paqytetëruara dhe primitive. Veç Tiranës, pa humbur kohë Bosio filloi drejtimin e punës për planet rregulluese të Shkodrës, Milotit, Durrësit, Elbasanit, Korçës, Beratit, Vlorës e Sarandës, duke u përqendruar më së tepërmi në ato të Vlorës dhe Elbasanit.

Për fat të keq këto plane, shpesh tepër të detajuara, jo vetëm nuk u zbatuan, por u harruan qëllimisht.

Arkitektura fashiste”, etiketë absurde

Gerardio Bosio nuk njihet nga shqiptarët. Emri i tij gjendet vetëm nëpër arkiva, ndërsa i publikuar njihet si “arkitekti fashist Gherardio Bosio”, vetëm e vetëm pse ai punoi në periudhën fatkeqe të gabuar. Ai nuk njihet nga arkitektët tanë, pasi nuk bëhej në shkollë, se ishte “fashist”, një mendësi shqiptare që vazhdon edhe sot në politikën dhe shtetin shqiptar. Etiketa absurde “arkitekturë fashiste” penalizoi jo vetëm ndërtesat e realizuara, por edhe idetë revolucionare të Bosios në urbanistikë dhe u censurua pa kuptim studimi i tyre në Universitet.

Përsa jetoi regjimi komunist, qe e ndaluar që brezat e arkitektëve të rinj të dinin përsenë e kapërcimit kulturor që Bosio i bëri Brasinit, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, kapërcim që la pas citimet dhe stilet manieriste apo të rilindjes europiane për tek linjat e pastra të një racionalizmi reduktivist. Për dhjetëvjeçarë të tërë vepra e arkitektëve italianë në Shqipëri, por veçanërisht ajo e Bosios, u la në harrim, duke mbërritur në një degradim të skajshëm deri ditën kur projekti “kthim në identitet” do t’i vinte ato nën vëmendjen e opinionit, siç fjala vjen, tashmë me sheshin “Nënë Tereza”.

 Vepra të arkitektit Bosio në Itali

Restaurimi dhe zgjerimi i Villa La Pietra (Acton Villa), Firence; projekti memorial i Kristofor Kolombit në Santo Domingo; Arredim mobilim në Dhomën e Mikpritjes të Federatës për Lëvizjen e të Huajve Toscana, Firence; restaurim Casa Uzielli, Firence; restaurim i Kishës së Motrave Blue, Firence; projekti i shtëpisë së pleqve në Firence; House Traballesi, Firence; villa Ginori Conti; Cerreto Pomarance; Institutit Italian i Kulturës, Budapest; Casa Della Gherardesca, Firence; Master Plani Dessie AOI në 1936, produksion në Ekspozitën Kombëtare të Shtatë Mjeshtërive, Firence.

Vepra të arkitektit Bosio në Tiranë

Puna e Bosios në Tiranë është një akt heroik i paprecedent; përveç planeve urbanistike, vetëm në Tiranë ai realizoi Universitetin, Akademinë e Arteve, Kolonadën me Institutin Arkeologjik, Stadiumin (sot Qemal Stafa), Kryeministrinë, Hotel Dajtin, Pallatin e Brigadave me gjithë parkun e mobiliet unike të tij, Casa del Fascio, Tiranë, si dhe skicoi trajtat planivolumetrike të Pallatit të Kulturës, Muzeut Kombëtar, etj.

Bosio dhe “kulla shqiptare”

Që në Firence, si pedagog i vizatimit dhe i restaurimit në universitetin e këtij qyteti, kishte njohuri bazë për atë pjesë të trashëgimisë arkitekturore shqiptare që paraqiste më tepër elemente racionale në vetvete. Duke lënë mënjanë skemat orientalizuese të trashëgimisë osmane në vend, Bosio u përqendrua në impaktin dhe figuracionin që “kulla” malësore kish paraqitur për shekuj dhe në ligjërimin e tij të ardhshëm arkitekturor do ta përdorë me sukses një element të tillë kaq përfaqësues për Shqipërinë.

Në këtë frymë ai, në bashkëpunim me P. N. Berardin, ndërton Pavionin e Shqipërisë në Fiera del Levante të Barit duke konceptuar një volum arkitekturor në trajtë të një paralelopipedi kompakt dhe ku nëpërmjet përdorimit të gurit shfaq në këtë pavijon një cilësi fortifikuese duke rivendikuar “kullën shqiptare”, por të trajtuar me çelës modern. Të njëjtën gjuhë arkitekturore, por të emfatizuar sipas një monumentaliteti të shkëlqyer, Bosio fillon të projektojë që në 39-ën edhe Pallatin e Fashos (sot korpusi i Universitetit të Tiranës). Ky objekt, ndryshon rrënjësisht jo vetëm nga Pallati i Kolonadës dhe i Akademisë së Arteve (siç i quajmë sot), por edhe nga Kryeministria dhe akoma më tepër nga Pallati i Brigadave.

Pavarësisht nga kritika ndërkombëtare, jemi të mendimit se kemi të bëjmë jo dhe aq me një kompromis të Bosios drejt formave tradicionale – që në fund të fundit sot kjo nuk konsiderohet më një gabim – por me një qëndrim ndaj regjimit. Në këtë periudhë në Itali, racionalizmi filloi të revizionohej dhe grupimet e arkitektëve në trysninë ideologjike po flisnin gjithnjë e më tepër për një racionalizëm me individualitet dhe jo internacional. Kjo, e thënë me fjalë të tjera, ishte t’i hiqje bazën filozofike krejt lëvizjes moderne e cila kish lindur bash si një international style. Kështu Bosio, që në veprat e tij të fundit në Shqipëri, po prirej gjithnjë e më tepër drejt një skematizimi dhe një purizmi abstrakt, fort i rrallë edhe në arkitekturën italiane të kohës, bën një përjashtim me projektin e Pallatit të Fashios që i shërbente për të marrë licencën e një lirie të skajshme në projektimin e objekteve të tjera të sipërcituara (të gjitha vepra të tij – me ose pa bashkëpunim – përfshirë këtu edhe Stadiumin dhe hotel “Dajti”). Por edhe ky “lëshim” ndaj një monumentalizmi neoimperial dhe figuracioni tradicional që luhatet mes renesansës italiane dhe mesjetës shqiptare, nuk bëhet pa një kriter vetjak.

Që në të ritë e tij Bosio kur fliste mbi raportin mes modernes dhe traditës theksonte se ai ishte për “një arkitekturë të gjallë, që pulson, që paraqet bukurinë e harmonive rioshe larg atyre që quhen proporcione tradicionale…por që identifikohen me bukurinë që mund të krijohet nëpërmjet teknikave të reja, që nuk ecën me kokën mbrapsht dhe sytë e fiksuara në të kaluarën, por sheh përpara dhe vetëm ndonjëherë ndalon për t’u përkulur me respekt mbi veprën e paraardhësve tanë”.

Të veçantat e punës së Bosios

Me një punë intensive në veprimtarinë e Bosios ndihet fryma artistike e fillimit të shekullit të 20-të. Ai projektoi dhe solli në një formë të re dhe moderne vepra në stil të renesansës (1927), neoklasikes (1928), manierizmit (1929), artit nouveau (1930), Bauhausit (1931), ekspresionizmit (1932), racionalizmit (1933), futurizmit (1935). Pas këtyre kalesave kaq të shpejta e mahnitëse, ai ndaloi, në vitet 29-30, tek “stili ndërkombëtar”, të cilit i mbeti besnik gjithë jetën, udhëhequr prej bindjes së Sant’Elias se “në jetën moderne procesi i zhvillimeve stilistike në arkitekturë ndalon. Arkitektura shkëputet nga tradita dhe rifillohet doemos nga e para”.

Ndryshe nga në Gjermani, në Itali fashizmi toleroi dhe la “dorë të lirë” në art. Në këtë klimë i ra të punonte edhe Bosios si artist, si arkitekt dhe si urbanist. Ai do të shfaqej me talentin e tij sidomos në punimet e Tiranës, të cilat shënojnë dhe pjesën e fundit të aktivitetit të tij në atë jetë të shkurtër që pati.

 

Rikthimi i bulevardit në identitet, Bosio, një “lexim mes rreshtash”

Sheshi “Nënë Tereza” para godinës qëndrore të Universitetit të Tiranës këto ditë po kthehet në identitet, njëlloj siç është projektuar dhe ndërtuar nga arkitekti italian Gerardio Bosio. Rikonstruktimi i këtij sheshi dhe ruajtja e vlerave të dikurshme të tij janë në një farë mënyre edhe një homazh nderimi për atë që e projektoi dhe e ideoi, Bosion e famshëm. Dhe si për ta përligjur vjen edhe një ogur i mirë, në këtë shesh që mban edhe emrin e Nënë Terezës, do të mbahet mesha e Shenjtë në Ditën Botërore të Paqes nga Papa Françesku, në vizitën që ai do të organizojë në Tiranë gjatë këtij muaji.

Nuk e dimë a do të nderohet dhe përmendet edhe Bosio në këtë rast, sidoqoftë do të qe gjëja më e mirë që do të bëhej. Por edhe po nuk u bë, emri i tij “lexohet midis rreshtave”, në fasadat e godinave dhe shkallareve për rreth.

Me eliminimin e “kolonave”, lokaleve për rreth, shatërvanit, ky shesh do të ketë konfiguracionin e dikurshëm.Ndërhyrjet rehabilituese parashikojnë nivelimin e sheshit qendror koherent me kontekstin arkitektoniko-urbanistik të projektit fillestar. Shkallaret që rrethojnë sheshin do të restaurohen tërësisht, pjesët e munguara të travertinave do të zëvendësohen me të njëjtin material dhe trotuaret do të plotësohen me mozaikun e veshjes sipërfaqësore. Fasadat e objekteve që ballafaqohen me sheshin do të pastrohen plotësisht. Objekteve të Universitetit Politeknik të Tiranës, Akademisë së Arteve, Qendrës së Studimeve Albanologjike dhe Rektoratit do t’u kthehet hijeshia e pamjes së tyre fillestare.

Janë duke u mbjellë pemë dekorative të larta, ndërsa ndryshime pritet të pësojë edhe ndriçimi në këtë shesh. Në këtë punë madhore është përfshirë edhe Pallati i Kongreseve, i cili do t’i nënshtrohet restaurimit gjithashtu .

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s