POEZIA E JETËS MIDIS TOKËS DHE QIELLIT. ( Parathënie e Vëllimit Poetik ” Toka Qiell” ) e autorit Gjergj Nikolla / Nga Albana Alia

10649917_774624849269222_1559527078181519240_n

POEZIA E JETËS MIDIS TOKËS DHE QIELLIT.

Parathënie e Vëllimit Poetik ” Toka Qiell” e autorit Gjergj Nikolla

Albana Alia

                    nga  Albana Alia

1. Poezia si linguistic drama e fragmenteve të jetës.

Është e natyrshme që leximi i një teksti letrar të stimulojë një sensacion të këndshëm të një lloj vazhdimësie ndërmjet eksperiencës që kodifikohet në tekste dhe asaj që ndodh në jetën e përditshme. Por, gjatë leximit të poezisë, janë struktura, ritmi dhe linguistic drama që, sipas kritikes amerikane Helen Vendler, shkaktojnë sensacione e ndjenja të veçanta.

Vëllimi poetik Tokaqiell fillon me një pyetje A ndryshohet Bota? Ajo përfaqëson dilemën e njeriut modern që mbart në vetvete një varg pyetjesh të tjera; duhet ndjekur fati në mënyrë pasive apo duhet vepruar? Subjekti lirik në fillim ka pak shpresa, beson vetëm në një rreze drite. Ku e si ta ndryshojmë këtë jetë? Ajo paraqitet si një lojë shahu (metaforë mjaft tërheqëse e përdorur prej kohësh nga poetë të mëparshëm); rregullat janë të thjeshta, por kombinimet e lëvizjeve janë të shumëllojshme; këndvështrimet janë të ndryshme dhe nëpërmjet teknikës anamorfike katrorët e përsosur transformohen në rombe që thyejnë këndet e drejta. Rombi, si figurë gjeometrike që përmban linja dhe kënde, shfaqet si nevojë për mbrojtje e si dëshirë për t’iu kundërvënë situatave të rrezikshme që krijohen nga jashtë. René Wellek e Austin Warren shkruajnë: “Shkrimtari jo vetëm që ndikohet nga shoqëria, por edhe ndikon në të; arti nuk e riprodhon thjesht jetën, por i jep formë asaj[…]”

Ky vëllim poetik përmban vargje të dhimbshme për fatin tragjik të njeriut që të sjellin ndërmend vargjet e De Radës:

Sa kohë frymëzimi gjallë të jetë

vargje të dhimbshme do këndoj, mundimet

me t’cilat Fati s’e lë njerinë të qetë.

Tragjikja përfshin çdo aspekt të jetës dhe shtëllungat e reve, mjegulla, veshin gjithçka e duket sikur, për një çast, toka dhe qielli integrohen (M. Eliade) në një qenie të vetme, në një organizëm të sëmurë që frymon vdekjen, në një përbindësh, në një hibridoid që merr forma të ndryshme veçanërisht në pjesën në zbritje të parabolës së jetës, aty ku mbyten idetë, zihen mendimet, konformohen zgjedhjet aty ku njeriu ndihet i zhytur në krizë.

E gjitha kjo hibridoidë është thjesht, një pikë,

në të cilën puthpështyhen

tragjikomeditë!

Ku gjejnë vend,

hibroidet,

ligësitë….

Poeti përmend karaktere nga më të ndryshmet: njerëz të zakonshëm, punëtorë e të sinqertë por edhe të korruptuar, hajni Hajni, kur kërkon të ruajmë pasurinë, imoralë Imorali, kur të flet për ndershmërinë, vrasës Vrasësi kur të bën drejtësinë.

portret gjergji

    Gjergji Nikolla

Strukturimi i vargjeve të jep përshtyjen e vënies në skenë të akteve të një tragjedie apo të një sekuence fotogramesh të një filmi ku mbizotërojnë varfëria, korrupsioni, prostituzioni, grindjet, urietja, vrasjet madje edhe të fëmijëve. Çfarë po ndodh?

Qan atdheu,

me sytë e qelqtë të fëmijës

Gjithçka dihet, askush nuk flet! Dreqi i verdhë i lë jetimë e i rrit fëmijtë para kohe, femrat i detyron të shesin trupin për dyqind lekë e meshkujt të marrin rrugën e kurbetit dhe lotët që derdhen përfaqësojnë dramën e emigrimit.

Të papunë që flasin me vete,

si sonambula frymuese

pa një kacidhe në xhep…

*

Jetojnë

kot!

E njerëzit shpresëhumbur

shajnë e mallkojnë veten:

– Heu dreq,

– Heu shend…

Njerëzit e thjeshtë përpiqen të mbijetojnë e të luftojnë vetë për jetën, nga shitësi ambulat i çadrave kineze, deri te mësuesi “turist” me librat në thes që përshkon kilometra të tëra nën shi e diell. Askush nuk ndihmon të unshmit, të eturit.

Më thuaj, më thuaj: Tjetër ç’të ka mbetur…?!

– Po të shuhesh gjysmëgjallë,

– Të jetosh gjysmëvdekur!

Nëse ndihesh bosh, shkërmoqur në klithma,

a jetohet jeta, në copëza, në gjysma….

Ç’kuptim të merr e sotmja, rrethuar në britma….

Ëngjëj pa faj mbështjellur në hithra!

Ngjyra, kontraste, paradokse, absurditete të ekzistencës. Gjithçka tërheqshtyhet e sillpështillet në vorbullën e jetës, në një cirkuitë, në një spirale që ngjitet në qiell e zbret në tokë duke humbur koordinatat e orientimit, në një lëvizje marramendëse, në një kaos apokaliptik ku e vetmja pikë referimi e stabiliteti mbetet ndoshta epiqendra. E tashmja mban në dorë një busull të brejtur, ndërsa poeti pikturon me penelin e shpirtit jetën në përzierjen e shtatë ngjyrave duke rimuar vargjet me një gjuhë ikonike mbi telajon e errësuar shoqërore, historike e politike.

E ndiej ngrohtësinë e mallin e çdo guri, pragu…

E thellësive të shpirtit një këngë, një poezi,

– udhën merr…

*

Një varg, një strofë,

një poezi, një penel

tek shpirti,

themel…

Përballë kësaj jete që prezantohet: si një teatër ku njeriut i duhet të luajë role të ndryshme, si një simfoni e zhurmshme, si një kuadër me ngjyra të errëta, si një lojë shahu ku nuk ka fitimtarë të vërtetë, por vetëm respekt e inteligjencë, rregulla të forta e lëvizje të kufizuara, pra mungesë lirie të pakufizuar, përballë këtij pështjellimi marramendës, poeti fillon të gjejë njëfarë qetësie shpirtërore nëpërmjet lëvrimit të fjalës poetike dhe idiosinkretizmit gjuhësor që synojnë rikthimin në vlerat e vërteta të njeriut si qenie shoqërore Njeri, ti i ke te gjitha ndjesitë. Ke bukuritë… . E nëpër vargje poeti do të derdhë një katalog objektesh, vendesh, kohësh, figurash retorike, herë të përpunuara me kujdes, herë të pakoordinuara, pa vazhdimësi logjike, të dislokuara e të shumëfishuara ad infinitum. Janë këto fragmente qeniesh e copëza kohe që reflektojnë jetën e nuk mund të përmblidhen në një të tërë. Qeniet që i përkasin këtij pështjellimi janë qenie metamorfike që lundrojnë mes ëndrrash e realitetit të hidhur në kohë e hapësirë, në qiell e në tokë duke mos pasur mundësi të bëjnë një zgjedhje të drejtë në jetë. Ato luajnë kundër një fati të keq që nuk dihet nëse do të zgjasë shumë a pak; ato luftojnë edhe kundër vetes nëpër katrorët apo rombet e lojës së shahut.

ndihesh frazë e një teksti,

pa skenar,

paragraf që vazhdon…

Në sinusoidën/kosinusoidën e jetës ka lëvizje pozitive e negative, në ngjitje e zbritje, ka zhgënjime por edhe shpresa, ka trishtim por edhe shkëndija lumturie, urietje e ledhaputhje. Nëpër vargje vihet re herë një lloj ndryshimi ritmi si ai i muzikës jazz apo më tej një referim ironik i poetit për simfoninë e zhurmshme (!), e herë një monotoni e mërzitshme ku edhe komunikimi reduktohet në pak fjalë të ndërprera apo në nonsense, ndërpritet fluksi i të folurit dhe kontrolli i gjuhës, një lloj projektimi i teatrit absurd të jetës në gjuhën e përditshme. Identiteti i njeriut, ekzistenca e tij si qenie që dikur fliste në vetën e parë jam/kam/duroj, tashmë vihet në dyshim s’jam[…], rroj a s’rroj.

Sillpështillen realiteti e dilemat:

A jam a s’jam?! A je a s’je?! A jemi a s’jemi?!

Raporti i ego-s së njeriut me botën që e rrethon përmban gjurmë të ekzistencializmit, vetmi, individualitet, absurditet e brendësi shpirtërore si të boshatisur që të çon drejt prishjes së harmonisë me gjithçka që të rrethon. Ego që i trembet ndryshimeve, që preferon monotoninë dhe kushtëzohet nga shoqëria, përballohet me thelbin e qenies, shpirtin që dëshiron lirinë, që dëshiron të eksplorojë hartën, mes teje dhe vetes harta merr frymë. Poeti thërret elementet dhe forcat a natyrës që të mund të ndezin si rrufetë nëpër re atë pak ngrohtësi që sjell shpresë. Por natyra me sublimitetin e saj nuk është e mjaftueshme. Poeti arrin edhe të personifikojë elementet e natyrës: shiun, erën, retë shtatare, trungjet, etj për t’u dhënë më shumë forcë. Zakonisht shiu pastron e ngjall jetën, por ky është ndryshe, një shi i imët, shi puhize, që në shkretëtirën e kësaj jete, në këtë thatësirë që zhgërryen nuk mund të bëjë tjetër veçse të pijë veten nga etja. Revolta e njeriut vihet në paralelizëm me natyrën. Uni lirik proteston:

Kënga më ka ngrirë buzëve,

në tinguj, zhurma a britma,

zhubravitur pentagrami,

nga brengat, nga dhimbja….

*

E qeshja ime hesht.

E kënga ime hesht….

Kaq herë e kaq herë rresht!

Dua të qesh….Dua të këndoj….

Në këtë dualitet rroj a s’rroj?!

*

çapitemi, avitemi,

dremitemi…

*

Zhyt – mbytemi,

fytafytemi…

Avitemi…

*

vdek – a – gjallë,

i zvarrë.

por kjo është e pamundur. Drama e jetës së njeriut të dështuar, konfuz, të pashpresë në një botë të destabilizuar, të pasigurt, ku filli i jetës është këputur lëmshi pa fill, gjen refleksin e vet ikonik te imazhi arketipik i vorbullës, një Maelström që sjellpështjell gjithçka e që rrezikon shkatërrimin, një imazh gati distopik, i pashpresë i një shoqërie që pothuajse ka humbur vlerat, ku jeta nuk është jetë, ku arti nuk është më art, ku pushteti dhe autoriteti i përkulen zotit të parasë.

2. Fuqia e fjalës poetike.

Fjala poetike, procesi i kërkimit të saj dhe fuqia që mbart për përcjelljen e një mesazhi poetik, të gjitha këto janë elemente të rëndësishme që ndikojnë estetikisht te lexuesi duke realizuar një shumësi kuptimesh dhe interpretimesh. “Literature may be defined as words working hard; literature is the exploitation of words. […] Poetry relies most on the power of words, on their manifold suggestiveness, and in a sense you may say that poetry is the most literary of all branches of literature; the most literary because it makes the greatest use of the raw material of literature, which is words.” (Anthony Burgess)

Në vëllimin Tokaqiell poeti Gjergj Nikolla i kushton rëndësi të veçantë kërkimit të konotimeve të fjalës si mjet komunikimi dhe ndikimi te lexuesi. Karakteristika thelbësore e gjuhës së këtij vëllimi poetik është prania e elementeve diametralisht të kundërta apo atyre që plotësojnë njëri-tjetrin. Prandaj mund të thuhet se struktura poetike mbështetet në modelin mitik coincidentia oppositorum. Për studiuesin rumen Mircea Eliade bashkimi tokë/qiell konsiderohet si ierogamia e parë. Toka e qielli, Dielli e Hëna, terri e drita, Lindja e Perëndimi, mëngjesi e muzgu, dimri e vera, shiu e dielli, mali e deti, e përpjeta dhe e tatëpjeta, tragjikja dhe komikja, e reja dhe e vjetra, e dukshmja dhe e padukshmja, e qara dhe e qeshura, njeriu dhe antinjeriu, koha dhe antikoha, ëngjëlli dhe djalli integrohen, pështjellohen, ngatërrohen. Përftohen kështu qeniet metamorfike, të përbindshme, gjithmonë “- oide” (të ngjashme me… çfarë?!), që përmbajnë dy vatra, të kundërtat.

Tragjikja,,,

ajo që ka ngjarë, po ngjet, do ngjajë.

Komikja, e dukshmja

e padukshme

brenda

saj…

Komikja tragjike,

tragjikja komike:

Dy tehe të thikta,

bashkuar në një pikë!

Gjuha e figurshme projekton fragmente dramatike të jetës së përditshme ku besimi e shpresa gati kanë humbur, ku lutja në gjuhë të ndryshme nuk arrin te Zoti dhe ironia mbetet e vetmja rrugë çlirimi për shpirtin e brengosur. Vargjet metamorfizohen në pëlhurë me ngjyra të ndritshme a të errëta, në partiturë muzikore ritmike e të gëzueshme apo të trishtuar, në sekuence fotogramesh apo imazhesh që perceptohen nga syri kritik i poetit. Edhe skansionimi kronologjik i kohës reduktohet në të përditshmen: mëngjes, mesditë, muzg pa mundësi perceptimi të së ardhmes. Megjithatë jeta, cikli i saj dhe rrjedha e kohës shtjellohen përmes metaforash dinamike: lumë që rrjedh, lojë shahu (R.J.Fischer), stinë që çel, pemë, etj dhe njeriu duhet të bëhet i përgjegjshëm për mbarëvajtjen e saj sepse:

Jeta – vrull, ekuacion shi – diell.

Stinë që vjen e çel.

Lumë që rrjedh,

rrjedh…

Prandaj njeri:

Zgjidh!

Zgjedh!

Poeti u kushton rëndësi detajeve; edhe paraqitja grafike e poezisë, reduktimi i njëpasnjëshëm i vargjeve vihet në funksion të semantikës së vargut. Shpesh përdor edhe sinestezinë që përbën kontaminim planesh sensoriale e shqisash të ndryshme në funksion të artit të fjalës dallëndyshet pikturojnë simfoninë e shpresës së re. Poeti realizon efekte të veçanta edhe nëpërmjet stërhollimeve stilistike të tilla si: ndërprerja e vargut në formën e elipsës apo përsëritja leksikore duke i kërkuar në mënyrë indirekte lexuesit të përmbushë me fantazinë personale çastet e hezitimit, reflektimit apo të ndjesive të ndërprera të tij. Në raste të tjera përdor aposiopesis kur edhe vetë fantasia e tij nuk arrin të gjejë fjalë të përshtatshme për të shprehur tragjiken e jetës.

Përdorimi i shumtë i aliteracioneve bën që vargu të përftojë një forcë të veçantë: jepi jetë jetës, akrepat përputhen në një pikë, stinimi stinon, që nxit unin lirik në ecjen përpara. Aliterazioni vihet edhe në funksion të gjendjes së trishtuar të njeriut duke zhvilluar raporte fonetike të veçanta mes fjalëve që krijojnë sensacione të ndryshme: nëpërmjet bashkëtingëlloreve të lëngshme lotët rrjedhin e lulet kënaqin syrin, nga vibrimet në /rr/ a rroj a s’rroj 35, rrethrrotullimet marrin jetë dilemat e ekzistencializmit, nga përdorimi i /sh/ zvarritja dhe përbuzja shkojnë bashkë. Përkundrazi, asonancat i japin vargut (dhe jetës) frymëmarrje e liri.

Poeti përdor një numër të konsiderueshëm neologjizmash që përftohen nga përngjitja e dy pjesëve të ndryshueshme te ligjëratës: blukaltërim, dielladiell, puthaputhen, kadifekaf, tokaqiell, flurudhë, urieetje, verdhaverdhë, sillpështillet, tërheqshtyhet, fytafyten, puthëpështyhen, etj. Në disa raste absurditeti i shprehjeve gjuhësore i referohet irracionalitetit të vetë jetës, mungesës së një kuptimi për të.

Jeta e poetit është vetëm një e përpjetë e mundimshme. Ritmi i poezisë sigurohet edhe nëpërmjet foljeve në mënyrën urdhërore që i falin vargut dinamizëm dhe, njëkohësisht, i japin nxitje njeriut: guxo, vepro.

Vargjet kërkojnë shpirt,

si kënga frymën,

– notat e muzikës buza t’i puth!

Gjergj Nikolla e ka të qartë që arti poetik karakterizohet nga një formë e përmbajtje e veçantë shprehëse. Përkundrejt fjalës që peshon, Ka fjalë që ngjyejnë më shumë/se njëmijë lapsa ngjyre! qëndron fjala pa vlerë që është si lumi që rrjedh, Fjalë që mblidhen kapicë/dhe vetëndizen mbi kashtë. Ja përse poeti i rikthehet të shkuarës, e pikërisht mitit të Prometeut, por jo aq si simbol i sfidës përkundrejt detyrimit; për më tepër paraqitet si metaforë e mendimit dhe e reflektimit mbi fjalët, mbi atë që ndodh kundër çdo lloj ideologjie të imponuar, kundër falsifikimit, kundër artit pa art, kundër të vetëquajturve poetë që zhgarravisin me lapsa me ngjyra apo krijojnë kristale breshëri që shkrihen menjëherë e që s’krahasohen kurrë me diamantet e Poetëve.

3. Feniksi, simbol i rilindjes shpirtërore.

Në pjesën e fundit vëllimi poetik kthehet në një himn të fuqishëm për jetën. Poeti, që i dëshpëruar vështronte me sy kritik e përshkruante me gjuhë ironike e parodike, deri në sarkazëm, të gjitha rrafshet e jetës duke heshtur gjykimin, tashmë merr forcë dhe energji pikërisht nga epiqendra e vorbullës dhe rimerr jetë nga natyra që në varg trasformohet mrekullisht në një tableau vivant me gjurmë akustike të një simfonie të vërtetë të bjeshkës apo të detit, të qytetit apo të fshatit. Ai identifikohet me natyrën, shpresa ringjallet dhe më pas ngre zërin për të thirrur në veprim njeriun e kohës së tij; në vargje ndihen dinamika, veprimi, lëvizje të plota në të gjitha drejtimet lart/poshtë, para/mbrapa, rrethore apo spirale në funksion të elementeve: qiell/tokë, progres/regres, plus/minus, cirkuiti, vorbulla që duket sikur justifikojnë bashkëveprimin e të kundërtave që shtyjnë jetën përpara.

Merri shpresat e tua. Merri…

Mbaji fort si busull në rrugëtim.

*

Pas njëmijë e një netësh vuajtje e trishtim,

pas kaq plagësh, brengash e stërmundim,

pas kaq ëndrrash të thyera, si në rrethrrotullim…

Koha vjen. E lind një stinë…

Pika e ujit, e ndërthurjes së shtyllave kryesore të shoqërisë, epiqendra e energjisë së shtjellës përfaqëson, veç të tjerash, edhe ekuilibër e harmoni. Jetën e dua, shprehet poeti, por mbi të gjitha adhuron artin, atë të fjalës, të penelit apo të notës muzikore. Imazhet e një bote në mizerie dhe shpërbërje e gjejnë dritën e shpresës në fund të tunelit; kjo do të jetë një ringjallje e një arti të vërtetë, e një ndërgjegjësimi për ndryshim. Imazhet që percepton poeti gjejnë korrelativin objektiv eliotian te objektet, ngjarjet, rrethanat në një kohë e situatë të caktuar. Të gjtha këto elemente krijojnë një ndjeshmëri emocionale intensive për lexuesin që metamorfozohet bashkë me subjektin lirik nga një gjendje cupio dissolvi ku dëshpërimi ndërthuret me tensionin negativ e ritmin e shfrenuar të civilizimit modern në një akt mbijetese, në një kërkim të brendshëm të bukurisë, të shpresës te natyra, te arti, te vetvetja, te ato pak çaste buzëqeshjeje që përbëjnë pikën e vorbullës ku edhe përmasa mistike-teofizike vihet në dyshim heu zot, heu dreq dhe njeriu arrin të rifitojë kontrollin e jetës që pulson mes ngjyrave, erërave, tingujve. Vorbulla që sillpështillet trasformohet deri diku në një element pozitiv; subjekti lirik e ka të qartë se jetën duhet ta pranojë ashtu siç vjen, prandaj përpiqet t’i japë fund dëshpërimit e fillon të luftojë për të. Poeti ndërkaq mbivendos e ndërthur në strukturën e këtij vëllimi poetik rrafshe të ndryshme që rrokin një realitet të copëzuar, fragmente të shumëllojshme që arrijnë të gjejnë referimin në një akt të vetëm: veprim.

Në një crescendo të vazhdueshme të përshkrimit poetik të fragmenteve të jetës, në një skenar dhimbjesh e dëshpërimi, nëpër rombet e lojës së shahut, në tragjikomiken e skenës së teatrit njerëzor, mes bjeshkës e detit, mes qiellit e tokës, nën pikat e shiut e nën dritën e rrufeve nëpër re, mesazhi poetik i fortë e i qartë që na përcjell poeti Gjergj Nikolla është: Jetën dua me tokën dhe qiellin, me dramën dhe ëndrrat e saj.

Nëse sërish të ngjet

se jeta rend pa vënë përpara një piketë.

Merre në duar një laps,

një fletë

dhe ulu…

Shkruaj vetë piketat e tua

vër përpara dy shtylla,

dy kolona,

dy kontraste jo paradoksin

dhe horizontalen mbërrije.

Ec vetëm përpara!

Shkruaje me gërma kapitale:

Jetën dua!

Jeta mund të ndryshojë, dhe si një qenie e veçantë, e pakapshme, e padeshifrueshme plotësisht, pas vdekjes metaforike, subjekti lirik (dhe njeriu i zakonshëm) me vullnet për mbijetesë, si Feniks, rilind nga hiri e rifillon jetën me besim në vetvete.

I kërkova shpresat ndër brigje

kur digjeshin e shkërmonin.

I ringjalla në copëza të shqyera dheu…

Ia dhashë durimit fuqinë,

zjarr ashti nga Prometeu!

Krahët Albatros i hapa dy metra…

Ani se u poqa, ani se u dogja…

Hiri m’u ngjall në eshtra!

Feniks jam….

Kjo rilindje shpirtërore do të projektojë fitoren e jetës mbi vdekjen dhe një lloj rituali të ngjitjes nga toka drejt qiellit me shpresa të reja për një jetë më të mirë. Post fata resurgo.

Cosenza, gusht, 2014

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s