AURORË E DIELLIT, PASQYRË, FRYMË DHE SHPRESË E JETËS ( Parathënia e librit me ESE dhe Prozë Poetike ” Aurorat e Diellit” e autorit Gjergj Nikolla ) /

10699836_776141482450892_1354808986661141206_o

 

 

AURORË E DIELLIT, PASQYRË, FRYMË DHE SHPRESË E JETËS

Parathënia e librit me ESE dhe Prozë Poetike ” Aurorat e Diellit”  e autorit Gjergj Nikolla  

 

 

 

 

Albana Alia

 

Nga Albana Alia

 

 



Për të dhënë një përkufizim sintetik të komedisë klasike, poeti francez Jean-Baptiste Santeul përdori një shprehje ku arti i fjalës përdorej për të ndëshkuar dhe për të vënë në lojë anomalitë e shoqërisë së asaj kohe: Castigat ridendo mores. Pikërisht ky është objektivi artistik i Gjergj Nikollit që me inteligjencë të veçantë dhe me qëndrim kritik të mundet të përpunojë dhe të paraqesë nëpërmjet fjalës poetike aspektet tragjikomike, situatat absurde dhe paradoksale të realitetit kulturor, shoqëror e politik. Në dialogun e dyfishtë me vetveten dhe me njeriun e kohës së tij, vëzhgimet, çështjet që trajtohen dhe argumentet që sillen janë nga më të ndryshmet.
Struktura e tekstit paraqitet tepër e fragmentuar: koncepte, situata, përshkrime, aspekte, mënyra jetese e sjelljeje, personazhe të ndryshme që herë janë ravijëzuar apo trajtuar atypëraty në përputhje me idealin etik të autorit, herë vijnë si rrjedhojë e një reflektimi të thellë apo historik të tipit meta- në përputhje me zërin kolektiv.
Teksti, megjithëse i fragmentuar, është kryesisht satirik, por nuk eviton përzierjet me kategori të tjera si: komiken, humoristiken, ironinë, grotesken apo sarkazmën. Fragmentimi i jep mundësi autorit të projektojë dramën e njeriut të sotëm, që lëkundet midis nevojës së brendshme për vlera morale e kulturore, për siguri jetësore dhe detyrimit të zhytjes në realitetin e përditshëm, aty ku qahet e qeshet, ku realizohen dëshirat apo vriten ëndërrat, aty ku ka qiell por edhe llum. Nuk ekziston më një qendër referimi, ka vetëm fragmente që sillpështillen rreth njeriut për ta çorientuar atë. Fati i tij lidhet me kubin gjashtëfaqësh të jetës, që hidhet në short nga dikush tjetër që qëndron më lart. Prandaj autori arsyeton herë me zemër, herë me logjikë të ftohtë, por të gjitha fragmentet i bashkon ritmi, dinamika dhe një stil i veçantë që shpaloset mes racionales dhe poetikes.
Në një vështrim të parë teksti duket si prozë, por po të rilexohet me kujdes , mundëson rishkrimin në një poezi satirike. Në raste të tjera vargjet poetike shfaqen hapur dhe në formën e tyre sintetike projektojnë një climax të shqyrtimit të objektit artistik që të sjell ndërmend moralin e përrallave. Qasja psikanalitike i jep mundësi autorit të komunikojë në mënyrë joagresive me interlokutorin, dmth lexuesin individual, por edhe me shoqërinë së cilës të dy i përkasin, duke shfryrë gjithë ngarkesën psikike që krijohet falë panoramës së përditshme komike apo të dhimbshme, aty ku nuk jetohet në liri, por ku jetohet në mbijetesë për shkak të varfërisë dhe vuajtjeve, dallimeve shoqërore e politike, dilemave dhe udhëkryqeve të jetës, avujve të toksinave, padrejtësive që shembin ëndrra e thyejnë shpirtra.

 

 

portret gjergji

 

Gjergji  Nikolla

 

Paranomazitë gjuhësore të tipit: hipokritët me betimin e Hipokratit apo Vip-Vup, simbolizojnë më së miri djajtë e veshur si ëngjëj, stereotipat që ekuilibrojnë jetën mes dy qëndrimeve, mburrje dhe understatement. Kudo ka shpirtëra në mjegull apo alegorikisht ujqër, lepuj, qen, skifterë, bolla, akrepa, kamaleonë, etj, ora e të cilëve rreh ndryshe, ecja e të cilëve është ndryshe, maska të hajnave, hipokritëve, shitamendësve , vip-vupave, njerëzve me shumë fytyra të cilët u vërsulen pa shpirt pëllumbave, albatrosëve, zgalemëve. Në një kohë të tillë paradoksesh, dita rrëshqet me thonj të hapur ndërsa Alegoria qesh në kupën e qiellës, thyen kulmin e durimit të njerëzores dhe antinjerëzorja vret realitetin. Paqyra përthyen aurorat e diellit për të mundësuar kuptimin e dramave njerëzore në skenë, aty ku tragjikja ndërthuret me qeshjen sarkastike.
Autori, poeti, njeriu kërkon një zgjidhje ose, të paktën, një rrugëdalje nga kjo gjendje, nga kjo shoqëri amorfe, amfibe në metamorfozë e mutacion të vazhdueshëm, që frymon e sëmurë në këtë metropol të zhurmshëm e të përbindshëm që zgjat nofullat e veta për të përtypur fuqi pune (por çfarë pune?) dhe thith limfën e jetës, të fshatrave të mbetura djerrë, të njerëzve që tashmë sillen pa busull orientimi.
Për autorin, një letërsi e tranzicionit (pozicioni in-between është tepër i rrezikshëm), është një letërsi në krizë, një letërsi që rënkon e drobitur, kaq prodhuese në dukje (fenomeni libërmania), kaq e varfër në shpërndarje dhe në etikën e receptimit. A ka letërsi të vërtetë? A ka lexues të vërtetë? A ka vlera të vërteta? A funksionojnë drejt institucionet letrare? A ka bosht letërsia jonë? A ka gjuhë, botime, kritika, përkthime të kontrolluara ku e drejta e autorit të ketë peshën e duhur? Autori pyet e dëshiron një shpjegim për bollëkun e turpshëm të poetëve, të botimeve, sepse jo çdo vargëzim është poezi, as çdo tingëllim përbën muzikë. Më tej, ai shpalos një reflektim të hollësishëm mbi artin e fjalës.Të jesh talent është ndryshe nga të qenurit adhurues i artit. Të shkruarit është një proces i gjatë dhe i vështirë, ku ndërthuren talenti, pasioni, inteligjenca, guximi, studimi dhe përvoja, ku nëpërmjet imagjinatës shkrihen në sintoni grimcat e shpirtit të autorit, fjalët, tingujt, ngjyrat dhe rrjedhin aq lirshëm, sa shumëkush e gjen veten në vargjet apo rreshtat e tekstit. Ja përse arti i vërtetë, poezia e vërtetë përshkon sipas tij tri gjendjet fizike të materies: është avull i shpirtit që më pas kondensohet e rrjedh i lëngëzuar derisa kristalizohet në një vepër që ruhet për një kohë të gjatë.
Studiuesi gjerman Hans Robert Jauss në teorinë e tij të vlerësimit estetik të një vepre letrare i kushton një rëndësi të veçantë lexuesit aktiv dhe interesit të tij per të. Kështu, ai flet për një erwartungshorizont, mënyrë në të cilën ne konsiderojmë botën apo një vepër letrare duke u nisur nga një këndvështrim subjektiv të formuar gjatë një periudhe të mëparshme. Një vepër e mirë letrare transmeton vlera, të jep kulturë. E pra, është e vështirë dhe shumë e përgjegjshme rruga nga procesi i krijimit te botimi, shpërndarja, kritika letrare deri te lexuesi. Fenomeni i libërmanisë i ushqyer nga pseudokrijues të shumtë që përkrahin antivlerat ka krijuar dramën e librit e cila fillon që nga faqet e rrjetit shoqëror virtual, facebook-ut, ku efekti grotesk i tag-ut ngre në qiell krijime të rëndomta, të imituara apo të kopjuara, e deri te pamja e trishtuar e botimeve që përfundojnë stoqe nëpër magazina.
Mes çastesh poetike dhe meditimesh metapoetike në fragmentin e mrekullueshëm “A vdesin poetët…?” , një lloj manifesti për mbrojtjen e poezisë dhe fjalës së lirë, Gjergj Nikolli, në stilin shkrelian, himnizon rilindjen e poetëve në çdo varg, në çdo strofë, sepse aty fjala me forcë uragani gjen liri, por edhe copëza shpirti e jete. Poeti i vërtetë nuk mund të vdesë, sepse ai mbetet bartës dhe realizues aktiv i një “misioni lirie e bote plot qiell”.
E më tej, ne, shqiptarët…Kush jemi? Nga vijmë e ku po shkojmë? Presim…Gjithmonë presim, deri në absurditet… Çfarë presim? En Attendant Godot…Nuk na kanë munguar kurrë zgjuarësia, energjia, dëshira, mundësitë. Megjithatë, nëpër rrugët e historisë, mes legjendës dhe realitetit na shoqëron vazhdimisht kënga apo vaji i qyqes. Monologu në udhëkryqet e jetës nuk merr përgjigje. Njeriu është tjetërsuar aq sa nuk kuptohet në është njeri apo hije. Dramat e përditshme nëpër rrugët e fshatit apo të qytetit, në familje dhe në marrëdhëniet shoqërore, dëshmojnë metamorfozën e thellë të viteve në tranzicion. Jemi në kohën e internetit dhe jetohet si në kohën e Migjenit, thotë autori. Jetojmë në kohën e kodit. Aurorat e diellit “centrifugohen shtatëngjyrëshe! Ti me ato ngjyra deshifron realitetin në qytetin tënd […]” Ne…Kemi një gjuhë të veçantë, një traditë të lashtë, vlera kulturore të larta, bukuri të rralla, pasuri natyrore por , me një gradacion negativ, me një anticlimax të fuqishëm, autori na fton të mendojmë e të kuptojmë që kemi mbetur prapa, sepse “bota” po na i rrëmben të gjitha, sepse bijtë e kësaj toke shkojnë e luftojnë për të tjerë, sepse vëllai vritet me vëllanë, sepse viktimat e pafajshme të kohës po shtohen përditë, sepse tokat kanë mbetur djerrë, sepse qytetet janë kthyer në organizma të sëmurë, sepse shkollat janë kthyer kryesisht në burime fitimi , sepse njerëzit janë varfëruar dhe qyqja ka filluar të qajë ndërsa ne… kemi aq shumë, por na mungon gjithçka.
Tingujt komikë, lojërat gjuhësore, parodia, satira, alegoria, ironia shoqërore, filozofike e psikologjike, e të tjera lloje, stile, teknika e figura letrare vihen në funksion të shpalosjes të së vërtetës së hidhur. E megjithatë, në këtë botë ku sillpështillen zhurmat e klithmat, diku larg dëgjohen tingujt e ëmbël të një violine malli; janë vibrimet e shirtit poetik që sjellin ngrohtësi dhe orientim, një spektër ngjyrash, dashurie dhe muze, etjen e fjalës që triumfon mbi gjithçka, mendimet që udhëtojnë me shpejtësi yjesh aty ku bashkohen dy gjysmësferat që shpirti i mbledh në një. Por nuk mjafton ëndërrimi për të kaluar zhgënjimin. Prandaj medito e guxo njeri, ec me shpresë!
Përgjegjësia bie gjithmonë mbi të tjerët: mbi drejtuesit e mbrapshtë, mbi të huajt – Dimër na vuri Europa në mes, e ne i lutemi pranona, pranona në copa ashtu si ajo vetë na ndau […], mbi vetë zotin – Secili prej nesh gjendet sy e veshë nga qielli e shteti […] Mbroji zot bijtë e tu, mos i zhyt në hone! Po ajo?… përgjegjësia e vetë njeriut? Jeta, dihet, është stuhi për lisat e zgalemët dhe përsëri njeriu duhet të ecë përpara duke mposhtur çdo vështirësi. Bjeshkët janë po aty me gurë e me kroje, me përrenj e lumenj që rrjedhin, që këndojnë vazhdimësinë. Aurorat e diellit sjellin ngrohtësi, prandaj njeriu me frymë, imagjinatë dhe shpresa të reja duhet të ketë parasysh detyrën dhe misionin e tij: të lerë diçka të mirë për brezat e ardhshëm, sepse në fund të fundit, megjithëse non sequitur në dukje, kjo jona është edhe një botë e aurorave të diellit, e fjalës së lirë, e tingujve, e ëndrrave, e pasioneve dhe e dashurisë njerëzore.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s