MENDIMI I KTHJELLTË NË NJË BOTË TË ARNUAR KEQAZ ( Shënime për librin poetik, “Mendime të Arnuara”, të autores, Pranvera Drita Gjoni, publikim i Shtëpisë Botuese “ADA ” ) / Nga Dedë SHKURTI

 

 

10683601_10203830739401617_8602799277695511998_o

 

 

Autorja : Pranvera Gjoni

Kopertina: Gjonatan Nikolli 
Redaktor: Dedë Shkurti
ISBN: 978-9928-193-12-4
Numri i faqeve- 120
Çmimi: 500 leke

Shtëpia Botuese “ADA” 

 

 

 

MENDIMI I KTHJELLTË NË NJË BOTË TË ARNUAR KEQAZ

 

( Shënime për librin poetik, “Mendime të Arnuara”, të autores, Pranvera Drita Gjoni, publikim i Shtëpisë Botuese “ADA ” )

 

 

nga Dedë  SHKURTI

Pasi hyra nën Harkun poetik të Triumfit, i përkulur në shenjë nderimi dhe jo, si humbës, përpara më shfaqet një “masiv” tjetër poetik me një reliev të kreshtëzuar, të cilit nuk e pata të vështirë t’ia përshtasnja analogen natyrore, mrekullinë tokësore shqiptare të Bjeshkëve të Namuna.
Eshtë e kuptueshme, ky produk i një mendjeje dhë shpirti autentik është shkruar nga një dorë poetjeje të lindur dhe përkundur në djep, bash në cepin jugor të këtyre bjeshkëve, aty ku Valbona dorëzohet e virgjër në krahët e Drinit, nga Pranvera Drita Gjoni.
Ndonëse në pamundësi kalërimi në “lugjet e verdha” të këtij masivi poetik se lirikat, kësaj radhe, autorja i ka dhënë shumë me kursim dhe me një përceptim krejt të veçantë, s’e pata të vështirë në të gjitha llojet e kërkimit. Në çdo ngushtësi e pjerrtësi shtegu, në çdo ngjitje e zbritje pingule në shkëmbenj të thepisur, në hyrje guvash dhe honesh hiperbolike, në qafa e lakore kontrastesh e antitezash, Pranvera i kish lënë gjurmët e veta fosforeshente.

 

 

Pranvera Gjoni

  Pranvera Gjoni

Mrekullisht i kishte vënë Zanat në gjumë dhe kur rastiste të ndodheshe në ndonjë vorbull imazhesh, i gatshëm ta pranoje dehjen dhe kapitullimin, Kryezana, me balluken e drejtprerë dhe dy gropëzat simetrike të fytyrës, ta jepte bujarisht e pa kompleks prehërin e vet prej Gruaje.

E vetëdijshme se është molekulë e një Misioni të përbotshëm dhe, gati të parealizueshëm, të njerëzojë e ndriçojë, të kontaminuar e intoksikuar nga të gjitha bakteriet dhe viruset e të ashtuquajturit, progres e qytetërim, ajo nuk heziton ta shpallë thelbin e këtij misioni:
Gjej misionin tim, shkruar në të artë,
– “jep sa të mundesh, mos prit asgjë”!
( Kocka fjalësh)
… por edhe t’u kallzojë atyre që duan ta ndjekin si bashkëmisionare, si dishepuj të saj apo, thjeshtë si kureshtarë, pse jo, edhe kurthngritës se:
“Më ngjan sot rruga ime / si një varrezë, varresh pa varr …/
asnjë kortezi s’ më detyron të shkoj andej / veç ndoshta një kumt të marr.” (Forca e Erozionit)

Nuk do të vonojë, të na hallakasë nëpër panorama shterpë iluzionesh, nëpër endje e joshje të kota pa objekt dhe qëllim, duke pozuar profile e imazhe vetjake të trukuara, duke deklamuar artikulime me receta të stisura estetësh dhe filozofësh pa tru, eksploratorësh aventurierë të grabitjeve dhe trafikimit të zemrave dhe shpirtrave të pambrojtur e të pafajshëm por, me një karakter prej Semiramide apo Safoje dhe Penelope pellazge, i shpraz të vërtetat që trondisin:
“Mbërrita më në fund si një Odise, /tek varri i së vërtetës …/ e gjuajtur me gurë si Maria Magdalena / Pa faj të provuar/ Rënkonte …/ Veten mallkova /
përse kaq vonë e paskam kuptuar / mosbarazinë / e kësaj bote të ndërtuar mbrapsht.” (E Vërteta foli )
Konstatimi i saj, ndonëse rrënqethës, jep përmasën reale të një katastrofe nëpërmes një mendimi të shprehur me vargje kozmogonike, të vetmet në poezinë e këtij vëllimi, të ndërtuar kryesisht si poezi reflektive e nganjëherë edhe instinktive.

Asgjë nuk është si më parë!
Blu – ja e ëndrrave është njollosur,
pabesive të yjeve që sorollaten vërdallë.
*
Hiri i së shkuarës mban kohën peng
Si kamikaz kozmik.( Kohë peng )

…Si gjallesë syzgjuar deri në përsosmëri, më instrumentin dhe shqisën e flakës poetike, autorja precizon boshësinë dhe shterpësinë , jo vetëm të Tokës së cilës i përket por të kohës që e mbështjell më litarin shekullor dhe të njeriut që lëvrin në labirinthet e saj:

“Asgjëja ka fronin kushtetues të mosarsyes. /Shekull i ri … i marrë … /Sillet vërdallë si sonambul, /nëpër tatëpjetat e degjenerimit të njeriut.
*
Toka është plasaritur rëndë! ‘ (Shekull i boshllëkut)

..Rruga dhe përvojat e jetës vazhdojnë t’i paraqesin aspekte gjithënjë e më të shëmtuara, gati gati, ta përkulin shpirtin e butë deri në naivitet e prag vetgjyqësie:

“Nuk e dija që njeriu vritet /nga shembëlltyra e tij / Duke i zhdukur namë e nishan…/ Pastaj e qajnë me lotë krokodili,/ duke ia bekuar /çertifikaten e tij të vdekjes …!
*
Naivitetit do t’ia shkul flokët / në këto paradokse xhungle.”
(Paradoks apo naivitet)

….Duke ruajtur në pamje dhe nga ana sasiore vazhdën e dy librave të parë, me nga tetëdhjetë poezi, në librin e tretë, poezia e Pranverës vjen më e maturuar, e shton dendësinë e saj të mendimit dhe përjetimit artistik.

Heroi i saj protagonist është kryesisht “Uni i saj Poetik”, në qendër të poezisë është vetë ajo, me qëllimet dhe ëndrrat e saj sipërore për lumturi dhe përparim, por që , që në fillim të udhëtimit ndeshet me zhgënjime tronditëse. Heroi i saj, një lloji Martin Ideni shqiptar, ndesh në zilinë, vrazhdësinë , jetën e bjerrë nga virtytet, plot vese, vulgaritet e dyfytyrësi.
Përballë këtij mjedisi aspak miqësor ajo ka vendosur t’mos ndjekë instinktin e mbijetesës por të mprehë reflekset e përballjes, denoncimit, luftës pa kompromis dhe fshikullimit e asgjësimit me të vetmen armë, fjalën poetike:

“ Dua të dal një herë të vetme, / nga shinat stoike të vetpërmbajtjes./ …Të harroj këtë botë, krimbur në hipokrizi, / që erë myk’ shpërndan, / jug dhe veri, / …. Pasqyra e ditës, fytyra reale, / ku shpërfytyrimi flet në kor maskarenjsh! “ (Dua të Bëhem)

Shkallë-shkallë, ajo konstaton dhe diagnostikon duke përpunuar në thellësinë e nënndërgjegjës së vet antitrupat mbrojtëse për kufizimin dhe lokalizimin e kësaj epidemie prej lebrozësh dhe kolerantësh të mbështjellë me sqima sallonesh dhe monologje pseudoelitash.
Është në stilin e saj, të sfidantes së hapur që, duke flakur domosdoshmërisht mantelin prej misionarjeje, të mveshë shpatën e luftëtares:
“Më gjykoni, paragjykoni, /aludoni … si të doni! /Thuamëni, Hitler, ajszberg,/diell që djeg,/
/a, dreq me huqe … /Në shportën time jam unë, / E papërlyer /
As blu, as e kuqe!”
(Jam egoiste)

Me librin e saj të tretë poetik, “Mendime të Arnuara”, Pranvera Gjoni e skicon fort portretin e vet të një Poetjeje të maturuar dhe me një konsolidim të shpejtë të karakterit stoik duke zbritur me hap të vendosur nga Komuniteti virtual i konsumatorëve të poezisë, tek Shëtitoret e Tokës dhe ballafaqimi poetik në Sallonet e artit.
Të tilla zbritje, nga Eteri në tokë, si për të gjithë Legjionarët e Penës, janë të mundimshme, sfilitëse, zhgënjyese shpesh pa triumf dhe paragjykuese. Këtë përjetim e ka pësuar edhe Pranvera Gjoni:

“ Vuaj sonte si një tel i patendosur
violine të vjetër,
që tingullin s’e nxjerr dot.”
(Vuaj…por, nuk pajtohem!)

Cfarë ka ndodhur?
Për fat të keq, lëpirësit virtual të “akulloreve poetike” nga mendjelehtë të zhurmshëm e komplimentarë inflacionistë, tani paraqiten pozantë seriozë, skeptikë e moskokëqarës, me gota Shampanje e John Walker-i mosbesues, provokues, ziliqarë e thashethemexhinj.
“…Mjerim deri në kupë të qiellit! /Koha e pllaq-plluqeve, / e syve të përdalë, / është ulur në fron / flirton turpshëm me dhunuesit e saj, /Pseudoelitat.” (Oktapod)

…A do ta përballojë dot lëkura e brishtë e një poeteje të pambrojtur e të padjallëzuar epshin vrastar të kësaj lukunie?
“ Lëkura ime ka vragat e kohës, / qëndisur në çdo pore, /si hieroglife, si shkronja latine. / ku lexohet si një përrallë/ Me fund të palumtur /
*
Brenda qelizave të saj, /strehon veten time / Duke numruar mërzinë /si tespihe” ( Lëkura ime )

Gjërë e gjatë, skaj më skaj shfletimit të Librit është e pranishme brenga e poetes dhe beteja vetmohuese me “bajlozin-kolektiv” të moskuptimit dhe paragjykimit.
I ndodhur pothuajse në mes por, “në pozicion jashtë loje”, nga gjysmëfusha e Poetes kam mundur të rrok në shqisat e mija, sa me logjikë e sa me abstragim, këtë “lojë luftash” me front global, ku secili, pra edhe Poetja, ka të drejtë ta vlerësojë se ajo është epiqendra e saj.

Konsumatorët e Artit dhe të Letërsisë, (si portret kolektiv), janë mistrecë të përjetshëm dhe të përbotshëm. Duke i quajtur me një term aspak poetik, (konsumatorë), kam parasysh përzierjen gjithnjë të padëshiruar të lexuesve të kualifikuar e kultivuar, lexuesve adoleshentë, (jo prej moshe), që bredhin lule më lule, pa përqëndrim, të lexuesve që shkollimi, (sidomos ai shqiptar, i dekadave të fundit, i ka nxjerrë sakatë), si dhe arrivistët dhe ziliqarët profesionistë të të gjitha zhanrreve.

Ata e kanë në modë të joshen më shumë në gjestin e goditjes më çekiç të gjurit nga Mikelanxhelos, se sa të përqëndrohen duke parë madheshtinë e Statujës së Davidit, t’i qajnë hallin Beatriçes, se sa të shijojnë gjeninë e konstruksionit gjigand të “Ferrit” të Dantes, të zhbirilojnë vajzoçkat e Gëtes dhe Tolstoit, se sa kryeveprën, Faust, apo Ana Kareninën.
Aq më shumë edhe ne, shqipot e provincës juglindore të Metropolit gjigand europian të artit, e vrasim mendjen se : a e dashuroi vërtetë, Gresa … Rrapin,….. a ka pasur Kadareja dashnore R. B, se sa të shijojmë e t’i gëzohemi Korpusit domethënës të veprës së tij që na bën nder, duke e rivendosur dukshëm Shqipërinë në hartën botërore të Letërsisë.

Prandaj, edhe Pranvera Gjoni, poetja e përnjëmendtë, që ka vendosur t’ua “ thyejë hundët horrave” me poezinë e saj, logjikisht është e përfshirë në këtë “lojë” nervash.

Pa kuptuar, / kisha sfiduar heshtat e rrufeve / si një vikinge e përfolur legjendash.
…Pa kuptuar, heshtave iu dhashë gji / me mëkimin e nënës natyrë,
që të shuanin urinë e ëndrrave, / Heshtat ma shpaguan / Gjirin e bardhë me delir.” ( Përthyerja e Heshtave.

Hamendjes jodashëse të kureshtarëve, ziliqarëve por edhe të një divizioni të tërë dinjitarësh që e admirojnë dhe e duan siç është, u është përgjigjur më fjalën e zgjedhur dhe mendimin e kulluar poetik, duke u shfaqur plotshëm, me duk e trup duke shpallur simpatitë, dashuritë, admirimet, përçmimet, përbuzjet, harresat dhe kultet e saj të patjetërsueshme.
Pranvera Gjoni është një grua fisnike, një Femër e plotësuar, një Nënë e përkushtuar, një Poete me një vlagë përvëluese, gjithnjë në kërkim të poezisë së përkorë humane dhe qytetare.
Është i lumtur ai Hero imagjinar që kapet si peshk në rrjetën e saj të dashurisë.
Dashuroj deri në të pamatshmen energji / shtyllat solide vertebrore,/ që mbajnë kështjellat në këmbë./ (Dashuria, etaloni i bukurisë)

.. E paimagjinueshme, edhe në një detikim të mirëfilltë dashurie, ky Modul i frikshëm dhe i këndshëm shfaq grushtat:

“Ra gongu! / Përtokë, unë dhe ti / me një nokdaun shikimi …
*
U tretem si hije, / zhytjes në tapetin e avullt të ringut,/ mes grushtimesh së puthjeve …/
*
Nuk e kuptuam, humbëm apo fituam …?”( Humbëm , apo fituam)

…Gjithëçka mund ta kenë graduar lotin, të dashuruarit dhe të zhgënjyerit nga dashuria, edhe poetët e kanë ngrirë në perla e kristale diamante, por vargjet e fundit do t’i shkaktonin zili çdo pushkinasi.
“ Në muzeumin e dashurisë, /gjendet loti më i rëndi, /… më i vërteti i kohërave./…
Në muzeum, përjetova ngjarjen / e pajetuar kurrë më parë …/ Cicëroni-loti,/ deshifroi madhështinë e tij!”
( Loti në muzeum)

…Po, me stilin e saj të shkathët, të “grushtit” poetik nuk harron të përcjellë mesazhe për ndonjë syvakët ëndrrash të ngrira:
E pra… asnjë unazë, / floriri, bronzi, teli, / apo thjesht peri, / nuk mund të rrethojnë /as gishtin, as aortën e zemrës! / Nuk mund të shtrydhin / piketat e vendosura të udhës sime,” (Po … Kam lindur e divorcuar!)

“Në këtë safar miokardësh
Jam soji leopardësh!” (Muskuli Zevzek)

Si qënie njerëzore më ndjesi dhe brishtësi të shtuar edhe poetët, këta luftëtarë fisnikë të paepur dhe të pagjoksmënjanuar, e kanë një kufi qëndrese. Si të tillë ata nuk janë ikamanë në panik. Edhe kur zmbrapsen, këtë e bëjnë në mënyrë madhështore, pa anatema, pa mallkime, pa poza heroi as rënkime viktime.

“ Po iki atje ku më presin, / jo frymorët,/ as të prekshmit …/ Por, copa imazhesh / që jotokësorët kanë thurur / për bashkëvuajtësin tim,/ vetveten!
*Po shkoj! / S’më lanë zgjidhje tjetër / kockat që bërtasin si tenorë, /dhimbjeve të dritës shuar/ ditën për diell, “
gojëve të ujqërve fatshkruar,
në ulërimat e urisë të moralit …”( Po marr Arratinë)

*
“Unë dhe ëndërra, vdiqëm pa çati
autostrave të zhurmshme, të botës.
Pa identitet …!”
(Unë dhe ëndrra)

E sëfundit, mbi jetën, sakrificën, luftën, ëndrrat, dashuritë dhe zhgënjimet; e papëkulura, Nëna poete i bën dedikimin kryeveprës së vet hyjnore:

 

ANA

A-rdhja jote në këtë botë
N-jë perandori për mua krijoi.
A-roma e jetës, pa profeci.

A-ndrallat mua ti mi trete
N-jë tjetër jetë më dhe të jetoja.
A-ri i botës që shkëlqen pambarimisht.

A-fërditë, perëndeshë e bukurisë
N-jë planet sharmant magjik.
A-ristokrate në sjellje dhe dlirësi.

A-mazona …
N-iagara …
A-rti im unik, je ime bijë.

 

Vetëm kur përputhet, me vullnet Hyu, ndjeshmëria e Nënës me talentin e Poetes jetësohen të tilla krijime që kur i lexon, i falesh Zotit: faleminderit, O Zot që më linde njeri!

Korrik, 2014

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s