“Me duar dashurie”, i autores Merita Gjoni, publikimi më i fundit i Shtëpisë Botuese “ADA”

 

10006360_10204091379197449_2952115062523161470_n (1)

 

“Me duar dashurie”, i autores Merita Gjoni,  publikimi më i fundit i Shtëpisë Botuese “ADA”

 

 

Titulli i librit; -“Me duar dashurie”
Autore: Merita Gjoni
Redaktor: Jaho Margjeka
Recenzent: Dëfrim Cani
Përkujdesja letrare: Kujtim Gjoni
Botues: Roland Lushi

© Të gjitha të drejtat janë të autores

ISBN: 978-9928-193-25-4
Çmimi: 400 lekë

Shtëpia Botuese “ADA”
Tiranë, 2014

 

 

 

1512712_1376778575911117_639732607_n

               Merita Gjoni

 

 

 


PËRTEJ GJEOPOEZISË SË VENDLINDJES

Poetesha Merita Gjoni vjen nga krahina zëmadhe e Nikaj-Mërturit të Tropojës,log burrash fisnikë të dalluar për besë trimëri e bujari,vatër poetësh brilantë e këngëtarësh zë kthjellët si krojet e bjeshkëve të asaj ane.
Gjithherë ardhja e një poezie të një poeteshe në rrjedhën e përditshmërisë njerëzore është një qasje, është një këndpamje dhe një raport shpirtëror ndryshe nga kjo përditshmëri, e cila zë pjesën më të madhe të jetës së njerëzve në tokë. Pikërisht, për këtë shkak, marrëdhëniet komplekse, që krijimi poetik vendos me njërëzit e të gjithë niveleve, janë të besueshme dhe funksionale.
Ashtu siç ndryshon raporti dhe marrëdhënia me kujtesën njerëzore, kënga epike për një hero dhe luftëtarë, ashtu dhe një poezi apo një libër me poezi, mund të krijojë një marrëdhënie tjetër të autorit apo autores me veten, kohën dhe njerëzit. Ky shembull epik është tepër i njohur në të gjithë kohët dhe letërsitë e botës.
Ndryshon jeta e një njeriu prej një kënge, prej një libri dhe prej një ngjarjeje. Në të vërtetë, kjo është dhe marrëdhënia që zakonisht një libër i mirë krijon me njerëzit, epokën e vet dhe qasjen që shoqëria krijon me të. Shkaqet e kësaj lidhjeje dhe marrëdhënie janë nga më të ndryshmet, më racionalet dhe varen nga inteligjenca që një krijues i caktuar realizon komunikimin me kohën, shoqërinë dhe njerëzit e kësaj kohe.
Libri më i ri i poeteshës Merita Gjoni, ka një qasje thuajse identike me realitetin për disa arsye të dukshme dhe të perceptuara qartë nga lexuesi i poezisë:
-Së pari,-“Me duar dashurie” është një realitet njerëzorë i jetueshëm, i përditësuar, i ditëpasditshëm, i çast pas çasti, i cili e gjen veten në çdo marrëdhënie njerëzore. Libri është një strukturë komunikimi, është një gjuhë e zgjedhur, e vendosur në vargje, strofa, në situatë estetike, në përjetime të holla, që poetesha është përpjekur t’i mbledhë bashkë në një libër poetik dhe në një mundësi komunikimi.
Në lashtësi poetët janë nderuar mrekullisht si barinjtë, një punë e mrekullueshme, që ka të bëjë me kujdesin njerëzorë, i cili është përftuar nga zeja me e vjetër e historisë dhe jetës njerëzore. Qasja përmes vëllimit poetik “Me duar dashurie” është një komunikim përgjithësues i mrekullueshëm, që i reziston më së shumti kohës dhe kohëve, pavarësisht prurjeve dhe ikjeve.
-Së dyti, vëllimi në fjalë, përveçse “perifrazon” (apo rrjedh) artistikisht dhe estetikisht ditën, natën, rastet mirë dhe keq, gëzueshëm e trishtueshëm, të qenët vetëm dhe jo vetëm, ai ka një tipar thelbësisht karakteristik,- është i veçantë.
-Pse është i veçantë?
Përditësia, përmes perceptimeve dhe përjetimeve estetike, është e vështirë jo vetëm për njerëzit e zakonshëm, por dhe për poetët, të cilët konsiderohen mjeshtër të sistemimit të kohëve në kodet estetike.
Në poezinë e Merita Gjonit ka hapësirë tematike, ka ajër mendimi dhe sy vëzhgues të hollë, ka sens dhe guxim për ta lexuar realitetin, ka arsye njerëzore për të qenë kritik dhe i ndjeshëm, ka stinë jete dhe stinë motesh me shi dhe myk harrese, ka dilemë, sfidë, kurajo, ka rrugë të gjata e rrugë të shkurtëra, ka pezm, peng, dhimbje, plagë të hapura, plagë të shëruara, shenja, njolla, gjurmë, re e furtunë, shkuarje-ardhje…ka një lloj metamorfoze universale, pavarësisht “toponimisë”.
Të gjendurit para një gjithësie të çuditshme, të cilën e kupton një sy i hollë, siç është rëndom syri i poetit, zgjedhja për t’iu referuar është e vështirë. Në këtë dilemë “i thotë apo s’i thotë” të gjitha poezia,- poetesha Merita Gjoni ka triumfuar. Ajo ka arritur të triumfojë duke na krijuar një ndjesi të mrekullueshme përditësimi. Merita Gjoni e ka vargnue marrëdhënien simbolike që universi dhe njeriu kanë me njëri- tjetrin, ka vargnue shkëlqyeshëm simbolikën dhe alegorinë, që shfaqen apo shpallen në mënyra të ndryshme.
Këmbëngul tek tipari racional dhe thelbësorë i poezisë së Merita Gjonit, tek përditshmëria poetike, jo vetëm për cilësinë tematike të librit, por në një këndvështrim më emblematik dhe problematik gjithashtu. Poeteshën duket se e shqetëson apo të themi e tërheq nevoja e përveçësisë, d.m.th zëri dhe “vizatimi” i saj. Dhe ky tipar është një lloj guximi i nevojshëm për ta admiruar dhe bërë prezent në kohën globale të poezisë sot. Pa mëtuar ndonjë emër apo profilitet poetik tjetër të sotëm të “plagjiaturës” urbane dhe në poezi, Merita Gjoni ka një shqisë të mrekullueshme poetike për ta perceptuar dhe lexuar realitetin në të cilin jeton.
Dilema e shumtë e hamendjeve poetike “ku mund të gjendet poezia?”, duket se ka nevojë për një përgjigje të thjeshtë,- “aftësia për ta ‘lexuar’ jetën e përditshme”.
Në dukje kjo ka diçka të zakonshme, rëndom të përgjithshme, por në rastin konkret nuk është e tillë.
Ndër emrat e botës poetike, qoftë dhe nga antikiteti i hershëm, pavarësisht epokave, zhvillimeve, rrymave, drejtimeve poetike, sofistikimeve e eksperimenteve, emrat e të mëdhenjve nuk janë zhdukur, nuk janë shuar.
-Pse?
Krijimtaria poetike e tyre ka tiparet, cilësitë, veset, kulturën, tipat, karakteret, marrëdhëniet dhe qasjet e kohës së tyre. Po ashtu, një nga mjetet me të cilat poezia dhe çdo zeje tjetër letrare, ka jetëgjatësi është dhe përftimi poetik i kodeve dhe qasjeve universale të produktit estetik.
Pjesa më e madhe e poezisë kuptohen lehtë dhe krijojnë një marrëdhënie vepruese me lexuesin, jo vetëm për temën që mëton poetesha, por për qëndrimin që ajo mban, i dukshëm ai ose jo. Në jo pak poezi, perceptimi poetik vjen nga skajet, ashtu siç ndodh kur përmend natën për të kuptuar ditën, vdekjen për jetën, dhimbjen për gëzimin, qasje që i jep poezisë një befasi tipike femrore.
Përgjithësisht, në të gjithë kontributet teorike- poetike, poezia me të drejtë është konsideruar zeja e ekonomisë së fjalës dhe gjuhës. Në këto kushte, poezia është e bukur për një arsye të njohur,- ajo lexohet ndryshe nga çdo lexues i saj, prandaj ajo i lë gjërat të nënkuptuara e që s’mund t’i thotë të gjitha. Në temperamentin poetik të poetes Merita Gjoni, poezia e ekonomizimit gjuhësorë do të ishte mjaft funksionale.
Pasuria e madhe gjuhësore e rrënjës gjeopoetike të autores ka ndikuar ndjeshëm në fjalorin poetiko semantik të poezive të këtij libri,kemi parasysh Nikaj Mërturi është cilësuar nga studiuesit si djepi i Eposit të Kreshnikëve.
Pas vëllimit të parë poetik “Abazhur zemre”,Merita Gjoni vjen përpara lexuesit me një zë më të kthjellët e hap më të sigurt me librin e dytë poetik,”Me duar dashurie”.

Tiranë, tetor 2014
Jaho MARGJEKA

 

 

POEZI E PËRDITËSIMIT JETËSOR

Leximi vertikal i poezisë së Merita Gjonit, ka të bëjë me udhëtimin njerëzor nëpër gurët kilometrik “një gur”, “shtëpia në periferi”, “një grindje…e vjetër”, “plagjiaturat’, “ri- modelimet”, “hapat në asfalt”, “ata”, “dashuria… dhe brenga, “elipsi (hamendja) e ditës, pra çështjet më qenësore të përditësimit, por të para çdo herë nga një sy, ndryshe tjerëve, përcjellë nga një gjuhë ndryshe tjerave,- d.m.th përmes angazhimit meditues- poetik të Merita Gjonit.
Në poezinë e Merita Gjonit ka një tipologji poetike, e cila dukshëm ka të bëjë me një tipar gjeopoetik të njohur dhe të lexueshëm. Për të shkuar në thelbin e dukurive dhe fenomeneve të “ri- thëna” poetikisht,- është e domosdoshme të kalosh përmes një filtri herë simbolik dhe herë të një fjalori të zgjedhur të fjalës, e cila në jetën e përditshme realizon komunikimin mes njerëzve. Natyrisht kjo ka një shkak të njohur dhe domosdoshmërisht veprues,- poetesha nuk mund t’i ikë etno- psikologjisë ku ajo është rritur, edukuar, ka krijuar personalitetin e saj dhe ka derdhur vargun e parë poetik mbi letër.

Tiranë, tetor 2014
Dëfrim CANI

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s