Refleksione në shi ( Etyd eseistik ) / Fatmir Minguli

 

Refleksione në shi

Etyd eseistik

 

 

Fatmir-Minguli

 

     Nga Fatmir Minguli

 

 

 

Klubi i lagjes sonë është lokali më i preferuar për mua sidomos kur bie shi.

Dje kështu ishte. Shiu binte vazhdimisht pa kufijë kohe dhe gati i padukshëm. Përtej xhamave tëdjersitur të dritareve pamja e çdo gjëje tjetër jashtë lokalit merrte forma akoma më të turbullta; mëtej ato bëheshin abstrakte.

Megjithatë shiu binte dhe nuk mund të lante e të rifiguronte siluetat e njerëzve, veturave, qenve të rrugës që ushtuan  gjatë verës, macet…

Macja e parë që u shfaq në trotuarin përtej më solli ndër mend “Macen në shi “ të Heminguejt. Atëhere ai jetonte në Paris kur shkroi këtë tregim që e përjetësoi macen në shi ,diku në atë lagje të Parisit. Ajo u kthye në një përmendore letrare.

Por unë jam në lagjen time, diku në gjysëm thellësinë e qytetit tim të dashur, Durrësit, që nuk e përvehtëson dot asnjë njeri që nga të ardhurit e hershëm , që nga grekët e parë…

Përvehtësimi i një qyteti është përvehtësimi i pasurisë dhe dënohet.

Jashtë shiu bie vazhdimisht dhe unë kundroj me një kënaqësi prej piktori njerëzit që kalojnë përpara klubit tonë të lagjes.

Ja, tek kalon një burrë i gjatë, kokëzbathur, me nje ecje kryelartë ndonëse shiu ia ul gjithë tangërllëkun e të ecurit me kokë lart. Ndonëse i sfumuar keqas si në pikturat e Degas, silueta e tij të duket e dhimbshme, shiu sado i padukshëm që paraqitej prapa djersitjes së xhamave, qafën atij burri kokëzbathur ia kishte kthyer në katarakt.

Këto janë efektet iluzioniste tek rri në një klub e pi mojiton e Heminguejt, shoh shiun që nuk duket dhe sodit si në një pasarelë idiote njerëzitë që kalojnë si në filmat me ngadalësim.

Ja burri tjetër me një çantë të rëndë, tek e mban me një dorë ,krenar edhe ky po padyshim i lagur gjer në fund të kurrizit, diku … Ecën i mënjanuar nga pësha e çantës. Mënjanimi i tij përforcohej nga ideja e abstraksionit të mjegullës avullore para xhamave të dritares. Ndoshta përforcohej ky mënjanim edhe nga efekti i mojitos, ndoshta  dhe nga fjalët thumbuese të çunave të lagjes që i kemi për çdo ditë në këtë klub lagjeje.

Ata vinë për ditë pas pune dhe shohin punën e tyre e në fund të fundit s’kanë punë me refleksionet e shiut. Vetëm në atë kohë kur kaloi ai burri që mënjanohej nga çanta e rëndë, njëri prej tyre duke ngritur kokën nga filzhani i kafesë tha se çfarë mund të kishte në atë çantë ai burri që me shumë gjasa duhej të kishte dhe gravatë që edhe ajo i ishte bërë qull.

Kaq tha dhe asnjë s’ja vuri veshin, veç meje që me të vërtetë desha t’i përgjigjesha pyetjes se çfarë kishte ajo çantë.

Minuta më vonë mu kujtua se ajo figureë kalonte pothuaj përditë para dritareve të klubit të lagjes sonë, ashtu i rënduar nga një anë prej ngarkesës së mistershme në çantën që ishtë punuar në ndonjë punishte të kohës së qepës.

Shiu kishte më se një orë që nuk pushonte. Macja rrinte nën tendën e agjensisë imobiliare përballë dhe çuditërisht ishte një figureë e padeformuar, as nga djersitja e xhameve dhe as nga mjegulla e qumshtë e kohës.

Ishte një mesditë që po vdiste. Një vdekje e parakohëshme. Muzgu e kish humbur kuptimin e tij dhe ishte bërë ortak me avujt e shiut.

Erdhi një orë që njerëzit që kalonin nuk po dalloheshin më, as veturat,ndërsa  macja po, ajo qëndronte përsëri ashtu e palëvizshme poshtë tendës dhe unë kujtova Parisin me shi. Kujtova dhe Heminguejn dhe shiun e tij.

Piva mojiton dhe përsëri mendoja gjithçka që kishte lidhje me transformimin e figurave të njerëzve nga shiu, avulli i xhamave nga krylartësia e rreme edhe nga pësha e pajustifikueshme e çantave.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s