SADULLA ZENDELI-DAJA: ME MALLIN E PASHUR, PËR VENDLINDJEN E PAHARRUAR… (Nëpër faqet e tre librave të rinj) / Nga: Prof. MURAT GECAJ

SADULLA ZENDELI-DAJA: ME MALLIN E PASHUR, PËR VENDLINDJEN E PAHARRUAR…

(Nëpër faqet e tre librave të rinj)

 

Nga: Prof. MURAT GECAJ

 

 

 

3.Daja ne Durres,7 nentor 2014

Daja, përherë pranë traditave kombëtare shqiptare…

 

 

1.

Këto ditë kam patur disa takime me kolegun e mikun nga Sërmova e Gostivarit dhe me banim tash afër 50 vjet në Suedi, Sadulla Zendelin ose të njohur me emrin “Daja”, nga ta gjithë bashkatdhetarët tanë atje, por dhe më gjerë. Ai përuroi tre libra të rinj, që i ka përgatitur e botuar SHB “Toena”, me titujt: “Moj e dashura, Arbëri!” e “Gostivari, në zemrën time” dhe Fjalorin Shqip-Suedisht, me 35 mijë fjalë.

Por, në fillim, nuk e kam fjalën për këtë gjë… Ndër të tjera, Daja më tregoi këtë “sekret”, të cilin nuk po e mbaj për vete, por po e bëj të njohur për ju. Pra, ky e kishte vitin e 16-të, që mori pjesë në Panairin e Librit, i cili organizohet në kryeqytetin tonë. Nuk ka ardhur këtu, nga Suedia, vetëm në njërin nga të 17-të këta panaire dhe nuk i kujtohet saktësisht, se cili ishte prej tyre. Prandaj, është e kuptueshme se përse e urojmë përzemërsisht pjesëmarrjen në këtë veprimtari të bukur dhe për tre librat e tij të rinj!

Ndoshta, është pak “jashtë teme”, por po vijoj me një mesazh, që i ka dërguar Lebibe Zogiani, nga Suedia, mikes se vet, këngëtare e njohur në Tiranë. Ndër të tjera, ajo shkruan, për një pritje familjare, që i bënë Dajës, këto ditë:

“Ju pershendes, Hatixhe Lushi!, Dajën e vlerësoj intelektualin shqiptar më të nderuar, këtu ne Suedi, nga ata që unë njoh. Dhe meriton shumë respekt. Patëm rast të takohemi në disa veprimtari, në Shoqatën e Shkrimtarëve dhe Artistëve, anëtare e së cilës jam edhe unë. Asnjëherë nuk e harrova tregimin e tij, rreth punës së fjalorit shqip-suedisht dhe qendrimit të tij në spital. Aty iu lut mjekut, duke e pyetur, nëse kishte edhe disa muaj jetë, për ta përfunduar fjalorin, veprën e tij më të çmuar”. (Është fjala për fjalorin me 1600 faqe, shqip-suedisht, që i botoi atij sivjet, SHB “Toena”,-shënimi im, M.G.). Më tej, Lebibja vazhdon: “Aq e madhe është dëshira e tij për fjalën shqipe dhe shqiptarin e ditur. Respekt familjes tënde dhe jam e sigurt, se keni kaluar mrekullueshëm. Ndërsa Dajës, Sedulla Zendelit, i uroj shendet e shume libra të rinj dhe aq te sukseshëm!”.

 

 

4.-Shkrimi per Dajen

Pjesëmarrës në përurim…Nga e majta: M.Gecaj, Lumturi Vladi, Daja, Xheladin

 Mjeku dhe Ermira Isufaj

 

2.

Tani po ndalem, shumë shkurt, në tre librat e rinj të Dajës, të cilët i ka venë në qarkullim SHB “Toena” dhe që u përuruan sot.

Për shumë njerëz, është e njohur se Sadulla Zendeli ka lindur në fshatin Sermnovë të Gostivarit, afër 80 vjet më parë. I detyruar nga rrethanat e kohës, kur ishte në moshë të re, mori udhët e mërgimit. Valët e jetës e çuan atë në brigjet e Skandinavisë së largët. Ka disa dhjetëvjeçarë, që jeton atje. Përveç përkushtimit të tij për arsimin e gjuhën shqipe, ka shkruar e botuar disa libra, si në poezi e prozë, por dhe fjalorë të ndryshëm.

Linjë kryesore e botimeve të tij është nderimi dhe malli shumë i madh e i pashuar për vendlindjen, për tokën amtare të të parëve tanë. Për këtë gjë, Daja flet tani edhe në librin më të ri, “Gostivari, në zemrën time”. Se mbresat për atë i ka përherë të freskëta, pasi çdo vit shkon atje dhe çmallet me njerëzit e dashur, kalon nëpër gjurmët e fëmijërisë së vet. Këto ndjenja e mendime të bukura dhe të pashlyera i gjejmë të pasqyruar në librin me 28 faqe, që përmenda më lart. Vjershat e tij pasohen nga fofografi me ngjyra dhe me përkushtime, në poezi e prozë, si dhuratë nga kolegë e miq të tij. Ndjenjat e mendimet e Dajës për vendlindjen, shoqërohen me të dhëna të shumta për Sërmnovën e Gostivarin, si dhe për disa nga bijtë e tij më të shquar, ndër të cilët një vend nderi zë portreti i Xhemë Gostivarit.

 

5.-Ballinat e tre librave te rinj

 

Ballinat e tre librave të rinj, nga Daja (Tiranë, nëntor 2014)

 

3.

Ndërsa libri tjetër i Dajës, me poezi, që doli po këto ditë nga shtypi, e ka titullin domethënës, “Moj, e dashura, Arbëri!”, me hyrje nga poeti i njohur nga Çamëria, Namik Selmani. Në këtë botim, që është ndarë në 5 pjesë dhe pason vëllimet e mëparshëm poetikë, autori derdhë në vargje atdhedashurinë e zjarrtë për çdo gjë nga trojet arbërore, për traditat tona të çmuara liridashëse, arsimdashëse e kulturëdashëse etj. Prandaj, nga thellësia e zemrës, shprehet: “Për ty shkruaj, o Atdhe i bekuar,/ vetëm ti je mehlem për mua!…”(“Përmallime mërgimtare). Ndërsa në një vjershë tjetër thërret “O, fëmi mërgimtar,/ mëso gjuhën tënde të shenjtë,/ të bisedosh me gurët e Arbërisë,/ të flasësh me stërgjyshrit tanë,/ të shtrirë nën gurët e Atdheut!…”(“Gurët e Atdheut tim”). Po me këtë frymëzim për vendlindjen, për tokën e shenjtë të të parëve, Daja shkruan edhe në vjersha të tjera, si: “Ninullat e Atdheut”, “Me sa s’fluturoja”, “Heronjtë e Sërmovës”, “Ti, mëmëdhe”, “Nëpër Vardar”, “I bini çiftelisë!”, “Lisat e vendit tim” etj.

Tërheqin vëmendjen edhe disa përkushime në vargje dhe komente për Dajën, nga kolegë e miq të tij, si Adem Zaplluzha, Zyrafete Manaj, Samet Huseini e Ismet Hasani etj. Ndërsa Baki Ymeri, si për ta përmbyllur tërë këtë vëllim dhe duke bërë një vlerësim të merituar për krijimet e  reja të Dajës, shkruan për të komentin, “Legjenda e kulturës shqiptare, në Suedi”.

Sigurisht, do të duhej një shkrim i veçantë, për të përmendur vlerat e shumta të Fjalorit Shqip-Suedisht, që botoi Daja, pas dy fjalorëve suedisht-shqip e një katërgjuhësh, për fëmijë. Në këtë seri të librave të tij janë ata për shkollën shqipe në Suedi dhe disa vëllime me poezi e prozë.

4.

Në përurimin e këtyre tre librave të këtij autori të njohur, ishin të pranishëm krijues të ndryshëm, si nga Shqipëria e Kosova, por dhe vendlindja e tij. Pjesëmarrësit, si Irena Toçi, Viron Kona, Namik Selmani, Kujtim Dashi, Bardhyl Xhama, Hulusi Hako, Behar Gjoka e M.Gecaj, diskutuan  me nota pozitive, vlerësuese dhe të merituara,  në këtë ngjarje mbresëlënëse, e cila  u zhvillua në ditën e fundit të Panairit të 17-të të Librit,”Tirana-2014”.

Ndër të tjera, aty u propozua që, duke marrë parasysh veprimtarinë e shumanshme atdhetare, arsimore, studimore e letrare në emigracion, t’i propozohet Presidentit të Republikës së Shqipërisë, për t’i dhënë Sadulla Zendelit-Dajës një dekoratë të lartë.

Tiranë, 16 nëntor 2014

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s