PËRSHTYPJE TË DREJTSHQIPTIMIT NË QYTETIN E KORÇËS

 

( A. S. Kushi)

 
Nuk kisha qenë kurrë në Korçë. Kisha ardhur me pushime në Pogradec dhe, me që isha afruar aq shumë këtij qyteti, për të cilin kisha dëgjuar e lexuar aq shumë, vendosa të shkoja për kuriozitet ndonjë ditë.
Ç’është e vërteta, përshtypjet e para për këtë qytet i kisha nga disa shokë korçarë, me të cilët studionim bashkë në fakultet. Por, tjetër është të dëgjosh, e tjetër është të shohësh e të dëgjosh kur shkruajnë e flasin korçarët në Korçë. Përshtypjet e para filluan që në autobus në të cilin po udhëtoja.
– E mo, pe nga të kemi? – më foli bashkëudhëtari që ishte ulur ngjitur me vendin tim.
– Jam nga Tirana, – i thashë.
– Mirë se nga Tirana, po origjinën pe nga e ke, se në Tiranë ka shumë pak vendas tiranas, shumica janë të vajtur. Nga të folurit dukesh sikur je nga anët tona.
Këtu u ndodha ngushtë.
– Po, si të them, – i thashë, – ja, babanë e kam nga veriu i Shqipërisë, ndërsa nënën nga jugu. Vetë jam lindur në Tiranë.
– Ke qenë ndonjëherë në Korçë?
– Jo, është hera e parë që po shkoj. Do të rri vetëm një ditë për të parë Korçën.
– Po si s’ paske ardhur asnjëherë, o tu mbylltë? Nejse, do ta shëkosh e do të kënaqesh, – më tha me zë të lartë, – s’ ka si qyteti tonë.
Desha ta korrigjoja duke i thënë se duhet thënë “qyteti ynë” por, me qe nuk ishim njohur shumë, e lashë të fliste. – S’po të tregoj asgjë për Korçën, më mirë shikoje vetë dhe do të bindesh se është një “Paris i vogël”.
– Keni qenë ndonjëherë në Paris? – e pyeta për kuriozitet.
– Po, çne o tu mbylltë, se kollaj është të shkosh në Paris? Le që ja shikoje Korçën dhe sikur ke qënë në Paris.
Zbrita në Korçë. Qyteti ishte vërtet i bukur, i pastër e i ndërtuar me planimetri dhe estetikë. Ju, ndoshta, keni qenë në Korçë dhe e keni parë me sytë tuaj, por unë do të flas për disa përshtypje të tjera të miat. Korça m’u shfaq disi më ndryshe nga ajo që e kisha përfytyruar.
Nga bisedat që kisha pasur me bashkëstudentët e mi korçarë më ishte krijuar ideja se rrugët brenda Korçës do të ishin më të ngushta, si të thuash sa katër të pestat e atyre të qyteteve të tjera, sepse në Korçë nuk mund të kishte rrugë, por “rugë”. Bile dhe hotelet do të ishin më të vogla dhe aspak të larta, ndërsa dyert e hoteleve të ishin disi të rrumbullakëta të një arkitekture të vjetruar. Pra do të kishte vetëm “otele” dhe aspak Hotele. Edhe hanet e vjetër mendoja se do të ishin të vegjël sepse u theshin “ane”. Përshtypje të tjera filluan më vonë dhe po i rendis më poshtë.
Mu krijua përshtypja se në Korçë nuk mund të binin zjarre të fortë e të mëdhenj dhe nuk mund të kish asnjëherë rrezik për asgjë. Rrezik zjarri atje nuk kishte, kishte vetëm “rezik zjari”; domethënë se rreziku qe më i vogël dhe zjarret, natyrisht, më pak të nxehtë. Këtë përshtypje ma përforcoi edhe një tabelë që pashë në “ Ma – Pon” qendrore, domethënë në dyqanin e madh ku shiteshin mallra të ndryshme. Në tabelë paraqitej e vizatuar një shtëpi që digjej dhe në të mbishkrimi: “Ndalohet duhani. Rezik zjari”, si dhe nga një makinë autobot që kaloi pranë, ndoshta i caktuar për të transportuar vajguri, ku në depozitën e saj shkruhej “Rezik zjari”. Ndoshta në Korçë bien shumë pak zjarre e dëmet mund të jenë vetëm me disa miliona lekë për secilin, por kjo nuk është shumë. Çdo njeri duhet të dijë se mbi Milionin është edhe numëri Miliardë, kështu që në Korçë kjo nuk është arritur akoma.
Kisha provuar se birra e Korçës ishte më e mirë se ajo e Tiranës, por nuk e dija se ku qëndronte sekreti, bile më dukej se ishte një mister, sepse vetë specialistët e Korçës ishin ata që prodhuan për herë të parë birrën në fabrikën e re të Tiranës, por edhe ajo nuk mund të krahasohej me atë të Korçës. Ndonëse në shishet nuk ka ndonjë etiketë ku të shkruhet “Birrë Korçe” ose “Birrë Tirane”, ndryshimi midis tyre bie në sy menjëherë. Vetëm në Korçë e mora vesh sekretin. Korça prodhon vetëm “Birë” e jo “Birrë”, domethënë se i heqin atë ashpërsi që ka birra e Tiranës e që është e panevojshme. Në Korçë prodhojnë vetëm “birë”, pije më e këndshme, më pak e ashpër, e lehtë në të pirë e që ndihmon në tretjen e ushqimit. Ndërsa birra e Tiranës ka rrezik të gërryejë stomakun kur e pinë me të tepërt, apo esëll në korrik e të pashoqëruar qoftë edhe me ndonjë rriskë buke, opo vezë rrufkë.
Më që kujtuam korrikun, se edhe unë në këtë muaj shkova në Korçë, atje nuk ndihej fare vapa e korrikut, ishte më freskët. Korçarët këtë muaj e ndienin si “korik” e jo “ korrik”, si ndihet në të gjithë Shqipërinë.
Më që zumë në gojë pijet, nuk mund të le pa përmendur edhe verën. Verën korçarët e pinë shumë e me qejf të madh. Atyre ua kalojnë në të pirë vetëm pogradecarët, të cilët janë mjeshtër në të pirët e kësaj pijeje.
Ndonjë herë tjetër mund të flasim edhe për “pijetarët” e Pogradecit, por kjo do të jetë njëherë tjetër, kur të shkruaj për përshtypjet e atij qyteti. Thashë se korçarët verën e pinë shumë, megjithëse e tyrja është më pak e mirë se e rretheve të tjera. Arsyeja është se për shkak të klimës së tyre të freskët, rrushi nuk arrin të piqet mirë, nuk ëmbëlsohet sa duhet. Rrushi në Korçë mbetet vetëm “rush”, domethënë mbetet pak si i thartë e, nganjëherë aguridhe, si i thonë këtu. Por vera e mirë këtu vjen nga Leskoviku, Përmeti e të tjera rrethe. Vetëm rakinë e rrushit e bëjnë dhe e pinë të fortë 18-19 gradë. Bile rakia e manit pihet edhe 22-23 gradë. Kjo vjen, ndoshta, ngaqë zjarri në Korçë, duke qenë “zjar”, domethënë jo i fortë, arrin të avullojë vetëm alkoolin, ndërsa ujin fare pak.
Me që kujtuam rrushin, po përmend edhe disa pemë të tjera. Përveç mollëve të mira, Korça përmendet edhe për arrat e saj. Arrat këtu janë të buta, sa thyhen edhe me dorë, prandaj dhe vendasit u thonë “ara”. Edhe gorricave u thonë “gorica”, sepse nuk janë kurrë mbytka që të rrudhin gojën, ato janë të bryllta që në pemë.
Vlen të përmendim edhe rrogozët që prodhohen në Korçë e që preferohen shumë. Ata nuk janë të ashpër, por janë të butë si sfungjer, prandaj dhe u thonë “rogozë”.
Përshtypje më bënë edhe rrojtoret. Në Korçë berberët të “ruajnë” domethënë të rruajnë lehtë. Por çudi, qimet duhet të rriteshin shpejt dhe burrave do t’u duhej të rruheshin bile edhe dy herë në ditë, kjo gjë nuk ndodh. Nga kjo e keqe këtu i shpëton vetëm freskia që ngadalëson rritjen e qimeve të mjekrës. Këtu qimet e mjekrës vetëm “riten”, domethënë rriten ngadalë. Ka mundësi bile të jenë edhe më të buta se të burrave të rretheve të tjera.
Kur folëm për zjarret në Korçë, harruam për hirin që le zjarri pas. Në Korçë, pas zjarrit, nuk mbetet hi në atë sasi sa mund të mbetet në vende të tjera. Ai është fare pak, sa mezi duket, prandaj i thonë “i”, domethënë gjysma më e dukshme ka humbur, ka avulluar. Ajo as dëgjohet, as duket. Kjo mund të duket e çuditshme, por mendoj se ka një bazë shkencore. Kjo mund të vijë si rezultat i presionit të ulët atmosferik. Nuk duhet harruar se Korça ndodhet rreth 850 metra mbi nivelin e detit, ajri është më i rrallë. Domethënë është “i rallë” dhe avullimi bëhet më i madh, prandaj nga gjithë ai hi që duhej të mbetej, këtu mbetet vetëm pak “i”. Domethënë nga një grusht me hi, këtu mbetet vetëm një doçkë “i”.
Prej ajrit të rrallë këtu shumë gjëra marrin një pamje të çuditshme, sikur diçka u mungon. Kështu hekuri këtu duket me i butë, ai është “ekur”. Helmet zbuten e bëhen më pak të rrezikshëm, domethënë bëhen “elme të rezikshme”. Po nga ky shkak edhe Hëna këtu nuk duket kurrë e plotë, gjithmonë do të duket pak e ngrënë. E shumta, e shumta do të duket “ënë” e jo më shumë.
Shiu bie rrallë herë, e kurrë me rrapëllimë e me rropamë. Për këtë arsye nuk ka përrenj të mëdhenj që të rrjedhin me rrëmbim rrëzë maleve sa t’u nxjerrin rrënjët e të rrëzojnë lisat, apo të rrukullisin shkëmbinjtë. Edhe rrufetë nuk janë kurrë rrufe të vërteta, ato janë shkëndija të vogla që u thonë “rufe”.
Thonë se në dimër këtu bën shumë ftohtë, por banorët e Korçës nuk e ndiejnë aq të ftohtit sa do ta ndiente dikush tjetër i ardhur nga bregdeti, ata janë të kalitur. Ata nuk preken nga rrufa, një sëmundje e të ftohtit. Në dimër ata mund të ndiejnë pak “ftotë” dhe mund të kalojnë një “rufë të letë”, prandaj dhe rrobat nuk i veshin të trasha, ata mbajnë vetëm “roba”, që janë më të holla, fine, elegante dhe s’kanë nevojë të hekurosen.
Një veti tjetër pozitive e për të pasur zili është së këtu njerëzit kanë një kujtesë të fortë, ata kurrë nuk harrojnë, ata vetëm mund të “arojnë” domethënë vetëm gjëra të vogla e pa rëndësi, por edhe këto jo nga herë, por nga një “erë”. Ndonëse nuk janë shumë të muhabetit për të treguar historira, por “Istorinë e Skënderbeut” të Naim Frashërit e dinë përmendësh. Edhe të moshuarit këtu duken më të rinj nga bashkëmoshatarët e tyre. Në fytyrë nuk kanë rrudha që bien në sy, ata kanë pak “rudha” sa mezi duken dhe rrugës që ecin me hapa të vogla, ata vetëm “ecin” me “ apa” në “rugicat” e mbuluara me kalldrëm me gurë.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

ATUNIS GALAXY POETRY

atunisgalaktika@gmail.com

https://atunis.albanianforum.net/

Blog Stats

2,302,581 hits

February 2015
M T W T F S S
 1
2345678
9101112131415
16171819202122
232425262728  

CATEGORIES LIST

BOARD OF DIRECTORS

  • Agron Shele (Albania -Belgium)
    Hasije Selishta – Kryeziu (Kosovo)
    Peter Tase (USA)
    Prof. Dr. Jeton Kelmendi (Albania- Belgium)
    Anna Keiko (China)
    Raimonda Moisiu IWA (Albania -USA)
    Dimitris P. Kraniotis (Greece)
    Sunita Paul (India)
    Isilda Nunes (Portugal)
    Dr. Claudia Piccinno (Italy)
    Susana Roberts (Argentina)
    Pavol Janik (Slovakia)
    Leda García Pérez (Costa Rica)
    Alisa Velaj (Albania)
    Dr. Jernail Singh Anand (India)
    Eden Soriano Trinidad (Philippine)
    Shoshana Vegh (Israel)
    NilavroNill Shoovro (India)
    Gunsel Djemal (UK)
    Võ Thị Như Mai (Vietnam – Australia)
    Luz María López (Puerto Rico)
    Sinan Vaka (Albania)
    Virginia Fernández Collado (Spain)
    Rozalia Aleksandrova (Bulgaria)
    Lumo Kolleshi ( Albania)
    Irina Hysi ( Albania)
    Rami Kamberi ( North Macedonia)
    Bilall Maliqi (Presheve)
    Milica Lilic (Serbia)

CONTACT

← Back

Thank you for your response. ✨

ARCHIVE

Terms List