Kleçkat burokratike dhe bashkësia protestante shqiptare / Nga Petro Luarasi

 

Kleçkat burokratike dhe  bashkësia  protestante shqiptare

 

 

Petro , kisha blush

Nga Petro Luarasi

 

Rreziku nga terrorizmi dhe masat që duhet të merren për parandalimin e tij në botë diskutohen   gjerësisht me gjakftohtësi në rangjet më të arenës ndërkombëtare.  Ndërkohë, me dhjetra njerëz të pafajshëm, rracash, kombësish e besimesh fetare të ndryshme, vriten përditë në Ukrainë, Siri, Irak, Sudan e më gjerë.  Por vetëm masakra e  Parisit, e propaganduar gjerësisht  si sfidë e fundamentalizmit islamik, i shkundi   qarqet politike evropiane. Disa krerë shtetesh e etiketuan ngjarjen si krim të llahtarshëm mbi të drejtat universal të shoqërisë njerëzore, të tjerë  u kundërpërgjigjën duke e cilësua si hipokrizi, manipulim racist, gjuhë të urrejtjes dhe islamofobisë. Prandaj mediat i quajtën disa  deklarata politike si  ‘’hipokrite’’, me ‘’standarte të shumëfishta’’ vlerësimi.

 

 10 VUSH

Solidariteti dhe vlerat shqiptare.

 

Masakra ndaj redaksinë së  revistës satirike franceze “Charlie Hebdo”, e pasuar edhe nga dy akte të tjera kriminale, ku u vranë 17 persona,  ishte paralajmëruar dhe dyshohet të jetë shkaktuar nga publikimet ndër vite  të  materialeve  irrituese  dhe nga disa karikatura  satirike për profetin Muhamet, por edhe për krerikë   islamikë dhe katolikë. Qarkullojnë edhe opinione për  arësye më të thella të masakrës, e  konfliktit  si pasojë e situatës së acaruar ndërkombëtare, të  interesave politike, ekonomike dhe gjeostrategjike,  ku pak a shumë përzihen disa fuqi të mëdha.

Presidenti francez  shpalli tri ditë zie kombëtare duke i kërkuar popullit të qëndrojë i bashkuar përballë terrorit të fundamentalistëve islamikë.  U organizua edhe “Marshimi i Unitetit” në Paris ku morën pjesë, krahas  mbi një milion njerëzve, edhe  qindra personalitete të politikës, fesë dhe kulturës botërore.

Atje kombi shqiptar u solidarizua me thirrjen ngadhënjimtare ‘’edhe unë jam Çarli’’ duke u përfaqësuar në manifestim   me krerë politikë e fetarë dhe mediat nga Shqipëria e  Kosova. Mbi të gjitha publiku vlerësoi  harmoninë e bashkësive fetare shqiptare , me katër përfaqësues  të kryesuar nga Udhëheqësi i Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, Haxhi Baba Edmond Brahimaj. Marshuan   krahpërkrah  krerët   myslimanë  bektashianë e synitë dhe të krishterë ortodoksë e katolikë,  të cilët  u duartrokitën e brohoritën në sheshin “Republika” si  dhe kur  vendosën  kurora me lule për nder të viktimave. Edhe në këto momente dhimbjeje e qëndrese ndërkombëtare  kombi shqiptar arriti të  shfaqë  me nder e krenari një nga visaret e tij të rrallë.

Në këtë ditë solemne, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama deklaroi  se e konsideron sulmin ndaj Francës  së   vlerave të lirisë, të barazisë dhe  të vëllazërimit si një sulm ndaj gjithë Evropës. Ai e konsideroi  praninë e katër  përfaqësuesve të komuniteteve fetare shqiptare, si një mesazh të qartë për të mbajtur lart flamurin e vëllazërisë e harmonisë fetare,  të  barazisë mes të gjitha opinioneve dhe besimeve si dhe për të mos rënë në kurthin e urrejtjes, të përçarjes dhe të frikës. Mesazhe  kuptimplotë shprehu edhe Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga.

 

Përse mungoi kreu protestant?!

 

Edhe familja ime u   indinjua  nga aktet terroriste të Parisit dhe u  solidarizua  me popullin francez   në dhimbjen  për njerëzit e masakruar,   sikurse  çdo njeri   i etur për liri e demokraci, për unitet e mirëkuptim ndërfetar.  Ndoqëm  me vëmendje  lajmet, diskutimet dhe  opinionet për vlerat tona përfaqësuese  kombëtare. Krahas krenarisë së ligjshme si shqiptarë, u habitëm pa masë, madje u shqetësuam, kur pamë se në ceremoni nuk u përfaqësua edhe komuniteti protestant shqiptar ndërkohë që edhe mediat u treguan indiferente ndaj kësaj mungese të rëndësishme.

Nuk mund të anashkalohet  nderimi e përgjegjësia  kundrejt  kontributeve të vyera   atdhetare të  rilindasve shqiptarë të përktësisë protestante, apo të nënvlerësohet  për veprimtaritë bamirëse dhe  social kulturore të  VUSH-it  në të mirë të kombit shqiptar deri në ditët tona. Për më tepër, bashkësia protestante kontribuon shumë, në raport me numrin e besimtarëve të saj, edhe për mirëkuptimin dhe tolerancën ndërfetare në Shqipëri e Kosovë që provohet nga aktivitetet në terren dhe   takimet  e përbashkëta,  të përshëndetur nga krerët e shtetit e qeverisë, të  pasqyruara gjerësisht nga mediat  edhe gjatë vizitës së Papës në Shqipëri.

Pikërisht për këto vlera e kontribute madhore shekullore përgjatë periudhës së viteve 1892-2015 në trojet shqiptare,  kjo bashkësi është  ligjërua si fe zyrtare në Republikën e Shqipërisë(Ligji Nr.10 394, datë 10.3.2011 për ratifikimin e  “Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe bashkësisë fetare “Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë” për rregullimin e marrëdhënieve të ndërsjella). Kur  njihet  veprimtaria  e rëndësishme që kanë kryer  drejtuesit  e VUSH-it Pastor Fitor Muça,  Pastor Ali Kurti, Pastor Akil Pano  në Shqiperi apo   Pastor Driton Krasniqi nё Kosovё.  Mjafton të kujtojhen  vlerat e  simpoziumit  shkencor “Miq pёr Perёndinё-Dritё pёr popullin-Uratё pёr Mёmёdhenё”  ku studjues të ndryshëm dëshmuan  pёr trashёgiminё ungjillore si vlerё kombёtare tё Shqipёrisё, mbi rolin  e  Kishёs Ungjillore nё formёsimin kombёtar dhe  shtetbёrjen e Shqipёrisё,  për pёrkthimet biblike shqip si ndihmesё e veçantё pёr kulturёn shqiptare dhe themelimin e  Shkollës  së  Parë të Vashave në Korçë. (Andi Dina, Simpozium shkencor “Miq pёr Perёndinё-Dritё pёr popullin-Uratё pёr Mёmёdhenё”, 2 Janar 2013)

Apo të përmendim mesazhet e rëndësishme nga  takimi ndërfetar :’’Mesazhe paqeje nga bunkeri që tentoi të zhdukte fenë’’

(http://www.nacionalalbania.al/2014/11/mesazhe-paqeje-nga-bunkeri-qe-tentoi-te-zhdukte-fene/

 

Shqetësimi i  rilindasve

 

Natë e ditë ndjej  brengë, vegime ngjarjesh e personazhesh historike, atdhetarë rilindas e bashkëkohës: protestantë, ortodoksë, katolikë, myslimanë synitë  e bektashi, në përpjekjet kolektive, në sakrificat madhore për çeljen e shkollave shqipe, për   botimin dhe  shpërndarjen e librave shqip, për çeljen e shkollave  të para kombëtare laike shqipe,  për unifikimin e  alfabetit të  gjuhës shqipe me gërma latine, për zhvillimin me sukses të dy Kongreseve  të  Manastirit, abetaret dhe  Kongresit Kombëtar të Lushnjës, etj, etj.   Më thërresin shpirtat e shenjtë rilindasish  të mallkuar dhe shkishëruar  prej klerikëve shovenëve: Gjerasim Qiriazi me vëllezër e motrat, Naum Veqilharxhin,  Kostandin Kristoforidhi, Koto Hoxhi, Nikolla Naço, Grigor Cilka, por edhe   Elena Gjika, Asdreni, Konica, Noli, Naim Frashëri, Vangjel Meksin, Grigor Gjirokastriti, Panajot Kapitarin, por edhe  Koto Hoxhi, Thanas Sina, Kristo Shuli,Gjergj Fishta, Mithat Frashëri, si edhe im gjysh Petro Nini Luarasi, me amanetet e tij të përgjakura.

(https://sites.google.com/site/vushorg/ngjarje-fakte/historia-e-kishes-ungjillore-ne-shqiperi)

Të gjithë këta rilindas  u  kërkojnë llogari pasardhësve shqiptarë,  rilindasve të kohës sonë,   përse ia mënuan  përfaqësimin,  shpirtin dhe vlerat grigjës protestante në  marshimin solidar të  Parisit. Si t’iu them o rilindas të rinj, o vëllezër e motra shqiptare, pa dallim feje, krahine e ideje? Si të justifikoj përfaqësuesit e shtetit, të bashkësive të tjera fetare dhe  mediat  që nuk po bëzajnë  per këtë indiferencë  ndaj  komunitetit protestant shqiptar, si një nga të pesë  komunitetet e ligjëruara fetare?   Kur  ftohen turlilloj njerëz si  perfaqësues të shqiptarëve  ne Paris dhe jo  një nga pesë shtyllat e unitetit fetar kombëtar, me rrënjë të thella historike e botëkuptimore angloamerikane, kjo është pakujdesi, nënvlerësim, keqdashje apo  …., hej burra!!!

 

Aktualitet e perspektivë

 

Vërtet gëzohemi për idenë, përfaqësimin dhe imazhin pozitiv në Paris, por  dhe sa më i suksesshëm   do të kishte qenë përfaqësimi i të pesë komuniteteve të ligjshme fetare shqiptare në vëmendjen  e  opinionit publik botëror!!! Sidomos  kur   Vellazeria Ungjillore Shqiptare (VUSH) këtë vit do të  perkujtojë  njohjen  si bashkesi fetare e ligjshme në Shqiperi,  efekti  do të ishte edhe më i madh, do të ishte një vlerë e shtuar për shtetin dhe besimtarët shqiptare, sikurse pesë gishtat e dorës, grusht bashkuar për  unitetin kombëtar dhe besimin tek Zoti.

Do të ishte edhe një mesazh domethënës për ndërgjegjësimin dhe bashkëpunimin  më të madh të qeverisë me komunitetin protestant e më gjerë  për problemet me të cilat po përballen. P.sh si të  mos mbulohen apo  anashkalohen ndjeshmëria e ortodoksëve fanolistë,  sikurse edhe besimtarëve katolikë, për tu drejtuar nga  klerikë shqiptar apo mbi përkrahjen e shtetit,  kontrollin e burimeve financiare, materiale, njerëzore, propagandistike dhe aktivitetit ligjor ndaj të gjitha bashkësive fetare. Në mënyrë që jo vetëm të respektohet ligji, por edhe të zbatohen realisht strategjia, objektivat  dhe nismat promobvuese për tolerancë fetare, mirëkuptim e vëllazërim, gjithnjë për të mirën e popullit.  Le t’ia lemë lexuesit shqiptar të  gjykojë mbi deklaratat dhe ngjarjet, maskat dhe fytyrat e paradoksit    demagogjik,  të cilat  analisti Kastriot Myftaraj pretendon të jenë  realisht   ‘’Teatër hipokrizie politiko-religjioze në mes të Parisit’’,  (http://everteta.al/teater-hipokrizie-politiko-religjioz-ne-mes-te-parisit/ )

Githsesi, sikurse u shpreh  studenti   Alex Fougneri,  “Hipokrizia e liderëve botërorë  nuk e ul sinqeritetin e miliona njerëzve që marshuan’’ edhe ‘’kleçkat’’ burokratike nuk e ndalin dot misionin e bashkësisë protestante shqiptare, tok me të tjerat, në misionin e tyre  ndaj kombit shqiptar e Zotit.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s