Fragmente nga libri “Një kolonel midis Tiranës e Prishtinës” i autorit Ylli Polovina

y 2

Fragmente nga libri “Një kolonel midis Tiranës e Prishtinës” i autorit Ylli Polovina

 Biblioteka Kombëtare 265/33G

 

 

f.14

Sakrifica e Jasharajve

Ishte një familje e madhe që vetësakrifikohej e tëra. Bënte shembull një familje që luftoi me një ushtri.  Në artin ushtarak të botës, një rast i ngjashëm citohej vetëm nga historia e Kinës. Gjatë luftës kundër pushtuesit japonez, një familje e madhe kineze ishte ndeshur me ushtrinë ardhëse dhe ishte martirizuar e tëra Kishin qenë dyzetë vetë. Arti ushtarak botëror e cilësonte këtë ngjarje të jashtëzakonshme dhe vështirësisht të përsëritshme. Ndërkaq në të vërtetë ajo ishte rishfaqur ende pa u mbyllur shekulli XX. Kishte ndodhur për herë të dytë në Kosovë. Madje kësaj radhë nuk ishin dyzetë jetë të vrara, por pesëdhjetë e gjashtë….Tridhjetë e gjashtë orë në luftim në rrethim vetëm një shtëpi me një ushtri të tërë..

 

f.18

Ramush Tahiri, redaktor i Rilindjes:

Në situatën ku ndodhet zgjidhja e çështjes shqiptare, një frymë dasie partiake ishte një marrëzi më shumë në marrinat që gjer atëhere kishin bërë..

 

f.20

Në karrierën e tij ushtarake Dilaver Goxhai kishte parë se se në krye të piramidës së regjimit (komunist) nuk bëhej ndonjë plan për të çliruar bashkëkombësit. Në të gjitha stërvitjet ushtarake ku kishte marrë pjesë si dhe në shumë që kishte planizuar, divizionet shqiptare i kryen operacionet e tyre gjer në kufi, asnjë metër më tej.

f.22

Nuk ishte ndjerë kurrë termi i Shqipërisë Etnike as në ndonjë planizim apo stërvitje ushtarake.

Krejt ndryshe kishte ndodhur me Ushtrinë Ҫlirimtare të Kosovës. UҪK bënte fjalë hapët për bashkim me Shqipërinë të të gjitha trojeve shqipfolëse në Kosovë, Maqedoni dhe në Malin e Zi.

 

f.41

Abdi Baleta dhe Hysamedin Ferraj e kundërshtonin Dilaverin lidhur me luftën çlirimtare, duke e akuzuar atë se kopjonte të quajturin ‘Front’ të Enver Hoxhës gjatë luftës antifashiste, front që sipas tyre përfundoi më pas në një instrument të egër të luftës së klasave mes shqiptarëve.

 

f.49

Kundër Ushtrisë Ҫlirimtare të Kosovës nuk ishin vetëm agjentura e vjetër edhe e re serbe rezidente në Tiranë, por edhe shërbime të tjera aleate me të….Fati i Kosovës ato çaste përmbante rëndueshëm ndikim global në hartën e madhe të shtrirjes së rendit të ri botëror.

 

f.50

Duhej t’i kishin shpëtuar edhe qeverisë shqiptare dhe shërbimit të saj inteligjent. Me aq sa koloneli dinte, lëvizja e tre jeep-eve me dhjetë njerëzit që do të kalonin kufirin e hynin në Kosovë bëhej edhe fshehtas Tiranës zyrtare.

 

f.98

(Dilaveri) thellë ndërgjegjes së tij besonte se zyrtarët e vendit të vet në atë pozicion përulës ishin vënë prej presionit të bashkësisë ndërkombëtare si edhe llogarive gjeostrategjike. Ata me siguri dëshironin ta linin mënjanë vendin e tyre të vogël e të pafuqishëm, pa u mpleksur në një përplasje ushtarake me Serbinë.

 

f.106

Bashkëkombëasi që e kishte kontaktuar dhe nxitur për t’i ardhur në ndihmë vëllezërve të tij të një gjaku në Kosovë quhej Sejdi Veseli. Ky nuk ishte një njeri pa ndikim dhe pa emër. Ishte i vendosur në Tiranë me një autoritet të veçantë. Në kryeqytetin shqiptar zotëronte statusin e përfaqësuesit të LKҪK, Lëvizjes Kombëtare për Ҫlirimin e Kosovës….

Në krah, bashkë me kursantët e tij ishte edhe Sabit Gashi, vetë drejtuesi i LKҪK-së.

 

f.108

Ndërsa në Tiranë Dilaveri ra në kontaktet e para me njerëzit e rezistencës së armatosur, jo vetëm një herë kishte kërkuar rastin për t’i pyetur se çfarë dinin më hollësishëm për Adem Demaçin. Demaçi ishte “dashuria” e tij e fshehtë, politikani shqiptar i Kosovës, që e adhuronte me gjithë forcën e shpirtit.

Për herë të parë, për të kishte dëgjuar në vitin 1972. Në të gjitha njësitë e komandat e Ushtrisë u shpërnda për t’u lexuar publikisht një material i shaptilografuar. Ishte një intervisë që Adem Demaçi ia kishte dhënë një gazetari kroat, ndërkohë që ishte riarrestuar nga serbët dhe kryente burgimin e dytë. Në atë bisedë Demaçi fliste mirë për Enver Hoxhën dhe Shqipërinë. Shtetin amë e trajtonte si të ishte një kopësht i lulëzuar, një Eden i vërtetë i shqiptarëve. Këtë transformim Adem Demaçi ia jepte si meritë Enver Hoxhës, por atë nuk e shihte si marksist, por thjesht si nacionalist.

….

Në Vlorë (më 1994) Demaçi doli në favor të projektkushtetutës së demokratëve. Koloneli ishte kundër asaj projektkushtete, por qendrimi i Demaçit, duke qenë se, për të, kishte hedhur mbi trup korracën e statusit të shqiptarit të paepur për zgjidhjen e çështjes kombëtare, nuk i krijoi as pezm dhe as ftohje.

 

..Më pas në Tiranë, kur një gazetar i tha Demaçit se a i dukej atij se qeveria anonte më shumë nga “veriorët”? ky iu përgjigj:

“Ne në Kosovë themi se, po nuk fryu juga nuk çelin lulet”.

Kolonelin kjo e bëri të përlotej

 

f.111

..Kosova ishte një tokë martire dhe vështirë ishte të gjeje mbi faqe të dheut një hapësirë aq të mpakët trualli që, për të fituar lirinë, të kishte dhënë aq shumë të burgosur politikë e të zhdukur në prita agjentësh të shërbimit sekret serb. Kosova ishte e tejmbushur me të dhunuar politikisht, por edhe me spiunë.

 

f.119

Dukej paradoks. E megjithatë ishte saktësisht kështu: kundër ushtrisë serbe sasi të mëdha armatimesh sillnin trafikantët e Beogradit. Si kudo edhe në Serbi trafikantët nuk kishin atdhe.

Ndërkohë Dilaver Goxhai konstatoi se armët e ardhura nga Shqipëria ishin më të pakta se ato që hynin në Kosovë nga korridori serb. Në radhën e epërsisë, mbase ky ishte korridori i katërt.

 

f.132

Vetë unë, nguli këmbë drejtori i radios “Kosova e Lirë ” (Ahmet Qeriqi), ndihem i qetë që njerëzit besojnë këtë apo atë fe, sidomos kur kjo u jep forcë për një jetë më të mirë. Thjesht nuk dua që feja ta kthejë mbrapsht njerëzimin.

 

  1. 135

Fjala “shqiptari” nuk donte të thoshte ‘Shqipëria”

“Shqiptaria” ishte një formulim inteligjent për të mpirë akuzën bezdisëse të “Shqipërisë së Madhe”.

 

f.140

Koloneli do të mësonte se në Ushtrinë Ҫlirimtare të Kosovës kishte të rreshtuar si luftëtarë të rangjeve të ndryshme mbi tridhjetë hoxhallarë dhe që të gjithë nuk mbanin asnjë shenjë identifikuese të besimit apo profesionit të tyre.

 

f.150

(Indrit Cara) u largua nga shkolla në vitin e fundit dhe shkoi refugjat ekonomik në Itali ku ndenji dy vjet dhe më ps shkoi në Londër. Më 18 dhjetor 1997 në gazetën “Zëri i Kosovës” botoi një shkrim i cili mbyllej me fjalët: Të ndihmojmë Ushtrinë Ҫlirimtare të Kosovës, këtë filiz shprese, force e krenarie, që të rritet e të forcohet si një lis madhështor, t’i bëjë ballë shtrëngatës serbe. Rroftë Ushtria Ҫlirimtare e Kosovës!”. Londrën e kishte lënë në janar 1999 pasi, me lutjen e tij këmbëngulëse, e kishte ndihmuar të gjente një dokument për kalim kufiri ambasadori shqiptar Agim Fagu. Bashkë me tre emigrantë të tjerë nga Kosova kaloi nëpërmjet Kukësit në Kosovë..

 

f.173

Koloneli u bë dëshmitar i çudisë se si pilotët e Gadishullit Apenin i zbraznin bombat jo në objektet ushtarake të rekomanduara nga UҪK por në det ose nëpër ndonjë  rrëpirë mali të Kosovës..Ai u befasua dhe më pas u mësua me një fakt tjetër: aviacioni francez ndonjëherë gabonte dhe, kur trupat serbe dhe ato të UҪK ndodheshin jo shumë larg njëra tjetrës, i hidhte bombat bë njësitë shqiptare.

 

f.173

Dy dhe tre herë në ditë forcat serbe godisnin xhami dhe vendkulte myslimane ndërsa ato shqiptaret nuk e prekën manastirin e Deviçit, një nga më të mëdhenjtë e Kishës Ortodokse Serbe. Në Drenicë manastiri kishte dy murgjë që kishin pajisje transmetimi për t’u lidhur me qendrën e tyre por as këtë pajisje nuk ua konfiskuan. Ata hanin po atë ushqim si edhe ushtarët shqiptarë…

 

f.197

Bislim Zyrapi, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, dëgjonte me vëmëndje fjalët e Dilaverit:

Përzënia e serbëve nga Kosova dhe çlirimi i saj përfundimtar nuk vjen duke vrarë sa më tepër prej tyre. Sepse, në fund të fundit, edhe sikur në rresht të rrinin para armëve tona, nuk i vrasim dot të gjithë, nga që janë shumë.

 

f.203

Në grykën e Shalës ishte përqendruar shumë popullsi civile. Dilaveri kishte dëgjuar se atje drejtonte një nga administratorët më të zotë të UҪK, Ram Buja…

Në atë hapësirë të ngushtë ndodheshin tetë mijë vetë, të gjithë të strehuar rrëzë lisave dhe dushqeve e të mbuluar me plastmas. Të vegjëlit, pleqtë e gratë, flinin nën strehë fijesh plastmasi të kapura nëpër degë pemësh, duke formuar kështu një lloj strehe sa për të pritur vrullin më të madh të rrebesheve të asaj pranvere të ftohtë.

 

f.209

Për dy javë pas thirrjes së 2 prillit 1999, në Durërs numri i vullnetarëve të zbarkuar arriti në dymbëdhjetë mijë. Vinin grupe-grupe. Një pjesë prej tyre kishin blerë edhe uniformat.

…Një mobilizim të tillë nuk e bënte dot edhe një shtet shumë i organizuar. Patjetër, të gjithë i kishte inkurajuar edhe ndërhyrja ushtarake e NATO-s.

 

f.216

Në Devetak, në lëndinën me koçekë dhe shtëpinë me vetëm dy dhoma dhe një mesore të ngushtë të bërë si kuzhinë, Hashim Thaçi dhe Agim Ҫeku mbërritën më 23 prill.

 

f.220

Për kolonelin, Shtëpia e Bardhë ishte dakord të pranonte përdorimin e UҪK në rolin e trupave këmbësore të Aleancës Atllantike, pra nuk ishte kundër armatosjes së saj, por disa (shtete) të tjerë jo.

 

f.227

Përvoja me shtetin shqiptar, për sa kohë Dilaveri ishte në Shtabin e Përgjithshëm të UҪK, ishte e trishtë. i gjithë furnizimi me armë vinte në rrugë private. Mbërrinte pothuaj në formë trafiku….Furnizimi në rrugë private, përveç zbarkimeve të fshehta në portin e Durrësit, kryhej edhe nëpërmjet armëve dhe municioneve që mblidheshin gjithandej nëpër Shqipëri, sasi akoma të shumta e të mbetura nga trazirat e vitit 1997, kur u hapën pothuaj të gjitha depot ushtarake. Në këtë, burim tjetër furnizimi punonte një degëzim i tërë që nga blerësit e parë tek blerësi i dytë, ai që niste mallin për në pikat e kufirit. Prej këtej vihej në funksionim një rrjet i tërë kaluesish të kufirit, të cilët duke i bartur me kafshë, kryesisht mushka i futnin armët dhe municionet në Kosovë. Shumë nga këta bartës, duke rënë në zona të minuara, humbnin jetën.

…Atij nuk i ishte larguar nga mendja historia e dymbëdhjetë pushkëve snajper me dylbi e rreze infra të kuqe, të cilat autoritetet shqiptare ua kishin sekuestruar në nëntor të vitit 1998 në aeroportin e  Rinasit, pa ua kthyer më kurrë. Ato armë të sofistikuara që shenjonin deri në 2000 metra largësi dhe objektivin e godisnin edhe natën, vërtet kishin ardhur, si të gjitha armët, në rrugë personale, por ata që i sekuestruan e dinin mirë që ishin për Ushtrinë Ҫlirimtare të Kosovës.

 

f.231

Nga ata “lart” (qeveria shqiptare) vinte urdhëri që asnjë helikopter nuk duhej ngritur për të transpoprtuar municion në Kosovë. Nuk do lëvizte, po ashtu, asnjë mjet tjetër.

 

f.236

Kishin ardhur dymbëdhjetë mijë vullnetarë, ndërsa brenda në Kosovë, që në muajin mars, UҪK kishte në aktivitet të plotë luftarak 19600 pjesëtarë. Por kish edhe më shumë njerëz, tashmë kishin ardhur në frontet e UҪK . Në rast se ushqim, vende strehimi dhe uniforma gjendeshin, nuk kishte armatim.

 

f.242

Gjatë jetës e punës në Shtabin e Përgjithsëm të UҪK, koloneli e kishte mësuar qartësisht se një pjesë jo e vogël e bashkëkombasve të Kosovës, realisht të mashtruar, kur bënin fjalë për “toskët”, pra njerëzit e Shqipërisë së Jugut, kishin parasysh një popullatë të ndikuar nga Greqia e përgjithësisht helenizmi. Kjo donte të thoshte se “toskët”, në rastin më të mirë, nuk kishin atë frymë të thellë e të paepur të kombëtarizmit si “gegët’, kurse në rastin më të papëlqyer ishin të shitur tek Athina.

 

f.251

Kishte ngjarë që në 12 prill, nga shenjimi i tyre (aviacionit francez) i pasaktë në Koshare patën humbur jetën dymbëdhjetë luftëtarë të UҪK. Bombardimet jo në shenjë të aviacionit francez kishin ndodhur edhe në Krushë të Madhe, duke shkaktuar mbi 40 viktima. Patën ngjarë edhe në Anadrin kundër një kollone refugjatësh.

 

f.279

Mirëpo UҪPMB (Ushtria Ҫlirimtare Presheve- Medvegje- Bujanovc) kishte përballë trupa shumë të specializuara si edhe komando tepër gjakftohta. Ajo që u kishte ndodhur në Kosovë serbëve tashmë u ishte bërë mësim. Ata zbatonin në Luginën e Preshevës strategjinë e përballjes me durim të sulmeve dhe thyerjen e njëpasnjëshme të tyre. Asnjëherë deri në ato çaste trupat serbe nuk kishin ndërmarrë inisiativën e një sulmi të përballtë, qoftë ky i kryer në një sektor të luftimeve apo në përmasa frontale. Ata e linin UҪPMB të bënte ngasësin e situatës, provokuesin, prishësin e stabilitetit në Luginë, shkelësin e Marrëveshjes 1244. Pjesën tjetër të akuzës e mbushte me material denoncues politika dhe diplomacia në Beograd.

 

f.281

Kështu UҪPMB po e vazhdonte luftën jashtë regjistrit ndërkombëatr dhe pothuaj edhe atij kombëtar. Ajo përditë e më shumë po i afrohej rrezikut të vetmisë politike.

 

f.283

Nga shumë shenja, ishte e sigurtë së SHBA kishin interesa të drejtpërdrejta për ta futur nën kontrollin e vet trekëndëshin strategjik Preshevë- Medvegjë- Bujanovc. Ata e dëshironin këtë gjë, por sipas tij, rrethanat ndërkombëtare pas luftës së Kosovës nuk ishin aq inkurajuese sa këtë gjë ta bënin lirisht. Për mendimin e kolonelit, amerikanët kërkonin një shkak dhe justifikim bashkë. Dëshironin një mënyrë të tërthortë. Sipas Dilaver Goxhait, në rast se projekti do të vihej në zbatim, atë do t’ua jepte UҪPMB….

Na duhen vetëm dy ditë luftë e suksesëshme- thosh Dilaveri. Vetëm dy-tre ditë qendresë…Do ta shihni po nuk hynë amerikanët dhe NATO! Për të ruajtur rendin ata do të zhvendosen vetëm disa kilometra dhe kështu më në fund Lugina e Preshevës do të bashkohet me Kosovën.

 

f.286

Ajo që për Thaçin ishte urtësi, të cilën e kishte nxjerrë nga përvoja personale, për kolonelin ishte paudhësi. Të dy qendronin shumë larg njëri-tjetrit në mënyrën e të konceptuarit të mbrodhësimit në jetë.

 

f.291

Dilaver Goxhai nuk e donte Rugovën (Ibrahim) sepse, që prej mbarimit të luftës e deri sa ndërroi jetë, nuk shkoi të përkulej apo thjesht të vendoste një buqetë me lule qoftë te varri i vetëm një dëshmori të asaj lufte heroike të UҪK, ndërkohë që Bernard Kushneri u gjunjëzua para atij të Adem Jasharit.

Në mërinë e heshtur të kolonelit të ardhur nga Tirana presidenti Rugova në kursin e tij këmbëngulës për Kosovën si shtet i pavarur shprehte përherë e më shumë bindjen se vendi i tij asnjeherë nuk duhej të bashkohej me Shqipërinë. Këtë projekt Ibrahim Rugova e çonte më tej kur shtetit të tij të ardhëshëm i kishte gjetur edhe emrin Dardania.

 

f.293

Dilaver Goxhai njihte vetëm një identitet të të gjithë bashkëkombasve, atë të të qënit shqiptar. Identitete të të qënit shqiptaro-malaze, shqiptaro-maqedonas apo kosovar nuk i pranonte.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s