Përse Qeveria e Kosovës nuk po sillet si qeveri e një shteti të pavarur? / Nga Agim Vinca

 

Përse Qeveria e Kosovës nuk po sillet si qeveri e një shteti të pavarur?

 

 

140px-Foto_agim_vinca

Nga Agim Vinca

  Tunë, 17 Janar 2015

 

Ka pasë thënë Stipe Mesiqi vite më parë, në një takim të kryetarëve të shteteve ballkanike në Ohër: “Serbia duhet të mësohet me Kosovën e pavarur, kurse Kosova duhet të mësohet të sillet si e pavarur”.

Kanë kaluar bukur do vjet nga ajo kohë, por thënia e ish-kryetarit të Kroacisë, politikanit serioz dhe burrështetasit të vërtetë, Stipe Mesiq, nuk ka humbur aspak nga aktualiteti.

Serbia nuk po mësohet me Kosovën e pavarur, kurse Kosova nuk po sillet si e pavarur!

Që Serbia, udhëheqja e saj, nuk po mësohet me Kosovën e pavarur, kjo është e kuptueshme për shumë arsye, por që Kosova, institucionet e saj, nuk sillen, shumë herë, siç u përket të sillen, si institucione të një shteti të pavarur, siç po ngjet sidomos këto ditë, këtë nuk kemi si ta kuptojmë!

Vjen kryeministri serb Vuçiq në vizitë në Kosovë, hap spitale e zyra paralele, inauguron shtatoren e një mbreti mesjetar serb në Graçanicë, as 5 km nga selia e Qeverisë së Kosovës dhe thotë me gojë plot: “Kosova është zemra e Serbisë” dhe askush nuk reagon. Madje, ka një tendencë të çuditshme nga qarqet tona qeveritare, që vizitat si kjo të konsiderohen si diçka e zakonshme dhe normale!

Çohet ministri serb në Qeverinë e Kosovës, Jabllanoviq (një Vuçiq i vogël në krye të shtetit, që ai e quan, ndryshe nga ç’shkruan në Kushtetutën e tij, “Kosovë e Metohi!) dhe i quan “egërsira” nënat gjakovare dhe qytetarët e Gjakovës, por edhe të Kosovës në përgjithësi; pastaj bën sikur e korrigjon pak veten, ngaqë nuk paskësh qenë i informuar “për humbjet në Gjakovë” por, sa çelë e mbyllë sytë, sërish, me një cinizëm primitiv, deklaron, mu në prag të 16-vjetorit të masakrës së Reçakut: “Pse, a paska pasur masakra në Kosovë?” dhe askush nuk mban qëndrim ndaj tij. Për më keq, kërkesa e një anëtari të kabinetit, ministrit të Diasporës, Valon Murati, heshtet dhe injorohet nga kolegët e tij, kurse shefi i qeverisë, kryeministri Mustafa, thotë: “Këtu nuk jemi në Kuvend!” (me demek në Kuvend lejohet të flitet gjithçka, kurse në qeveri jo, nuk po u lejuaka!). Dhe, për më keq, i mbyllet mikrofoni anëtarit të kabinetit, ministrit i cili ngre një problem real dhe shtron një kërkesë normale, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, të cilat e ka për obligim moral dhe ligjor t’i mbrojë Qeveria e Republikës së Kosovës dhe të gjithë shtetasit e saj!

Dikush mund ta quajë mençuri politike sjelljen e këtillë të politikanëve dhe qeveritarëve kosovarë. Nuk përjashtohet kjo mundësi. Unë mendoj se kjo nuk është kurrfarë mençurie dhe kurrfarë strategjie. Është krejt e kundërta e mençurisë dhe e strategjisë: është mendësi tipike vasalësh, të nënshtruarish e karrieristësh, që asnjë problemi nuk i qasen seriozisht, pos ruajtjes së pozitës vetjake, karriges së shkretë! Një herë e një kohë e kemi humbur autonominë me sjellje politike të nënshtruar e vasale; me frikë e padije, si dhe me mendësinë anadollake: “Hajt, se s’kanë ç’na bëjnë!”.

Është herezi të mendosh se mund ta humbim edhe pavarësinë, të njohur tani edhe nga bota, me këso sjelljesh të qeveritarëve tanë, por se kështu relativizohet shtetësia e Kosovës dhe shtohen orekset e Beogradit zyrtar dhe të serbëve lokale për, kinse, “kthimin” e Kosovës (në sensin, ja, megjithatë, nuk është humbur gjithçka!), kjo s’do diskutim.

Qeveritarët tanë duhet të sillen në Prishtinë, por edhe në Bruksel e kudo tjetër, së paku ashtu siç u soll kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në Beograd: në mënyrë dinjitoze! E kjo do të thotë ta thonë atë që duhet, që u takon, që e kanë obligim ligjor dhe që e pret prej tyre jo vetëm opinioni vendor, por edhe ai ndërkombëtar.

Dhe jo vetëm të flasin, por edhe të veprojnë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e shtetit të cilin e përfaqësojnë, Republikës së Kosovës.

Çdo sjellje tjetër është me pasoja, të vogla e të mëdha dhe plotësisht kundërproduktive.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s