Autori Ukshin Morina del para lexuesit me romanin “Liridoniada” / Parathënia nga Anton Boçi

295606_545393655493044_611062698_n

Autori Ukshin Morina del para lexuesit me romanin  “Liridoniada”

 

 

 

PARATHЁNIE

 

Nga Anton Boçi

Autori Ukshin Morina së fundi vjen para lexuesit me romanin e tij “Liridoniada” . Kjo vepër trgon më së miri përpjekjen dinjitoze për të na dhënë një dimension krejt të veçantë prezantimi, ku me një mjeshtëri prozaike për ta patur zili, arrin të na shpalosë deri në detaje aspekte, ngjarje dhe skena tronditëse rreth qëndresës dhe heroizmit të popullit liridashës të Kosovës martire.
Historia e rrëfyer mjeshtërisht nga U. Morina njëherazi na tregon nivelin dhe shijen e tij artistike, si edhe botën humane dhe patosin patriotik që autori manifeston, ku me të drejtë nuk rezervohet për ta shfaqur hapur nëpërmjet skalitjes së personazheve dhe zhvillimit të ngjarjeve…
Ngjarjet janë vendosur në Malësinë e Gjakovës, një ndër zonat që u godit ashpër nga dhuna e makinës ushtarake serbe. Në këtë terren përplasen ashpër për jetë a vdekje dy rryma dhe dy kultura diametralisht të kundërta brenda të njëjtit lloj. Hap pas hapi autori na prezanton një aventurë që i kalon përmasat e njerëzores, e cila merr trajtën e një gjenocidi shfarosës të një pale kundrejt një pale tjetër deri dhe brenda vetë qenies… Persiatjet, dyzimet, ankthi i humbjes, instinkti i mbrojtjes dhe i mbijetesës, filozofia e individualizmit të sëmurë drejt “unit” apo e “superiorit” për të grabitur e plaçkitur gjithçka, deri në kufijtë e marrëzisë, marrin gjithnjë e më tepët trajtë, duke na u prezantuar dhe shoqëruar deri me skena intime, të veshura me finesë të lartë artistike.

 

portret ukshin

 Ukshin Morina

 

Lufta e ashpër në terren padyshim që i kalon përmasat e saj. Ajo merr trajtën e një konflikti më të madh se midis palëve; ajo kalon në një luftë dhe konflikt të brendshëm që motivon jo vetëm ngjarjet dhe mjedisin, por sulet drejt konfliktit të brendshëm midis personazheve, dhe akoma më tej, brenda vetë personazhit, brenda vetë qenies…
Pikërisht këtu qëndron e veçanta dhe specifika e artit të këtij autori. Këtu, në këtë “nerv” delikat, Ukshi Morina qaset me finesë e thellësi psikologjike, tronditëse dhe zhbiruese në analizën e konfliktit të brendshëm të personazheve dhe jo vetëm kaq, për pasojë, konflikti, i cili ka si farë njollën dhe damkën historike, por që tek lexuesi vjen mjeshtërisht i mbjellë me rrënjët fabuleske të tregimit, ku nëpërmjet leksikut të pasur dhe artikulimit artistik të autorit, marrin jetë dhe sharm portretet dhe gjestikulacionet e personazheve sa në frontin e luftës, po aq edhe në mizanskenat intime nëpër mjediset e mbyllura. Autori tregohet shumë i kujdesshëm, herë-herë edhe “bujar” duke na prezantuar jetën me të dyja anët e medaljes: luftë në front me zjarrin vdekjeprurës të barutit, po ashtu edhe luftë me zjarrin e xhelozisë dhe të hipokrizisë…
Proza e Morinës mishërohet nga një rrëfim plot trille emocionale, që përkëdhel dhe zgjon ndjenjën dhe dashurinë për jetën dhe të bukurën, por gjithnjë e shoqëruar kjo me krenarinë dhe vetmohimin për lirinë si gjëja më e shtrenjtë së paku për çdo qenie humane…
Ndjeshmëria dhe tronditja e madhe shpirtërore dhe fizike që ka pësuar gjenerali, personazhi kryesor, disa herë e kalon në gjendje kllapie, shpesh bisedon dhe debaton me vdekjen, të cilën e ka bashkudhëtare. Ashtu si Dostojevski, autori U. Morina, nëpërmjet rrëfimit të tij, na lë të kuptojmë se ndjeshmëria e acaruar e “gjeneralit të tij” në çastet e kllapisë arrin të kapë dhe drithërimat më të vogla të botës së tij shpirtërore… Kjo “depërtueshmëri mistike” rrit çastet e parandjenjës dhe i shërben si shtysë profetike për të vazhduar misionin e tij të pamundur për t’u lidhur me njerëzit e tij të dashur, që tashmë i ka humbur nga lufta, por shpresa e shtyn drejt trojeve të tij, duke ushqyer dëshirën instiktive se do t’i takojë sërish, po aty, tek porta dhe vatra e tij e dashur… Një gjetje e bukur dhe e arrirë artistikisht nga autori Morina.
Krahas tyre, rrëfimi i tij shpeshherë i nxjerr kokën edhe dilemës së famshme: “të kesh apo të jesh”, të cilën dhe psikoanalistit Erik From e analizon në punimet dhe konkluzionet e tij duke i dhënë vlerë së dytës, pra të “jesh”…
Romani “Liridoniada” i Ukshin Morinës, është një rrëfim i gjallë dhe spontan, ku filozofia e jetës dhe e dashurisë kalon dhe përthyhet nëpër labirinte të shumta, e ngjeshur me përvoja, skena dhe ngjarje nga më ekstremet, ku lexuesi shpeshherë e ndien veten si pjesëtar dhe aktor i atyre skenave falë angazhimit emocional, që autori arrin të krijojë nëpërmjet rrëfimit të tij. Skenat janë aq tronditëse dhe heraherës kontraverse, sa befasohesh nga kalimi i kohës dhe i faqeve, pasi i gjithë libri lexohet me një frymë. Nëpërmjet këtij rrëfimi që të rrëmben pa u ndier, nëpërmjet skenave që kapërthehen në mënyrë të befasishme, herë të qeta e herë të mprehta në një skajshmëri ngjarjesh dhe dukurish të ravijëzuara mjaft mirë artistikisht, shijon një gjuhë të rrjedhshme e të buisur nga gurra popullore. Aty-këtu ndeshim kundërshti dhe përplasje faktesh, ngjarjesh dhe idesh, çka e bën gjithë librin më të shkrifët e më të këndshëm. Përgjatë gjithë episodeve kemi këmbim të vrullshëm dhe frenetik të këtyre ndjesive, ku personazhet përjetojnë vuajtje sa fizike, po aq edhe shpirtërore, por në çdo rast apo rrethanë qofshin, ata e duan dhe ëndërrojnë për jetën, ndonëse e drejta dhe e padrejta, e mira dhe e keqja shkrihen nga zjarri i furishëm i vuajtjes, në mos fizike, nga ajo shpirtërore ose nga të dyja së bashku…
Këto pak fjalë, nuk kishin si qëllim dhe mision në vetvete për të realizuar një koment apo analizë letrare të këtij romani, pasi autori U. Morina çdo ditë e më shumë po prezantohet me veprën e tij si një vlerë e shtuar e prozës shqiptare, me stil dhe tematikë krejt të veçantë.
Duke i uruar autorit suksese të mëtejshme në këtë mision fisnik, po ia lëmë radhën lexuesit që të shijojë dhe të depërtojë në enigmën e këtij rrëfimi.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s