Letër e hapur / Nga Albin Kurti

 

Letër e hapur

 

 

Albin-Kurti-per-publikim

Nga Albin Kurti

 

 

Të dashur aktivistë të Lëvizjes,

Të nderuar qytetarë të Republikës,

 

Si në aspektin politik e institucional, po ashtu edhe në atë ekonomik e shoqëror, Kosova kurrë nuk ka qenë më keq që prej se është shpallur pavarësia shtatë vite më parë. Koalicioni qeverisës që kushtëzohet prej Beogradit nëpërmjet Listës Serbe po e kthen prapa Kosovën në një shtet vasal të Serbisë, me varfëri e papunësi në popull, me krim e korrupsion në qeveri. Kur kësaj i shtohet edhe emigrimi i shtuar i të rinjve e të moshuarve, i grave, burrave e fëmijëve që kalojnë nëpër Serbi drejt Evropës perëndimore vetëm për të ikur nga Kosova, kuptojmë që e keqja në realitetin tonë e ka tejkaluar edhe imagjinatën më të errët.

 

Në anën tjetër, VETËVENDOSJE! asnjëherë nuk ka pasur më shumë simpati e vota në popull sesa në këtë kohë kur jemi në prag të shënimit të dekadës së parë të Lëvizjes sonë. Mirëpo, këtij aprovimi popullor që e gëzojmë kudo në Kosovë nuk i korrespodon një organizatë me struktura të fuqishme e rrjet të gjerë të aktivistëve dhe anëtarëve. Për pasojë, miratimi që koncepti, qëndrimet dhe aktivitetet tona hasin te qytetarët nuk po shoqërohet me përkrahje aktive e me angazhim konkret të tyre. Sot, nuk na nevojiten ide e program i ri, por një organizatë e re, që dëshirat i bën vullnet, ankesat i bën kritikë, e zemërimin e bën aksion.

 

Në Kosovë nuk ka zgjidhje pa popull dhe populli nuk është spektatori para televizorit por qytetarët në shesh. Popullsia si shoqëri është e ndarë në klasa dhe ne përgjithësisht e kemi mbështetjen e klasës së mesme. Sfida jonë vendimtare është mbështetja e domosdoshme nga të varfërit, nga ata që mezi mbijetojnë e kryesisht nuk e kanë as shkollimin e mesëm. E kemi obligim politik e moral, e kemi detyrë shoqërore e kombëtare që t’iu ndihmojmë të varfërve. Pa të varfërit në Kosovë nuk jemi me masat dhe vetëm masat i bëjnë transformimet e mëdha për të cilat Kosova ka nevojë jetike. Regjimi në fuqi nuk bie pa u ngritur të varfërit. Të varfërit nuk janë të përfaqësuar në institucione. Institucionet kanë pak ndjeshmëri për të varfërit. Prandaj, ne nuk duhet thjesht ta marrim pushtetin porsi një stafetë nga koniuktura e sotme, ne duhet edhe të krijojmë pushtet të ri. Për botëkuptimin e VETËVENDOSJE!-s, pushteti nuk është sikur ajo monedha e vjetëruar, për të cilën flet Mallarmé, e që pasohet në qetësi nga dora në dorë. Pushteti është infrastruktura institucionale e një bote të nesërme shoqërore që e përfytyrojmë qysh sot në betejë e sipër.

 

Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE! që përfundoi me 11 janar 2015, morëm vendimin që ta vazhdojmë edhe për një vit ristrukturimin nëpër Qendrat tona. Po ashtu, thamë që unë do të kthehem në bazë sepse aty nevojitem më së shumti në një kohë kur Kosovës i nevojitet më së shumti vetëvendosja. Nuk ka asgjë më të rëndësishme se kjo për organizatën tonë. Mirëpo, që të bëhet e mundur një gjë e tillë, kam vlerësuar që nuk duhet të jem kryetar edhe këtë mandat. Thjesht, është e pamundur të punoj në bazë, me Qendrat e Pikat tona, me aktivistët që edhe e përbëjnë organizatën politike edhe e bëjnë një komunitet njerëzish, nëse në të njëjtën kohë jam edhe kryetar që duhet ta drejtoj e udhëheq të gjithë Lëvizjen. Nga menaxhimi prej lart duhet të kthehem te puna poshtë në mënyrë që ta lartësoj organizimin. Me fjalë të tjera, duhet zvogëluar aspekti reprezentativ për ta rritur atë organizativ.

 

E kuptoj brengën e shumë prej jush – se a thua ҫka mund të ndodh me Lëvizjen pa mua si kryetar i saj. Mirëpo, unë kam besim të pamatshëm në Lëvizjen dhe në të gjithë juve. Nuk mund të ketë vështirësi që na ndalin a sulme që na zmbrapsin.

 

Ky vendim është i jashtëzakonshëm. Sepse unë i përkas një Lëvizjeje të jashtëzakonshme siҫ është VETËVENDOSJE!. Unë s’kam qenë asnjëherë kryetar i zakonshëm. Dhe, tash, s’mund të jem zakonshëm kryetar.

 

Shteti republikan për drejtësi dhe bashkim dhe socialdemokracia për zhvillim e barazi nuk kanë alternativë. VETËVENDOSJE! është alternativa!

 

Përzemërsisht,

Albini

 

2

Dy rrugët e autobusit në Republikën e pakicës

 

  1. Qeverisjet neoliberale të pasluftës të orientuara në privatizim dhe asfalt po e bëjnë vendin tonë të pajetueshëm. Fundamentalistët e tregut të lirë e abortuan prodhimin vendor kurse bankat në Kosovë janë fajde me letra. Paratë e fondit të privatizimit, të fondit pensional si dhe depozitat bankare të bankave komerciale janë investuar jashtë vendit. Eksodi i parasë patjetër që përcillet me eksodin e njerëzve pasi që asfalti nuk hahet: 45% të varfër dhe 18% në varfëri të thellë nuk i kanë hall gropat nëpër rrugë, por ato në stomak. Modeli socialdemokrat, shteti zhvillimor i orientuar në prodhim dhe industrializimi i vendit janë zgjidhja. Pa fabrika nuk ka as ekonomi e as shoqëri.

 

  1. Njerëzit e kanë humbur besimin në institucione e mandej edhe shpresën për ardhmëri më të mirë në Kosovë. Në vitet 2006 e 2007 nisi t’i dalë boja çlirimit, por mandej u shpall pavarësia. Tash që po i del boja pavarësisë nuk ka kurrfarë kompensimi. Korrupsioni e sidomos nepotizmi dhe krimi i organizuar përherë i pandëshkuar ua kanë errësuar perspektivën posaçërisht të varfërve dhe klasës së mesme. Arsimi u bë diplomë pa dije, shëndetësia spital për të vdekur, ndërkaq papunësia po rritet si sasi, si kohëzgjatje dhe si pabarazi: një pakicë mban nga disa vende pune kurse shumica dërrmuese nuk e ka asnjë të tillë.

 

  1. Vëmendja institucionale dhe mediatike është shumë më tepër e përqendruar te çështjet si Gjykata Speciale për krimet e UÇK-së, ekstremizmi fetar, nevoja për dialog me Serbinë sesa te zhvillimi ekonomik i munguar dhe mjerimi social gjithandej i pranishëm. Qeveria është compradore ndërsa përfaqësimi institucional e mediatik është elitist. Shumë tregtarë importesh u bënë politikanë, edhe më shumë politikanë u bënë tregtarë importesh. Të pasurit shfaqen shpesh në televizor si individë dhe si personalitete. Të varfërit shfaqen rrallë në televizor si turma ose si numra statistikash.

 

  1. Ikja e shqiptarëve të pakënaqur i leverdis edhe Qeverisë së Kosovës edhe Qeverisë së Serbisë ashtu sikurse edhe mafiozëve të ndryshëm që kontrabandës me naftë, cigare, drogë e barna po ia shtojnë edhe trafikimin me njerëz. Megjithatë ky emigrim që ka marrë përmasa të eksodit nuk do të ishte i mundur pa korporatat në Evropën perëndimore që kanë nevojë për fuqi të lirë punëtore së cilës nuk i paguajnë sigurim social, shëndetësor e pensional. Për më tepër, qeveritë e djathta perëndimore, si zakonisht, u mundësojnë korporatave që t’i përdorin emigrantët shqiptarë që punojnë në të zezë si armë sulmi kundër sindikatave vendëse atje.

 

  1. Në gjysmën e dytë të vitit të kaluar shumica dërrmuese e qytetarëve të Kosovës ka shpresuar sinqerisht në një qeveri të VLAN-it që përbënte shumicën parlamentare. Tradhtia e Isa Mustafës që e braktisi marrëveshjen e 10 shtatorit 2014 për kurs të ri të shtetit duke përfunduar te marrëveshja e Rashkës së 9 dhjetorit 2014 me Thaçin dhe Jabllanoviqin i ka zhgënjyer pamasë qytetarët. Kur kësaj iu shtuan vota e Isa Mustafës për Kadri Veselin për kryeparlamentar, programi qeveritar pa shifra për dallim nga fushata elektorale me premtimet për 200.000 përkatësisht 120.000 vende të reja pune, e deri te buxheti 2015 i kopjuar nga viti paraprak, gjithçka u bë e padurueshme. Energjia e VLAN-it është edhe më tej në popull dhe kjo energji pashmangshëm po bëhet fuqi që i ka dy rrugë të ndryshme dhe të njëjtin mjet transporti:

 

autobusat për te kufiri në Merdar apo autobusat për në sheshin Skënderbeu në Prishtinë. Mirupafshin në shesh – për Trepçën, për shokët tanë në burg dhe për gjithçka që nevojitet për ta bërë Kosovën Republikë të shumicës.

 

Prishtinë, 5 shkurt 2015

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s