Rrugëtim drejt lirisë (Ruzhdi Janjeva ) / Nga Zenun Rexhepi – Rauf Bilgiçi

 

j 1

Rrugëtim drejt lirisë

Ruzhdi Janjeva

 

 

Nga Zenun Rexhepi  –  Rauf Bilgiçi

 

 

Kanë kaluar 70 vjet që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, luftë e cila solli, përkohësisht (1941-1944), një farë lirie kombëtare për shqiptarët e Kosovës, nga që shumica e trojeve shqiptare jashtë shtetit amë u bashkuan rreth qeverisë së Tiranës. Mjerisht, pas nëntorit 1944 Kosova dhe trojet e tjera jashtë Shqipërisë “londineze” u ripushtuan nga sllavo-komunistët dhe vijuan të përjetojnë zgjedhën e tyre edhe më shumë se gjysëmshekulli tjetër.

Gjatë viteve 1945- 1946, në malet e Kosovës vijoi lufta e rezistencës antikomuniste, me dëshpërim, pasi pushteti i ri kishte mbështetje politike ndërkombëtare. Prandaj qindra luftëtarë nacionalistë u detyruan ta lënë atdheun dhe të mërgojnë në Greqi, Itali, Turqi e gjetkë për të mos u kthyer më, të paktën deri në vitin 1999, kur NATO ndërhyri ushtarakisht dhe i dëboi ushtrinë dhe milicinë serbe që aty. Ndër këta luftëtarë ka qenë edhe Ruzhdi Janjeva, përndryshe shok armësh me tim atë. Z. Zenun Rexhepi pati mirësinë, vullnetin dhe përkushtimin të mbledhë kujtime nga ai vetë ose nga goja e fëmijëve dhe bashkëfshatarëve të tij, për periudhën e rezistencës antikomuniste dhe peripecitë e arratisjes nga Jugosllavia e dytë.

Lexuesi përjeton shumë skena të asaj periudhe tragjike por heroike. Ja disa fragmente:

 

f.38

Periudha 1941-1944

 

Adem Selimi (Gllavica), njohës i mirë i rrethanave të reja, gjendjen e re e quajti okupim për Shqipërinë por “liri relative” për shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë, në viset që ishin nën kontrollin e Italisë. Ishte kështu, sepse sipas tij:

  1. Kosova ishte çliruar nga pushtuesi barbarë dhe mizorë serbë.
  2. Pjesa më e madhe e Kosovës, një pjesë e Maqedonisë dhe e Malit të Zi, ku jetonin shqiptarët, ishte bashkuar me Shqipërinë.
  3. Për herë të parë, ishte lejuar hapja e shkollave në gjuhën amtare.
  4. Për herë të parë, administrata ishte në gjuhën shqipe dhe
  5. Për herë të parë, të rinjtë shqiptarë e kryenin shërbimin ushtarak në vendin e tyre dhe me oficerë shqiptarë.
  6. Ndryshe nga dy zonat e para ushtarake, (italiane e gjermane), në atë nën kontrollin e ushtrisë bullgare, nuk kishte as administratë shqipe, as nuk u lejua hapja e shkollave shqipe.

 

f.50

Tragjedia e Kosovës

 

Tri javët e fundit të nëntorit 1944 ishin fatale për Kosovën. Brenda asaj kohe, pjesën më të madhe të territorit të saj e vunë nën kontroill partizanët. Ardhja e brigadave partizane u quajt fitore emadhe e forcave të Ushtrisë “nacional- çlirimtare” Jugosllave, por në realitet ishte një ripushtim i Kosovës.

Vënia nën kontroll e Prishtinës, shënoi fillimin e një faze të re të proceseve ushtarake e politike, të cilat përfunduan me mbetjen e Kosovës në kuadër të Serbisë, e ajo në përbërje të Federatës Jugosllave.

Krimet monstruoze, të cilat në Prishtinë filluan me vrasjen mizore të pjesëtarëve të familjes patriotike të Stak Mark Mirditës, tre djemve dhe dy nipave të tij, si edhe të bejlerëve të njohur të Prishtinës dhe të atdhetarëve të tjerë prishtinas, ishin paralajmërim i ngjarjeve të kobshme, që u quajtën “Nëntori i përgjakur”.

 

f.56

Beteja e Teqes

 

Nga fshati Teqe, paralagje e Janjevës, në pozitat për luftë ishin: Halil Kongjeli, Fejzullah Kongjeli, Beqë Shashivari e Hajdari, të vëllazërisë Kongjeli dhe Mehmet Teqolli, nga fshati Bukovicë; Hamit Gashi e Kadri Ahmet Gashi, nga fshati Akllap, Destan Gashi, Jetishi, Zymberi e Shaqir Murseli dhe Hetem Ramiz Bytyqi. Kishte filluar breshëria e plumbave që u shkrepën kundër forcave partizane nga njisiti i cili kishte zënë pozitën te “Kodra e Gradinës” dhe njisiti i kombinuar Janjevë- Akllap, ishte qëlluar në ballë për vdekje komandanti partizan, që ishte në një kalë. Ai po i thërriste ushtarët të mos i kapte paniku. Vrasja e komandantit pati efekt të madh.

 

f.64

Ruzhdi Janjeva:

 

Shka me ba, ashtu tek o kanë kismet, se pa kurban nuk falet Bajrami i Vogël, edhe pa gjak nuk fitohet liria. Dikush duhet të flijohet. Ksi hovi, mka ra hise mue dhe familjes teme, për me u shkri për lirinë e shqiptarëve të Kosovës. Po, kjo nuk do të harrohet, e historia do ta pranojë mundin e hjekat tona, e unë do të jem heroi i popullit shqiptar të Kosovës, do të jem i pavdekshëm në historinë shqiptare. Pra, nuk pendohem për atë që kam ba, le të del ku të del. ma përtej se vdekja me krejt familjen, s’ka shka bahet.

 

f.68

Fadil Hoxha e Shaban Palluzha

 

Fadil Hoxha me një pjesë të brigadës ndahen dhe vazhdojnë për në Serbi, kurse Shaban Palluzha kthehet me të tjerët në Drenicë. Ata që ishin me Shaban Palluzhën, luftuan kundër brigadave serbe e malaziase dhe kundër brigadave partizane të Shqipërisë, dhe shumica e tyre u flijuan për lirinë e Kosovës. Kështu Kosova iu dorëzua serbëve dhe ashtu mbet deri në vitin 1999, që do të thotë se 55 vjet mbet nën sundimin e serbëve.

Dihet mirë, se ata që ishin me Fadil Hoxhën, vazhduan rrugën nëpër Serbi dhe shkojnë deri në kufirin e Austrisë, te Maribori dhe liqeni Bled në Slloveni. Në atë kohë, shumë shqiptarë duke qenë ushtarë, serbët i kanë ekzekutuar, sikurse i kanë vrarë dhe ekzekutuar shqiptarët në Kosovë. Njëra ndër tragjeditë më makabre gjatë luftës, ishte ajo që ndodhi në Tivar të Malit të Zi.

 

f.77

Bahtir Dumnica e beteja e Grashticës

 

Kishte ndodhur që edhe Bahtir Dumnica me çetën e tij të jetë në Grashticë. Forcat jugosllave të mbrojtjes, ishin informuar se ty ishte Bahtir Dumnica dhe kishin dërguar forca të shumta dhe e rrethojnë Bahtirin me shokë. Por, për fatin e mirë të Bahtirit me shokë, në atë çast në Grashticë arrin çeta e Adem Selimit (Gllavices). Ata i ofrojnë ndihmë grupit të Bahtirit dhe kështu shpëtojnë nga rrethimi dhe asgjësimi. Në atë betejë ishin vrarë 15 ballistë (nacionalistë), kurse në anën e partizanëve, siç kishin dëshmuar më vonë banorët e Grashticës, ishin vrarë 120 partizanë. Prej atij çasti, çeta e Ademit bashkohet me atë të Bahtir Dumnicës dhe së bashku shkojnë në malet mbi Gadime (Lipjan).

 

f.89

Rezistenca në Drenicë

 

Një numër nacionalistësh, pjesëtarë të Ballit Kombëtar dhe të tjerë, që ishin në male, edhe në situatën e re, pas shpalljes së gjendjes luftarake dhe administrimit ushtarak në Kosovë, pasi kishte filluar lufta e Drenicës (janar- shkurt 1945), edhe më tutje i bënë rezistencë regjimit komunist. Të tillë ishin bashkëluftëtarët e Shaban Palluzhës, kapiten Mehmet Gradicës, Ajet Gërgurit, Gjon Serreqit, Hysen Tërpezës, Adem Gllavicës, Ibrahim Kelmendit, mulla Idriz Gjilanit, Ymer Berishës, Ukë Sadikut, kapiten Shefqet Bylykbashit etj.

Lufta në Drenicë, ishte forma më e ashpër e synimeve të pushtetit sllavo-komunist, për ta thyer kryengritjen e patriotëvë shqiptarë, që nuk pajtoheshin me atë pushtet. Për atë qëllim praktikoheshin format më brutale të terrorit: pushkatimet pa gjykim, vrasjet, likuidimet e njerëzve, djegia e çdo gjëje në vatrat e atyre, që i përkisnin lëvizjes së rezistencës, torturimi i familjeve të tyre, maltretimet madje edhe të farefisit e të fshatrave të tërë, pra të gjithë ata që në çfarëdo forme i ndihmonin ata, gjoja për shkak se u siguronin përkrahje, i strehonin, u siguronin ilaçe dhe ushqime ballistëve (nacionalistëve).

 

f.100

Beteja e Gadimes

 

Grupi i Adem Gllavicës, përgatitur për çdo befasi, po qendonte në malet e Gadimes. Ademi, me disa bashkëluftëtarë, si: Rexhep e Jetish Akllapi, Ruzhdi Janjeva, Muharrem Bani nga Plitkoviqi, Rexhep Akllapi nga Kishnapola, Mehmet Smallusha e të tjerë, kishin marrë lajmin se një brigadë komunistësh serbë nga Vranja, kishin kryer një operacion në anën e Gjilanit, ku kishin bërë shumë zullum të madh kundër banorëve shqiptarë. Ata kishin plaçkitur e pushkatuar njerëz pa gjyq dhe tani po i afroheshin Lipjanit, ku pritej se do vepronin si në anë të Gjilanit.

Kur e marrin këtë njoftim, njerëzit e Ademit, ishin në malet e Zhegovcit, prandaj marshojnë drejt Gadimes, ku planifikonin të furnizoheshin me bukë. Ishin ndalur në një vend afër fshatit dhe po i vështronin partizanët që po afroheshin. Rreth 150 luftëtarë të Adem Gllavicës, (vetë Ademi në kujtimet e tij thotë se ishin 15 vetë, që u hapen nga 5 m larg njëri tjetrit – shënim i imi Bardhyl Selimi) të armatosur mirë, ishin te një përrua, që iu shërbente si mbrojtje. E kishin lejuar kundërshtarin të afrohej rreth 50 metra e pastaj, sipas komandës, kush me pushkë e kush me mitraloza e bomba dore, kishin filluar sulmin me batare e hedhje bombash. Sulmi ishte i rrufeshëm dhe efikas, pasi pozicioni i tyre ishte më i përshtattshëm.

Te befasuar, pjesëtarët e brigadës partizane të Vranjës, pas luftimeve fyt a fyt, ua kishin mbathur këmbëve dhe ishin bërë pikë e pesë, duke lënë prapa shumë të vrarë (Ademi thotë 64 vetë- shënim i imi, Bardhyl Selimi) e të plagosur.

Në atë betejë kishin kapur rob edhe një toger e një kapitene serbe. Pas dy ditësh ata i kishin liruar duke treguar se luftëtarët shqiptarë kishin kodeks dhe moral ushtarak. Vetë të liruarit e kishin pohuar atë. Gruaja e re nga Vranja kishte deklaruar në Prishtinë: Në se doni të shihni trimëri e drejtësi, shkoni e i shihni ata të maleve. Ata na mbajtën dy ditë rob, por askush nuk na ka prekur me dorë. E çka është më e pabesueshme, as parabellin (revolverin) tim nuk ma kanë marrë. Ja ku e kam në brez. Ata ishin të armatosur mirë dhe kishin vendosmëri. Prandaj nga ky moment unë jap dorëheqjen nga detyra që kam.

(Vetë Ademi e konfirmon këtë fakt, por ai shton se gruan e re nga Vranja e kishin burgosur të vetët 6 muaj se nuk e kishin besuar- shënim i imi, Bardhyl Selimi).

Nga biseda e Adem Selimit në shtëpinë e Ismet Reçicës në Muenchen verë 1992

Më kujtohet Lufta e Gadimes, ku vramë 64 serbë dhe zumë robër 7 .  Ne ishim përmbi Gadime ku kishim shkuar prej Çellopekut  nëpër Banullë. Hëngrëm bukë e dolëm në një dushkajë aty pari. Ndërkohë një batalion i OZNA-s po vinte papritur drejt e te ne. S’kishim se çfar të bënim ndryshe: u vumë pushkën dhe i vramë si lepurat. Lufta nuk zgjati shumë, rreth njëzetë minuta. Në krah kisha 7-8 djem të Gllavicës që më ruajshin, kur papritmas , dy metra përpara meje shoh të ngujuem një serb me tytën e mitralozit (një zorke me bira bira) të drejtuar drejt meje. Në dorë kisha automatikun gjerman, në krah -qafë pushkën dhe në brez  revolen. Menjëherë i thërras “dorëzohu! Por ai përgjigjej “ nuk dorëzohem”. Përsërita “dorëzohu”, përsëri “nuk dorëzohem”. Pastaj e shkela këmbëzën e automatikut tim, por ai nuk ndezi. Atëhere thirra “hajdeni  ore se më vrau ky..”. – “Ku , more,  ku” dëgjova të më përgjigjeshin shokët, Sherifi, Bajrami, Beqa, Haxhija,  të cilët s’ e kuptonin sa afër ishte ky serbi që ma kishte drejtuar tytën mua.  Ndërkohë një grua serbe e Babushit  i vjen serbit nga pas dhe e qëllon në qafë. Në atë çast e ndjeva se më ra të fikët, por kuptoja, shihja , vetëm s’mundesha të lëvizja dot. U thashë shohëve të më lenin pak kohë sa ta mirrja veten. Kur u përmënda,  m’u afrua një luftëtar prej Banulle dhe më thotë: Çfarë ndodhi Adem? Nuk punoi automatiku yt?-Jo, i thashë- nuk ndezi.-A e ndërrojmë me këtë italianen time?- E ndërrojmë i them unë. Ai e provoi automatikun tim dhe ai funksionoi! Po kështu provoi edhe mitralozin e serbit. Edhe ai funksionoi. Po pse s’kish qëlluar serbi?- Mbase ai ka menduar, “këtë po e vras, por nuk shpëtoj dot nga këta të tjerët..”

Siç thashë, i zumë shtatë robër, midis tyre një vajzë 18 vjeçe të Vranjës. Kjo, duke m’u drejtue mua m’u lut: a mund ta pij edhe një gotë ujë për herë të fundit?

  • Mund ta pish jo një por sa të duash , i thashë.- Pse , tha ajo, s’do na vrisni?
  • Jo i thashë unë, s’do ju vrasim, do ju lejmë të lirë, por mos t’u shohim më të luftoni kundër nesh!
  • Më ka thënë nana –thosh vajza , mos dil partizane por unë budallaqja nuk e dëgjova !

Në fakt kështu bëmë, burrat i çarmatosëm ndërsa vajzën jo. Rexhep Okllapi nguli këmbë që ta kontrollonim edhe vajzën, madje ta vrisnim, por unë ndërhyra dhe e ndalova, duke arsyetuar se s’është zakon ndër shqiptarët t’i kontrollojnë gratë… I lamë të gjithë të lirë. Më vonë morëm vesh se këtë vajzë e kish arrestuar një brigadë e Shqipërisë në Gadime dhe pasi i kish gjetur një revole e kish pyetur : nuk ta morën revolen ballistat?- Jo ballistat, Drazhe Mihajlloviçi, kishte vërejtur ajo, duke më pandehur vërtet mua si Drazhe Mihajlloviçin , për shkak të mjekrës.- Nuk janë ushtarët e Drazhe Miahajlloviçit, i kishin thënë ata, por ballista. Pastaj e kishin burgosur gjashtë muaj në Janjevë sepse s’e kishin besuar  që ne nuk e kishim kontrolluar..

 

..Si beteja e Gadimës janë zhvilluar edhe betejat e Presedelit, Grashticës, Vasilevës, Sharanikut…

 

Vijon historia e rrugëtimit për në Greqi të çetave nacionaliste të Adem Gllavicës, Hysen Tërpezës, Hasan kabashit etj, një muaj rresht, duke u ndeshur kudo me pritat e brigadave jugosllave dhe shqiptare, në Kosovë e Maqedoni, ku humbën shumë luftëtarë.

 

f.138

 

Që matanë kufirit jugosllavo-grek, sado të lodhur e të rraskapitur, luftëtarët ishin ndalë dhe me dylbi i kishin shikuar edhe një herë malet përtej kufirit greko-jugosllav dhe kishin filluar të qanin me zë, madje edhe duke vajtuar, duke thënë:

Lamtumirë more atdhe, trandëfil për ne ti je,

Sot me ty jemi tu’u nda, Zoti e di ma a kem me t’pa.

U kujtova me mënd’t e mia, A s’asht gjynah nga

Perëndia?

Lot për faqe na kanë ra, prej atdheut sod jemi nda.

Edhe n’ dekshim n’dhe të huj, amanet Kosova e juaj.

Amanet, juve djem të rij, të luftoni- për liri!

Edhe për neve, që jemi mundue,

mos gaboni me na harrue!

Pra, Rroftë Kosova, Rroftë Shqiprija,

Rroftë flamuri e demokracia.

 

f.151

Diversantët

 

Adem Gllavica ishte intelektual i përgatitur dhe me përvojë, prandaj misioni anglo-amerikan kërkoi që ai të bashkëpunojë me ta. Por, Ademi shpejt e kuptoi qëllimin e atij bashkëpunimi, nuk u pajtua me ta kur kërkuan që të stërviteshin mërgimtarët shqiptarë që të dërgoheshin si diversantë në Shqipëri, për ta përmbysur regjimin e Enver Hoxhës. Ademi ishte kundër atij plani, jo pse donte ta mbronte atë regjim, por e dinte se pushteti komunist shqiptar ishte i lidhur me Bashkimin Sovjetik, sidomos pas vitit 1948, kur Enver Hoxha i prishi marrëdhëniet me jugosllavët. Ademi kishte informata se Sigurimi i BRSS (KGB) ishte shumë i organizuar dhe i rrezikshëm..Nga ana tjetër ishte i bindur se nuk kishte gjasa që me diversantë të përmbysej regjimi i Enverit. Madje ishte i bindur se diversantët shqiptarë do të vriteshin ose do të kapeshin të gjallë dhe do dënoheshin me vdekje ose me burg të përjetshëm.

Mbreti i Shqipërisë në ekzil nuk ishte pajtuar të bashkëpunonte por as nuk donte të bëhej pengesë sa i përket atij plani.

 

f.160

 

Llogaritet se shkolla e parë shqipe në Kosovë ishte hapur pikërisht në Janjevë në vitin 1632.

 

f.168

Rauf Bikliqin e ndiqte UDB-ja për se babai i tij Ruzhdi Janjeva i kishte luftuar brigadat partizane pushtuese serbo-komuniste.

 

f.173

 

Azis Kajolli nga Vitia: i ka thënë Raufit:

Baba yt kur kishin venddosur të niseshin për Greqi, bashkë me Adem Gllavicën këtu te unë kanë hangër darkë dhe e kanë kaluar natën.

 

j 2

 

j 3

 

Rauf Bilgiçi (Bikliqi) në Lipjan 2013

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s