Cikël poezish nga Vëllimi Poetik “Me duar dashurie” të autores Merita Gjoni
STOLIA E ZEMRËS
Pesë shqisat e mia
mirë e dinë,
ti je stoli
e zemrës time,
gjithçka ndrin
deri në kufij,
kur shpirti dallgëzon
si derdhje dashurie.
ME DUAR DASHURIE
Si zgjatime degësh
shtrij duart drejt meje,
rretho prerë,shtatin e bardhë
nga qafa e deri në bel.
Për pakt dashurie
fliji duart pranë meje,
mos shih asgjë veç magjisë
as kur hëna a dielli del.
PESIMIZMI
Plot me dallgë ditët e netët e tua,
tek jeton e frymë lirisht nuk merr,
i kredhur në gonxhen që pret për t’u çelur,
vyshkesh në errësirën e kaltërsisë që del.
Nurin e jetës,duhet ta ndiesh sërish,
në petkat që vesh,në acar e zagushi,
kokën ngrije në shtigjet që zgjerohen,
kohën ndiqe,tek mbushet me dashuri.
Pa frikë kalo dallgët që vijnë drejt teje,
kasnecët lajmëkeq,largoi me zë kumbues,
gjirin çele,mbreterinë e zemrës rrëmbeje,
për t’parë herë të jash ti triumfues.
Në dyzime ,mos u derdh i pashpresë,
jeto e ditët vishi me t’artën shkëqesë.
ATA
Flasin ca fjalë
krejt batall,krejt me britma
për me t’posht,
për me t’nguju,
ballit,oh ballit
rrudha me t’i shtu.
Flasin ca fjalë
krejt si në lojë,
krejt si në hije
për me t’helmu,
për me t’ther’,
shpirtit,oh shpirtit
me t’i fut vrer.
Flasin ca fjalë
krejt me ligësi,
krejt me djallëzi
për me t’marros
për me t’brengos,
zemrës,oh zemrës
durimin me ia sos.
Flasin ca fjalë
krejt egërsi,
krejt pakuptim
për me t’hutu
për me t’shkapet,
shtatin,oh shtatin
krejt me ta tret’.
SHANSI I DYTË
Në skutën e errët balsamosur rri,
me drojë e fobi që të rrethojnë,
gjezdisur mendja jote në udhëkryqe rrugësh,
peshë e lënduar që pret ta shërojnë.
Kontratë e shkruar me tepri informacioni,
vulë e plakur në shumë puthjet e bardhësisë letër,
rënduar marramendja kokën ka,arsyetim munguar,
shtrydhje e martirizuar,për atë,shansin tjetër.
Përsipër merr mëkatin,dorëzueshëm tërësisht,
në kërkim të një fjale,që rrok vendim të marrë,
tronditet frikalaqe botë e zemrës,rrahjepushuar,
për gojën portë mbyllur,që shansi i dytë pret të dalë.
Dhe zgjidhet nyja,në fillin ngatërruar,
largohet lehtësisht nga fushë e dyluftimit,
pluhuri shpërdan,premtime kohëzgjatuar,
aty në dhënien fund të makthit e shpëtimit.
KARIKATURË
(Në vend të etydit…)
Atje të gjeta,
shformësuar
mes vijash
në abstraksion,
të lexueshme
tjetërsimet
futur në etiketa.
Dhe qesh,
“gris” vijat
në horizontal,
të pjerrëta
e në vertikal,
të pamjes palidhje
që të ngjan.
RICIKLIM
Po formësohesh
si një këngë
e rizgjuar,e rishkruar
copat i mblodhe
për ndryshim,
në riciklim vesesh
që shihen me syze
si ngatërruar.
Bukurinë,ëndërrat,
shpirtin e ndjenjat,
riciklove e riciklove
pa caqe e sqim,
humbe në vorbull
i vetëm dështak,
shakmisur si send
ri-ci-klim.
FUTUR NË MASKË
Hera-herës s’njihemi
dhe s’dimë çfarë ujërash
rrjedhin brenda nesh,
shqyhen mendimet
braktisen shqisat,
shtegtojnë zemrat
dhe frika ulëret.
Maskë një tjetër fytyrë
ballsamosje terri,
që përkundet shitoreve
me fill lotësh,
me vonesë dhurate
e dhunti shndërrimi
që mbart trishtim
nga krijesat e pengta.
Thepat zbathur
ngjiten në qiej dëllinjash
pranë Zotit
për të zënë vend,
në etjen e pashuar
kapin degët,
që grisin maskën
në lëndën e vet.
PO THUREN KURORA
Po thuren kurora
jo me luledele,
… kurora po thuren
me fjalët përdredhajka
plot zgjyrë e plot lajka.
Po thuren shumë,shumë kurora
me fjalët përdredhajka
sa shumë kurora me bukuri zhigu,
po mbushin ekspozitën e mbipopulluar
me ata-ato…që pare banke kanë për të harxhuar.
Mbretër,mbretëresha po bëhen përditë
me kurorën gjarpërushe vënë mbi kokë,
të tillë “prijës” po shpall
kjo koha jonë globale,
e jetët tona që si robina janë zënë
prej kurorave të rrejshme mbi koka vënë.
E THËRRAS VETEN
A e keni thirrur
një herë të vetme veten
tek kthehet pas
a,para të ecë?
Vetes t’i thirrim
në kuvend meditues
t’ia thajmë pështymën
që ritmi pak t’i ngecë.
Vetes t’i thirrim
turravrapin t’ia ndalojmë
me pikëza ta spërkatim
si vije bari plot vesë.
Vetes t’i thirrim
në rrotullim autokritike
kamzhik fjalësh
të përplasen papengesë.
Vetes t’i thirrim
në centrifugë larëse
duke u përvjedhur
t’i largojmë çdo ves.
ARMIQTË
Nga turma kanë dal’
asgjë mos me fal’.
Se vijnë me tërbim
me shkaktu rrëzim.
Të idhët si vreri
të zi krejt si terri.
Braktisur nga miqtë
ta… armiqtë.
Dhe dielli dhe,toka
ngado i kërkoka.
T’i njoh ,t’i përndjek
e faret me i hjek.
Ujin turbullojnë
shtrëngatë shkaktojnë.
Plot gjemba “iriqtë”
ata…armiqtë.
TABUTË TONA
Një zgjim
një thyerje,
një kapërcim…
kërkojnë
tabutë tona
të përbashkëta.
Pastaj
një lindje…
një qetësi…
një liri…
prej tabuve tona
të përbashkëta.
NË GJI TOKE
(familjarëve të mi që s’jetojnë më)
Ata ishin
një,dy…gjashtë,
të flenë
ranë të gjithë,
s’u ndien
e as më s’u panë,
në gji toke
u ndrynë…po,po u ndrynë.
NË GRUMBULL GJENDEM
Në grumbull kërkoj,rrëmoj,
të gjej asgjënë…gjithçka..
Grumbulli zvogëlohet,zmadhohet,
e unë i vogël në grumbull dukem,
në pus fjalësh,humbjesh,fitoresh,
gërmoj me thonj,skicë sizifjane…
Ah,dhimbjet e mia të gjalla!
Si hije të tejzgjatura…
GJUHË E TRUPIT FLET
Faj mbi kurriz
s’mbajte, peshë e rëndë,
e fshehtë,në ftohtësi
zemër e bodrumtë,
lidhur në detaj
lezuar me kode,
s’poshtet gjuhë e trupit
vorbull e kësaj bote.
Baticë e zbaticë
ardhje e tërheqje,
vrullshëm vërshon
vrullshëm zë e mblidhet,
tonet enden
poshtë e përpjetë,
të dhënat e trupit
që gjithnjë përgjigjen.
Merita Gjoni




























Leave a Reply