Zejnepe Alili -Rexhepi
Në Takimet poetike të Karadakut” – Kumanovë – 2015, poezia : “Poezi pa adresë” e autores Zejnepe Alili Rexhepi vlerësohet me çmimin e dytë “Fadil Bekteshi”.
Në Takimet poetike të Karadakut” – Kumanovë – 2015, poezia : “Poezi pa adresë” e autores Zejnepe Alili Rexhepi vlerësohet me çmimin e dytë “Fadil Bekteshi”.
Manifestimi poetik “Takimet Poetike të Karadakut” – Kumanovë, 2015 (edicioni i XXIII), u organizuar nga “Jehona e Karadakut”, me kryetar Sevdail Demirin. Ora e madhe letrare pati poetë të ftuar nga të gjitha trevat mbarëshqiptare.
Juria e përbërë nga:
Bejtush Memeti
Nexhat Rexha
Mumin Zeqiri
ndau çmimet poetike “Fadil Bekteshi”, për nder të themeluesit të këtij Klubi krijuesish.
Çmimi – I, Sabit Rrustemi (Kosovë)
Çmimi – II, Zejnepe Alili – Rexhepi (Tetovë)
Çmimi – III, Rozeta Kreste (Shqipëri) dhe Burhanedin Xhemaili (Kumanovë).
Poezia fituese e Çmimit të dytë letrar:
Poezi pa adresë
Muzgu sapo hedh velencën e plogështisë
mbi këtë qytet, shkujdesshëm zbret
trishtimi…
Dhe retë lëshohen ngadalë
mbi statujat e idealit të vetmisë
ritmi i lodhur ia ngulfat dihatjet,
shpirtin ia gërvisht mosdurimi.
Jeta rënduar frymon…
Idealistët humbën në frone të pabarabarta dijesh.
Imazhi të zhvishet ditë për ditë, nga të paudhët
dhe perënditë…
Qyteti im, atraktive i ke veç lajmet dhe telenovelat,
për kulturë është harruar të flitet,
mos vallë u mësuam me epitetin popull i akulturuar?!
E ti nuk brengosesh nëse të ndyjnë imazhin.
Më gri se sa është, nuk bëhet…
E more dhe një tis mallkimi
nga shtëpitë e rrënuara prej argjili.
Ti ëndërro…
Se një ditë do të të kthehet pamja,
derisa blasfemitë shëtisin lirshëm.
Nisemi për sfida të reja, thua…!
Ç’të duhet lashtësia?!
Kalimtarët pështyjnë mbi imazhin tënd
dhe moralistët e selive partiake.
Qyteti im…
Mbi guralecët e rrugëve tua rurale, pa droje
shkel kalimtari i përditshëm dhe ai i rastit
veprojnë si t’ua dojë qejfi,
nëpër rrugët tua pa semaforë
as gjoba, as ndalesa…
Jemi anarkistë! – thonë, në vend anarkish
me gusto anarkiste…
Tani, merr frymë qyteti im,
po munde!?
Reblogged this on TREKËNDËSHI DIDAKTIK…shkolla fillore.