GJELI I ÇMENDUR / Tregim nga Fejzi Murati

GJELI I ÇMENDUR

 

 

Fejzi Murati

Tregim nga Fejzi Murati

 

 

Ne kishim mbi njëzet gjela e pula deti. Ime ëmë i rriste çdo vit me shumë mundime dhe në fund të vitit i shisnim për të fituar diçka dhe për të ngrohur buxhetin tonë përherë të varfër. Kur na vinte ndonjë mik, nëna bëntë- çbënte e therte ndonjë. Por këto kohët e fundit nuk kish denjuar të na nderonte kush me ardhjen e tij dhe ne kishim kohë pa ngrënë qoftë edhe një thelë mish. Një pasdite dhjetori, iu luta nënës që të na therte një gjel për vete.
-Uuu ! Qyqja! Pse, ç’të ka bërë gjeli që ta therim!? – u tall ajo.
-Na ka vajtur mendja për mish, pse mos t’ja këpusim kokën ndonjërit?
-Ja, mua po më ha buza dhe sikur na ka ardhur miku! – tha nëna.
-Po ne e therim edhe pa ndihmën e mikut ! – desha të bëja shaka unë, po ajo nuk ma vari më dhe iku duke qeshur:
-Pusho, zuzar !
E pashë që nuk kisha gjë në vijë dhe nuk e zgjata më bisedën.

* * *
Nuk kishin kaluar më shumë se tre ditë dhe biseda ime me nënën ishte harruar. Unë po vija nga puna dhe në oborr u ndesha me tufën e madhe të gjelave që hanin misër dhe luanin me njëri – tjetrin. Më shkoi mendja përsëri për të therur ndonjë, por isha i bindur që time ëmë nuk do e bindja dot, sado t’i lutesha. Befas më shkoi mendja tek një shejtanllëk. Nuk u mendova dy here. U futa në dhomën e babait dhe si mbusha me raki faqoren e tij që merrte gati njëqind mililitra, dola në oborr. U erdha njëherë rrotull gjelave dhe hodha shikimin nga fundi i kopështit, ku nëna po merrej me nxjerrjen e disa rrënjë preshi, duket për t’i gatuar për darkë. Gjelat, të mësuar me praninë e njerëzve, nuk kishin frikë fare që po futesha mes tyre. Njëri, më i bëshmi nga të tjerët, po shkrifërohej gjithë krenari, duke i ardhur rrotull një pule bukuroshe me pendë gri e të bardha. Pendët e tij të zeza ndrinin. Bishtin e kishte hapur si bisht palloi dhe lafsha i ishte skuqur si hunda e Hamit pijanecit. Ky më duket më i madhi nga të gjithë, thashë me vete dhe iu afrova ngadalë. E kapa, por ai qerrata deshi të më bëntë rezistencë. Atëherë, si e bëra zap mirë e mirë, i hapa gojën dhe fillova t’i derdh faqoren me raki drejt e në fyt. Në fillim nuk donte të kapërdihej dhe desh më dështoi plani, por desh zoti dhe filloi gëlltitjen. Si ia zbraza të gjithë rakinë, e lëshova. Gjeli, rrotulloi kokën nja dy a tri herë sa majtas- djathtas dhe iu morën këmbët. Ra, u ngrit dhe përsëri ra. Më kujtoi Hamit pijanecin, që sa herë bëhej sarahosh binte e ngrihej në çdo hap derisa vinte i baltosur e i dërrmuar në shtëpi. Kisha frikë mos ngordhte në cast dhe do më dilte sekreti. Po nuk kaloi shumë dhe gjeli im u tregua më trim e më i përmbajtur se pijaneci i lagjes sonë. U shkrifërua dhe ngriti gjithë krenari pendët. U habita, por u detyrova të iki brenda në shtëpi, se pashë nënën që po vinte nga kopshti me preshët në duar. Që brenda nga dritarja fillova të vrojtoja gjelin. Paskësh qënë pijanec i prapë dreqi!… Të gëlltisë njëqind mililitër raki e të mos i merren mendtë fare?! Le që ku kishte mend ai dreq! Koka e tij e vogël i kishte a si kishte tridhjetë gram tru. Por hamendësimet e mija dështuan. Gjeli filloi të hardallosej. Në fillim iu turr pulave dhe filloi ti kafshonte ku të mundte. Ato të lebetitura nga kjo marrosje e kapedanit të tyre u shpërndanë në të gjithë oborrin. Si e pa që nga pulat nuk kishte asnjë rivale, gjeli bëri të matej me gjelat e tjerë. Njëri syresh i bëri goxha rezistencë, por më në fund pranoi humbjen dhe iku i turpëruar andej nga shkuan shumica e pulave. Trimoshi im iu turr të dytit që gjeti përpara, por i shkoi mundimi kot. Gjeli paskësh takuar frikacak dhe nuk i dha mundësinë të tregonte trimërinë. Në këtë kohë nëna ime u mahnit dhe i ngelën preshët në duar, si të kishte një tufë lule për fitimtarin, por që nuk po vendoste dot se kur do t’ja dhuronte. Gjeli, si për të treguar se ishte ai që meritonte vëmendjen e të gjithë lagjes, iu turr një vajze tetë a nëntë vjeçarë që e lebetitur u fut në shtëpi. Pikërisht në atë kohë u dha në oborr im atë.
-Ç’është gjithë kjo zallamahi kështu, xhanëm? Çfarë po ndodh?
-Gjeli ! Është tërbuar. Po shqyen pula e fëmijë! – tha e tronditur plaka.
Ndërkohë, komshijtë që kishin dëgjuar rrëmujën dolën nga shtëpitë dhe filluan të bënin edhe shaka, por edhe supozonin gjithfarë idesh. Dikush tha se ishte sëmundje e rrezikshme dhe kishte rrezik të bënte kërdinë tek tërë pulat dhe kafshët e fshatit. Dikush thosh se kjo nuk ishte shenjë e mirë. Në fisin tonë do të ndodhte një fatkeqësi. Gjithfarë hamendësimesh u lëshuan nga fqinjët. Në ato çaste, im atë iu afrua gjelit që po sulmonte përsëri nja dy a tre gjela te tjerë. Mirpo gjeli trim duket e mori tim atë për ndonjë rival që do t’i rrëmbente pulat apo t’i nxirrte lavdinë nga duart dhe nuk u mat dy herë. Iu vërvit mbi kokë dhe desh i nxori sytë me thonj. Babai u shmang majtas dhe me sopatën e vogël që e mbante përherë në dorë, i dha një të goditur sa e plandosi përdhe gjysëm të ngordhur.
– Të lumtë dora Nasi ! – thirri një plak mbi të tetëdhjetat, që kish dalë të bënte sehir si të gjithë të tjerët. Gjeli po tundte i pafuqishëm njërën këmbë që kishte të lirë.
– E shikoni ? Po i bije këmbës!
– E,e ! Ters do të ndillte sikur të mos e kishje vrarë, o Nasi ! – tha një tjetër burrë.
– Qyqja, qyqja ! – ndukte faqet me duar nënë Ollga, një komshia jonë. – Kisha parë e nuk kisha parë, po gjel që të tërbohet nuk më kishin zënë sytë !
– Preji kokën ! – urdhëroi im atë nënën.
– Nasi, hap një gropë dhe fute sa më thellë se do ta nxjerrin qentë natën dhe na farmakosi të gjithë fshanë ! – tha tetëdhjetëvjeçari.
– Mirë e ka xha Ndrekua ! Varrose !
Tre a katër vetë e miratuan propozimin për ta futur në dhe gjelin që nëna ime sapo i preu kokën. Më iku mundimi kot , thashë me vete dhe duke u afruar si me kujdes i thashë babait:
– Nuk ka pse e fusim në dhe. Thërrasim Tolin dhe ai të vendosë. Vetëm veterineri mund të na thotë diçka ! – thashë me gjysëm zëri .
– Mirë e ka djali. – ndërhyri dikush. – Më mirë të vendosë veterineri, se mund të jetë ndonjë sëmundje dhe të paktën të vaksinojmë tërë shpendët.
Dikush e lajmëroi Tolin dhe ai u gjend sakaq mes nesh. Ia shpjeguan gjendjen. Ai, si u mendua pak, dha urdhër që gjeli të rripej se do ta operonte të shihte të brendshmet. Ashtu u bë. Për dhjetë minuta nëna ime e rropi gjelin. Kishe qejf ta shikoje në mes të sinisë së madhe. I zverdhte gusha dhe trupi nga dhjamët.
– Hajde gjel, hajde ! – bëri veterineri. I paske ushqyer mirë sivjet, nënë Fotini!
– I ushqeva, e varfra,i ushqeva, po ky na kalli datën !
– Me këtë pamje, nuk ma merr mendja se është i sëmurë ! –hodhi tezën e parë veterineri. Pastaj, urdhëroi që gjeli të futej në shtëpi sa të vinte e të merrte bisturinë në shtëpinë e tij, që nuk e kishte larg nga jona.
Kur erdhi veterineri, gjeli ishte ftohur. Ai nxori bisturinë dhe i çau në fillim gushën. Atë çast, në dhomë u përhap një erë e rëndë rakie dhe bërsish ulliri. Veterineri shtangu .
– Ky paska pirë rakinë e dynjasë ! – u habit dhe pa nga babai im. Plaku ngeli si i shushatur. Nuk po u besonte veshëve. Burra që pijnë raki kishte dëgjuar, bile kishte dëgjuar edhe për gra që pijnë raki, po gjel… jo, kurrë! Në atë kohë, unë pa dashur qesha.
Nëna pa nga unë dhe si duket iu kujtua që kisha kërkuar ta thernim një gjel.
– More zuzar, po ti e paske dehur gjelin me raki, ë !?
– Çfarë thua, moj plakë, çfarë thua !? I ka dhënë raki gjelit?- pyeti i çuditur im atë.
Unë dola shpejt nga kuzhina duke qeshur. Isha i sigurt se im atë nuk do të më fliste. Edhe atij ia kishte qejfi të pinte nga një gotë me një copë mish gjeli, por i bëhej barrikadë plaka.
– More qerrata, po ti paske lojtur theatro me të gjithë ne ? Hajde këtu, edepsëz, hajde! – më thirri babai me një fije buzëqeshje ironike.
Nga toni e kuptova që nuk do më shante. Dhe vërtetë nuk më shau.
-Mirë na i bëre se edhe mua më kishte vajtur në majë të hundës për një thelë kaposhi. Hajde plake, piqe! Rri edhe ti, o Toli, se ka për të gjithë sonte.
Nëna po më qortonte me sy, po m’u duk se ishin qortime të buta. Sytë e saj donin të ishin të rreptë, po nuk mundnin. Darka ishte vërtetë shumë e shijshme. Gjelin e gatoi nëna me përshesh, siç e kishim zakon nga anët tona. Babai, veterineri, xhaxhai im dhe unë, pimë raki deri vonë atë natë.
FEJZI MURATI

One thought on “GJELI I ÇMENDUR / Tregim nga Fejzi Murati

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s