Mes shtatori në Kosovë / Reportazh nga Bardhyl Selimi

Mes shtatori në Kosovë

 

 

br 1

Reportazh nga Bardhyl Selimi

 

 

Shkolla e mesme profesionale “Adem Gllavica” në Lipjan feston çdo 14 shtator Ditën e saj. Nuk mund të mungoja as këtë radhë. Bashkë me mua erdhën edhe im vëlla Arbeni, si dhe z. Ali Mustafa Agushi.

Si gjithnjë, miku ynë i nderuar. z. Behadin Rexhepi kish dalë me veturën e tij te Kthesa e Sllatinës apo hotel AVIANO, që më kujton bazën e NATO-s në Itali, nga ku u nisën avionët bombardues kundër ish Jugosllavisë milosheviçane,  në mënyrë që të arrinim në kohë në hapjen e ceremonisë.  Në hyrje të shkollës kishin dalë të na prisnin mësuesit e nxënësit, me në krye drejtorin e palodhur, z. Hajrush Stublla. Në sallën e madhe të mësuesve kishte shumë të ftuar, merrnin pjesë edhe autoritetet më të larta vendore, me në krye Kryetarin z. Imri Ahmeti. Ishin edhe kushërinjtë e mij, Rakipi, Shaipi, Faiku etj.

Pas përshëndetjes së drejtorit, z. Hajrush, ku ai përmendi që 1200 nxënësit studiojnë në 41 degë të ndryshme, asaj të  Kryetarit z. Imri dhe z. Ali Agushi, nip i Iljaz Agushit, ish z/v kryeministër i Shqipërisë së Bashkuar gjatë viteve 1941-1943, fola edhe unë. Midis të tjerash, theksova rëndësinë e shkollave profesionale sot, kur tregu i punës brenda e jashtë vendit kërkon specialistë të aftë, që mund të gjejnë punë edhe në Gjermani, por jo si azilantë. Fola edhe për rëndësinë e lëndës së matematikës, duke i siguruar nxënësit, që programi i shkollës së mesme është bazë edhe për universitetin, ku vetëm zgjerohet fusha e zbatimeve. Me këtë rast, i dhurova shkollës 10 kopje të librit të hartuar nga unë “Argëtohu dhe mëso me matematikë”.

Pas programit të shkurtër artistik, të pranishmit vizituan një ekspozitë tepër interesante me punime artistike të vetë nxënësve, nën drejtimin e mësueses Emine Rexhiqa. U bënë nderime dhe u vunë lule para bustit të Ademit, emrin e të cilit e ka shkolla. Komuna, me përfaqësues drejtorin për arsim z. Rasim Hasani, shtroi një drekë për të ftuarit nga Tirana dhe familjarët e Adem Gllavicës në restorantin e ri “Centrum”, ku vijuan bisedat e ndryshme.

  1. Ali, që vinte për herë të parë në Lipjan, pas 60 vitesh, u mahnit me ndryshimet pozitive që vërejti aty. Prishtina ime e vegjëlisë, tha ai, nuk i kishte këto rrugë e ndërtesa kaq të bukura!

Pasi takova edhe kushëririn tim, Nebiun, që punon me të birin në një zyrë avokatie dhe u interesova në postë, pasi karta ime VALA ishte dëmtuar në mënyrë të pandreqshme, duke më lënë pothuaj tërë ditën pa kontakte me miq të tjerë, shkuam në Prishtinë, për t’u takuar më z. Hydajet Hyseni, kryetar i Shoqatës së të Përndjekurve Politikë të Kosovës. Selia e Shoqatës ndodhej në ish ndërtesën e Akademisë së Shkencave, në një banesë karakteristike të vjetër prishtinase, fare pranë Xhamisë së Ҫarshisë, ndanë një rruge shumë dinamike. Pasi sodita me kërshëri mjediset e ndërtesës, u ndodha në verandën përdhese, ku na prisnin disa burra të nderuar e të moshuar që na i paraqiti z. Hydajet. Midis tyre ishte zotnia i urtë, Enveri, që banonte në ShBA, tepër i lodhur fizikisht por me mëndje të kthjellët, zotni Meriban Braha, z. Selatin Novosella, z. Ismail Gashi.

Unë ndjej kënaqësi kur bisedoj me njerëz të tillë idealistë që kanë kaluar nëpër kalvarin e burgjeve komuniste por edhe mësoj shumë prej thjeshtësisë dhe dijenive të tyre. Z. Hydajet na tregoi për punën  e Shoqatës, ndër të tjera, për rivlerësimin e figurave të martirëve shqiptarë të Kosovës në ish Jugosllavi, duke përmëndur që, vetëm gjatë viteve 1944-1945, janë vrarë e masakruar rreth 60 mijë vetë. Me këtë rast, hapa çështjen e të atit të Aliut, z. Mustafa Agushi, ish sekretar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe drejtues për mbrojtjen e Prefekturës së Prishtinës pas shtatorit 1944. Ai nuk e lëshoi Kosovën, por më 19 nëntor 1944, kur komunistët hynë në Prishtinë, atë e arrestuan dhe e pushkatuan pa gjyq, po atë ditë, në Tauk Bahçe, që u bë që atëhere fushë pushkatimi masiv. Z. Ali kërkon nga Shoqata ta ndihmojë që ai të pajiset të paktën me një dokument zyrtar ku i ati të figurojë si martir nacionalist. Si ai, këtë e kërkojnë qindra e mijëra familje të tjera anëmbanë Kosovës.

Hap pa s hapi, – vijoi të thotë z. Hydajet- ne do sigurojmë shpërblimin për vitet e burgut si dhe botimin e librave për ta, sikurse po veprohet edhe në Shqipëri.

Të pranishmit u njohën edhe me propozimin e bërë për ta nderuar figurën e prof. Ahmet Latif Gashit, autorit të Atllasit të parë gjeografik të Shqipërisë dhe të Hartës Etnike, duke emëruar sipas tij një gjimnaz aty pranë. Po ashtu, ata mbështetën propozimin e Shoqatës “Trojet e Arbrit” për ta shpallë At Nikollë Markun, kujdestar dhe meshtar i kishës së Shën Mërisë, brenda kalasë se Elbasanit,  “Qytetar Nderi” të Prishtinës.

Ndërkohë, bëmë një përçapje për një takim me Kryetarin e Prishtinës, me ndërmjetësinë e z. Albin Kurti, por, ndonëse pritëm edhe të nesërmen, nuk na thirrën. Në Komunë, sikurse  morëm vesh tërthorazi,  kishte shkuar një Lutje nga një grup mësuesish të gjimnazit në fjalë, me drejtim shoqëror,  që emri i tij të mbetet Sami Frashëri 2, nga që Sami Frashëri 1, tani me drejtim shkencor, ka fituar një emër të mirë…Një arsyetim ky krejt absurd që dëshmon për mosseriozitetin në punë të atyre arsimtarëve që duan t’i joshin prindët e nxënësve me emrin e shkollës, por jo me punën e tyre të kujdesshme.. Këtë ja thamë edhe drejtorit z. Ilmi Reçica, mikut tim të nderuar. Të shohim si do vendosë Komuna e mandej Ministria e Arsimit.

Nuk mund të mos e vizitonim, edhe këtë radhë, z. Adem Demaçi, që ka qenë i sëmurë që disa muaj. Në shtëpinë e djalit të tij, dr. Shqiptarit në rrugën “Xhelal Mitrovica”, sërish patëm rastin të pinim çaj e të bisedonim me ngrohtësi me z. Adem, të shoqen, Shqiptarin dhe bashkëshorten e Shqiptarit. Baca Adem, ndonëse ende në vështirësi për të artikuluar fjalët për shkak të ishemisë trunore që kaloi, vazhdonte të kishte një kujtesë të mirë. U turpërova vërtet para tij kur ma kujtoi çështjen e botimit në Esperanto të dy romaneve të tij, “Gjarprinjtë e gjakut” dhe “Nëna Shegë dhe pesë çikat”, që janë përkthyer që më shumë se një vit më parë. Miku im polak, z. Chmielik, që do kujdesej për këtë, ka qenë vërtet shumë sëmurë dhe rrjedhimisht i pamundur për ta ndjekë botimin.

Deri vonë në mbrëmje, z. Behadin ndenji me ne duke shpenzuar tërë kohën dhe sigurisht karburantin e makinës, krejt vullnetarisht. Ndonëse ai ka biznesin e vet, gjithnjë interesohet për arsimin, për historinë dhe përcjelljen e çdo veprimtarie me karaketer atdhetar, si rrallë kush tjetër, si në Kosovë edhe në Shqipëri. Këtë virtut ja vuri në dukje me mprehtësi edhe drejtori Hajrush Stublla i shkollës teknike të Lipjanit, i cili, nga e vet, ka dhënë gjithë këto vite ndihmesën e vet të paçmueshme për mbarëvajtjen e asaj shkolle.

Ne zumë vend në hotel “Parlamenti”, që gjendej pranë gjimnazit, me kushte shumë të mira. Në hollin e hotelit erdhi të na vizitojë një dhëndër yni, z. Ismet Bojujevci, që ka marrë mbesën tonë Dritë. Që të dy, prej dhjetëra vitesh, janë pjesëtarë të ansamblit artistik “Shota”, që aktualisht shërben si ambasador i kulturës shqiptare nëpër botë. Ky ansambël sapo qe kthyer me përshtypje shumë të mira nga Portugalia.

Të nesërmen, erdhi e na takoi z. Shefki Ukaj, gazetar i vjetër, ish korrespondent i gazetës së mirënjohur “Vjestnik” të Zagrebit dhe i agjensive të tjera. Shefkiu ka shërbyer edhe në Shqipëri në një periudhë tepër interesante, duke filluar nga viti 1990. Bashkëshortja e tij është historianja Sulltane Kojçini, e cila, para disa vitesh, zbuloi në Arkivën e Kosovës “Proklamatën e Adem Gllavicës” të fundverës 1945, ku demaskohej periudha dhjetëmujore e administrimit ushtarak jugosllav në Kosovë.

Tani z. Shefki po punon për të ndriçuar disa momente të rëndësishme të vitit 1991, që dëshmojnë për historinë më të re të Kosovës dhe të marrëdhënieve të saj me Shqipërinë dhe ish republikat jugosllave atëkohë. Për këtë ai po kërkon dëshmitarë okularë dhe aktorë të asaj periudhe edhe në Tiranë.

Bashke me Shefkiun shkuam ta vizitojmë Muzeun Etnografik të Kosovës që ishte vendosur në shtëpinë e madhe të Eminxhikëve, që u detyruan ta lëshojnë Kosovën në vitin 1957, pas Aksionit famëkeq të Armëve. Foto të kësaj shtëpie kisha parë, dy vite të kaluara, në librin monografik me fotografi të hartuar e përgatitur me aq kujdes nga zonja Sanie Gashi. U ndjeva shumë mirë në mjediset e kësaj shtëpie komplekse, për të cilën na tregonte aq bukur ciceronja Anduenë.

Një nga synimet tona, kësaj radhe, ishte edhe kërkimi nëpër arkivat e Gjendjes Civile të Prishtinës për ndonjë dokument të lindjes së nënës sime, Vezire, në qershorin 1922. Mjerisht, nuk mundëm të gjenim, hë për hë, ndonjë shënim. Atëhere regjistrimet bëheshin edhe pranë xhamive, por, gjatë kësaj periudhe mbi 90 vjet, shumë gjëra kanë humbur.

Në stacionin e autobuzave të Prishtinës takuam një nip të z. Ali, mjekun pediatër Arsim Qafdarbasha, punonjës në Ministrinë e Shëndetsisë, i cili nguli këmbë të na qeraste me një drekë me samune, qebabe, birrë e raki. Ishte shumë i këndëshëm në bisedë. Por edhe unë u gëzova që u bëra me një mik të ri si ai. Në fakt me shumë miq të rinj, si z. Nexhmedin Buja, Selatin Novosella, Rasim Hasani, Enver Visoka, , Ermira Xhemajli, Emine Rexhiqa etj.

 

 16 shtator 2015

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s