Poezi nga Teuta Sadiku

teuta Sadiku

Poezi nga Teuta Sadiku

 

 

***

 

dje kur hëna doli super hënë
e përflakur mes reve plumb
mu shfaqe ti Nënë ,
kulloje  e gjitha  mall e dhimbsuri.

Kishe kohë pa ardhur ,
Dje erdhe si për çudi mes reve
dhe mu ule në një cep të ëndrrës.
Nuk hyre brënda në shtëpi
vije vërdallë në avlli
shikoje gjoja lulet në saksi ,
por vështrimin e hidhje gjetkë, fshehurazi
mbi telat ku kisha nderur çarçafët e jetës me lule
ndërresat shumëngjyrshe të moshës së fëmijëve,
çorapet e dhimbjeve shtrënguar deri në gju me llastikë
mbulesat e halleve me kapsa plastike kapur

dhe të brendshmet  e problemeve

të shtëpisë.
.
Buzëqeshe dhe pëshpërite:
«Akull të pastërta i ke moj bijë«,

Nuk doje të hyje brenda në shtëpi,
ngurroje.
se diku me siguri ,do të zinte syri
pajën e nusërisë ,
mbledhur shuk pas dere ,
bërë pis….
Merak e kishe ,
edhe kur i mbylle sytë,
ma le porosi,
«Kujdes pajën e nusërisë
leronet e bardha shumë shpejt
po e hoqe nga sytë.«
Aty në të gdhirë
hëna e tëra u përgjak mes reve
plumbin e kishe marrë ti.

 

 

 

 

ZGJIMI

 

Ndihen hapat e mamasë në koridorin e kujtesës

ne fëmijët flemë të gjithë në shtratin e ëndrrës.

Me lutje na mbulon ngadalë

e në  majë të gishtave kuzhinës   i afrohet.

Nuk do të na zgjojë,

të rriten  edhe pak,thotë.

Nëpër gjumë ndjej të këndshmen aromë të drekës

shtruar  mbi pecetën e  bardhë   qëndisur  cepave me mollë.

Në qendër  që për së largu pjatela plot me dashuri dallohet.

(At` dhe ty

a të kujtohet si tundje kokën

e me vështrim na qortoje

kur  nuk e hanim tulin e bukës së ëmbël të nënës

me frikë se mos  shijonim më tepër kotheret e botës .)

Oh,si rrjedh nga sytë gëzimi ynë rreth  sofrës

e  mbi rroba pikohet.

Nëna  nuk na qorton ,

përkundrazi,lumturohet.

Pas buke hareja për frutet e punës  shijohet.

Buçet ujët nga çesma ,

ëndrra largohet.

Nuk ndihen më hapat e nënës.

Mes mjegullës  na dërgon rrezet e ngrohta  të diellit

Erdhi koha të zgjohemi.

Është dora e saj ,

ia njoh aromën.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s