Poezi nga MARIA MIRAGLIA
Thur për mua
Thur për mua
vargje dashurie
kur hëna thërret
shoqërueset e saj
për të zbukuruar
me perla të shndritshme
kupën e errët të qiellit.
Thur për mua
vargje dashurie
kur flladet ëmbëlsisht
përkundin majat e pemëve
në ekzekutim serenadash romantike.
Shkruaj për mua
fjalë dashurie
kur valët
ndjekin njëra-tjetrën
si fëmijë të hareshëm
dhe
në vezullimet e para të agimit
u pëshpërisin trumcakëve dhe harabelave
vargjet e tua më të bukura
për dashurinë.
Si lajmëtarë do të vijnë
pranë dritares sime
dhe në çuçuritje këngësh
do t’më flasin për ty.
Mblidh për mua
fjalët më të ëmbla të dashurisë
kur vesa e mëngjesit
zgjon ëmbëlsisht
me prekjen e saj të lehtë
lulet ende të përgjumura
nëpër fushat e pafundme.
… dhe vazhdo të shkruash për mua
fjalë dashurie
kur qielli në horizont
në pafundësinë e vet
shtrëngon puthjet e diellit.
Përktheu: Albana Alia
My deep thanks Albania Alia for the beautiful transition.