Një tregim për Mihal Ilia Dilon, një nga pionierët e veterinarisë shqiptare. / Nga : Eftali Gjini Dilo

Një tregim për Mihal Ilia Dilon, një nga pionierët e veterinarisë  shqiptare.

 

 

eftali

Nga : Eftali Gjini Dilo

 

Ishin ditët e fundit të qershorti, 1975. Vapa kishte shtërnguar. Rrallë herë në Sheper njeriu e ndjen atë në ditët e para të stinës së verës. Shtëpia e Mihal Dilos  është e freskë; atje, rrëzë Kokojkës, e rrethuar nga hijet e mollëve, është vështirë të kuptosh se pranvera ia ka lënë vendin verës. Dhjetra metra larg shtëpisë shtrihet Moçali, një kopshtore e bukur, mbuluar nga një qilim i gjelbërt dhe stolisur nga duart e arta të Xhaxhit (kështu e thërrasin të gjithë fëmijët). Ulur rrëzë një molle, kurora e së cilës bën një hije të këndshme, s’ngopem së pari bukuritë e natyrës që më rrethon. Bimët e shëndetshme të jonxhës përkulen nga era e freskët e pasditës e të duket sikur përshëndeten midis tyre. Krijohet kështu një det i gjelbërt me dallgë të vogla, të vogla fare, që përkëdhelin njëratjetrën; fërfëshima e tyre përzihet me ato të gjetheve të pemëvet që të duken se kanë marrë gjallëri të veçantë nga melodia magjepëse e këngës së zogjve të panumërt që bredhin nga dega më degë. Nga larg dëgjohet shushurima e ujit që rrjedh nga pellgu e shkon poshtë të vaditë kopshtrat që shtrihen nën moçal dhe gratë shamizeza zagorite me çapë në dorë, e shpërndajnë rrënjë më rrënjë të perimeve të mbjella me aq mund e kujde. Mua më është bërë zakon t’I mbaj ditar vogëlushes sime; përkulem me kënaqësi në fletore dhe shkruaj rrjeshtat e para të një përralle që ia kam premtuar. Dëgjoj  melodinë e një kënge të vjetër korçare. E kuptoj menjëherë që aty pranë është Xhaxhi. Ai di ta shoqërojë punën me këngë; edhe mërzitjen me këngë e kalon.  Kur e lë punën, më afrohet e më thotë: ”Rri, rri, të lutem, mos e prish hiç terezinë tënde.”  Pastaj, si me shaka shton:

-Kur do t’i shkruash kujtimet dhe hidhërimet e jetës sime? Dëgjo, të m’i shkruash! – dhe ikën të më lërë vetëm.

-Mos ki merak, i përgjigjem unë; kur të dal në pension, do të vij një dimër këtu dhe do t’I qëndis mirë.

***

Xhaxhi nuk priti; vuajtjet shpirtërore si ato tufanet e tërbuara të dimrit në Sheper, e shkulën dhe atë lis të fuqishëm. Shumë vite kanë kaluar që atëhere, po ai vazhdon të qëndrojë i gjallë në kujtesën time, ashtu gojëmjaltë, i mençur, trim, me një shpirt sakrifice të veçantë, i guximshëm, me kurajo të rrallë për të përballuar çdo vështirësi e dhembje, bujar e shpirtmirë që zor se ia gjeje shokun.

 

14269883_1703552876630531_523559039_n-1

Mihal Ilia Dilo

 

Për fat të mirë, ditarin e kam me plot shënime nga jeta e tij, nga muajt e verës kur shtëpia në Sheper gjallërohej; vinin të gjithë të kalonin pushimet pranë prindërvet të tyre, të ndanin me ta gëzimet e shqetësimet. Atë periudhë xhaxhi ndjehej krejt ndryshe. Me gjithë vitet që i rëndonin mbi supe, ai s’përtonte të argëtonte e të gëzonte mbesat e tij të vogla, Eldën dhe Anilën, të ngrihej në valle, të këndonte bashkë me to, t’u plotësonte çdo dëshirë; nuk mërzitej me çapkënllëqet e tyre fëminore edhe kur ato e tepëronin; përkundrazi, e bënin të harronte hallet e jetës. Kur ndodhej në pemtoren e tij, ç’kënaqësi ndjente kur vogëlushat i binin çingon e vogël me ujët e ftohtë të Llagaturatit. Ku ka si Sheperi, më thoshte; të zgjon në mëngjes kënga e ëmbël e bilbilave, të ngopen mushkëritë me ajrin e pastër, të kënaq shpirtin aroma e këndshme e trëndelinës dhe e lulevet të tjera të malit, por mbi të gjitha ujët e Llagaturatit dhe, si për të vërtetuar këtë, sillte ndërmend vitet e shkollës bujqësore në Lushnjë; i sëmurë nga malaria, i thahej goja për një gotë ujë të ftohtë; ëndërronte Llagaturatin. E donte Sheperin dhe sheperiotët; u shërbeu jo vetëm si veterinar, por edhe si mjek kur mjek nuk kishte. Ngrihej në mes të natës për të shpëtuar jetën e një fëmije të sëmurë, vinte veten në rrezik për të ndihmuar dhe ata që vuanin nga sëmundje të rënda ngjitëse.

Një ditë e gjeta në dhomë duke lexuar librin e Bilal Golemit.

– E ke njojtur personalisht? –e pyeta unë. Vuri buzën në gaz dhe m’u                                           përgjegj:

– Kam punuar me Bilalin shumë kohë; e kam patur me të vërtetë mik. Sytë i rrezatuan një dritë të veçantë kur nisi të tregonte për jetën dhe aftësitë e rralla intelektuale  të tij. Shkencëtar të tillë s’kishte nxjerrë dhe zor se do të nxjerrë Shqipëria. Kur i tregoja Bilalit për përbuzjen e veterinerit italian ndaj shqiptarëvet, ai m’u përgjegj gjithë indinjatë. “Nuk po i mjafton që i rrjep shqiptarët e shkretë!“ -dhe si me shaka shtonte: “Mor Mihal, kur ngjitesh atyre shtigjevet a nuk i jep një të shtyrë e çë more, i shkau këmba mushkës.. ç’ke ti, ke Bilalin në Tiranë…” Këto kujtime e bënin të qeshte, pastaj vazhdonte të tregonte ç’patriot i madh ishte Bilal Golemi.

“Sa here vinte në Fier, mbledhjet e fshehta  për organizimin e kryengritjes, i bënte në zyrën time. Unë s’isha antizogist, po Bilali ishte miku im dhe duhet ta ruaja. Pas dështimit të Kryengritjes së Fierit, 1935, e dënuan me pushkatim, po Zogu, që e dinte ç’personalitet shkencor qe Bilal Golemi, e ndërroi dënimin nga pushkatim në dëbim nga Shqipëria.

Mbaj mend kur i shkova në burg ato ditë. E gjeta ulur në një kënd të shtratit të tij të drunjtë; dukej i menduar dhe i pikëlluar. Sytë që s’e kishin humbur gjallërinë dhe shkëlqimin e tyre, ishin drejtuar nga dritarja e vogël që i fuste me aqë  kursim rrezet e diellit. Ishte i thelluar në mendime e kujtime dhe as që e dëgjoi hapjen e derës apo ndoshta s’deshte të kthente kokën për të mos

shkëmbyer vështrimin me gardianin, të vetmin vizitor të qelisë së tij. Kur më pa, m’u hodh në qafë: “Po ku je, mor Mihal!” Dy lot rrëshqitën nga sytë e tij dhe foli i ngashëryer: “Më mirë të më kishte lënë këtu në burg se sa i lirë e larg atdheut.” Po ashtu me ngashërim më pa, kur i dhashë lekët që kisha grumbulluar. Me një pjesë të rogës sime dhe të shokëvet plotësuam rogat e papaguara të tij që nga dita e arrestimit.

Ndjenja për njeri tjetrin, solidariteti, ishte shumë e madhe midis gjithë veterinerëvet.

Nuk mund t’i harroj kurrë përpjekjet e Dr. Vasfi Samimit, që të më rregullonte një vend pune pas pushimit tim më 1953. “Turp për ne – i thoshte një shoku tonë veteriner në Durrës –të mos rregullojmë Mihalin. Kush vuajti ndërmarrjevet blegtorale! Do të vijë dita të kemi ne nevojë për ndihmën e tij.”

Pastaj ngrihet nga vendi:

-I shikon këto libra dhe fletore me shënime, më thotë; janë një pjesë e atyre që shpëtova nga diegia, Është eksperienca e aq specialistëvet veterinerë: Vetëm ato si u luftuan sëmundjet në vitet 20-të, kur në Shqipëri nuk njihej shërbimi veteriner, bëjnë një libër më vete. Sa mënyra mjekimi ka atje që mund të vlejnë! Jo çdo gjë e re, është e re. E ç’e do, gjithë ajo përvojë dëm do të shkojë! Mos lejuan ndonjë nga fëmijët e mi të studionte për veteriner! Them nganjëherë t’ia fal shkollës së Nivanit, por jam i sigurtë se kanë për t’i zhdukur, se janë “libra reaksionari”, përpiqet të buzëqeshë me zor. Donte dhe agronom Abadin Çiçi të më dhuronte libra nga biblioteka e tij në Tiranë. Kur erdhi këtu, pa Kokojkën, llojet e shumta të qershive, të mollëvet e të pemëvet të tjera, mënyrat e mbjelljes, varietetet e reja të krijuara me aqë durim e pasion, më tha  i entuziazmuar: “Po si e paske bërë gjithë këtë punë, gjithë këtë pemtore kaq të bukur! S’ma merrte mendja se mund të gjeja në Sheper një vepër të tillë arti! Kujtoi se isha agronom dhe donte ta plotësonte bibliotekën time me një sërë revistash të reja, prandaj më porositi ta vizitoja kur të vija në Tiranë. Unë në Tiranë nuk shkova, po nga Gjirokastra erdhën me kamion të merrnin fidanë e shartesa për  fermën e atjeshme. Kisha shumë dëshirë t’u jepja nga të gjitha, po duheshin disa ditë punë që të përgatiteshin. Si u mbush java, erdhën përsëri dhe morën ç’u duhej.

Pas një pauze, më çon nga fundi i vitevet  ’20.  Më emëruan veteriner të prefekturës së Gjirokastrës. Pata përsëri fat të punoja me një profesor universiteti, një veteriner shumë i aftë; shpesh na duhej të vinim dhe në Vlorë e Korçë. Ai merrte 100 napolona flori në muaj. Një rogë që s’e mirrte njeri në Shqipëri. Roga ime kapte 14-15 napolona në muaj, po një rogë e mirë, shumë e mirë, se leku kishte vlerë të madhe. Nuk më bënte përshtypje roga se s’kemi qenë të dhënë pas grumbullimit të parasë, po përfitoja shumë prej italianit. Ishte nga ata specialistë që s’ta japin zanatin, po më duket se s’i lashë sekret pa ia vjedhur.

Një herë me të,  na duhej të shkonim në zonën e Veriut. Bëmë një pjesë të rrugës me avion, pastaj me makinë, pastaj ca me kafshë e ca me këmbë kapërcyem ato monopate të vështira që vetëm dhitë mund t’i ngjitnin pa u ankuar. Mbritëm në fshat në perëndim të diellit. Natyra ishte sa e egër dhe e bukur, në këmbë të fshatit gjarpëronte një lumë me ujë të pastër e të kristaltë, po aqë të ftohtë sa s’guxoje të freskoje këmbët e enjtura nga lodhja. Në të dyja anët e tij, syri s’ngopej së sodituri atë gjelbërim të rrallë. Shtëpitë, me orë larg njëra-tjetrës. Ashtu të lodhur siç ishim, shoqëruesi na çoi të kalonim natën në shtëpinë më të afërt. Mos e pyet ç’na shtruan për të fjetur, për jastëk një trung druri dhe në vend të dyshekut një shtresë fieri. Doktori italian, ashtu i raskapitur siç ishte, iku në gjumë me t’u shtrirë, ndërsa mua nuk më mbylleshin sytë; isha i shqetësuar; sikur të kujtonin që çantat mbushur me ilaçe, ishin me flori! Me të vërtetë, parandjenja nuk më gaboi, pasi kaloi mesnata , e zonja e shtëpisë, një malësore sa e gjatë dhe e ashpër, që gjoja kujdesej të mbante gjallë zjarrin që bubullonte, i pëshpëriti të shoqit: “A nuk i vrasim, besën s’ua kena dhënë.” Një të rënqethur më kaloi në trup, por aty për aty e mblodha veten, lëviza dhe u kolla, gruaja e befasuar tha : “Qenkan njerëz të perëndisë; dhe në gjumë dëgjokan.”

Sa e sa herë kisha kaluar në rreziqe të papritura.

Në një fshat të Labërisë ku kisha shkuar për të vaksinuar, më rastisi të kthehem në një shtëpi që gratë i kishte zënë zgjebja.

-Të marrsha të keqen, o doktor –  më thotë i zoti i shtëpisë, m’u bëj derman grave se i griu kroma.

– Po si, i them, i shëroj unë, veç të bëjnë ç’t’u them…

– Bëj ç’të duash, më thotë, unë po nisem për Gjirokastër

Pasi i porosita gratë të vinin në zjarr një kazan me ujë dhe iu dhashë ilaçin që të lyheshin, u futa në dhomën tjetër e që andej u jepja udhëzimet me zë të lartë.

Kishte kaluar një javë, kur një ditë tek isha ulur në zyrën time në Gjirokastër, i zhytur në leximin e disa shkresave, as e dëgjova trokitjen e derës, veç kur dëgjova zërin shkëmb: “Njatjeta, or mik, si të kam?” Ngre kokën, më del para syve labi mirënjohës që kishte hedhur në qafë një qengj të madh.

-“Na, më tha, e ke hallall; njeri më të ndershëm se ty s’kam parë, mos kujto se u largova nga shtëpia; unë po të përgjoja. Dhe, ashtu me buzëqeshje, me atë buzëqeshje  që vret, shtoi : “Ama, sikur të ma keshe me të pabesë, trutë në erë do t’i hidhja”:

E falenderova për qengjin që dukej si dash, por s’ia pranova, ta çosh në shtëpi, ta hanë fëmijët, unë s’kam nevojë për dhurata, por për miq të mirë.

Ishin ditë të vështira, fshatarët të pashkollë, duhej të rrezikoje vehten t’i bindje të bënin vaksinimin e bagëtive, vazhdon të tregojë. Në rrethin e Vlorës kishte rënë sëmundja e plasjes, një sëmundje shumë e rrezikshme. U them që duhet të bëjmë vaksinimin e bagëtive, por i sqarova që një pjesë e bagëtive që mund të kenë marrë mikrobin, do t’u shpejtohet ngordhja, por ama do të shpëtojmë pjesën tjetër që, po të mos vaksinohen, e kanë ngordhjen të sigurtë.

E dija që po lozja me zjarrin, prandaj, megjithëse mora miratimin e vendasvet, njoftova ministrinë dhe mora me shkrim autorizimin e saj.

Kaluan disa ditë dhe parashikimi doli, ngordhën mjaft krerë. Vlonjatët e kthyen fletën, filluan të më akuzojnë në shtyp si shkaktarin e humbjevet; heshta, s’hyra në replikë me shtypin; qe ndërhyrja e ministrisë që më nxori nga situata.

Punoja si veteriner në Durrës; kontrolloja dhe thertoren. I gjeta mishrat të infektuara dhe urdhërova të mos shiteshin. Pronar qe një tregëtar i madh; në fillim me të keq, me kërcënime, pastaj me të mirë, donte të ndryshoja mendiminin. Humbiste shumë. Qe i lidhur me njerëz të politikës në Tiranë, s’donte të përfillte vendimin. Më në fund, solli nga ministria një ekip, po s’ia doli mbanë me “kaurin” Sot vuajmë nga lufta e klasës, atëhere kishte dallime mysliman i krishter.

Sa herë rrezikohej jeta ime dhe e shokëvet të mi. Nuk e harroj kur ra plasja në dhentë e Poliçanit dhe fshatarët kishin thirrur priftin të bekonte, t’u largonte të ligat. Kur shkoj atje, ç’të shikoj; një grup fshatarësh piqnin në hell një dash që kishte qenë sëmurë. Mezi i binda të mos e hanin, e groposën dashin, shpëtuan fshatarët, por, dyshova, gjatë kontrollit do të isha infektuar vete. Shpejtova për Gjirokastër, zgjova doktor Kalivopullin dhe shkuam në spital e më shpëtoi jetën.

 

Në vjetët e fundit të jetës së tij, e kalonte kohën më shumë duke lexuar gazetën, herë ndonjë libër, më rrallë dilte jashtë të vështronte pemët, t’i krasiste e t’i shartonte. Gëzohej me frytet e punës së tij, shikonte mollën që kishte pranë dritares së dhomës së gjumit tek madhoheshin kokrrat e gjashtë variteteve në të njëjtën rrënjë; e kishte aqë pasion frutikulturën, saqë nga një herë harroje që ishte veteriner, veç të kujtonte zëri i ndonjë sheperioteje a sheperioti që bërtiste nga porta e oborrit, që vinte t’i lutej t’i shpëtonte kafshën e sëmurë dhe ai që s’dinte të thoshte kurrë jo, nuk lejonte të largohej njeri  i pakënaqur.

Dhe nuk vinin vetëm nga Sheperi, po nga e gjithë zona. Kishte aftësi të rralla si mjek veteriner. Ishte kjo arsyeja që i famshmi Bilal Golemi e zgjodhi si bashkëpunëtor të tij. Jam me fat të madh i kishte thënë dr. Vavakua që bëra praktikën tek ty;  mësova gjëra që nuk i kisha dëgjuar në leksione në universitet.

Por xhaxhi, veç aftësisë si veteriner, kishte dhe një cilësi të rrallë, bujarinë; jo vetëm që s’pranonte ta paguanin, por i mjekonte kafshët me ilaçet e tij. Jeta ka një cak…”

Ishte7 marsi 1987 dita kur ai u nda nga ne.

Një dimër i paparë që s’donte t’ia linte vendin pranverës,

që s’e kurseu acarin e gjithë egërsinë e tij.

 

Hodha në letër një pjesë të kujtimeve që më kanë lënë më shumë mbresë. Edhe tani i përjetoj. I shkrova pa i zbukuruar, ashtu siç i kam dëgjuar nga goja e tij.

Për një gjë jam e sigurtë: njerëz me karakter të tillë, mbeten një shembull i mirë, një shembull për t’u respektuar e adhuruar!

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s