PËRMASA E HYJNORES – HYJNIMIT TË NËNËS TEREZE / Nga : Prof. Anton Nikë Berisha

 

PËRMASA E HYJNORES – HYJNIMIT TË NËNËS TEREZE

 

 

anton-berisha-840x420

Nga : Prof. Anton Nikë Berisha

(Universiteti i Kalabrisë)

 

(Përmbledhje e shkurtër)

 

 

Në kumtesë vështrohet çështja e hyjnores – hyjnimit të Nënës Tereze, e cila nga mosha e re iu përkushtua Zotit, dashurisë së tij me gjithë qenien e saj me qëllim që, po me atë dashuri, t’i donte njerëzit dhe të kujdesej për ta. Ajo ishte e bindur se Hyji është krijues i njeriut dhe i çdo qenieje dhe se jeta njerëzore në qenësi “është vetë jeta e Zotit në ne”. Qysh në moshën e re ajo ishte e bindur se Hyji na ka dhënë “shpirtin e virtytit, të dashurisë e të urtisë” (2Tim 1, 7).

Thirrjen e parë të Hyjit Nëna Tereze e përjetoi më 15 gusht 1922 në Kishën e Letnicës në Kosovë, në moshën dymbëdhjetë vjeçare, ndërsa të dytën më 10 shtator 1946, duke udhëtuar me tren nga Kalkuta për në Darjeeling rrëzë Himalajeve.

Mbas thirrjes së dytë Nëna Tereze u cilësua dhe me përmasë hyjnore. Në të vërtetë, thirrja e dytë e njëson atë krejtësisht me Hyjin, prandaj tek ajo bashkëpunëtoret dhe bashkëpunëtorët vërenin “një praní të dritës” së Hyjit që kishte dhe rrezatonte. Pas kësaj date dhe veprimet dhe mendimet e saj marrin përmasën hyjnore: drejtohen prej hirit dhe dritës së Hyjit. Pra, Nëna vihet krejtësisht në duart e Tij që Ai të udhëheqë me të, siç del dhe nga letra e saj dërguar priftit, Van Exem-it: “I thuaj (kryeipeshkvit të Kalkutës, F. Périer – v. ime) se nuk dëshiroj asgjë tjetër pos ta përfill e ta përmbush vullnetin e shenjtë të Zotit. Tash s’kam frikë. I vihem Zotit krejtësisht në duar. Ai mund të veprojë me mua si të dojë”.

 

nene Tereza

Nënë Tereza

 

Njësimin e Nënës Tereze me hirin e Hyjit e vërejtën – e përjetuan jo vetëm bashkëpunëtoret dhe bashkëpunëtorët e saj, po dhe njerëzit e zakonshëm që e takuan, qoftë dhe një herë të vetme për arsye se takimi me të përjetohej si një takim me dritën e Hyjit.

Shumë prej atyre që e njohën për së afërmi, e quajtën atë “Ungjilli i gjallë”, ndërsa ajo e pati shpallur veten “Shërbëtorja vullnetare e vullnesës së Zotit”. Për përmasën sa njerëzore aq dhe hyjnore na bën të ditur vetë ajo: “Jam vetëm një grua e varfër që lutet. Duke u lutur, Zoti më ka mbushur zemrën me dashuri dhe kështu kam mundur t’i dua të varfrit me dashurinë e Hyjit”.

Nëna kërkoi dritën e Hyjit dhe njësimin me Të që t’u ndihmojë të tjerëve: “O Zot, shkëlqen mbi të tjerët nëpërmjet meje. Shkëlqe nëpërmjet meje e qëndro në mua në mënyrë që çdo shpirt që takohet me mua të mund të ndjerë se je i pranishëm në shpirtin tim”. Pra, Hyji i dhuroi Nënës Tereze përmasën hyjnore jo që ta mbante për vete, por që ta barte tek të tjerët dhe për t’i shenjtëruar ata; njerëzit e shenjtëruar, kushdo dhe kudo qofshin, mundësojnë shenjtërimin e jetës së njeriut e të botës në mënyrë që gjithçka të bëhet e shenjtë: “Gjithçka përligjet me të mirë për ata që e duan Zotin” (Rm 8, 28).

Duke e ndjerë praninë e Zotit brenda saj dhe duke e rrezatuar dashurinë dhe dritën e Tij, njerëzit mblidheshin rreth saj, jo vetëm për ta takuar, po edhe për të marrë (pranuar) një pjesë të asaj që kishte ajo, siç thotë Joseph Langford: “Të dukej se Nëna Tereze banonte në një mbretëri tjetër, një vend plot e përplot me Zot dhe e kredhur në paqe. Duke e ndjerë pranin e Zotit brenda saj, njerëzit mblidheshin rreth saj kudo që shkonte, jo aq sa për ta takuar një (grua) të famshme, por për ta pranuar një pjesë të asaj mirësie dhe të asaj dashurie që buronte nga ajo”.

 

Prishtinë, më 20 gusht 2010

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s