UNË DHE QIELLI / Prozë poetike nga Vjollca Tiku Pasku

Vjollca Tiku Pasku[1]

Prozë poetike nga Vjollca Tiku Pasku

 

 

UNË DHE QIELLI

Ti je për mua ajri i kaltër që më pushton, më tërheq drejtë vetes. Shpesh mbështillesh me një vel misterioz, ku unë nuk të lexoj dot. Qaj, sepse më dukesh një i dashur enigmatik, që më mbyll ëndrrat. Ti merr lotët e mi, e më formon një engjëll. Më zgjat krahët, më mrekullon me dashurinë blu…dhe unë fluturoj në ajrin transparent të mushkërisë tënde të madhe. Më puth, më pushton në çdo centimetër të trupit, më mban pezull dhe më tregon kush ta lëndoi zemrën…. Sa herë ke fiksuar njerëzit me trupa hallakatur, të thyer prej bombave dhe tymit të zi, ku janë mbytur pëllumbat e bardhë… Sa herë në refleksin tënd ujor, trupa refugjatësh të heshtur, mavi, kanë dridhur rërën e frikësuar… Orët në ditët, ndaluan pulsimin prej luftës së mallkuar. Vetëm ti, qielli im, ke mbushur barkun me tmerret e tyre dhe thur një fustan të zi, që ia vesh erës dhe ajo ulërin. Fryma e vdekjes ndaloi në jetët e shkurtuara dhe zgjoi emra që njerëzimi të reagojë. Ti u ndërtove atyre shtëpinë yjore, që shpirtrat e tyre të banojnë në të. Dhimbja fluturon nga sytë e mi dhe ti gëric një copë nga shamia e reve për ta mbyllur aty… Atje tej, një trup shtatzënë la frymën mbi tokë. Fryma luti të gjitha qeniet tokësore, që esenca e jetës të vazhdonte. Nga ato lutje, akullnajat u shkrinë në vaj , zemrat njerëzore u drodhën, vet vdekja thirri jetën me rrjedhat e qumështit. Oh, vogëlushi doli nga barku i vdekur i të ëmës, qau në duart e zemërmirëve që e shpëtuan, dhe ëndrrat e tij u hapën. Njerëzit djaj kanë pushtuar tokën. Sa të ashtuquajtur njerëz veshur me pisin e zi të errësirës së verbër, heqin shpirtin nga trupi i tyre dhe ua dorëzojnë mostrave të ferrit të ngjitura në tokë. Egërsia e shpërthyer në tokë, ka destinacion lëndimin, vdekjen. Më pas, në këtë ceremoni vaji, shpirtrat sëmuren dhe një pjesë e ekzistencës së tyre pushon… Sot qielli im, dashuria ime numëruam lotët e njeri tjetrit… Unë jam një grimcë dhe mund mbytem në lotin tënd. Por ti më tërheq drejtë zemrës tënde , thellë, atje ku lindi krijimi, atje ku ndodhen thesaret më të mëdha të botëve, ku çdo njeri e merr pajë në tokë. Unë nuk jam vetëm, të kam ty, që je kaq i pasur dhe më lidh me platformën e jetës. Për të ndalur trishtimin që më bluan, ti i dashuri im, më bën një dhuratë, më puth direkt në zemër. Çdo rrahje imja, ka mendimin tënd. Më dhe një nga çelësat e portës së engjëjve. Jam një pelegrine e jetës, që dua të këndoj fytyrën tënde me pamje dashurie. Më pas më hipën  në një varkë të kaltër, duke pasur timonier një yll. Të gjitha ëndrrat e bukura formoheshin në yllin e parë të mbrëmjes, që vezullon deri në agim, për të ndriçuar mbarë botën. Që aty zbresin në tokë, buqetat e ndjenjave, aromat e mallit, meloditë e erërave, të cilat si një rrjedhë pandërprerë uji, pëshpëritin në vesh fjalët e agimit, që presin zemrat e dashuruara…Oh, gjithçka që zbret nga qielli është qelibar. Shumë ëndrra nxitohen të zgjedhin një shpirt njerëzor, e fiken vetvetiu, disa të tjera ngelen duke u endur lartësive, ….disa me fije ari, zgjedhin shpirtrat të bëhen origjinale…Dhe ti, qiell i dashur, me fijen tënde të kaltër më zbret mua përsëri në tokë, veshur me një ëndërr për këtë botë. Ah!..

Vjollca Tiku Pasku.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s