Tri analogji për zgjedhjet / Nga: Përparim Hysi

Tri   analogji për zgjedhjet

 

 

Perparim hysi

Nga: Përparim   Hysi

 

Që në fillim, dua t’ju bëj të  njohur me statusin tim. Nuk jam politikan, por si qytetar kam bindjen time politike. Jam i djathtë dhe “karrriera ime si djathtist” ka shkuar deri tek kandidimi im për deputet për PD në zgjedhjet e para plurariste. Nuk fitova dhe u munda nga një  socialist që, ende, nuk kish firmosur në bordero. Nuk kish firmosur ai, por babai ishte kuadër me “vlerë” në piramidën partiako-shtetërore të kohës. Pra u provua që nuk kisha “mizurën” për poltikan dhe,edhe si kryetar pushteti pluralist nuk pata sukses, dhashë dorëheqje dhe dola njëherë  e mirë nga politika.

Por kjo nuk do të thotë që”vegjetoj” dhe nuk përjetoj në gjithë dinamikën e jetës në vend. E përjetoj këtë atmosferë që ndizet  e merr zjarr nga politikanë profanë dhe inatçorë. Sherrin e kanë në majë të hundës dhe, sikur të mos ekzistonte, zënë e shpikin. Nuk ndodh vetëm me njërin, por en-bloc. Harrojnë që kështu zënë e stresojnë një popull të tërë.

Rrëfenjat që po sjell, janë veç përjetime të miat dhe, tek  i sjell për lexuesitt, them që fare lehtë mund të lexojnë atë që dua  të them.

 

*      *     *

Kam qenë “letraxhi” i thekur. Kaq pasion e kisha lojën me to, sa cilindo mik timin që aso kohe kishte fatin të dilte jashtë shtetit, të vetmen kërkesë që i bëja, ishte të më  sillte një palë letra. Qeshë bërë gati profesionist në lojën me to dhe, tek mundja kundërshtarë me radhë, e shpalla veten “Mjeshtër”. Po si nuk isha i tillë, kur me këdo fitoja?!!! Shkoj kjo “mjeshtëria” deri sa një ditë prej ditësh, hasa në një “hundëlesh”. Qe një plak aso kohe,që diellin e kish parë shumë kohë para meje. Ky,”hundëleshi”, pasi ma bëri kapërdisjen copë, qe dhe bilbilgjyzar nga goja: “… kur unë i thosha, prit dhe një”dorë”,as që mërzitej fare, por dha e dha, dhe e zbrazi:  “Ujku ishte duke e mbaruar gomarin së ngrëni, dhe,”gomari” thoshte:- Ishalla jam në ëndërr!!!

*      *      *

Edhe loja e shahut ka qenë pasioni im. Shahu është e vetmja lojë në botë që kundërshtari nuk ka se si të  bën hile. Nëse fiton apo humb, merita dhe faji është yti. Me shahun unë harroja të kthehesha në shtëpi dhe bukuria qëndronte se shahu nuk shihej  nga “normat e asaj kohe” me syrin që shiheshin letrat apo siç e përgjithësonin me të padrejtë: po lozin kumar!

Me shahun nuk është se hasa në”hundëlesh”, por njoha një njeri të zgjuar e dinak që nuk pranonte humbjen. Sado që nuk pranonte humbjen, i kish lezet arsyetiimi. Tek e sjell rrëfenjën për ju, ende nuk më ikën buzëqeshja. Ky burrë i zgjuar, ka qenë komisari im kur kryeja shërbimin ushtarak në Shëngjin. Kish qenë shahist dhe unë, riosh në atë kohë, nuk njihja as “kufi” që vinte rregullorja  e Ushtrisë së asaj kohe. E munda komisarin dy me një dhe, tek po i jepja dorën, i thashë:- Të munda, komisar!

Ai:- Jo, mikvëllai, nuk më ke mundur, por jemi  b a r a z i m !!!

– Po  si “barazim”?- e kundërshtova.

-Dëgjo,- më tha. Ti ke fituar  dy lojë. Unë një. Pra, ti ke një fitore të madhe dhe unë  një  të vogël.Pra, jemi “barazim!!!

 

*     *    *

Aty, pragviteve tetëdhjetë, kur thika e varfërisë (sidomos në fshat) po shkonte në palcë, ndiheshin dhe mungesa për një higjienë vetjake  të nxënësve në shkollë. Rrezikoheshin nxënësit nga parazitë dhe, nisur nga kjo, në shkollë kish ardhur një qarkore ku porositeshim që  djemtë t’i qethnim zero si ushtarët. Pak, drastike  qe qarkorja, por qe e domosdoshme.

Në një shkollë si jona me 700  e ca nxënës, kishte prej tyre që rebeloheshin. Dhe unë pikërisht për një nga rebelët do rrëfej. Ndërsa,pak nga pak, berberi po mbaronte punën e tij (ai punoi një javë në shkollën tonë), dëgjoj që të më thërres me emër. Afrohem dhe më tregon se Gjoleka ( po si mund ta harroj unë atë, “rebelin”), nuk dëgjonte të qethej. Atëherë e mora Gjolekën, e vendosa tek karrike e berberit, dhe i thashë berberit të vazhdonte punën. Për dhjetë minuta koka e Gjolekës u bë zero. U ngrit nga karrikja, ashtu me kokën zero dhe bërtiti:- Ja, të shohim: do qethem?!!!!

 

  Tiranë,16  shtator  2016

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s