Poezi nga Dashnor Selimi

dashnor selimi

Poezi nga Dashnor Selimi

 

 

BUZË  ZJARRIT     

 

Jam ulur buzë zjarrit.

Mes thëngjijve shikoj sytë e tu,

kur përkunden nëpër flakë.

Zgjas gishtat,

duart prekin dritëhijet e drurëve,

zjarri i mallit më është tharë në buzë.

Sytë e tu, mes flakëve

rrethuar me mure gjaku,

rrëmbyen një lot mbi faqet e mia ,berë prush.

Dua ti mbaj në duar,ti puth,

zëri të më bëhet këngë

në këtë ortek dhimbjeje,dëshpërimi.

Heshtje buzë zjarrit.

Ngadhnjimi hap rrugët e qiellit

sytë e tu i gjeta në yllin e mëngjesit.

 

 

MOSHA  NJË   PYLL  HIJESH   

 

Ikin ditët,

në një rrugë që mban emrin ‘’Përjetësi’’.

Atje ku dielli dhe hëna

duan të rrëmbejnë muzën hyjnore

dhe dritën ta kthejnë në zjarr dëshirash.

Si hijet e pemëve në mesditë ikin vitet,

pa kthim ecën koha, në gjurmë ngrohtësie,

por prapë ne kthehemi në shtratin e fëmijërisë

për të luajtur me ëndrrat jetime.

Hijet si retë veshin xhaketën e moshës,

kur nga një strehë qielli

kullojnë mbi ballë dëshpërimet.

I rrëmben një erë tinzare

për ta hedhur mes kujtimeve.

 

Ah, kjo mosha si pyll hijesh!

Vjedh ngjyrat e mëngjesit,kur venitet trishtimi,

por syri i mallit bëhet strehë përvëlimi.

Si patkonj të thyer rendin vitet,këtej e tutje

me jelet zhuritur nga zjarri i dashurisë.

Shkëmbinjtë e thepisur

në ballë ciflosen si loti,

kur prushi i diellt i djeg në pasqyrat e dhimbjes.

Si një pyll hijesh kjo mosha që jam sot

më sjell në cep të buzës një drithërimë,

kur sytë e lotuar kërkojnë dritëshpëtimin,

por bien litarët e plagëve dhe ndjekin rrugët

nëpër shëtitoret e psherëtimës.

 

Pyll me hije më vjen rrotull,

ngërç në shpirt më mbetet muza

Vijnë e vijnë  retë si korbat

të dëgjojnë muzikën e trishtë të mesnatës.

 

 

PËR NJË LOT MË KISHIN FTUAR

 

E nisa për udhë të largët

zemrën time.

Në Eden ky shpirti im.

Mbi buzë dafine

rënkon dhimbja e brishtë…

 

Për mall mori me vete

flatra ëngjëlli e nëpër driza

rrëmbeu një vjollcë të fshehur.

Të fshehur ishin  zogjtë

nëpër jargavanë,

të përndezura qershitë mbi degë

thërrmojnë sytë e thëllëzave…

E nisa për udhë të largët

zemrën time.

E ndalën tre qeparisa

në varrezat e Goricës…

për një lot e kishin ftuar…

 

 

ËNDËRR

 

Syri prush

përgjonte hënëzën tinzare,

në qiellin e gushtit,

kur drapri i artë kosiste yjet.

Vargjet e mi zgjasin duartë

në oaze të fshehtë,

si të lajnë fytyrën

buzëluleve me vesë.

Në shtegun e natës

dridhej lofata e porsaçelur

në sytë e maces.

 

Dua t’i flladis me zjarrminë e çastit

e dhimbjen  ta mbaj në sy .

 

Në të gdhirë,

zogjtë do të ulen aty.

 

 

VATRA   ME PRUSH TË  SHUAR        

 

Këmbët e erës

më çuan në vendlindje.

Aty,

buzë vatrës

gjeta thëngjinj të shuar.

Thëngjinjtë mbuluar me thinja

i mora në prehrin tim.

 

Lotët e mallit

bien si petëla lulëkuqe,

për t’u copëzuar

në dritë  qiriri.

 

 

SHËTITJE MËNJGJESI

 

Era belëhollë

përkundej mbi pasqyrat e syve të mi.

Lotët e fillim-marsit

shkundeshin mbi lule bajamesh,

si një vesë e porsa rënë,

që kërkon të shuaj etjen

mbi buzët e trëndafilave.

Më varej mbi qerpik

trupi i fildishtë i agimit,

tek rrëmbeva yjet

në puthjen e mëngjesit.

Nga ballkoni ngrihej dielli.

mbi supet e  erës

tirrej një fjollë mjegulle.

 

 

THURJE…    

                                                                                                                     

Tehzgjahu u bë fije-fije

dhe humbi si dallgët e holla të Nilit,

siç humb nëpër dete Danubi,

Drini, Vjosa, Misisipi…

 

Qilimi është lënë përgjysmë

ngatërruar me fole merimangash,

të prera me thikë nga mola.

Si tufa bari të thatë

Tufa kujtimesh shpërndarë deri në frëngjitë

e hajatit dritëmekur.

Trarët si rojet besnikë të viteve

bashkohen me dhimbjen e motshme,

me fijet e këputura të kohës.

 

Një dritë hëne e bekuar

ulet për natë mbi tehzgjah…

E vë të punojë.

 

 

NËNA DHE  DJEPI

 

Nëna, djepi:

dy ikona që i shoh përherë,

si fëmija në prehër të Jezu Krishtit,

aty; mëkimi, shenjtërimi,përvuajtja.

 

Ai, ai djep që më rriti…

 

Ulem pranë dhe e vështroj.

“Tani ti s’je më foshnjë”, -më thotë.

Bëj të përlotem, të qaj si dikur,

por dielli i shtëpisë më mungon.

Nëna  vjen në qepallat e syrit

më përkund  ninullë.

 

 

HËNA UNAZË  NË  GISHT        

 

Në dritare era tundi zërin tënd,

unë i trembur u zgjova nga gjumë,

po jetoja një ëndërr të gjatë,

atje ku më kishtë marrë rrjedhë e lumit.

 

Si çadra telkëputur,kur e rrëmben era,

u zgjova si zanat nëpër burime,

atje ku flet me yjet,e athta dëbora,

ku gjurmëve të reve mbledh kujtimet.

 

Shpirti m’u bë livadh i pafund dashurie,

kur sythat e dimrit ndjeva të çelin,

shkëlqimi prekës buzë errësirës

lulëzon e vjen si lule amshimi.

 

Degët e pemëve mbuluar me borë,

më shfaqet në sy, si nuse që ndrin,

lumi i lotit pa stacion këtë stinë,

hëna më bëhet unazë në gishtin tim.

 

Këtë ditë dimri më mbysin përrallat

dhe moti jehon e hesht mbi buzë,

sytë e përlotur acari mi ngrin

unë bëhem re e këpus një vetëtimë.

 

Ky dimri i bardhë me thinja pleqërie,

ulet në gjunjë ,si hiri në kujtesë,

rrëmbej lesën në kopshtin e ëndrrave

e tjerr,e tjerr një mjegull që kullon si vesë.

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s