Poezi nga Leonora Lokaj
Bija ime
Shihi yjet se si përflakën,
si do të shuhen para këmbeve të tua
ashtu duke ndjerë melodinë e hënëplotës
Mblidhi copëzat e vendit tënd
Ëndërr gjymtuar nga shekulli i deformuar
Shkrirë në lot lumenjsh,
nëpër kohëra mos u dorëzo
mbi kreshta stuhish nuhate qetësinë
thaje lotin e ngecur në qerpik
Lundro bregut të ëndrrës tënde
Kur të rriten gjethet e mendimeve të tua,
mos i krasit me draprin e huaj
Lejojë të thahen dhe ripërtërihen natyrshëm,
se erërat qajnë me të madhe,
kur ti braktis malin e mendimeve të tua
Lufto për atë që e do edhe nëse bota përmbyset
Thuaje atë që e ndjenë
edhe nëse magjia e fundit e fjalës vdes
Bija ime, rreze dielli ne agimet e mija,
me rroba idealesh vishe rrugëtimin tënd.