Poezi nga Rita Filipi
QARK KUJTESE
Truri im
Hënë e kafshuar
Prej dhëmbëve të natës
P
I
K
O
N
Argjend
Që derdhet
Në kallëpin
E një luge
Me të çdo mëngjes
Ushqej kujtesën time.
LIFE IS FULL OF DIFFICULT DECISIONS
Kapela e madhe
na e tregon kokën të vogël;
Kapela e vogël
na e tregon kokën të madhe;
Kapela që na rri mirë pas koke,
është e mërzitshme;
Kapela e tjetrit…
Ah sikur të ishte e imja!
Lutje për atë që ikën
Sipas lutjeve të nënë Terezës
Ndihmoje, o Zot
Atë që ikën,
Ta marrë me vete kujtimin
Dhe atë që mbetet
Ta ruajë në vete kujtimin.
Ndihmoji, o Zot
Ata që ndahen,
Që kur të takohen
Mos shihen si dy të panjohur
Por të ndiejnë
Se nuk janë ndarë kurrë.




























Leave a Reply