Poezi nga Mirela Papuçiu
Ti je kënga
Sonte, kam vendosur të fle aty ku ti me linde,
Tek një këngë e mirë që ma fale
E si safiri e ruaj. Por më parë
Do të pi.
Gotën mbushur me musht poezish e mbaj përpara
Dhe një gjysmë hëne më bën shoqëri.
Gjysmën tjetër e ruaj per ty,
Në qoftë se vendos të vish sot, pas mesnatës.
Mes gurgullima krojesh eci ndërsa pres.
Dhe ndonjë kal i etur rrezikon të më gëlltisë
Bash me shkulmet e ujit që i rreshkasin gurrmazit të etur.
Por, unë s’e njoh më frikën.
Ajo tashmë i ngjason hijes në mesditë.
Friket prej meje e më fshihet.
Hyj në këngë dhe shoh për ty. Nuk je.
Oh, ndoshta shkruan një këngë të re për mua, mendoj.
Dhe shtrihem luadheve të syve që m’i fale për një cast.
Çdo mbrëmje e bëj këtë e më zë gjumi.
S’erdhe asnjë prej herëve që të kam pritur.
Por , unë e di, i dashur, e di
Ti je vetë kënga brenda së cilës fle.
S’ u bëra dot puthje
Sa i egër qielli sot!
Gjithë pezmin e vet
Ma vërviti në kraharor.
Pendët e hirta të guguçes,
Përplasur përtokë
Nga plumbi që s’doli
Prej asnje pushke,
M’u bënë si vello
E gëzimit të përzhitur.
Ca fjalë të djersitura
U bënë shi.
U përpoqa t’i hapja krahët e tu
Si çadër
Por frika nuk më la
Të bëhem puthje.
Shiu më rrodhi në damarë.
Brinjët u drodhën
Si buzë të mavijosura.
Kuptova në çast
Pashpresën e Gabrielit
Kur nga koret qiellore
Ra në ferrin e njeriut
Të pamend.
Mjaftuan ca fjalë …
Belbëzova ca tinguj të lagur
Që nuk arritën ta ngrenë
Në fluturim pëllumbin
Por ti je bujar.
Në xhep mban doza dielli
U afrove
Lagështira e tingujve avulloi
Ja, nuk po flas më gjuhë të panjohura
Tingujt morën kuptim
Nga përqafimi i fjalëve.
Kjo qe darka ime
Dhe një grusht vesë
Që m’i çeli buzët
Por, puthjen nuk e nxori dot.
Sot, kraharorin tim
E zgjodhi për qefin një guguçe.
Kraharorë ikjesh
Valixhe të hapura kudo nëpër shtëpi,
Si kraharore ikjesh
Për në takim me veten.
Ikje me gjurmë rrudhash
Mbi ballin tim
Nëpër rrugë që malli për fëmijën vadit.
Valixhe që më mbartin pa ditur
Në kopshtije të rinisë qe tash
Si fytyre bijsh në grishje të jetës më fton.
Aroma miqsh, bankash shkollore e festash
M’a ndezin kraharorin e nuk më lënë të rritem.
Valixhet janë strehë teshash me gjurmë ende të ngrohta
duarsh, buzesh, trupash.
Jane sëndukë kujtese ku ruhen suvenirë lamtumirash.
Libër pa fletë ëndrrash thurur qytetesh,
rrugësh, stacionesh.
Valixhet janë ngjarje që flasin pagojë.
Parakalojnë rrëmujshëm ditë të cilat s’i jetova.
Të panjohur të afërt takoj.
Në valixhe palos mallin e ikjes
Që në ardhje me gishta gëzimi shpaketoj.
Valixhe të hapura që kurdo më nisin udhëtimesh malli.
Pemë e poezisë
Une e di pse nuk vjen ti.
Për të njëjtën arsye
Që nuk vij dhe unë.
Druajmë,
Mos i vjedhim
Poezinë njëri-tjetrit.
Keshtu se largu,
Të paktën,
Mund të freskohemi
Nën hije peme.
Rrënjë poezie
Nga ty,
Degë të lulëzuara,
Nga unë.




























Leave a Reply