Erih Maria Remark: HARKU I TRIUMFIT
Vështrim nga Xheladin A. Çitaku
– Në kohë të caktuar dhe hapësirë konkrete, një dramë zhvillohet dhe shthuret nën skenarizimin e shkrimtarit gjerman që la gjurmë në letërsinë e kohës, gjurmë që vazhdojnë të spikatin si rrjedhime të pasqyruara vlerash, dedikuar publikut, jo vetëm atij të kohës kur ndodhin ngjarjet, por edhe pasardhësve, sepse paqyrimet e tilla ngërthejnë në brendësinë e tyre zhvillime të kohëpaskohëshme, të përsëritura shpeshherë në trollin e kontinentit të vjetër. Drama njerëzore e përjetuar nga personazhet që jetojnë e veprojnë brenda një hapësire, përreth harkut të triumfit në Paris, është një sekuencë që reflekton jetën e shumë njerëzve të tjerë, refugjatë ose jo, në sa e sa vende të tjera, në prak të luftës së dytë botërore. Erih Maria Remark tabloizon atmosferën që mbretëron në këtë kohë në Francë (por edhe në Europë, në përgjithësi), vlimet shoqërore dhe vlimet shpirtërore të përditshmërisë, të kësaj përditshmërie të acaruar që u rri mbi kokë personazheve të romanit, si sëpata e Demokleut. Epiqendra e zhvillimit të ndodhive gërsheton karaktere të ndryshme, persona të llojshëm, profesione të larmishme dhe mentalitete të diferencuara. Mbi këtë bazë, shkrimtari ndërton unitetin e veprimit letrar; i rreket shtrimit të dallimeve në një konstrukt që do e inskenojë tërë dramën, për t`i konkretizuar aktet e saj si një regjisor i shfaqjes së komplikueshmërisë së situates. Përveç vijëzimit vizuel të ambientit, përshkrimit të përgjithshëm dhe të imtësuar, përshtatshmërisë së skenës, në të cilën defilojnë figurat, Remark i hynë edhe zbërthimit të botës së brendëshme të tyre, botës shpirtërore, rropatjeve, dilemave, dallgëve, ndijimeve e përjetimeve, që e kompletojnë tablonë e përgjithshme dhe shpërfaqin veçantitë e nevojshme për t`i dhënë romanit koloritin e duhur, për t`i vizatuar me ngjyrat që e karakterizojnë kohën. Mjeku Ravik, një refugjat gjerman që s`pajtohet me shtrirjen e botkuptimit nazist, përbën qendrën gravituese të veprimit, rreth të cilit përvijohen detalet e një jete sa të vështirë poaq interesante, një jete ku përthyhen ndjenjat, ambiciet e veset, ku bashkëjetojnë skajshmëritë e natyrës njerëzore: dashuria, urrejtja, humanizmi e përbuzja, ndjenja e detyrës e kapja e qëllimit, aspirata e dështimi. Galeria e personazheve i profilizon këto në njërin a tjetrin karakter: Xhoana, Dyrani, Keti Hegshtëmi, Marozovi e të tjerë, që i shohim e i njohim në shtrirjen kompozicionale të romanit; ashtu si i dëshiron autori, si ua përcakton rolin e vendin, si dhe misionin që do kenë në rrjedhimin e mëtejmë të veprës. Secili prej tyre shfletohet si një botë e veçantë, si një specifikë e ndërlikuar, ardhur në Paris për ta ndërtuar një pretendim të qëndrueshëm a të përkohshëm, për ta përmbushur një nevojë apo ambicie, për ta zënë një strehë a pak ngrohtësi.
Erih Maria Remark
– Zhvillimet dramatike, të cilat imponohen nga një kostelacion më i gjërë, prekin edhe jetët individuale, kushtëzojnë edhe veprimet dhe mundësitë, reflektojnë në qëndrimet dhe ndjesitë shpirtërore, gjithsesi. Të qenit pjesë e një rrethi ku mbretëron ilegaliteti në qëndrim e veprim, jolegjitimiteti identifikues (veç tjerash), spostimi nga normaliteti, do thotë të futesh në një botë ku transformimi i karakterit është njëfar virtyti, sepse tendencat e kahëzimit të zhvillimeve shoqërore po rrëshqisnin drejtë një rrugëtimi të vrazhdë, drejtë një tensionimi të përmasave tragjike për njerëzimin. Në rrethana të tilla, shfaqjet e përforcuara antihumane të personalitetit vijojnë në konformitet me mentalitetin që po sforcohej. Brenda këtij konteksti përshkruhet edhe ndjenja e hakmarrjes, indiferentizmi ndaj jetës dhe vlerës së universalitetit njerëzor, të cilin momentum, shkrimtari e ka kanalizuar mjeshtrisht, duke vënë në spikamë paradoksalitetitn dhe kundërshtitë që ndeshen brenda përbrenda shpirtit dhe ndijimit të individit. Kështu, në jetësimin e vetjeve, botës së tyre, portretizimit të përgjithshëm të tyre, rolin parësor e ka eksperienca jetësore në raport me emotivitetin dhe ambicien. Prandaj hapërimi i tyre qëndron në kornizat e maturisë dhe në shikimin në sy të realitetit (me ndonjë përjashtim, natyrisht). Vetëdija e sprovuar di të orientohet në këto kushte, konsumon çastin dhe nuhatë prapavajtësen, përkundër bindjes tjetër të opinionit në Paris (edhe në tërë Francën, mbase) që bazohej në dëshira iluzioniste për vazhdimësi dhe mosndryshime radikale. Ky ballafaqin del herë pas here në sipërfaqe dhe përfaqëson konturat e ambientimit të qëndrimit të përgjithshëm të opinionit të kohës ndaj aspiratave të një ideologjie dhe force që po i kanosej Europës. Erih Maria Remark shpërfaqë këto lëvizje, duke i shtresëzuar sipas kategorizimeve të përfaqësimit dhe, në këtë mënyrë, kompleton strukturimin me të gjitha elementet e duhura të karakteristikave shoqërore të kohës.
HARKU I TRIUMFIT
Duke detajuar bëmat dhe përjetimet rreth harkut të triumfit në Paris, shkrimtari jep një model gjallërimi të kompleksitetit të përgjithshëm të një kohe të nderë, të një fryme përcëlluese që së shpejti do shëndërrohej në uragan shkatërrimtar. Ai arriti ta shprehë, në mënyrën e tij, paralajmërimin për këtë rrezik, ia doli ta artikuloj kundërvënien e rretheve të caktuara, kësaj furtune, që në një mënyrë a një tjetër rezistuan. Këtë e bëri përmes episodimeve të dramave individuale, kryesisht të refugjatëve, por edhe të tjerëve, që involvohen në mënyrë rrethanore. Linja e shtruarjes së ngjarjes, përgjithësisht, e ilustron këtë, sepse përmban ngjyrimet përkatëse për tërë peisazhin ku ndodhë e pse ndodhë. Kundrimet në realitetin faktik pasojnë një sajim letrar, në të cilin kultivohet stili e shprehja, mënyra konstrukcionale e tradita, gërshetimet kulturore e veçantitë konstante, unisoni ndjenjor si universalitet i pazbërthyeshëm, forca tërheqëse dhe polarizimi ndarës, njëkohësisht. Tematika e shtjelluar mund të jet ndikuar edhe nga përjetimet personale të autorit, peripecitë e vuajtura dhe përshkallëzimet specifike, të cilat lënë vrragë të pashlyera në kujtesën njerëzore, dhe si të tilla zënë vend në krijimtarinë e shumë shkrimtarëve. Është kjo një shtytje që shpeshherë përcakton skicat e shtjellimit të ideotematikës së veprës letrare, duke qenë në qendër të veprimit, përgjithësisht.
– Shthurja e ngjarjes, epilogimi i konstruktit, përmbyllja e rrëfimit, ngërthenë në vete mënyra të caktuara të zgjidhjes së konfliktit faktik dhe konfliktit letrar; pasoja, si rrjedhë logjike e rrethanave dhe kushteve të përshkruara; pësimet konkrete individuale dhe paragjykimet e nënkuptuara të së ardhmes së afërt. Shkrimtari paralajmëron mbërritjen e ciklonit. “Ulërima” në formën e letrarizuar është mjeti alarmues që shkrimtari posedon. E aktivizon atë për ta rrëfyer një periudhë të caktuar, në një vend të caktuar, por me një mesazh universal. Romani “Harku i Triumfit” është i tillë. Si i tillë ai është edhe njëra nga veprat mbresëlënëse në mesin e veprave të krijuara nga shkrimtari gjerman Erih Maria Remark.
***Këndi im i vështrimit***
XH. A. Ç.






























Leave a Reply