Poezi nga Dashnor Selimi

dashnor selimi

Poezi nga Dashnor Selimi

 

 

MOSHA  NJË   PYLL  HIJESH

 

Ikin ditët,

në një rrugë që mban emrin ‘’Përjetësi’’.

Atje ku dielli dhe hëna

duan të rrëmbejnë muzën hyjnore

dhe dritën ta kthejnë në zjarr dëshirash.

Si hijet e pemëve në mesditë ikin vitet,

pa kthim ecën koha, në gjurmë ngrohtësie,

por prapë ne kthehemi në shtratin e fëmijërisë

për të luajtur me ëndrrat jetime.

Hijet si retë veshin xhaketën e moshës,

kur nga një strehë qielli

kullojnë mbi ballë dëshpërimet.

I rrëmben një erë tinzare

për ta hedhur mes kujtimeve.

Ah,kjo mosha si pyll hijesh!

Vjedh ngjyrat e mëngjesit,kur venitet trishtimi,

por syri i mallit bëhet strehë përvëlimi.

Si patkonj të thyer rendin vitet,këtej e tutje

me jelet zhuritur nga zjarri i dashurisë.

Shkëmbinjtë e thepisur

në ballë ciflosen si loti,

kur prushi i diellt i djeg në pasqyrat e dhimbjes.

Si një pyll hijesh kjo mosha që jam sot

më sjell në cep të buzës një drithërimë,

kur sytë e lotuar kërkojnë dritëshpëtimin,

por bien litarët e plagëve dhe ndjekin rrugët

nëpër shëtitoret e psherëtimës.

Pyll me hije më vjen rrotull,

ngërç në shpirt më mbetet muza.

Vijnë e vijnë  retë si korbat

të dëgjojnë muzikën e trishtë të mesnatës.

 

 

 

 PËR NJË LOT MË KISHIN FTUAR     

 

E nisa për udhë të largët

zemrën time.

Në Eden ky shpirti im.

Mbi buzë dafine

rënkon dhimbja e brishtë…

Për mall mori me vete

flatra ëngjëlli e nëpër driza

rrëmbeu një vjollcë të fshehur.

Të fshehur ishin  zogjtë

nëpër jargavanë,

të përndezura qershitë mbi degë

thërrmojnë sytë e thëllëzave…

E nisa për udhë të largët

zemrën time.

E ndalën tre qeparisa

në varrezat e Goricës…

Atje,…

për një lot e kishin ftuar…

 

 

 

ËNDËRR                                                                                                                                                                                                                                     

Syri prush

përgjonte hënëzën tinzare,

në qiellin e gushtit,

kur drapri i artë kosiste yjet.

Vargjet e mi zgjasin duartë

në oaze të fshehtë,

si të lajnë fytyrën

buzëluleve me vesë.

Në shtegun e natës

dridhej lofata e porsaçelur

në sytë e maces.

Dua t’i flladis me zjarrminë e çastit

e dhimbjen  ta mbaj në sy .

Në të gdhirë,

zogjtë do të ulen aty.

 

 

 

VATRA ME PRUSH TË SHUAR   

 

Këmbët e erës

më çuan në vendlindje.

Aty,

buzë vatrës

gjeta thëngjinj të shuar.

Thëngjinjtë mbuluar me thinja

i mora në prehrin tim.

Lotët e mallit

bien si petëla lulëkuqe,

për t’u copëzuar

në dritë  qiriri.

 

 

 

SHËTITJE MËNJGJESI

 

Era belëhollë

përkundej mbi pasqyrat e syve të mi.

Lotët e fillim-marsit

shkundeshin mbi lule bajamesh,

si një vesë e porsa rënë,

që kërkon të shuaj etjen

mbi buzët e trëndafilave.

Më varej mbi qerpik

trupi i fildishtë i agimit,

tek rrëmbeva yjet

në puthjen e mëngjesit.

Nga ballkoni ngrihej dielli.

mbi supet e  erës

tirrej një fjollë mjegulle.

 

 

 

THURJE…

 

Tehzgjahu u bë fije-fije

dhe humbi si dallgët e holla të Nilit,

siç humb nëpër dete Danubi,

Drini, Vjosa, Misisipi…

Qilimi është lënë përgjysmë

ngatërruar me fole merimangash,

të prera me thikë nga mola.

Si tufa bari të thatë

Tufa kujtimesh shpërndarë deri në frëngjitë

e hajatit dritëmekur.

Trarët si rojet besnikë të viteve

bashkohen me dhimbjen e motshme,

me fijet e këputura të kohës.

Një dritë hëne e bekuar

ulet për natë mbi tehzgjah…

E vë të punojë.

 

 

 

NËNA DHE DJEPI  

   

Nëna, djepi:

dy ikona që i shoh përherë,

si fëmija në prehër të Jezu Krishtit,

aty; mëkimi, shenjtërimi,përvuajtja.

Ai,ai djep që më rriti…

Ulem pranë dhe e vështroj.

“Tani ti s’je më foshnjë”, -më thotë.

Bëj të përlotem, të qaj si dikur,

por dielli i shtëpisë më mungon.

Nëna  vjen në qepallat e syrit

më përkund  ninullë.

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s