MBRESA, NGA SHKOLLA SHQIPE “GJUHA JONË”, NË FILADELFIA-AMERIKË…
(Një Flamur Kombëtar Shqiptar, dhuratë për ditën e parë të mësimeve)
Shkruan: Llazar Vero-publicist
1.
Dita e parë e shkollës…. Cilin nuk emocionoi, nga të pranishmit në atë veprimtari të bukur? Të mëdhenj dhe të vegjël. Ende më shumë, kur je larg Atdheut. Shkolla Shqipe “Gjuha jonë”, pranë Shoqatës “Bijtë e Shqipes”, në Filadelfia, filloi vitin e 12- të saj, pa asnjë ndërprerje. Ajo ka qenë dhe është në qendër të vëmendjes së këshillit drejtues të Shoqatës, të mësueseve të talentuara: Rajmonda Bardhi, Kozare Doko, Irini Zenelaj, Adelina Ramizi, të prindërve dhe të afërmëve të fëmijëve. Prandaj, gjithnjë është kthyer në një festë të vërtetë.
2.
Vogëlushi Art Rukiqi ishte i pari, që mbërriti para shkollës, gjithë shend e verë. Në duar mbante një tufë lulesh për mësuesen. Nga pas i shkojnë babi Miloti dhe dy të afërm të tjerë, që ishin gjysh Destani dhe axha Genc. Arti u printe gjithë krenari, si zot shtëpie. Sivjet ai ndjek vitin e dytë të kësaj shkolle, ndaj ndihej kaq i sigurtë dhe i gëzuar. Do të takonte shokët dhe shoqet, mësueset dhe “xhaxhat” e tjerë të Shoqatës, që kujdesen çdo të diel për mbarëvajtjen e shkollës, për organizimin e ditëlindjeve të tyre, eksursioneve, koncerteve festive etj. Por edhe Artin e priste një dhuratë e bukur nga shoku i tij i bankës gjatë klasës së parë, Blerim Çela. Ai kishte qenë në Shqipëri këtë verë, së bashku me familjen. Dhe, a e dini çfarë dhurate i kishte sjellë Artit? Një top futbolli, me hartën e Kosovës. Prandaj u gëzua shumë Arti. Po kështu Blerimi, më shumë. Unë pashë sytë e të dyve. Ishin gjithë dritë dhe dashuri për njëri-tjetrin.
Me kënaqësi vërej se Destan Rukiqi, avokat i njohur në Prishtinë, ndjehet mjaft i emocionuar për nipin e tij, që po ka nisur mësimet në një shkollë shqipe, edhe pse larg atdheut. Për ta nderuar punën e Shoqatës dhe të shkollës, ai kishte sjellë prej Kosove një dhuratë të bukur, të veçantë: një Flamur Kombëtar, në cohë mëndafshi, i rrethuar me thekë në ngjyrë ari dhe me shqiponjën dykrenare në mes. Ai ishte i emocionuar, por jo më pak edhe drejtuesit e Shoqatës, që e morën në dorë këtë dhuratë të çmuar. Ishte flamuri ynë i shenjtë, që i bashkon të gjithë shqiptarët, kudo që janë. Ishte një flamur, që vinte nga Kosova heroike, Kosova e shumëvuajtur, me plagë ende të hapura nga lufta më e fundit kundër shovinistëve sërbomedhenj. E vendosën atë Flamur, menjëherë, në këndin kryesor të sallës së madhe, ku janë dhe portretet në pikturë të Gjergj Kastriotit, Ismail Qemalit dhe bustet e tyre. Ky është këndi i Flamurit tonë kombtar. Para tij, çdo të diel në mëngjes, të gjithë nxënës e mësuese, para fillimit të mësimit, këndojnë Himnin e Flamurit : “Rreth Flamurit të përbashkuar / Me një dëshirë dhe një qëllim…”. Edhe kësaj here, e njëjta ceremoni, të njëjtat emocione, që do t’i shoqërojnë këta fëmijë ndër vite. Kur të rriten, duke kënduar Himnin e Atdheut të ri, Amerikës së madhe , do të kujtojnë edhe rreshtat e himnit të Atdheut të prindërve të tyre, të fëmijërisë së tyre, që e mësuan në këtë shkollë.
3.
Pas kësaj ceremonie të bukur, emoconuese dhe mbresëlënëse, nxënësit tanë shqiptarë u shpërndanë nëpër klasat e tyre. Filloi një ditë e re mësimi, me një Flamur të ardhur nga vendlindja, nga Kosova e Shqipëria. Është veçanërisht i bukur, smbolik e domethënës një Flamur Kombëtar Shqiptar, i ardhur nga trojet tona amtare. Ju faleminderit, i nderuar avokat, Destan Rukiqi!