MINA ÇAUSHI, NË UDHËN E PANDALUR TË KRIJIMTARISË LETRARE.. (Përuron dy libra me tregime, në Kamëz-Tiranë) / Nga: Prof.Murat Gecaj; publicist e studiues

MINA ÇAUSHI, NË UDHËN E PANDALUR TË KRIJIMTARISË LETRARE..

                        (Përuron dy libra me tregime, në Kamëz-Tiranë)

 

Nga:  Prof.Murat Gecaj 

           publicist e studiues

 

 

f-1

Redaktori A. Zholi, duke folur për njërin nga librat e autores…

 

1.

 

Kur po udhëtoja me autobusin e linjës, nga qendra e kryeqytetit, për në Kamëz, sillja në kujtesë shumë gjëra. Mendja më shkoi edhe në periudhën e para viteve 1990, të shekullit të kaluar. Atëherë, kjo anë e Tiranës nuk kishte shumë ndërtesa dhe ato ishin të ulëta. Ndërsa tani syri i vizitorit përballet me ndërtime të panumërta dhe deri  disakatëshe. Ato janë ndërtesa banimi e biznese, por dhe kopeshte e shkolla, 9-vjeçare e të mesme dhe institucione të tjera. Ndërsa, në afërsi të stacionit të fundit të autobusit, ngrihet hijerëndë dhe me një shtrirje të gjerë, Pallati i Kulturës. Ai sikur bën “garë” me një institucion të tillë kulturor, që ndodhet në qendër të Tiranës. Më parë, diku aty afër, ndodhej shtëpia e kulturës njëkatëshe, në mos gabohem, e Bashkimeve Profesionale.

Duke u shkëputur nga ajo kohë e kaluar,  futemi në brendësi të Pallatit të Kulturës. Natyrshëm, njeriu i parë që takuam aty ishte krijuesja e njohur, poetja e tregimtarja Mina Çaushi. Në natyrën e saj është e qetë e buzagase, por kësaj radhe vërejta te ajo një shqetësim të pranueshëm.  Pasi na uroi mirëseardhjen, u largua të bisedonte për sallën dhe të shihte, a kishin ardhur librat, që do të përuroheshin dhe t’ua dhuronte të ftuarëve. Por, kryesorja, ajo u interesua në se do  të kishte pjesëmarrje të pëlqyer, pra a do të mbushej ajo sallë e madhe e dritëplotë.

Ndërkaq, vazhdonin të vinin të ftuarit: poetë e shkrimtarë, punonjës të kulturës e artit dhe nxënës e mësues. Ndër ta, ishin dhe krijuesit: Merita Gjoni-Gjoka, Hamdi Skeja, Dritan Thomaraj, Eltona Lakuriqi e të tjerë.

Vërejta se Minja gjeti qetësi, kur në atë sallë vërshuan nxënës e mësues të Gjimnazit “Ibrahim Rugova” dhe të shkollës 9-vjeçare, që mban emrin e kandidates së tanishme për Presidente në SHBA, Hillary Klinton.

 

f-2

Pjesëmarrës në përurim…

 

2.

 

Sapo hynë brenda gjithë të ftuarit, në sallë u vendos qetësia dhe zunë vend, në panelin e kësaj veprimtarie përuruse, pesë veta. Me shkathtësi e siguri, të pranishmëve iu drejtua moderatorja, Rugova Trezhnjeva. Ajo ia dha fjalën Albert Zholit, redaktor i librit  të autores Mina Çaushi, “Hapi i një gruaje”(ribotim). Duke u ndalur në vlerat e tij, ai nënvizoi: “Tematika e tregimeve është nga hapësira e gjerë kombëtare shqiptare dhe nga vende të ndryshme të botës, ku ajo ka lëvizur ose ka jetuar përkohësisht.  Në të 15 tregimet e saj, autorja ka shkruar pa komplekse, duke u përqendruar  te vlerat artistike të prozës, që përcjell…”. Pastaj sallën e veprimtarisë e gjallëruan recitimet e poezive të kësaj autoreje, nga nxënësit e Gjimnazit “Ibrahim Rugova” të Kamzës, por dhe të dy  shkollave 9-vjeçare.

Në këtë mjedis të ngrohtë, si autoren e dy librave dhe të pranishmit, i përshëndetën zëvendeskryetari i Bashkisë, Artan Dervishi dhe drejtori i Pallatit të Kulturës, në Kamzë, Baftjar Cera. Me vëmendje e duartrokitje u ndoqën edhe fjalët e recitimet e poezive të M.Çaushit, nga artistja Merita Dabulla e poetja Enrieta Sina.  Gjithashtu, unë pata kënaqësinë t’i përshëndesja të pranishmit dhe drejtuesit e kolektivat e  mësuesve dhe nxënësve të shkollave të Kamzës, në emër të kryesisë së Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë. Me këtë rast, i dhurova poetes e shkrimtares Mina Çaushi, librin tim “Për ju, krijuese”(Tiranë, 2015). Në mes të tjerëve, aty është botuar shkrimi, që flet për përurimin e librit të saj poetik, “Një udhëtim, në fluturim me ndjenjat”(Tiranë, 2013), në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, me rastin e 60-vjetorit të ditëlindjes së saj.

 

f-3

Ballinat e librit të ri, nga autorja Mina Çaushi…

 

Plot emocione ishte përshëndetja, si për folësit dhe gjithë të pranishmit në këtë veprimtari të bukur, nga autorja e dy librave, që u përuran, Mina Çaushi.

Pastaj, të gjithë së bashku morëm pjesë në koktejin e shtruar, me këtë rast, si dhe bëmë fotografi të shumta, të cilat do të jenë kujtim i paharruar, për secilin nga ne.

 

3.

 

Mina Çaushi ka lindur në Tiranë, në janar të vitit 1954. Studimet e larta i përfundoi për degën e agronomisë. Në vitin 1993, emigroi në Greqi dhe në Athinë u specializua për degën e  psikologjisë. Ka shkruar, sidomos poezi, që në vitet e rinisë. Ndërsa librin e parë poetik, “Pikëllim familjar”, e publikoi  në vitin 2006. Në vazhdim, shkroi e publikoi pandërprerje, 15 libra, si në poezi dhe me tregime. Libri më  i ri i saj është me tregime, “Njollat në fustan” (Tiranë, 2016).

E përgëzojmë këtë autore të talentuar dhe urojmë që ajo të ecë pa u ndalur në udhën e bukur të krijimtarisë letrare, me shëndet të mirë e mbarësi dhe gëzime e lumturi, vetjake e familjare!

 

Tiranë, 12 tetor 2016

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s