MARUA / Tregim nga Edlira Xhani Velaj

 

MARUA

 

 

edlira-velaj

Tregim nga Edlira Xhani Velaj

 

– Ah, moj Maro, ah!…

Pëshpëriste dhe i ngjitej faqes së malit. Shpatulla i dhimbte sa s’ka. Ia lëndonte edhe thesi ku kishte futur çarçafët e pajës që ia kishin bërë peshqesh njerëzit e saj në qytet. Çobani i fshatit i kishte vajtur në shtëpi duke u dridhur. Me lot në sy i tha që kishte parë trupin e copëtuar të Maros tek Gropa e Madhe. Fliste dhe mbulonte sytë me duar. Ajo e shikonte me sy të shqyer. Pikë loti se i dilte. Një dhembje e hidhur i mbërtheu stomakun.

– Po djali? – pyeti si e përmendur.

Çobani ngriti dhe pastaj lëshoi supet.

– Ah! Maro, Maro, ç’më bëre! – fliste me vete – Njëqind herë të thashë të mos e kaloje pragun e shtëpisë, moj korbë, njëqind herë me numur!

S’i besohej që mikja e saj më e mirë nuk rronte më. E donte shumë Maron. Atë femër të brishtë si kërcelli, të heshtur si lulja, që ulte e ngrinte pa pushim qerpikët e gjatë. Me sytë si dy liqene të vegjël mbledhur në mestë ballit. Kur erdhi nuse në shtëpinë e tyre, atë natë të ftohtë janari gjithë shi e vetëtima, dridhej e tëra. Dinua, kunati, e kishte rrëmbyer e ata nuk dinin gjë prej gjëje.

– Ç’është kjo, more bir? – pyeti vjehrri i saj, një burrë i pazë që fliste rrallë e për mall.

– Gruaja ime, baba. – tha pa e prishur gjakun Dinua.

Plaku nuk pyeti më. Vetëm u kujdes të mësonte se e kujt ishte vajza. Ditën tjetër mori gomarin dhe u nis për te krushku. Pasdite u kthye i mërzitur. Me dy fjalë tha se që nga ajo dekikë duhej të bënin kujdes. Njerëzit e Maros i kishin thënë që çupën e patën të fejuar gjetkë dhe se ajo u prishi edhe miqësinë, edhe nderin. Ndaj…

– Faleni, e vogël, s’di ç’bën. – u kish thënë plaku.

– Po ja, ne e falëm se e kemi evlatin tonë, – i kishte thënë babai i Maros – po i fejuari i saj, do ta fali vallë?

– Një hasmëri më pak të paktën! – kishte mërmëritur plaku dhe qe ngritur.

Kaq tha. Ajo kishte qenë një fejesë që fejesë i thënçin. Marua nuk e kishte parë kurrë të fejuarin. Një herë sekush i pëshpëriti në vesh që ishte më i madh se babai i saj. Edhe ajo i duhej. I iku truri e iu zu taksëz. Dinon e takoi një ditë vjeshte, një ditë të bukur shumë. Sa e pa, i ra në kokë për të. Nuk e harronte dot. As Dinua nuk kishte parë të atillë bukuri. E pa, se vajzat e atij fshatit ishin të gjitha të zbuluara. Vinin edhe në shkollë. Po varej poshtë nga qiparisat dhe atij iu duk sikur pa të Bukurën e Dheut. U shushat fare. E ndiqte përditë kur u shpinte bukën ustallarëve. Se po bënin shtëpi të re. Kështu e gjetën njëri – tjetrinE pa pyetur hiç u rrëmbyen.

– Ah, moj Maro, ç’më bëre! – thoshte Selvia me vete.

Supin nuk e ndiente fare nga kondaku i dyfekut. Se kishte shtirë me armë që të dëgjonte fshati gjëmën qe i kishte gjetur. Shtiu, por asnjë nuk u tund nga vendi. Të gjithë e dinin që trupi i Maro zezës ishte thërrime lart në mal, po asnjë nuk guxonte të vinte ta merrte. U ruheshin belave njerëzit. Pas ndonjë ore i vajti në derë vetëm një nga shërbëtorët e të “madhit”. I madhi ishte ai që u mori gjithë pasurinë për të ruajtur kokën e burrit të saj. Hyzmeqari i tha që “ai” nuk donte të ngatërrohej me hasmin e tyre. Boll ishte ngatërruar gjer më sot. Ja, burrin e saj po e mbronte që të mos shuhej ajo derë. Më shumë s’kishte pse të bënte. Selvia e pa me përçmim dhe s’tha asnjë fjalë. Që kur erdhi Marua në shtëpinë e tyre filloi hasmëria me fshatin pas malit. Krushqia e prishur nuk e fali as Maron, as Dinon me gjithë përçapjet nga të dyja palët për pajtim. Dinua nuk u fsheh asnjëherë. Dinua ishte djalë ta pije në kupë që thonë. Nuk e njihte frikën, tërr s’ia bënte syri. Maron e kishte si drita e syve. E mbante ashtu të bukur, pa shami, me ato kaçurrelat e verdha lëshuar e me fustanët gjer në fund të këmbëve.

– Eshtë kaure kjo, nuk mbulohet! – tha që në fillim, kur pa që nëna vinte rrotull ta mbulonte.

– Po as ne nuk thomi t’i vëmë ferexhe, mor bir, ama një shami kur shkon në krua le ta vërë, se bën sehir bota. – mezi tha nëna.

– Jo, nëno, jo. – këmbënguli Dinua.Le të rrijë si të dojë. S`ka njeri kjo, nuk dua të më mërzitet.

Plaka nuk foli. Dinua ishte i mençur dhe dinte ç’bënte. Vajti në qytet e i bleu rroba të reja. Mori dhe për Selvinë.

– Vishu dhe ti alla frënga. – i tha duke qeshur.

– E mirë, mirë, – ja bëri Selvia – ja, do marr leje nga vëllai unë, nuk e sheh!

E ashtu u bë. Nuset e asaj dere ishin të parat në fshat që nuk mbajtën shami.

– Ah, moj Maro, ç’më bëre. O derëzezë, ç’më bëre!

Rridhnin ujrat, shkonin dhe ditët në atë shtëpi të madhe fshehur në mes të bajamave. Aq qetë ishte, sa dukej sikur të gjithë e kishin fjetur mendjen se historia ishte mbyllur një herë e mirë. Selvia rriste çupat që i kishte në vit e në vit. Marua bëri një djalë të bukur si vetja, me sy në bojë të qiellit e flokë të verdhë si të sajët. I vunë një emër të padëgjuar, Gjenç.

– Ua, ç’është ky emër? – pyeti vjehrra e habitur.

Po meshkujt e shtëpisë nuk u habitën fare. E dinin. Marua gjithë ditën rrinte e llafosej me vjehrrin që kishtezënë shtratin. I dhembnin kyçet, qe dorëzuar fare ishkreti. E pyeste për rrënjët e familjes. Plakut i pëlqeninkëto muhabete që nuk i kishte bërë me njeri kurrë mëparë. Ai fol e Marua shkruaj. Me një kalem e fletore qëia kishte blerë Dinua në qytet.

– Ky është emri i të parit të derës sonë, grua! Nusjau bë sebep e u përmend.

Plaku pa me mburrje nga Marua që shtrëngonte nëgji Gjençin e vogël. Erdhi një ditë ndër ditë dhe mbetën si qyqe në shtëpitë dynuset me fëmijët e vegjël. Plaku vdiq një mëngjestë ftohtë marsi, vjerrën pas dy muajsh e goditi, i mori gojën dhe u paralizua.

– Mirë këta, se qenë në moshë, – mendonte Selvia duke u ngjitur malit, – po burgu i Dinos është e ç’është!

Vdekje, vdekje për së gjalli.

Se qe hapur historia e vjetër, mu kur të gjithë e dinin të mbyllur. Një ditë pazari të dy burrat ishin gjendur ballë për ballë. I fejuari i parë e kishte sharë Maron me fjalë që s’i nxe goja. Dinua ishe xhindosur, kishte nxjerrë koburen dhe e kishte shtrirë tjetrin në shesh, m’u në mes të pazarit.

Xhandarët e kishin zënë dhe e kishin shpurë në burg. Do kalbej brenda një jetë i shkreti Dino. Që nga ajo ditë u bënë me hasëm. Vëllai i Dinos që ishte burri i saj, u fut në besën e të “madhit” të fshatit, por me një kusht. T’i jepnin gjysmën e pasurisë. Të dyja gratë duke mallkuar ia dhanë. Marua lexonte letrat e tapive të tokave dhe qante.

– Na i morën të gjitha! – thoshte dhe fajësonte veten.

Mbërriti në një gjendje që nuk fliste më fare. Hynte e dilte si hije nëpër shtëpi, sa dhe djalin e mbante Selvia me çupat. Që kur u kthye nga qyteti, Marua e humbi çdo shpresë për Dinon e saj. Tregoi që ishin tallur me të kur kishte kërkuar ndihmë në xhandarmëri. Po ajo prapë vinte dhe e shikonte burrin në burg. Herën e fundit, kur u kthye tha se qelitë e kalasë pikonin përrua e Dinua kishte mbetur një grusht, nga Dinua i parë.

– Burri po më vdes, o motra ime, po vdes për fajintim…

Dhe kishte hequr me shpirt fatzeza grua. Selvia e kërkoi atë mëngjes në gjithë shtëpinë. Vajti dhe në korie, atje ku Maros i pëlqente të rrinte në hijen e pemëve. Vjehrra e shikonte me sytë e shtrembëruar, sikur diçka parandjente. Dhe ja, gjëma ndodhi. Vetë erdhi, me këmbët e saj m’u këtu ku e bënë copa. Djalin e kishte zënë gjumi mbi një pllakë shkëmbi. E la të flinte sa të mbaronte punë me copat e Maros. E mbidhte në çarçaf dhe qante me kuje. Aq i bënte që vrasësit e ndiqnin nga larg. Soji i burrit të parë ia kishte bërë benë. “Copa do ta bëjmë kuçkën. Për qejfin e saj humbëm njeriun më të dashur”. Kështu kishin thënë.Dhe e mbajtën fjalën.

– Që i ngrëntë mortja, mortja ishalla! – nuk pushonte Selvia së mallkuari. – U morët me një grua, o racë e keqe, o që derman mos gjeçi!

Qau sa deshi. Pastaj mori djalin përdore dhe thesin me mishrat e Maros në kurriz. As lodhje nuk ndiente, asgjë hiç. Kishte ngrirë kallëp. Arriti vonë në fshat. E shtriu Maro zezën ashtu copa – copa në krevatin e saj. Dhe si një burrë që ato kohë i kishte munguar asaj shtëpie, shtiu prapë me dyfek. Shenjë kjo që nuk kishte më nevojë për ndihmën e asnjeriu nga fshati. Të nesërmen e varrosi në korie, në lëndinën ngjitur me shtëpinë. Që nga ajo ditë mori edhe frerët e punëve. Komandoi vetë, megjithëse burri doli nga mbyllja e Dinua pas ca vitesh doli nga burgu dhe u kthye në shtëpi i bërë gjysmë njeriu. Ajo mbeti komandante. Me koburen në një anë të brezit dhe sëpatën në anën tjetër…

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s