At’ Vinçenc Prennushi, POET I PAPËRSËRITSHËM / Nga Fatime KULLI

At’ Vinçenc Prennushi, POET I PAPËRSËRITSHËM

 

 

fatime

Nga Fatime KULLI

 

(Shpirti i thellë e i pavdekshëm i poetit Prennushi që thërriste: “Shqypnia asht e shqyptarëve”)

 “Nuk ka dhe nuk mund të ketë epokë pa poetë” (Pjerre Reverd)

 

  1. Jo pa qëllim e nisa mendimin tim me ketë thënie të Reverdis, për poetët. NJË, që pa dyshim e ka skalitur portretin e tij, hije-dritën e epokës historike, është edhe Vinçenc Prennushi, në gjysmën e shekullit ’19-të, në kohën e kolerës komuniste….ku e anatemuan dhe e çvendosën përkohësisht nga harta e krijuesve të letërsisë shqipe, pasi ai u rikthye fuqishëm pas viteve ‘90.

Për herë të parë njihem me poezinë e Prennushit, nëpërmjet poetit dhe studiuesit Alfred Çapaliku , i cili ka bërë një punë shumë serioze në monografinë e “At’ Vinçenc Prennushit” (Shkodër, 1996): Libri i tij hap një dritare nga ku shquajmë qartë kristalizimin shpirtëror të poetit të mohuar.

Me obligimin si lexuese si poete dhe si qytetare  e këtij trualli ngazëllehem e dergjem në shtratin e poezisë së Prennushit, ku arti i tij më ka gërvishtur plagët e identitetit tim, të të parëve të mi, për faktin se jam nga  treva e Çamërisë.

Pikërisht në maj të vitit 2005, në takimin “ Fjala poetike Sarda 2005” isha anëtare e jurisë. Një maturante e gjimnazit “Jordan Misja”, Suida Arçi, interpretoi poezinë “Grueja shqyptare” të V.Prennushit, e cila mori çmimin e parë unanimisht nga juria.

Nuk mund t’i përshkruaj emocionet që përjetova gjatë atij takimi, me shpirtin krijues të poetit, ku nëpërmjet zërit të një adoleshenteje derdhej zëri i atdhedashurisë si jehonë legjendash e përplasej tej faqeve të malit përreth, ku endej shpirti i thellë e i pavdekshëm i poetit që thërriste “Shqypnia asht e shqyptarëve”.

Nuk mund ta harroj gjendjen e brendshme që fërgëllonte si prush përmes interpretimit të fjalës poetike të Prennushit, m’u shprishën të gjitha qelizat e trupit dhe të shpirtit tim… Asnjëherë s’u ndjeva më e mbrojtur sesa nga fjala e poetit. Në sytë e adoleshentes shkëlqenin lotët e triumfit, si ushqimi më i ëmbël në magjen artistike të fjalës së shenjtë të artit poetik, të Prennushit, që do t’më mbetet gjatë në kujtesë. Zemra ime ngrihej lart në qiellin e fjalës. Ky pra është Poeti, kjo është fjala magjike që hyn në brendësi të shpirtit njerëzor me mjeshtërinë e komunikimit me gjuhën e artit.

Emocionet e jashtme marrin forcë përmes emocioneve të brendshme të librit, që më dridhet ndër duar duke e rilexuar.

 

14962808_10209435522878621_2167807507147171150_n

At’ Vinçenc Prennushi

 

2.Në vëllimin poetik me poezi “Gjeth e lule”, spikat timbri leksikor në tërheqjen e gjuhësisë së gegërishtes, me një shprehje të pastër emocionale.

Poezia e V.Prennushit në përgjithësi është një ligjërim ëndrrash, akt-formash, e besimit tek njerëzorja, tek jeta, me gjetje befasuese, brenda origjinës së ëndrrës.

Ky ligjërim ndërtohet me shtresa të vendosura mbi dhe nën një ligjërim të lashtë.

Poeti duke qenë një njeri me dije, i rritur dhe i edukuar në Shkodër, me kulturën e besimit katolik, gjatë aktit të krijimit tenton efektet për rindërtimin e besimit tek poezia dhe fjala e poetit. Ai e ndërton boshtin krijues me tre akse poetike: a)patriotike, b)shoqërore, c)fetare.

Të tre akset lëvizin në gjendje të harmonishme, duke finalizuar koncertin e tij poetik me partitura të ndryshme gjendjeje muzikore, pa lëvizur shkopin magjik të dirigjimit, të qëllimit artistik. Këto lëvizje gjendjesh, i gjejmë në shtyllat bazë të ndërtimit poetik tek poezisë: “Tuj dekë”,”I vor’fni”, “Kreni”, “Lulja e reja”, “Shekulli”, “Nana” dhe deri tek poezia “Në rrymë të moteve”, e cila (për mua) është poezi e pastër emblematike, ku çdo rrokje, çdo fjalë, çdo varg vallëzon si refren bibliko-artistik. Kjo poezi ka ritëm të lartë: shpirtëror-moral-qytetar. Këtu himnizohet madhërishëm në formë artistike: PAQJA, që gjithë vendet e kombet e botës e ruajnë si gjënë më të shenjtë e të paprekshme.

E gjithë vepra e Prennushit paraqet një tablo serioze, ku burimi i aktit krijues është rrjedhje e gjendjes së brendshme shpirtërore të poetit, me gjendjen origjinale të figurave që, Prennushi i gjallon, i madhëron si nevojë e qëllimit të misionit artistik. E gjithë “loja” artistike, epiqendrën e vendos në kufirin e idealit qytetar e njerëzor, për të përjetësuar identitetin e Atdheut me simbolin e Flamurit. Duke paraqitur në krijimtarinë e tij, personalitetin e njeriut atdhetar që rreket për lirinë  dhe dashurinë e Amësisë (Atdheut). Ky koncept i rëndësishëm i Prennushit, është koncepti i përjetësisë së poetit për atdheun e tij.

Arti i At’ Vinçenc Prennushit më kujton një thënie të Gëtes: “Poeti duhet ta dojë atdheun edhe si njeri, edhe si qytetar”. A nuk është edhe V.Prennushi një poet me vlera të spikatura qytetare të atdhedashurisë në poezinë, si “Shqypni e s’ke”, “Burri shqyptar”, ku ai ligjëron në skenat dramatike që luheshin mbi fatet e Shqipërisë (në atë kohë) gjatë luftërave botërore.

“Por t’ka ruejtë, djalë, Zoti krahët,

t’ka ruejtë krahët e t’ka falë t’shkathët:

Eja, pra e t’shtërgojë n’gji

mandej del prap për Shqypni….”

Kjo është një tablo, për dëshirën, urtësinë e trimërinë e heronjve në poezinë “Burri shqyptar”. Poeti  V.Prennushi në vëllimin poetik “Gjeth e lule”, shpalos vlerat e një eruditi që diti ta ngjizë shpirtin me artin e të shkruarit drejt mishërimit të një vepre artistike jetëgjatë, me temë patriotike, duke krijuar Unin e tij të paarritshëm, në ansamblin e poezisë shqipe.

Një ndër poezitë (tipike për karakterin e shqiptarit), është “Ushtari i vogël”. Është  shumë interesant ndërtimi i poezisë me objekte realë, siç janë: veshja e ushtarit, shpata e pushka, që poeti i përdor në imagjinatën e lëvizjes, për t’i vënë si elemente të jashtme në funksionin e elementit bazë të poezisë, duke realizuar formë-gjendjen metafizike të poezisë.

Forma gjeneruese e heroit të poezisë është “Ushtari i Vogël” ende fëmijë, që rrit dhe fuqizon qëndrueshmërinë artistike në aktivizimin e aktit poetik me figurën simbolike të nëntekstit  që është elementi themelor (ëndrra ), ëndrra për t’u bërë gjeneral.

“Punë fort t’mdha kishem me krye,

edhe anmiqt kishem me i thye:

me qindresë e dalë–kadalë

general kishem me dalë”.

Pra, ëndrra e “Ushtarit të vogël: është që të bëhet gjeneral, t’i shërbej me devotshmëri e trimëri vendit të tij… dhe emocioni rritet me vargun autoritar, pasi:

“General! S’a punë me luejtë:

me ra n’luftë edhe me muejtë,

me drejtu gjith’ at ushtri,

por ç’dobi, se ndodh i vogël,

as s’di ç’ujë e ban kët vogël”.

Përpilimi artistik  i dëshirës së lindur nga fantazia, e rrit poetin, e çliron nga qenia e pavetëdijes, duke e zhveshur elementin e parë në aktin krijues të gjendjes bazë, që është ëndrra.

“E them unë pra sado qi fmi

me dek’ kisha për Shqypni”.

Një gjendje tjetër në këtë poezi është shpirti human i poetit, ku “loja” e heroit të vogël, në mënyrë krejt naive, si ai fëmija me botë të pastër shpirtërore, di të falë më parë se i rrituri. Ja sprova:

“E, masi, me ndihmë të Zotit

t’siguroj tokën e Kastriotit,

edhe armiqt’ un do t’i fali,

Mjaft qi t’m’thonë: “Rroftë generali”.

Ideja e autorit gjatë kontekstit të ligjërimit hap çelësin e aktit krijues, si histori të epokës së poezisë, ku V.Prrennushi zë një vend komod, për të udhëtuar gjatë, deri në ditët e sotme. (Pa shënuar ndonjë eveniment të veçantë prej eunukëve vargëzues), edhe pse, sytë e poezisë së “djeshme”, janë bebet e syrit të sotëm të poezisë shqipe, si: Mjeda, Fishta, Prennushi, Pali, Camaj, N.Frashëri, Migjeni, e tjerë.

Pa shkëlqimin e vështrimit të tyre, ne jemi miopë.

Zëri muzikor në poezinë e Prennushit mbështet një vegël të lashtë muzikore, që shfaqet në ditët e sotme gjatë tingullit kuptimor të tekstit, e herë si imazh i lëvizjeve të notave që mërmërijnë në shijen dhe buzët e  lexuesit të çdo kohe. Andaj, lexuesi i vëmendshëm përzgjedh të marrë fjalën  e shenjtë të poetit, për ta interpretuar si mundësi të ligjërimit. Këtë gjë po bëj dhe unë, për të realizuar qëllimin e shijeve të mia, me poezinë e Prennushit.

“Poezia duhet të mëshirojë qenie konkrete që ka karakter kombëtar” (Hegel). Ky koncept për poezinë me karakter e patos kombëtar, ekziston tek poetet e mëdhenj, paqedashës, human e njerëzorë. Njëri prej tyre është edhe Vinçenc Prennushi, që meriton vëmendje për artin dhe misionin artistik që përcjell në letërsinë shqipe.

Me të drejtë, Alfred Çapaliku, në librin e tij, thotë: “Ai zë një vend  e justifikon piedestalin dhe monumentin  prej tingujsh e fjalësh në panteonin e letrave shqipe”.

Struktura e simboleve në poezinë e Prennushit është ngjizur harmonishëm nw formën e shpirtëzimit  idealist, duke krijuar në trungun artistik “Gjeth e lule”,  rrezatimin e figurave poetike , si nevojë e brendshme për ndërtimin e UNIT-Simbol, që mban vulën e Vinçenc Prennushit. Dhe këtë përcaktim timin e mbështes në dukurinë e teorisë së poetizimit Prennushian me temë patriotike.

Poeti i përket kësaj kategorie njerëzish , ku në mbretërinë e atdhedashurisë përputhen me ata njerëz patriotë, që kanë  sakrifikuar gjithçka për lirinë, për simbolin më të shenjtë që kanë patur luftëtarët e lirisë. Gjithashtu edhe ideatorët e Rilindjes Kombëtare , që me mendjen e penën e tyre vunë në shërbim të njohjes së identitetit të shqiptarëve, si kombi më i lashtë në Ballkan.

Këtë atmosferë idealiste, patriotike e gjej në poezinë “Grueja shqiptare”, që për mua është një kryevepër letrare e V.Prennushit. Po citoj disa fragmente nga poezia ku autori me intuitë intelektuale krijon klimën e ankthshme në aktin e krijimit:

 

“T’bin e vet kshtu e pvetë e ama:

-Ç’ke, moj bi, qi kjan e fsha?”

……

“Nanë, dashtnija m’ka molisë,

prandaj kjaj-o tuj qindisë!

-T’u thaftë goja, bi, ç’po thue?

A kaq shpejt ti m’je tërbue?”

……

Jam shqiptare e bi shqyptari,

e ato fjalë, nanë, s’mund t’i bari:

Zemrën dysh un’ s’mund e daj:

M’len t’qindisi, m’len të kjaj!”.

 

Ky dialog (amë e bijë) shënon pikën më të lartë emocionale, shqetësimin e nanës, dhe dashurinë e së bijës, e cila duke qëndisur flamurin kuq e zi, për të ngritur lart kulturën e identitetin kombëtar, duke madhëruar skenën e interpretimit të gjendjes shpirtërore-artistike të fjalës më të madhe, më të rëndësishme në këtë poezi, ndërtuar me gjetjen e imagjinatës të dialogut nanë e bijë. Shqetësimi i nanën nuk e ndaloi dashurinë e së bijës, edhe pse, fryma e fundit, depërtoi si rreze e artë mbi pëlhurën e qëndisur, që do të mbështillte trupin e pajetë të vajzës, simbol i përjetësisë së kombit shqiptar.

“S’e ç’e gjet të zezën nanë,

nën kët diell e nën kët hanë!

Merr pëlhurën, qi pat enë

bija e sajë: kishte pas kenë

Kuq e Zi e m’të qindisë

gjet dashtnin qi e kisht’ molisë.

Për rreth shqypje, m’dorë prarua

Fjalët  e hershme, fjalët e të parve:

Se Shqypnija asht e Shqyptarve?.

 

Pikërisht, këtu është dashuria më e fortë, e qëndrueshme, dashuria e ëndërruar e së bijës, e cila pasionin e idealit të madh e realizoi duke sfiduar dhimbjen e trupit përmes dritës hyjnore. Këto efekte artistike shoqërohen me emocione të fuqishme, duke shënuar një përputhje uniteti me: gjetjen e fabulës poetike, staturën artistike, “lojën” brilante të personazheve dhe finalizimin interpretativ të autorit, kur gjëmon:

“Lidhuni tok, si bajshin motit

ato bijat e Kastriotit,

e broh’ritnin n’gzim e n’vaje:

Rrnoftë Shqypnija e flam’ri i saj!”.

Ky është shpërthimi më i fuqishëm i gjendjes së poetit, gjatë deklamimit ligjërues në mbyllje të misionit të tij, i idealeve të poetit patriot, qytetar e fetar.

Krijimtaria e V.Prennushit, si sovran i letrave shqipe, është poet i papërsëritshëm, ku misioni i tij i kaloi kufijtë e të pamundurës. Ai është poeti shpirtëror i kombit.

Po e përfundoj mendimin tim me një sentencë të artë të Rilindësit Naim Frashëri: “Ti, Shqipëri, më ep nder, më ep emrin shqiptar!”

Kjo  thënie vlen përsosmërish për poetin At’ Vinçenc Prenushi.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s