XHINDJA E PYELLIT / Tregim nga Hyqmet Hasko

XHINDJA E PYELLIT

 

 

Hyqmet Hasko- 2

Tregim nga Hyqmet Hasko

 

Në një nga ato mbrëmje të hareshme vere, me pije, meze dhe muhabete të gjithëfarëshme, me shokun tim Tedin po bisedonim për dashurinë në kohën e komunimzit dhe fjalë pas fjale e muhabet pas muhabeti u morëm me shumë tema e çështje, duke sjellë secili shembuj nga më të ndryshmit.

Tedi, pasi kishte rrëlëllyer nja katër gota verë dhe qe bërë në qejf, ia nisi të tregonte një histori që mua më bëi shumë përshtypje, ndoshta një nga personazhet e atij rrëfimi ishte një ish miku im, intelektual nga qyteti N. që tash disa vjet banonte në Tiranë.

Pasi porositi dhe një shishe verë Vernaca dhe një paketë malbora, miku im Tedi ia nisi të rrëfente me një zë të shtruar e të butë, sikur po bisedonte me ujëvarat e jo me një njeri të gjallë. Por para se të niste tregimin, më mori premtimin që të do ta shkruaja këtë histori dhe do ta botoja. Unë i dhashë fjalën dhe ai nisi me atë zërin e tyre prej basi, jo sikur rrëfente, por sikur këngëzonte:

-Ishte koha e socializmit dhe unë i kisha mbushur a s’i kisha mbushur ende të tridhjetetat. Isha shëndetlig, trupdobët dhe një grip të binte në Kinë, me të cilën aso kohe po lulëzonin marrëdhëniet dypalëshe, vinte e më zinte mua në Kodër të Diellit.

Unë isha sekretar rinie i kooperativës dhe një ditë më thërret kryetari e më thotë që pas punës, natën, të gjithë të rinjtë do të përfshiheshin në një aksion një mujor për pastrimin e pyllit.

-Një muaj i thonë, -ia nisi kryetari, -nuk është një jetë. Duhet të mobilizoheni e të rrini pa gjumë, ta bëni natën ditë për interesin e kooperativës. Iu thafshin duart po nuk morët flamurin në shkallë rrethi!

-Rri pa merak kryetar, do ta marrim se nuk bën!

-Ashtu të lumtë! E dija që nuk nuk më lije në baltë! Je djalë ari për t’u pirë në kupë!

-Jo në kupë kryetar, bëra unë shaka, por me gotën e çajit kinez!

-Ah qerrata, si lë që si lë rromuzet, por kujdes! Nganjëherë fjalët marrin ters. Po s’ka gjë, ti je djalë për të qenë, por ama flamurin e dua, dakord?

-Dakord!-i thashë dhe fluturova si era. Vajta shtëpi më shtëpi dhe lajmërova të rinjtë për aksionin që na priste që në mbrëmjen e asaj dite.

Kur vajta te xha Mirushi, ai më futi me zor brenda, më vuri përpara një gotë raki me pak djathë dhe e toku me mua. Në pije e sipër, m’u lut që ta mbaja afër të bijën, Dafinën në aksion, se helbete natë është më tha; e keqja bëhet në mes të ditës e jo në mes të natës, në pyllin qorr e të frikshëm.

-Po ta lë në mirëbesim Dafinën, more bir, sikur ta kishe motër! Vetëm tek ti kam besim, se ruajnë Zot, e keqja bëhet sa hap e mbyll sytë dhe unë jam plak njeri, nuk mund të jetojë me turp në vatër!

-Mos ki gajle, xha Mirush, Dafinën do ta mbajë afër dhe do të ta kthejë si kokrra e mollës në shtëpi!

-Rrofsh more bir, u bëfsh të mira! –më uroi plaku dhe me kaq mbaroi kjo vizitë.

Atë mbërmje, para se të shpërndaheshim për të pastruar pyllin, e thirra Dafinën pranë meje dhe i thashë që të mos largohej por të rrinte në grupin ku isha unë, se kisha porosi nga i ati dhe duhet t’ia zbatoja atë.

-Hë mo dhe ti,-ma ktheu ajo, sikur jam e vogël unë, ja këtu me shokë e shoqe së bashku jemi… Kështu tha dhe çau mes drurëve të gjelbër duke këngëzuar me një zë të bukure të ëmbël që të merrte më qafë.

Këngëzimet e Dafinës, ajo zhaurimë që mbështillte pyllin e lanë fshatin netë të tëra pa gjumë.

-Kanë ardhur xhindet!-thoshin plakat me njëra tjetrën. –Nuk mund të lëviz njeriu i shkretë natën se xhindet janë tërbuar dhe po ngerjnë në këmbë dhe lisat e pyllit.

Xhindja kryesore ishte Dafina, kënga e së cilës nuk pushonte asnjë çast, e pasuar nga ajo e shoqeve dhe shokëve të saj, që më shumë se sa pastronin pyllin, bënin zhurmë e potere të pa parë në mes të tij…

Disa herë Dafina më provokoi, donte të më fuste në shtigje të vetmuara, larg syve të të tjerëve, që të rrinte vetëm për vetëm me mua, por unë nuk mbaja nga ai krah.

Ndonëse ishte shumë e bukur, aq e bukur sa t’i këpusje kokën, unë isha bërë i huaj për trupin tim dhe ndjesitë e mia; e torturoja veten që të mos ndieja asgjë për të si femër, pasi i kisha premtuar babait të saj se do ta mbaja afër dhe do ta trajtoja si ta kisha motër.

Një natë erdhi në pyll me ne një intelektual nga qyteti N., mësues në shkollën e mesme të atij qyteti dhe më takoi mua, duke më thënë se do të merrte pjesë në aksionin për pastrimin e pyllit me të rinjtë e kooeprativës sonë. Kishte marrë zotim para komitetit të rinisë së rrethit dhe ata e kishin mbështetur e inkurajuar iniciativën e tij, që sipas tyre duhet të ndiqej dhe nga mësuesit e tjerë.

Atë natë fryu një pah I freskët dhe përkëdheli majat elisave duke na sjellë në hundë kundërmimin e vjollcave dhe mimozave të porsaçelura. Po pastroja pyllin dhe po mendoja për flamurin që donte kryetari, ndërkohë që vura re se isha shkëputur nga grupi dhe kasha mbetur prapa.

-Hajde, dembel, më thirri Rina, një vajzë çapkëne si çun I llastuar, që ama për punë s’ia hante qeni shkopin!

-Erdha Rina, erdha, vazhdoni ju se unë jam burrë pak më I vjetër dhe nuk iu ndjek dot!

-Na ndje që ç’ke me të, por kushedi se ku të fluturon mendja dhe mendja komandon duart, këmbët, trupin dhe gjithçka!

Aty afër mëngjesit, vura re se Dafina mungonte, sikur e kishte përpirë dheu. Kënga e saj nuk dëgjohej askund. Xhindja kishte fluturuar. Por bashkë me të kishte fluturuar dhe mësuesi nga qyteti N. Dy a tre orë ata nuk u panë askund në pyll dhe kjo ra në sy të të gjithëve. U bëra vrer, se i kisha premtuar të atit, se do ta mbaja afër, do ta ruaja nga e keqja. Nga e keqja mbase, po si mund ta ruaja nga vetja e saj?! Askush nuk mund ta ruajë tjetrin nga vetja e tij!

Ata u kthyen aty në të zbardhur të ditës, secili veç e veç, por kjo nuk e mbulonte hijen e mëkatit. Pësh-pëshet mbushën pyllin dhe njerëzia thanë se xhindet nuk po rrinin në qetësi edhe afër mëngjesit, ndryshe nga tradita e rrëfimit popullor, që thotë se bashkë me afrimin e agut, ikin dhe xhindet e natës!

Nisën pësh pëshet se Dafina dhe mësuesi nga qyteti N., Aleko ia thoshin emrin, po e luanin bishtin me njëri-tjetrin. Tanimë jo vetëm banorët e natës së pyllit, por edhe banorët e ditë-natës së fahatit dhe të qytezës përkarshi, gjithë gjindja flsnin në zë për historinë e tyre.

Mësuesi Aleko ishte i martuar dhe kishte një vajzë të vogë trevjeçe, por me sa duket i kishte rënë në kokë aq shumë për Dafinën sa nuk donte t’ia dinte as për familjen e as për fjalët e botës!

Dafina ishte në kulmin e bukurisë, dukej tamam si një xhinde, që shndërrohe herë ditën e herë natën, në mes të pyllit, teksa gjithëherët lëshonte hije bukurie e përndritje mrekullore tek të gjithë ata që e rrethonin!

Miku im Tedi ndaloi një copë herë, si për t’u mbushur me frymë dhe ndezi një cigare tjetër me një çakmak që unë e nxorra nga xhep me ngut. Porositi dhe një shishe verë dhe më hodhi një vështrim të gjatë, pyetës e kureshtar.

-Si përfundoi Dafina me mësuesin Aleko?-e pyeta.

-Si mund të përfundonin thua ti?! Si të gjitha historitë e këtij soj. Ajo mbeti me barrë dhe lindi një djalë në ilegalitet të plotë. Pastaj u zhduk nga fshati dhe as në fshat, as në qytezë e as në qytetin N, që atëherë s’e ka parë më askush! Disa thonë se ka luajtur mendsh, ca të tjerë thonë se është zhdukur në dhe të huaj dhe ka humbur çdo lidhje me të afërmit… Mësuesi Aleko vazhdoi jetën me familjen e tij pa e prishur terezinë, sikur nuk kishte ndodhur asgjë dhe tani ka ardhur familjarisht në Tiranë!

-Po babai i Dafinës, ç’u bë me të?

-Ka kohë që ka vdekur. Vdiq zemërplasur për të bijën. Ai ma la amanet, por e vetmja mundësi që kisha unë për ta mbajtur nën pushtetin tin të bijën, për të mos ikur, ishte ta bëja të dashur, të shkoja me të. Ajo ishte plotëisht e gatshme, po si mund ta bëja unë këtë?! A nuk i kisha dhënë besën babait të saj se do ta mbroja dhe t’ia çoja të bijën në shtëpi si kokrra e mollës?!

-Dhe e mbrojte! –ironizova unë.

-Mund ta mbroja nga gjithkush, por jo nga vetveteja e saj, -përsëriti Tedi. -Njeriu me veten bën çfarë të dojë dhe askush nuk mund të ndërhyjë, qoftë dhe njeriu më i afërt, apo jo, miku im?!

-Ashtu është Tedi. Njeriu bën çfarë të dojë me veten e tij. Edhe pse kjo liri i kushtoi Dafinës shtrenjtë!

Kur dolëm nga lokali kishte kaluar mensata dhe çuditërisht, rrugës për në shtëpi, më dukej sikur dëgjoja këngëzën e xhindes së pyllit…

 

H..@,..B..H

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s