Poezi nga Fatbardha Sulaj
***
Fhtohtë,
mëngjesi ngrihet me hënën
ngrënë në një cep,
teksa dielli buzëqesh mbi mal.
Fhtohtë,
shalli mbulon buzët
dhe të kuqin 24 orësh
Duart gjejnë fundin e xhepave
për pak nxehtësi
zhurma e takave në tokën
e ngrirë
lë jehonë kalldrëmi.
Ftohtë
e dua mëngjesin e ngrirë…
***
Kryqe të kaltër vizatuam në qiellin me re
bekuar prej Arshit të shenjtë
me gota eliksiri.
Buzët lagëm
të dehur….
***
U bëmë shpirtra
në dimensionin e paqtë
orët i shndërruam në zana
deshëm nirvanën
dhe si Buda u rimishëruam.
***
Tani rrugët janë bosh,
dhe siluetat fshihen gjetkë.
Tani dhe shpirti ecën veçmas trupit,
duke mbajtur në duar epitafet
e kohës…
***
Unë jam nata,
hënë s‘ munda të jem
dhe pse me sharmin e saj
mbulova ëndrrat,
dashuritë,
imazhet.
Njeriun ujk
puthur me hënën sajova,
kur medalionet e saj thyheshin
në maja minaresh.
***
Ti u deve me mbrëmjen tekanjoze
nise ta duash pa u errur,
nise ta quaje të përdalë,
po në errësirë
u çmende prej
sharmit të padukshëm
e gjitha me mbrëmjen e errur…
***
shiu largohet dhe afrohet
në mëngjesin e zymtë,
Sjell trishtimin e kohës
përtej xhamave
Shpërndarë nëntorit
duke luajtur me gjethet e vjeshtës.