Poezi nga Fatbardha Xhani Myslimaj
PIKË SHIU
Pikë shiu që re mbi trëndafil, si lot
Sot u bëre shoqja ime më e mirë
Vërtetë aromën nuk e mora dot
Po të paktën për të ndjeva dëshirë…
Pikë loti që rrëshkite nga syri im
Askush s’ të pa sonte mbi timin qerpik
Thahu shpejt, se unë deri në agim
Do t’ i lutem mikut të mos ikë…
PAINTING & PAINTING
Në ç’ëndrra vere fshehur m’ u fanite
Në ç’rrugë drite shkova e të ndesha
Në ç’ det lotësh erdhe e më prite
Në ç’ jetë tjetër vdiqe e të desha…
PERËNDIM
E keni parasysh,
sa bukur ulet Dielli mbi det
e duket se mbytet në horizontin gri…
Po unë, më thoni
Ç’ të bëj me të kuqen e faqes time
Ç’ të bëj me dashurinë e tejkaluar tani…?
MELODI
Gjithçka nis si një melodi
Në tingujt e parë ka diçka mistike,
që paraprin tinguj të tjerë më të thellë.
Muzika herë ulet e ngrihet me ritmin e zemrës,
sa besohet se do jetë kështu përherë…
Po zërat shuhen ngadalë
Tingujt harrohen nëpër aroma duarsh
Shiu pushon nëpër strehë puthjesh
Ndarja nuk dhemb më
dhe hiri i kujtimeve nuk pushon së rëni
Mbi ditë e mbi netë….
MENDIM I BUKUR
Në shukun e letrave të lëna në bregun me dallgë
Aty ku rëra lëmon valët me mollëza buzësh plot kripë,
si pulëbardha që ka humbur kapitenin e barkës së saj
do më gjejë një mëngjes flladitës, mendimi i bukur…
Gjurmët do ti ndjekë si dikur, mes shiut e vetëtimave
Më duaj jetë, do belbëzojë, dhe do më shohësh pastaj
Se si do më ndritën sytë, e do më përvëlojnë buzët e thara
Fëshfëritjen e fustanit të bardhë falja erës që më prek…
E unë do ta lë të ngjisë si bletë në pjalmin e luleve
Eci këmbëzbathur mbi dëshpërimin e ëmbël, i lutem:
Ta lejoj të shoh edhe një herë të vetme, atë ikje dallgësh,
prej të cilës vështirë është të largosh Egon e lënduar keq…
Do të ulen sërish dallgët e egra që trembin zogjtë e detit
Kaltërimi do mbulojë syprinën e pafundme gjer në skaj
Lulet e bardha do çelen në breg, si lajmëruese pranvere
Fati i mirë do njomë sytë e ditës, lodhur prej stuhive gri…
Kështu ndodh gjithmonë, riciklohet gjithçka nga e para
Veç ne harrojmë, bëhemi dallga e egër e vetes së harruar
Diku në një breg me guacka e gjurmë të fshira….