Poezi nga Lumo Kolleshi

lumo kolleshi

Poezi nga Lumo Kolleshi

 

 

ANTILEGJENDË PËR ROZAFËN

 

Të pata thënë, Rozafë, të mos vije,
Gjelina e vogël me bukurinë mbi re. *
Le të vdisnin vëllezërit urie,
Le të vdisnin vëllezërit të tre.

Dy në tre gjithmonë bëjnë shumë
E shumica gjithmonë merr pushtet,
Për besëshkelurit, prapë të them unë,
S’ia vlen të sakrifikoje dy jetë.

Ti ishe ende lehonë,
Do priste një foshnjë për gji,
Ustallarë kish plot ajo zonë,
Do ngrihej kalaja përsëri.

Le të lidhnin duart vëllezërit,
Të muroseshin në themele të tre.
Ma lodhën kombin besëshkelurit
E besa mbetet gjithmonë kallogre.

_____
* nuse

 

 

PËRMETI IM

 

Dashuri që nuk e njeh kurrë kursin e këmbimit,
Pentagram i dhimbjes kur të kam larg,
M’i pret përherë në shtyllë telat e largimit,
Pleqërinë ma rinon e rininë ma plak.

Vese më ke bërë në maje trëndafilash,
Valë lumi më shtjellon pas çdo kabaje,
Gjumin ma ke djegur me netë bilbilash
E zemra më bredh zbathur përmbi zaje.

Ah,gliko e arrës dhe raki e fortë,
Kurrë nuk t’u sos për miqtë e mi!
Je qyteti më i shtrenjtë në botë.
Ketë s’e them unë, por jotja dashuri.

 

 

FALMËNI

 

Falmëni,të vdekur,
(Dita juaj është sot në çizmen apenine)
Pushimin e dhënë për ju sot e kam shkelur,
Në katin e tetë prisnin pllakat për shtrime.

Falmëni, të vdekur,
Me ne të gjallët ndodh edhe kështu.
Kur qielli hënën dhe yjet t’i ketë zhveshur,
Në vargun tim do ta ndez një qiri dhe për ju.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s