Cikël poetik nga Vullnet Mato

vullnet

Cikël poetik nga Vullnet Mato

 

 

NJË DITË DIMRI, DITË DËBORE…

(Improvizim stinor)

 

Një ditë dimri, ditë dëbore,
u nisa të pi raki me shokë…
Një belhollë më zu për dore:
Dëgjo të lutem, mos pi sot!;

Eja të pish një eliksir lulesh,
në shtrat me petale të bardha,
të bëhesh sarhosh, mes tulesh,
me aroma molle, ftonj e dardha ;

Të ndizesh flakë e të notosh,
në det të ngrohtë, pa ujë të valë,
t’i thuash dimrit, ik të dimërosh,
bashkë me borën, përmbi mal…

M’u prish mendja ku të shkoja,
shkreptiu syrin e më mpiu trurin.
Rakinë a belin e çuditshëm doja?
Por ajo drejt klubit, ngriti murin;

Largoi dimrin, sikur të ish vera
dhe zbrazi retë e borës në veri.
Kur u çova nga shtrati, ndjeva,
isha bërë njëzet vjet, më i ri !…

 

 

DASHURIA, MBRETËRESH’ E BOTËS

 

Dashuria është vet perëndia,
ndonëse nuk e shohim me sy,
ekzistencën e shfaq te ndjesia,
brenda qenies tek çdo njeri;

Është gjaku, lindur prej gjakut,
të kuqëlojë gjer në përjetësi,
vajza dhe djali, në sup të plakut,
të çojnë stafetën në pafundësi;

Dashuria është fara e mbirjes,
në tokën pjellore, ku pjalmon.
Ajo është fokusimi i dritëhijes,
në sytë tanë pamjen qartëson;

Dashuria është fuqi graviteti,
mban Tokën pezull lart në qiell,
është uji që ngrihet nga deti,
të blerojnë gjethet nën diell;

Dashuria gjeneron energjinë,
në të gjithë lëvizjen jetësore,
shumëzon kudo veç mirësinë,
dhe shkatërron urrejtjen mizore;

Dashuria është shkreptimë,
mbi sytë e spikatur për bukuri,
shpirti që kërkon binjakëzim,
diku larg, tek një tjetër njeri;

Dashuria është grua e bukur
dhe burrë energjik, i pashëm.
Është eksplozion i strukur,
ndizet me fitil të ngadalshëm;

Dashuria i jep inercinë zemrës,
të trokojë me revan, pa pushuar,
mashkulli të vlojë në gjoks, femrën,
të bëhen trup e shpirt, të njësuar;

Dashuria është përkushtimi,
për fatkeqin njeri, të sëmurë,
është shpresa jonë dhe durimi,
për të mos vdekur kurrë;

Dashuria ka flatra të shpejta,
për të fluturuar, pa u ndalur,
udhëve të gjata, të përpjeta,
ku e pret njeriu i dashur;

Dashuria shpesh artikulon fjalë,
më të ëmbla se vet ëmbëlsia,
nga të gjitha lulet me nektar,
të deh me aroma, si magjia.

Dashuria e vërtetë nuk blihet,
as me florinjtë e bosëve të pasur,
por vlera e saj, as nuk shitet,
falet te personi më i dashur;

Dashuria në glob, është kryetruri,
njerëzimin në çdo skaj komandon.
Dashuria është Everest prej guri,
që edhe pas vdekjes mbijeton;

Dashuria i jep jetës sonë kuptimin,
në hapësirën e kohën, ku jetojmë,
është fryma, me oksigjen aspirimin,
që na ushqen qelizat të gjallojmë;

Dashuria është mbretëresh’e botës,
zgjojet e kontinenteve, ripopullon,
me krahë raketash e avionë të sotëm,
në lëndina galaktikash, lulnaja kërkon;

Pas mijëra shekujsh, heshtje qiellore,
në shtatë qiej kozmik, me koshere bosh,
krijesat e mjaltëzimit të dashurisë tokësore,
kosheren tonë vigane kanë mbushur plot…

 

 

KUR FEMRA TË FAL ZEMRËN

 

Kur femra të do me gjithë shpirt,
jeta të bëhet gjelbërim me fletë,
pranvera të bëhet katër stinë në vit,
dimri të bëhet korrik në dyshek.

Kur femra të ka falur zemrën,
gjaku në damarë të vrapon si era,
truri drejton mendimet shtrembër,
goja të kullon mjaltë luleshqerrash.

Kur femra të do me shpirt të vërtetë,
nuk ka shkëmb që të del përpara,
nuk ka largësi në tokë, qiell e det,
nuk ka në botë shtigje të pa çara.

Kur femra të shpalos gjithë dashurinë,
ke brenda mureve të gjitha kushtet,
gatimet i ke të gjitha në kuzhinë,
fëmijët të mbijnë përqark si lulet.

Kur femra të ka dhuruar trupin përjetë,
të ka falur përjetësisht të gjitha puthjet,
në shtëpi të ka kurorëzuar mbret
dhe zoti të ka plotësuar të gjitha lutjet…

 

 

PESË PYETJE NJË DEPUTETI…

 

Kur populli pret nga ty ligjin e drejtë,
sikur të ndodhet vet, aty në kuvend,
të vendosësh pa përfitim e pa anësi,
pse për interesin tënd shet nderin e tij?

Kur populli pret t’i marrësh mendim,
t’i shkosh, ku shtyn ditët me mundim,
për nevojat që i lindin çdo muaj në vit,
pse sa more mandatin, e fshive nga sytë?…

Kur populli të ngjiti gjer tek parlamenti,
ta përfaqësosh, sikur aty flet komuniteti,
të ligjërosh gjuhën e tij, të mençurisë,
pse përdor fjalorin tënd të rrugaçërisë?…

Kur populli të paguan nga kafshata e vet,
nga pikat e djersës dhe lotët e shtrenjtë,
të kursesh paratë, që ushqejnë miliona,
pse zbraz fondet, në udhë qejfi me aviona?…

Kur populli të do të pastër, si rrezja në diell,
pa qenë me krime, drogë dhe kurva përzier,
përderisa e di veten, që je krunde për pulat,
pse u ngjite, ku Shqipërisë i vihen vulat?..

 

 

VILA IME PËRTEJ JETËS…

 

Vilën përtej jetës e ngrita me mjegullat, që mbesin,
në Udhën e Qumështit, te bishti i galaksisë tonë,
aty ku disa yje barinj, me shishe kometash, shesin,
qumështin e Arushës së Vogël, me këlyshë të vonë…

Vizitorët kozmonaut, që kalojnë pranë me raketa,
më kanë përgëzuar, me urime të befta në internet.
Madje një kozmologe e re, deshi për studimet e veta,
të provonte me mua shtatzëninë qiellore ultraviolet.

Por nuk pranova të bëja kalamaj jashtë martesës,
se mund të kërkonin trashëgim, prej kësaj pasurie,
siç u dhashë fëmijëve të Tokës, dhomat e banesës,
dhe hyra te bunkeri parafabrikat, lënë prej sime bije.

Vila ime e re, me shkallare harkore, stil venecian,
ka dritare transparente, prej oksigjeni të kaltër,
katër rrufepritëse, mbrojnë çatinë, në katër anët,
nga shkarkimet e zjarrta, me pickimet si gjarpër.

Paguaj rregullisht me këste, siguracionet kozmike,
për ta ruajtur nga rreziqet, dhjetë vitet e ardhshëm.
Ndonëse gruaja shqetësohet dhe bëhet nevrike,
që s’kemi bërë ende në dhoma mobilim të rehatshëm.

Hamë tërshërë, derdhur nga kuajt asteroid të galaksisë,
mos shtojmë peshë, për të rënduar vilën mjegullore,
se mund të na bjerë nga gjëmimet e bombave të Sirisë,
të mbetemi sërish pa strehim, si në kushtet tokësore.

Megjithatë, jam i vendosur të mbijetoj edhe në qiell,
me qindarkat nga shitja e fantazive, pa kërkuar hua.
Sigurisht, duhet kohë të mbledh paratë, duke kursyer,
por shpresoj, telebingoja e Ufove, të më bjerë mua!…

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s