Poezi nga Kozma Billa

Kozma billa

Poezi nga Kozma Billa

 

 

EH, MOJ MUZË…

 

Ç’më ngacmon kjo muzë e shkretë,
nuk më lë rehat,
unë e flak, i them bëj tutje,
ajo kthehet prapë.

Herë më çon në buzë të detit,
herë më kthen në mal,
seç më fut në disa brenga,
herë më kthen në mall.

Hej, moj muzë që kurrë s’m’u ndave,
plot ke një jetë,
herë me qeshje, herë me qarje,
lemë një ditë të qetë.

Dhe kur shtrihem për të fjetur,
prapë më rri përbri,
kur më gudulis në faqe,
unë çel njerin sy.

Eh, moj muza ime,
u rropatëm bashkë,
ku nuk kemi shkelur
në këtë rrugë të gjatë.

Bashkë kemi lindur,
në një ditë të dy,
sa do rrojmë akoma,
veç një Zot e di.

 

 

NATA E FUNDIT

 

Sonte nata e fundit
në këtë qytet ku thëllimi të ngrin mendimet,
nën avujt e frymave vishen xhamat e dritareve,
perde improvizuese të një romance të zhveshur.

Në shtratin ku s’ndihet i ftohti
pleksen ndjenjat,
dritat vetiu nemiten,
hapet perdja dhe nis dialogu pantonimë.

Dhe shfaqja vazhdon ëmbël,
nën puthje të epshta humbasim të dy,
s’e di pse u ngatërruam kështu sonte,
minutat kalonin pa u kuptuar,
çdo gjë mbaroi në ndjenjë kënaqësie,
perdja u mbyll pa duartrokitje,
sa do të doja të mos ishte kjo nata e fundit.

 

 

PALASA

 

Vend i përkundur në djep të lashtë historie,
shekujsh shkruar në librin e kohës,
zgjohur çdo mëngjes nën stërkalat e Jonit blu,
të përshëndes dhe përgjërohem për ty,
zgjohem me ëndrrën tënde,
jam biri yt shekullor.

Simbolin e jetëgjatësisë e sollëm me vete,
e mbollëm në kërthizën tënde,
për të qenë gjithmonë stoik dhe të pavdekshëm,
epiqendër ngjarjesh,
shpatullgjerë,
idile dashurie nën hijen tënde.

Libër i pashkruar,
nga thellësia e shekujve ti ishe aty,
tallazet nuk të përkulën dhe as të shkulën,
nën tingujt e këmbanës ruajte besimin
që kurrë nuk e tradhtove,
përherë ti mbetesh
emblemë e shpirtit tim.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s