Poezi nga Elvira Bimaj Mahmutaj

elvira-bimaj

Poezi nga Elvira Bimaj Mahmutaj

 

 

Matanë rrugës

 

Matanë rrugës

tej mes dy shtëpive,

shquaj ullinjtë.

Dikur të sapo mbjellë,

fidanë të brishtë,

të brishtë si ne,

degët e vogla,

i bënim strehë.

Tej, midis shtëpive,

shoh ullinjtë,

degët, zgjatur,

si gishtërinjtë e tu dikur,

kur më prekje flokët,

shpupuritur nga era,

faqet, nga dielli prush,

fustanin me lule mali e fjongo

fshehur pas degësh,

se më puthe në gush.

Midis shtëpive,

për një çast m’u duke ti.

Ndjeva mall, më mungoje.

Atje te ullinjtë tanë

fshehur aty…

Të më thoshe dhe një herë

sa shumë më doje.

 

 

Në shtëpizën vajzërore

 

Në shtëpizën vajzërore,

çasteve kur lulëzoja,

mes dashurive,

si krahëshkruara flutur,

ulesha në prehërin e tim eti.

Si zog i brishtë,

strukesha në gjirin e nënës,

mbrëmjeve,

kur kapja xixëllonjat ndër odrie,

sy e buzë i vija Hënës.

Rreth një peme,

ku derdheshin kokrrat e manit,

me vëllanë, çamarrokun

përplot shportën mbushnim.

O sa grindeshim,

në shtëpi kur shkonim,

një unë, një ai,

kokrrat e manave numëronim.

Sonja ime me flokët e rrallë,

sa qante!!!

Kërkonte kukullën, jo Barbin,

por kallirin e pabërë të misrit

që jetonte në arë,

se me xhufkat e verdha,

mësonte të thurte gërsheta.

Po si i këndonte ninullën,

që nëna i pati kënduar,

netëve pranverore?

Asaj Sonjës së llastuar,

atje, në shtëpizën vajzërore!

Më e vogla motër.

E mbaja ndër duar.

Me ledha i thosha:

“O moj syri i bukur!”

Me fustan qëndisur,

sandalet ngjyrë vishnje,

nga këmbët e vogla,

t’i zbathje nuk doje.

E gjumi të merrte,

flije aq e lumtur.

“Miuku ime”, sa shumë më doje.

Në shtëpizën e ëmbël vajzërore,

erdha sot.

Në vend të rrëmujave fëmijërore,

heshtje!

Vetëm nëna, ulur në shkallë pret

të vegjlit,

ta mbushin oborrin plot,

si dikur, së bashku,

rriteshim.

Mes dashurive hyjnore!

 

 

Kontrastet e jetës

 

E vetme nën hijen time ngushëllohem.

Veten nga gjumi dua ta shkund.

Kjo rruga e jetës sa shumë më ka lodhur.

Eci pa ditur, pa shkuar kurrkund.

Kështu është jeta: me ngjyra, pa ngjyra

me hije, pa hije, me zë, pa zë.

Nga thellësia e shpirtit dëgjoj britma,

një zhurmë të madhe për hiç, për asgjë.

 

 

Peng femre

 

Kur mendoj e dua të diktoj diçka,

gjithmonë më vjen ti në mendje

Ndoshta kujtesë e largët

e çasteve të pafata plot ëndje..

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s